Edi Rama, Ilir Meta, Saimir Tahiri, Mark Frroku, Mhill Fufi, Sali Berisha, Eugen Beci janë personat që sot do të pyeten lidhur me dyshimin se kanë dijeni për ngjarjen
Prokuroria e Krimeve të Rënda pasi mori dje në pyetje deputetin e përjashtuar Tom Doshi lidhur me një tentativë vrasjeje kundër tij, ka lëshuar një urdhër për t’u marrë në pyetje krerët më të lartë të politikës, të cilët janë përmendur nga Doshi në deklaratat publike. Sipas njoftimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, thuhet se në vijim të hetimeve të nisura kryesisht për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 79/c – 22 i Kodit Penal, të filluar në bazë të deklarimeve publike të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi, ka marrë gjatë ditës së enjte deklarimet e tij, si edhe materialet mbi të cilat ka mbështetur qëndrimin e shprehur në media.
Deklarimet
Prokuroria e Krimeve të Rënda arriti në përfundimin se politikanët duhet të merren në pyetje vetëm pas ditës së djeshme kur në zyrat e saj u paraqit deputeti Tom Doshi dhe ka ripërsëritur faktin se ndaj tij është organizuar një tentativë vrasje. Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda fton nesër zyrtarisht për të dhënë deklarimet e tyre lidhur me rrethanat e hetimit, shtetasit, Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm, Mark Frroku, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë, MhillFufi, deputet. Por në këtë listë emrash nuk ka munguar edhe një nga personat emri i të cilit doli në dritë vetëm pak ditë më parë, pas deklaratave të deputetet Tom Doshi, Eugen Beci. Ky i fundit pasi i doli emri nga deputeti Tom Doshi, u shkarkua nga drejtimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe u transferua menjëherë në Prokurorinë e Elbasanit.
Berisha
Po ashtu, në bazë të deklarimeve publike të bëra në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ditën e enjte të cilat mund të jenë të vlefshme për këtë hetim, Prokuroria për Krime të Rënda fton zyrtarisht të japë dëshminë e tij, edhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Ky i fundit nuk ka reshtur asnjë ditë duke hedhur akuza kundër Ministrit të Brendshëm. Në vijim të hetimit, do të ftohen nga Prokuroria për Krime të Rënda për të dhënë deklarimet e tyre edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal kryesisht për këtë rast, menjëherë pas deklarimeve publike të Tom Doshit. Deri në atë moment, në organin e Prokurorisë nuk ka pasur kallëzim penal, por vetëm disa të dhëna indirekte, të cilat nuk përbënin bazë për fillimin e procedimit penal, në bazë të kërkesave të Kodit të Procedurës Penale. Krahas marrjes së deklarimeve të zyrtarëve sa më sipër, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon me kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme procedurale për të sqaruar plotësisht ngjarjen.
Video
Tom Doshi në orët e vona të së enjtes publikoi në faqen e tij sociale Facebook një video ku dukej qartë se personi i cili është i arrestuar ka rrëfyer ngjarjen dhe emrat e personave që po përgatisnin. Ndërkohë pak minuta pas videos së parë Doshi publikon një tjetër video dhe disa foto ku dukej qartë se në një tavolinë në një lokal në bllok ishin duke biseduar prokurori Eugen Beci, kunati i Sali Berishës Agim Rama, personi i cili ka porositur vrasjen Fatjon Skënderi. Por për të gjitha këto detaje që janë parë në video ka dhënë shpjegimet e tij në prokurori Tom Doshi, i cili nuk ka tërhequr asnjë fjalë nga deklaratat e tij publike.
Doshi para prokurorëve, ripërsërit akuzat kundër Ilir Metës
Në orët e para të mëngjesit të djeshëm Tom Doshi, u paraqit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për të dhënë dëshminë e tij. Ai u fut i vetëm në dyert e saj. Ndërkohë kishte premtuar se do të depozitonte pranë këtij organi të gjitha provat e mundshme me anë të të cilave pretendon se ka qenë viktimë e një atentati të paralajmëruar. Ashtu sikundër kishte deklaruar Tom Doshi ka dhënë me hollësi gjithë versionin e ngjarjes kundër tij dhe kolegut Mhill Fufi. Mësohet se ka ripërsëritur të njëjtat gjëra që ka deklaruar edhe në publik. Ka akuzuar krerët e politikës se prej disa kohësh kishin planifikuar një atentat ndaj tij. Për këtë qëllim Doshi kishte siguruar edhe një video me dëshminë e personit të paguar për të kryer vrasjen dhe ai tashmë është i identifikuar me emrin Durim Bami nga Fushë Kruja. Dëshmia e Tom Doshit zgjati rreth gjashtë orë. Brenda kësaj seance janë dhënë detaje lidhur me skenarin e përgatitur, emrat e personave të përfshirë dhe mënyrën sesi personi që u pagua arriti të tërhiqet. Tom Doshi dorëzoi në prokurori edhe një video 37 minuta, ku një person që dyshohet se është paguar rrëfen gjithë historinë. Por ndërsa publikisht dihet se kush është dëshmia e dhënë nga Tom Doshi nuk mund të thuhet e njëjta gjë me dëshminë e dhënë nga Durim Bami. Për këtë të fundit ka pasur deklarata kontradiktore në shtypin e përditshëm. Tom Doshi ka akuzuar direkt kreun e Kuvendit Ilir Meta si personin që ka përgatitur skenarin kundër tij deri tek Ministri i Brendshëm dhe krerët më të lartë të politikës për sa ishte hedhur kundër tij. Ndërkohë nga ana tjetër Durim Bami mendohet se ka shprehur të kundërtën. Mësohet se Bami nuk ka pranuar të ketë marrë porosi nga Ilir Meta për të vrarë Tom Doshin, por këtë gjë është shprehur ai e ka përgatitur Doshi për të hedhur akuza kundër Ilir Meta.
Kryeprokurori Llalla nuk komenton çështjen “Doshi”
Prokurori i Përgjithshëm ka prezantuar të enjten kreun e ri të organit të akuzës së Elbasanit, Eugen Beci, i cili deri një ditë më parë mbante postin drejtues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në fjalën e tij, Kryeprokurori Llalla e cilësoi lëvizjen e Becit si një “rifreskim” të drejtuesve të Prokurorisë. Ndërsa i pyetur në lidhje me akuzat e deputetit Tom Doshi për përfshirje të Becit në komplotin e vrasjes ndaj tij, kreu i Prokurorisë u shpreh se kjo është një ngjarje në hetim nga ana e organit të akuzës për Krimet e Rënda, duke mos dhënë më tepër detaje. Ndërkohë në orët e para të mëngjesit prokurori Eugen Beci ka zhvilluar një takim kokë më kokë me presidentin Bujar Nishani në zyrën e tij. Takimi zgjati vetëm 10 minuta dhe mendohet se në qendër të tij ka qenë përfshirja e emrit të Becit në çështjen e fundit të publikuar nga Tom Doshi.