Vanessa Redgrave, aktore me famë botërore dhe fituese e çmimit “Oscar” është edhe presidente nderi e PriFest dhe që nga viti i kaluar ka themeluar një çmim me emër të saj në kuadër të këtij festivali. Festivali Ndërkombëtar i Filmit “PriFest”, ka publikuar tashmë thirrjen për aplikim për çmimin “Vanessa Redgrave Award for PriFest”, që tashmë ndahet në kuadër të këtij festivali. Sipas njoftimit zyrtarë mësohet se të drejtë aplikimi kanë të gjithë regjisorët që kanë projektin e parë filmik të metrazhit të gjatë dhe që janë nga: Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi, Kosova, Serbia. “Prej këtij viti në garë do të përfshihen edhe regjisorët nga Bosnja e Hercegovina dhe Kroacia”, thuhet në këtë njoftim. Mësohet se në këtë garë do të vlerësohet Best Pitch, i cili përfshinë edhe vlerën monetare prej 1 mijë eurove. Vanessa Redgrave, aktore me famë botërore dhe fituese e çmimit “Oscar” është edhe presidente nderi e PriFest dhe që nga viti i kaluar ka themeluar një çmim me emër të saj në kuadër të këtij festivali. “Kineastët e interesuar mund të aplikojnë online dhe afati i fundit për aplikim është deri më 10 mars të këtij viti”, – thuhet në njoftim, ndërkaq mësohet se edicioni i shtatë i festivalit nis më 24 prill dhe përfundon më 1 maj.
Andrea dhe Liçaj rikthehen të moderuar
Pas dy shfaqjeve në skenën e Teatrit Kombëtar, monodrama e “Me syrin e një klouni” të nobelistit Heinrich Boll, me regji të Ema Andreas do të rikthehet në 14 mars në Teatrin Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Monodrama “Me syrin e një klouni” është drama e artistit të përjashtuar nga shoqëria, familja, e dashura dhe qarqet kishtare për arsye të antikonformizmit dhe rebelimit ndaj normave sunduese në shoqërinë e mirëqenies ekonomike dhe botës të show-biznesit, për arsye të mospajtimit me fshehjen dhe shtrembërimin e së kaluarës. Përkthyer e përshtatur nga Adrian Klosi, regjia nga Ema Andrea, aktor Neritan Liçaj, skenografia Edi Hila.
Mirush Kabashi dhe Margarita Xhepa për 7 mars në Pejë
Mirush Kabashi, Margarita Xhepa dhe shumë artistë të tjerë nga Shqipëria do të jenë këtë të shtunë në qytetin e Pejës, me rastin e një programi kulturor që qyteti i Pejës e ka planifikuar me rastin e festimit të 7 marsit – Ditës së Mësuesit. Drejtori i Drejtorisë për Kulturë në Komunën e Pejës, Engelbert Zefaj, thotë për KultPlus se qyteti i Pejës si vend i traditave dhe vend i kulturës është shumë krenar për vizitën e këtyre dy emrave të mëdhenj të artit shqiptar.
“Jemi shumë të kënaqur që për Ditën e mësuesit në qytetin tonë do të jenë prezentë disa nga emrat më të mëdhenj të artit shqiptar, e në mesin e tyre do të jenë edhe Mirush Kabashi dhe Margarita Xhepa”, – tha Zefaj. “Programi do të jetë modest, mirëpo ajo që vlen të thuhet është se do të jetë një program shumë i pasur kulturalisht”.
Grupi me aftësi të kufizuara në Eurovision
Kuarteti PKN nga Finlanda, përbërë nga anëtarë të prekur nga sindroma Down dhe autizmi, do ta përfaqësojnë shtetin e tyre në Eurovision Song Contest në muajin maj në Vjenë të Austrisë.
Kënga e tyre zgjat 85 sekonda dhe mban titullin “Aina Mun Pitaa (Mua gjithmonë më duhet)”. Bendi me emërtim të plotë Pertti Kurikan Nimipaivat do të jetë bendi i parë i zhanrit punk që garon në Eurovision.
“Çdo njeri me një aftësi të kufizuar duhet të jetë më trim. Ata duhet të thonë për veten e tyre çfarë duan e çfarë nuk duan”, – ka thënë këngëtari Kari Aalto, sipas BBC-së.
Basisti Sami Helle ka thënë për “The Guardian” që ata nuk janë një bend politik, mirëpo rebelohet ndaj shoqërisë në mënyra të ndryshme, mirëpo nuk duan që të tjerët të ndjejnë keqardhje për ta.