Unë kam qenë në Budva me familjen, më mori në telefon Mark Frroku dhe më tha që ku je se dua të të takoj se është një problem urgjent. Kur u ktheva më thotë që kam takuar një person që unë e njoh dhe më ka thënë që Ilir Meta ka paguar lekë për të të eliminuar ty dhe Mhill Fufin.
Deputeti Tom Doshi, i sapopërjashtuar nga Partia Socialiste dhe i akuzuar se ka ngritur një skenar mbi vrasjen e tij, sjell versionin e tij për ngjarjet; për raportet me Ramën, Berishën, Metën dhe ministrat; për akuzat mbi të shkuarën e tij dhe provat që ai thotë se ka për planin e vrasjes së tij. Por ajo që bie në sy është skenari i ri që e deklaron Toma në intervistën në “Top Story”, ku thotë se atentatin e ka marrë vesh nga Mark Frroku.
Të qëndrojmë pak tek mënyra se si ju ratë në kontakt me vrasësin e pretenduar prej jush, Durim Bamin. Pra si ndodhi, si erdhi tek ju?
Unë kam qenë në Budva me familjen, më mori në telefon Mark Frroku dhe më tha që ku je se dua të të takoj se është një problem urgjent. I thashë që për dy ditë kthehem. Kur u ktheva më thotë që kam takuar një person që unë e njoh dhe më ka thënë që Ilir Meta ka paguar lekë për të të eliminuar ty dhe Mhill Fufin. Më erdhi shumë papritur dhe e çuditshme, sepse me Ilir Metën kemi ndenjur disa herë për drekë e darka. Kemi shkuar në Dukagjin bashkë, më 30 korrik festuam edhe ditëlindjen e Taulant Ballës.
Është një person që aktualisht rezulton i rrëmbyer nga policia, është rrëmbyer pak kohë më parë dhe një nga dëshmitarët kyç në procesin ndaj Arben Frrokut.
Durimin e kam takuar vetëm një herë me Markun. Më pas i kam bërë takimet gjithmonë vetëm.
Pra roli i Mark Frrokut në këtë histori është thjesht prezantimi që ai të ka bërë me Durim Bamin?
Vetëm kaq.
Pse i besoni kaq shumë versionit të Durim Bamit?
Për të vërtetuar këtë pasi u ktheva nga pushimet më mori Mark Frroku dhe më tha shkojmë pimë një kafe. Ishim tek hyrja kryesore e “Sheratonit”. Më thotë që po vjen një djalë me një bluzë portokalli me syze dhe ky është personi që të ndjek ty. Aty po rrija jashtë. Erdhi ky djalë me bluzë portokalli, me syze, më pa aty, u kthye dhe iku. Kur dola i thashë Markut do të ecim në këmbë. Ky djali me bluzë portokalli po priste në makinë. Vazhduam rrugën, unë hipa në makinën time dhe atë natë, nuk i rashë nga Ministria e Shëndetësisë, por i rashë nga rruga “Qemal Stafa”. Kur erdha te porta e shtëpisë, kur frenoi shoferi, te dritat pashë këtë djalin me bluzë portokalli.
Kush ishte ky sipas informacioneve që more më pas?
Ky është Rezi, i thonë këta. Djali i xhaxhait të Tonit dhe ky ishte personi që më ndiqte mua kudo.
Pra kjo është prova që ju konfirmoi se rrëfimi i Durim Bamit ishte i besueshëm.
S’e kisha takuar akoma Durimin. I thashë Markut ta takoj njëherë këtë person, a pranon të më takojë? Po më tha Marku. E takova një natë dhe ai rrëfeu të gjithë ngjarjen. Është një djalë, është në moshë dhe e ka emrin Toni e ka një restorant Viva. Ai më ka ardhur në emër të Ilir Metës, jo se i ka thënë që vij në emër të Ilirit, por i ka thënë që porosia është për Ilirin. I ka thënë janë 500 mijë euro për Tomën. Është edhe në video, kur i kanë thënë njëherë 200 mijë, e më pas i ka thënë që dua 500 për Tomën dhe 100 mijë për Mhill Fufin se kanë menduar që Mhilli është kollaj se ikën natën vetëm në shtëpi se e kishin marrë informacion edhe lëvizjet e Mhillit. Me thënë të drejtën, duke bërë lidhjet që edhe Mhilli meqë u vra një person që ishte me Monikën në zgjedhjet në Laç…
Tahiri në deklarimin e tij ju akuzon ju se keni ndryshuar në dy raste ose më shumë versionin tuaj mbi autorësinë. Në fakt, edhe në bisedën e regjistruar me Durim Bamin ai referohet një tavoline miks, ku shfaqet Eugen Beci, tashmë ish-prokuror i Krimeve të Rënda dhe i transferuar nga Adriatik Llalla, shikohen në atë video gjithashtu edhe Ylli, pra pronari i lokalit Viva, së bashku me Fatjon Skënderin, baxhanakun e tij, pra së bashku me Eugen Becin në të njëjtën tavolinë. Por Durim Bami në dëshminë që ju ka dhënë ju flet edhe për ju flet edhe për ish-nëndrejtorin e policisë, Agron Kuliçaj, flet gjithashtu për kunatin e Berishës dhe zoti Tahiri në dëshminë e tij publike thotë se ju fillimisht keni akuzuar ish-kryeministrin Berisha për këtë ngjarje dhe më pas keni ndryshuar versionin tuaj dhe në takimin e fundit në zyrën e tij keni përmendur ju më shumë se sa Durim Bami emrin e Ilir Metës.
Kjo s’është e vërtetë! Të parin njeri që i kam thënë përveç gruas time, sepse dihet që këto gjëra edhe ndodhin se janë vrarë edhe të tjerë deputetë. Të parit njeri i kam thënë gruas që po më ndodhi gjë e kemi prej Ilir Metës. Ja kam thënë edhe Ilirit këtë. E di edhe ai vetë kur e kam takuar. Të parit njeri i thashë Edi Ramës më 30 gusht në Durrës, kemi bërë atë analizën, në pushim të drekës Rama po pinte një cigare në ballkon dhe i thashë që kam një bisedë me ty. I thashë më ka ardhur informacion që Ilir Meta ka paguar lekë për të më vrarë dhe më kanë vendosur eksploziv te makina me një motor picash. Shprehimisht ka qenë fjala e Edi Ramës: Tomë të ka ruajtur Zoti! Ndër të tjera, se dua të sqaroj edhe publikun, më tha atë ditë që ne pesë deputetë po festonim ditëlindjen e Markut dhe nuk shkuam në votim, Ilir Meta dërgoi Nasip Naçon dhe si përfundim unë thashë që nuk votoj sot. Pas Nasipit erdhi vetë Iliri. Rama më tha: Ou më bëri përshtypje, si mua edhe Gramozit, si e la parlamentin ky edhe erdhi tek ti?! Për këtë punë e paska bërë, për të mbuluar gjurmë?! Pra, ishte që unë lë parlamentin, kaq mik të kam.
Edhe në këtë kohë zoti Doshi. Unë kujtoj fundin e vitit 2013 kur PS…ju kishit filluar fërkimet e para, që me sa kujtoj unë kanë qenë me 2-3 ministra të kësaj qeverie dhe mbaj mend që personi që ka ndihmuar në pajtimin mes jush dhe Kryeministrit Rama ka qenë Ilir Meta.
Po është e vërtetë.
Sokol Balla: Atëherë si shpjegohet që ju ngrini gishtin e akuzës, përtej dëshmisë së Durim Bamit dhe çdo lloj fakti tjetër?
Në botën e tij ai ka luajtur një rol si aktor shumë i aftë, por nuk ia doli. Bindi opinionin që ne jemi shumë miq, kurse në krahun tjetër po përgatitej të më eleminonte fizikisht.
Në videon e Durim Bamit që unë pashë, aty përmendet fakti që ju keni qenë ‘sponsor’, ose negociator mes Dritan Priftit dhe Edi Ramës për publikimin e videos, pra videos së famshme që u provua më pas si e pavërtetë dhe e pavlefshme nga gjykata dhe Meta u shpall i pafajshëm. Me thënë të drejtën, lista e atyre që zoti Meta duhet të ekzekutonte sipas këtij versioni është shumë e gjatë, sepse do të përfshihej Dritan Prifti, por edhe njerëz e gazetarë që publikuan këtë çështje, përfshirë edhe mua që e kam publikuar i pari të plotë këtë video pas transmetimit nga Fiks Fare. Pse duhet të ishit ju nga gjithë ky grup personash të përfshirë në këtë ngjarje.
Tani, shkaktari i nxjerrjes së videos është Edi Rama, pas Dritan Priftit. Edi Rama, ishim një natë te shtëpia ime. I tha Tanit (Dritan Priftit), nxirre videon, biles i tha anglisht: Please just do it! i tha Tomën e kam vëlla, ti do të jesh deputet i PS-sw sepse po doli ajo video bie qeveria, qëllimi ishte me djeg Metën. Faktikisht Tani (Dritan Prifti) nuk i besonte Ramës, thoshte është i pabesë, s’mban fjalën. Unë e binda Tanin që të nxjerrë videon dhe Iliri për këtë është në dijeni shumë mirë. Jo se kisha unë ndonjë gjë me Ilirin.
Nga viti, 2009 ka pasur herë pas herë qëndrime të ashpra të Ambasadës Amerikane ndaj jush, përfshirë një incident me një nga gazetarët e rrjetin BIRN, më pas edhe reagime të tjera për të arritur tek deklarata e ditës së hënë, kur u përjashtuar nga grupi i PS, ku u tregua shumë e ashpër duke thënë ndaj jush si person i dyshuar për veprimtari kriminale dhe pyetja ime është nëse autoritetet i rikthehen figurës së Tom Doshit, a ka gjasa që të zbulojnë hije që shkojnë në shkelje të ligjit?
Asnjëherë! Unë kam 10 vjet në parlament, 8 vjet ti e di se Sali Berisha kundërshtarin më të madh në parlament më ka pasur mua, ka çuar në Australi edhe drejtorin e pastrimit të parave dhe nuk ka arritur të zbulojë gjënë më të vogël që unë kam pasur, ndonjë shkelje me ligjin. Edhe në Shqipëri po ashtu. Nuk më është hapur ndonjëherë ndonjë çështje penalë për 25 vjet. Të gjitha këto, edhe ambasadat i kanë prej xhelozisë. Një pjesë i ka çuar Berisha, një pjesë Blushi, një pjesë vetë Rama në 2004-2005 kur kam kandiduar. Vazhdojnë këta ministrat, Bushati. Para se të plasë kjo kam informacion që i ka çuar edhe Meta për t’i paraprirë duke më akuzuar mua se po i bëj presion qeverisë.