E dashur mësuese Maria!

0
201

Dr. Ndriçim Mehmeti

Dr. Ndriçim MehmetiE dashur mësuesja ime e klasës së parë. Kanë kaluar shumë vite prej 1976-ës, kur unë hyra në klasë të parë e deri më sot. Kam harruar shumë gjëra, nga shkolla 8-vjeçare e mesme apo edhe e lartë, por asnjë detaj të ditës së parë të shkollës nuk kam harruar. Ajo që mbaj mend më mirë, është dora juaj që kalonte në kokën e secilit nxënës të klasës që ju morët në atë vit. Ishte një ditë që dielli po perëndonte. Ne të vegjlit, siç e quanim veten, e bënim shkollën pasdite. Kjo na dukej një gjë e mirë, pasi flinim pak më shumë gjumë, por nuk na jepte shumë kohë për të luajtur pasdite, sidomos muajt e dimrit. Por çdo ditë e shkollës fillore bëhej edhe më e mirë nga dashuria, mirësia, dija, që mësuesja jonë na i jepte pa fund. E mbaj mend si tani, që ju mësuese Maria me sytë e qeshur, na përcillnit të gjithëve me sy kur hynim dhe kur dilnim. Nuk e harroj një natë të egër me shiu, kur ju na arritët në rrugë, na mbështollët rreth pardesysë suaj dhe na kaluat në vaun e përroit, me frikën se mund të pësonim ndonjë gjë. Ju na përcollët deri tek rruga e lagjes, na porositët “të mos ndaheshim” dhe “djemtë të çonin vajzat në shtëpi, pastaj të shkonin në shtëpitë e tyre”. Na dhatë një mushama të madhe plastike që e mbanit mbi pardesy dhe u larguat nën rrebeshin që binte pa pushim.

Të nesërmen, ju dolët pak më herët tek dera. Duart ishin të kryqëzuara dhe fytyra shumë e ngrysur si rrallëherë. Atëherë nuk e kuptoja. Tani e di fort mirë. Ju mësuesja ime e dashur kujtuat se dikush do të mungonte, ngase veshja e tij e hollë nuk e kishte mbrojtur dot nga stuhia. Kur fillonte dimri, ju na prisnit brenda klasës me sobën e ndezur dhe afronit aty me shumë lezet të gjithë ata që ishin më të veshur keq. Për të mos fyer askënd, ju na porosisnit: “Dimri nuk do shumë kombinim, por rroba. Mjafton të jenë të lara e të pastra. Edhe po të jenë të mballosura, nuk prish punë, se në dimër nuk të sheh njeri”. Kjo çlironte të gjithë. Askush nuk shikonte shumë nga njëri-tjetri, po përpiqej me sa të kishte mundësi, të vishej si “kalli misri”, duke zbatuar porosinë e mësuese Maries. Kur vinte 7 Marsi, unë kam pasur privilegjin të jem në “delegacionin”, siç e quanim në grupin, që vendosej prej klasës të shkonte për vizitë tek mësuesja. Mbaj mend se ajo kishte bërë ca biskota shumë të mira me gjalpë, nga të cilat ne morëm nga dy secili. Edhe reçeli i qershisë ishte shumë i mirë. Neve na shijonin të gjitha, ndërsa mësuesja hapte dhuratën tonë që në përgjithësi, ishte një libër, një stilograf dhe një bllok, që ndonjëherë zëvendësohej me ndonjë shami dore. Në një 7 Mars, mësuesja jonë e dashur, ndonëse mundohej të ishte shumë e qeshur, kishte një gjë që nuk shkonte. Pasi ndenji pak e heshtur u kthye dhe na tha: “A mund t’i bëni pak shoqëri djalit tim, se është sëmurë”. Ne ishim të gatshëm, për faktin se mësuesja kishte një shtëpi, që në atë kohë quhej e madhe dhe djali ishte në një dhomë, ku qyteti shikohej si në pëllëmbë të dorës. Po kjo ishte edhe një mundësi, që ne të mos ndiheshim në siklet dhe të rinim në shtëpinë e saj pak më gjatë.

 

Pse m’u kujtua mësuese Maria, në këtë 7 mars?

Nuk e kam marr vesh asnjëherë, nëse mësuese Maria ishte me arsim përkatës ose jo. Në kohën që unë kam mbaruar 8-vjeçaren, kujtoj se disa mësues jo pa mburrje thoshin se kishin mbaruar në Tiranë, ndërsa ata të Gjirokastrës, Shkodrës dhe Elbasanit ishin pak më modestë. Nuk e di nëse mësuese Maria ka mbaruar të lartën në Gjirokastër ose gjetiu. Di fort mirë që kishte mbaruar shkollën pedagogjike. Atë që di akoma më mirë në të gjithë jetën time, është se mësuese Maria ishte njeriu, tek i cili unë kam parë virtytet më të larta. Unë nuk e shlyej dot nga kujtesa durimin e saj për t’i mbajtur dorën secilit, që të shkruante bukur. Ajo shkonte në banjë, që të ndihmonte të vishej e lante duart, dikë që vonohej. Ajo blinte vetë lapsat, penën dhe kallamarin që mbante bojën për ata që s’kishin. Ajo u thekte bukën që kishte marrë për vete atyre që mezi rrinin në orën e parë dhe duket që nuk kishin vënë gjë në gojë. Mësuese Maria nuk kishte kritika kur takonte prindërit në rrugë. Ndërsa ne përpiqeshim të fshiheshim, ajo vinte buzën në gaz e u thoshte prindërve: “Djalin e keni të mirë, vjen rregullisht në shkollë është i urtë. Do të bëhet edhe më i mirë se ç’është, nëse mëson sistematikisht si dje, atë ditë” etj. Ky ishte motivimi që s’i mungonte asnjëherë për prindërit tanë. Edhe sikur të ishin të rraskapitur apo të zemëruar nga ne për ndonjë “të pabërë” të vogël, prindërit na shikonin në sy të kënaqur dhe na thoshin: “Doni ndonjë gurabije ose kulaç, se na i zbardhët faqen në shkollë”. Mos ndoshta mësuesja ime e dashur, me shikimin e sotëm, e tepronte? Nuk e besoj. Ajo kishte kaq përvojë sa ta dinte se shumë gjëra, ishin dhe nuk ishin në dorën e saj. Mësuesja jonë e dinte fare mirë se cila ishte gjendja e ekonomike, sociale, niveli i shkollimit të secilit prej prindërve tanë dhe mundohej t’ua përshtaste sjelljen e saj pikërisht këtyre treguesve. Nuk e mbaj mend që ajo të ketë munguar, neglizhuar, të mos dëgjonte e nervozohej me ne. Nuk e di akoma se ku e gjente gjithë forcën energjinë për të punuar në këtë mënyrë. Një gjë e di fare mirë, kur kemi kaluar në klasën e pestë, edhe pse ishim të kënaqur që po hynim në “grupin e të mëdhenjve”, nuk na shlyhej nga mendja mësuesja jonë e parë. Vendi i saj mbeti i veçantë tek shumë prej nesh, që e kujtojmë sa herë takohemi. Ajo u bë një etalon për mësueset e tjera dhe për jetën time doemos. Unë kam dashur dhe arrita të bëhesha mësues. Pse kjo dëshirë?

Sepse doja t’i ngjaja mësuese Marisë nga përkujdesja dhe durimi, shpjegimit plot pasion të mësuese Zelihasë, shpirtit romantik të mësues Silvanës dhe mbrojtjes që i bënte mësuese Landa nxënësve të saj, në sytë e drejtorit dhe kolegëve, edhe pse e dinte që nxënësit nuk ishin krejt pa faj. Nuk e di nëse të gjithë këta mësues të dashur e shumë si këta kishin arsimin përkatës ose jo. Pak mësues të tjerë që mburreshin se kishin përfunduar filozofinë në Tiranë, më shumë merreshin me anën e jashtme të nxënësit, sesa me mësimin. Këta shumë pak prej tyre, as sa gishta e një dore, ua mbaj mend emrat, por nuk më lidh asnjë kujtim i mirë.

Prandaj, sot në 7 Mars, më duhej të shkruaja patjetër për mësuese Marinë dhe shoqet e saj. Ato janë zyshat që nuk u bënë asnjëherë drejtoresha, shefe arsimi, drejtore të drejtorive arsimore apo zyrave arsimore. Ato nuk patën rastin të bëheshin ministre, as zëvendësministre, drejtoresha apo përgjegjëse sektori. Ato mbetën mbretëreshat e pakurorëzuara në zemrat tona, të nxënësve të tyre.

E dashur mësuese Maria. Ju ulem me nderim në ditën tuaj më të bukur, që zbukuroi edhe jetët tona.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency