Rikthehen përmbytjet në vend, situata e rënduar e rrugëve

0
177

Rikthehen përmbytjet në vend, situata e rënduar e rrugëveHapja e portave të shkarkimit në Bovillë ka krijuar probleme për disa familje në Bregun e Lumit dhe në zonën e Krujës. Del nga shtrati lumi Erzen, rrezikohen të përmbyten banesat

Lumi Vjosë del sërish nga shtrati si pasojë e reshjeve të shumta të ditëve të fundit. Ka pasur probleme të shumta në zonën e Mallakastrës. Specialistët shprehen se nëse reshjet vazhdojnë në orët në vazhdim, situata mund të përkeqësohet dhe gjendja do të dalë jashtë kontrollit. Raportohet se në Selenicë është përmbytur stacioni i pompave të ujit të pijshëm, i cili ndodhet 10 cm nën ujë. Në zonën e quajtur Bishti i Malit në fshatin Armen, uji ka dalë në rrugën kombëtare dhe e ka bërë të pakalueshme. Mësohet se ende nuk është bërë asnjë ndërhyrje në argjinatura. Ndërsa shtabi i emergjencave ka njoftuar banorët për të bërë evakuimin pasi tek Ura e Mifolit uji rrezikon të futet në banesat e banorëve gjatë natës.

 

Erzeni del nga shtrati

15 shtëpi janë përmbytur në zonën e quajtur Ura e Shijakut. Shkak për këtë është bërë dalja e lumit Erzen nga shtrati pas reshjeve të dendura të shiut gjatë natës së të enjtes. Ndërkohë, disa banorë kanë braktisur shtëpitë, kurse disa kanë mbetur të rrethuar nga uji. Banorët janë shprehur për median se nuk kanë pasur të pranishëm asnjë nga përfaqësuesit e shtabit të emergjencës civile. Ndërkohë që kanë kërkuar ndihmë për të dalë nga situata e rëndë ku ndodhen. Janë konstatuar nga drejtuesit lokal të cilët kanë vajtuar pranë banorëve dëme të rënda. Përveçse banesave, dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në tokat bujqësore pranë lumit. Dëmtimi i argjinaturës dhe bllokimi i rrjedhës nga mbeturinat mbetet shkaku kryesor i daljes së lumit nga shtrati sa herë që ka reshje shiu me intensitet të lartë. Gjatë ditës së djeshme në tre komuna fëmijët nuk shkuan në shkollë për shkak të rrugëve të mbushura me uji. Banesa të shumta janë izoluar, ndërkohë që toka bujqësore pothuajse është nën ujë e gjitha. Fshatrat më problematikë janë ato në komunat Bubq e Thumanë. Si dhe në Bushnesh për shkak se lumi Drojë ka kapërcyer mbi kaskadë.

 

Rrugët

Probleme ka pasur edhe me qarkullimin rrugor. Raportohet se gjatë ditës së djeshme, edhe pse shirat kanë vazhduar, Rruga e Kombit ka qenë e qarkullueshme. Ndërsa për zonat e thella dhe segmente rrugore në Veri të vendit situata po mbahet në kontroll nga borëpastrueset dhe qarkullimi nuk është ndërprerë. Në ditët në vazhdim janë parashikuar reshje të shumta shiu dhe borë në zonat verilindore.

 

 Tiranë/ Bie në lumë aksidentalisht një burrë, policia në kërkim të trupit

 Një person dyshohet të jetë mbytur mbrëmjen e së enjtes në Tiranë dhe forcat speciale janë në kërkim për gjetjen e tij. Artan Rustemi dyshohet se ka rënë aksidentalisht në lumin në Babrru, prej nga nuk ka arritur të dalë. Pas denoncimit të familjarëve, polumbarët e repartit RENEA kanë nisur kërkimet për trupin e 36-vjeçarit. Policia thotë se i riu të enjten rreth orës 21:00, në vendin e quajtur Bregu i Lumit, afër urës së Babrrusë (ura e Babrroit), ishte në gjendje të dehur kur e ka marrë rrjedha e lumit. Në vend kanë shkuar forcat e policisë të komisariatit nr. 4 dhe një grup i polumbarëve të repartit special RENEA, të cilët kanë nisur menjëherë kërkimet. Si pasojë e motit të keq dhe errësirës, në orët e vona të natës kërkimet janë ndërprerë. Kërkimet për gjetjen e trupit të 36-vjeçarit kanë rinisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm. Për 6 orë rresht, polumbarët kanë kontrolluar gjithë gjatësinë e lumit që prej Urës së Babrroit deri në Institut në Kamëz. Njëkohësisht edhe inspektorët e policisë së rendit dhe patrulla e përgjithshme e komisariatit të policisë nr. 4 kanë kërkuar në të dyja anët e shtratit të lumit për gjetjen e trupit. Deri në këto momente nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të 36- vjeçarit. Në videon më sipër dhe fotot më poshtë shikoni pamje nga operacioni policor –

 

 Itali, shkatërrohet banda kriminale, arrestohet “Eskobari” shqiptar

Policia italiane ka shkatërruar një grup kriminal që merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike, të llojit kokainë dhe heroinë. Në pranga kanë përfunduar tre shqiptarë, disa marokenë dhe tunizianë. Gjithçka nisi pasi njëri nga anëtarët e grupit shkoi në polici dhe denoncoi. Në vitin 2013 ai kishte shkuar në Venecia për të punuar, e ndërsa i ishte ofruar ndihmë nga bashkatdhetarët e tij. Pa kuptuar ai ishte futur në organizatën kriminale, e pas një pune 1 vjeçare në shpërndarjen e kokainës dhe heroinës vendoi të denoncojë në polici. Shqiptarët e arrestuar janë Ilir Canaj, 45 vjeç (koka grupit që thirrej me pseudonimin “Eskobar”) Franci Kanina dhe Mate, të dy 24 vjeç. Policia italiane mësohet se ka shpallur në kërkim edhe një maroken 36-vjeçar dhe një 22-vjeçar shqiptar, të dy anëtarë të grupit. Ndaj tyre rëndon akuza e posedimit të lëndëve narkotike dhe trafikim ndërkombëtar të tyre. Në cilësinë e provave materiale policia italiane konfiskoi një sasi të konsiderueshme droge në Mestre dhe Padova.

 

Gruaja helmon veten, u përmbytën në janar

Një grua në Novoselë të Vlorës tentoi t’i japë fund jetës duke konsumuar një sasi ilaçesh. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës kanë bërë me dije se Dhurata Laze, një prej banoreve të përmbytura nga moti i keq i fundit të janarit, u dërgua menjëherë në Spitalin e Vlorës, ku po merr edhe ndihmën e parë mjekësore. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se shkaku i vetëhelmimit të Lazes, dyshohet të jetë gjendja e rënduar në të cilën ajo dhe familja e saj jetonin. Familjarët thonë se shkaku i vetëhelmimit është bërë dëmtimi material që i është shkaktuar nga përmbytja në fund të muajit janar të këtij viti dhe mosmarrjes ende të dëmshpërblimit të përcaktuar. Emri i Dhurata Lazes është i njohur për denoncimin e grupit të vlerësimit të dëmeve të përmbytjeve, pasi punonin në gjendje të dehur. Uniformat blu të Vlorës kanë bërë me dije se gruaja banon së bashku me fëmijët e saj në një banesë, e cila ende i vuan pasojat e përmbytjeve. Gruaja e vetëhelmuar u dërgua menjëherë në spital e cila ndodhet dhe jashtë rrezikut për jetën.