7 Marsi / Kryeministri delegon detyra: Çdo ministër do të ketë nën kujdes nga një shkollë

0
165

edi rama me zyashat

“Pjesa dërrmuese, për të mos thënë të gjithë, të rinjtë në mënyrë të veçantë, por edhe të tjerët, e kërkojnë mundësinë e tyre tek shteti, e kërkojnë mundësinë e tyre përmes trokitjeve në dyert e shtetit”

 

Në kremtim të Ditës së Mësuesit, qeveria lançoi dy nisma të reja për fuqizimin e shkollës si qendër komunitare. Kryeministri Edi Rama bashkë me anëtarët e kabinetit qeveritar u takuan me drejtues dhe mësues nga shkolla të ndryshme të vendit. Nisma e parë angazhon çdo anëtar të qeverisë të marrë në patronazh një shkollë. Nisma e dytë vjen si një bashkëpunim me një grup figurash të spikatura të basketbollit shqiptar, të cilët janë angazhuar të marrin në patronazh palestrat e shkollave dhe t’u vihen në dispozicion prindërve dhe fëmijëve që duan të mësojnë basketbollin. Vetë Kryeministri Rama do të ketë dy shkolla në kujdestari: një në zonën e tij zgjedhore në Vlorë, shkollën e mesme “Ali Demi” dhe “28 Nëntorin” në Shkodër. “Sot, ne e pamë të udhës këtë që këtë ditë ta kremtojmë duke lançuar dy iniciativa. Njëra është iniciativa jonë si anëtarë të kabinetit qeveritar, për të marrë në patronazh nga një shkollë. Mua më ngarkuan dy. Dy gjimnaze që janë dy shembuj të shkëlqyer sa i takon rezultateve bazuar edhe në rezultatet e maturës. Shkolla që kanë një histori të ndritur por që kanë dhe një sfidë për të shkuar përtej rezultateve notave dhe plotësimit me sukses të detyrave të shtëpisë dhe ndaj shoqërisë. Jam i bindur se do kemi shumë gjëra të reja në këtë rrugë”, – tha Rama.

 

Punësimi

Sipas kreut të qeverisë, sfida e arsimit sot është që t’i ushqejë të rinjtë se dera e shtetit për punë nuk është e vetmja. “Për fat të keq, pjesa dërrmuese, për të mos thënë të gjithë, të rinjtë në mënyrë të veçantë, por edhe të tjerët, e kërkojnë mundësinë e tyre tek shteti, e kërkojnë mundësinë e tyre përmes trokitjeve në dyert e shtetit dhe rrallëkush e shikon këtë mundësi përmes vetes, përmes ideve të veta dhe përmes forcës që çdo individ ka që t’i krijojë vetes mundësinë e një pune, por jo vetëm të një pune për vete, por edhe të një pune për të tjerët”, – tha Rama duke vijuar se qeveria duhet të bëje një sforco shumë të madhe “për të krijuar një rrugë rritjeje të qëndrueshme të punësimit”.

 

Fondet

Një nismë tjetër që hodhi Kryeministri dje në Ditën e Mësuesve ishte edhe rritja e fondeve për shkollat nga BE-ja.”Për të kaluar tek Shqipëria, në kuadrin e vendeve të rajonit tonë që nuk janë ende vend i BE-së, nëse bëjmë një analizë të fondeve që janë vënë në dispozicion të Shqipërisë në vite dhe të fondeve që ka arritur të thithë Shqipëria, unë jam i bindur se do të ndjehemi të gjithë shumë keq, siç ndjehem unë dhe siç ndjehemi ne që i bëjmë këto analiza. E nëse ju do t’i shikonit, të dashur mësues e të dashur nxënës, rezultatet, do të ndjeheshit të befasuar. Por nuk ka asnjë befasim. Arsyeja është shumë e thjeshtë, sepse për të marrë paratë dhe për të bërë paratë duhet dije, nuk duhet pasuri”, – tha Rama.

 

Box

Basha: Prej 2 vitesh ka vetëm shantazh për të vështirësuar jetën e mësuesve

 

Ndërkohë, kryedemokrati Lulzim Basha në ditën e festës së mësuesve tha se qeveria nuk ka lënë mjet pa përdorur për t’ua vështirësuar jetën mësuesve. Një prej këtyre mjeteve Basha tha se është testimi, që sipas tij nuk ka asnjë lidhje me rritjen e vlerës së arsimit, por vetëm si mjet për të larguar mësuesit nga vendi i tyre i punës dhe për t’i zëvendësuar me militantë të partisë. “Mësuesit shqiptarë janë sot nën një trysni të vazhdueshme nga qeveria, nën një pasiguri permanente që ka krijuar terror dhe ka hequr qetësinë e nevojshme që ata të ushtrojnë profesionin. Testimi i tyre sipas tekave të qeverisë nuk është gjë tjetër vetëm se një mjet për të larguar masivisht mësuesit nga puna, dhe për të krijuar vende për militantët e pushtetit”, – tha Basha, duke i cilësuar këto mjete mekanizma shtypjeje dhe shantazhi.

 

Box  

Ja shkollat që do të jenë në kujdesin e ministrave

 

– Kryeministri Edi Rama – Shkolla “Ali Demi” dhe “28 nëntori”

– Zv.kryeministri Niko Peleshi – Shkolla “Raqi Qirinçi”, Korçë dhe “Petro Nini Luarasi”, Tiranë

– Mimi Kodheli – Shkolla “Hydajet Lezha”, Lezhë

– Saimir Tahiri – Gjimnazi “Sami Frashëri” dhe “Myslym Keta”, Tiranë

– Ermonela Felaj  Gjimnazi “Babdud Karbunara”, Berat

– Ilir Beqaj – Shkolla “Naim Frashëri”, Durrës

– Mirela Kumbaro  Gjimnazi “Qemal Stafa”, Tiranë

– Eglantina Gjermeni – Shkolla “18 Tetori”, Lushnjë

– Klaida Gjosha  Gjimnazi “Ismail Qemali”, Tiranë

– Nasip Naço – Shkolla “Kristaq Capo”, Berat

– Edmond Haxhinasto  Shkolla “Vasil Kanani”, Elbasan

– Edmond Panariti – Shkolla “Ibrahim Rrugova”, Kamëz

– Milena Harito  Shkolla “Halim Xhelo”, Vlorë

– Erion Veliaj  Shkolla “Habzim Nela”, Kukës

– Shkëlqim Cani  Shkolla “Seit Najdeni”, Peshkopi

– Lindita Nikolla  “Andon Zako Çajupi”, Tiranë dhe Shkolla e Farkës, Tiranë Qark.

 

 

Fleckenstein: Prioritet, lufta kundër korrupsionit në administratën publike
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Evropian, Knut Fleckenstein, ngre shqetësimin lidhur me korrupsionin dhe administratën publike në Shqipëri. Në një intervistë për “ABC News”, raportuesi për Shqipërinë thotë se ai merr shumë letra nga qytetarët shqiptarë, në të cilat shprehen se problemet e tyre nuk trajtohen siç duhet nga administrata për shkak të korrupsionit. “Unë marr një numër të madh letrash nga qytetarët shqiptarë, që shprehen se çështjet e tyre nuk trajtohen siç duhet nga administrata, për shkak të korrupsionit ose për arsye të tjera”, – tha Fleckenstein. “Administrata publike dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një prioritet për të gjithë rajonin. Është një problem rajonal. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që është vënë në qendër të negociatave të anëtarësimit përmes kapitujve 23 dhe 24 është një prioritet edhe për elektoratin tonë në shtetet tona anëtare. Në perceptimin perëndimor, ky është një problem. Asnjë nuk është mbi ligjin. Në Kroaci, ish-kryeministri i Kroacisë u arrestua dhe u dënua. Shteti ligjor është i njëjtë për të gjithë”, – u shpreh raportuesi për Shqipërinë.

 

Shkurt  

Zv.ministrja e Financave, zëvendësuesja e përkohshme e Spiropalit në krye të Doganave

Zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj, do të jetë zëvendësuesja e përkohshme e drejtimit të Drejtorisë së Doganave, pas dorëheqjes së Elisa Spiropalit. Ishte ministri i Financave, Shkëlqim Cani, që prezantoi dje zëvendësen e komanduar përkohësisht deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Irena Beqiraj do të mbajë gjatë kësaj kohe të dyja postet, edhe atë të zëvendësministres së Financave edhe të drejtores së Doganave. “Nuk ia hoqëm gradat, bëhet më e fuqishme”, – u shpreh ministri Cani.
Ministri Cani vlerësoi si të mrekullueshëm bashkëpunimin me ish-drejtoren Spiropali përgjatë një viti e gjysmë në krye të administratës doganore. “Nuk ka shumë fjalë në drejtim të dorëheqjes tashmë të ish-drejtoreshës Elisa Spiropali. Ajo shumë qartë e ka shprehur arsyetim, nga sa kam dëgjuar po kaq qartë kemi reflektuar. Nuk po e zgjas në këtë drejtim, por e vetmja fjali që do doja të thosha është që respektoj dhe falënderoj Elisën për marrëdhëniet shumë të mira, për bashkëpunimin shumë të mirë institucional Ministri e Financave dhe Doganë, kështu që gjithçka ka shkuar për mrekulli”. Ndërsa drejtorja e përkohshme e Doganave nga ana tjetër u shpreh për gjetjen sa më shpejt të një zëvendësueseje të Spiropalit. “Shpresoj ta gjejmë shpejt një zëvendësuese të Elisës në Dogana, se u bënë dy detyra”, – tha Beqiraj.