“Duhet të jesh shumë i kujdesshëm me mënyrën si menaxhohet një megastrukturë politike siç është një parti politike që kërkon të vijë në pushtet”
Ish-ministri dhe ish-deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj deklaroi dje se në forcën më të madhe opozitare është e nevojshme krijimi i një lëvizje për mendim ndryshe. Por se sipas tij kjo lëvizje duhet të jetë e mbështetur mbi kritika të shëndosha dhe jo me synime për përfitime politike. “Mirë do të ishte të kishte një lëvizje për mendim ndryshe. Fakti që PD është në opozitë do të ishte luks i tepruar që dikush të fillonte të hidhte “vickla” brenda PD duke krijuar të tilla shizma, ndarje. Është e shëndetshme çfarëdo lloj kritike, sigurisht me një limit të caktuar.”- tha ai për ora-news. Në këtë kontekst, Alibeaj nënvizoi se një lëvizje për mendim ndryshe brenda partisë do ti bënte mirë kauzës së opozitës për rifitimin e besimit tek publiku.
Tërheqja
Ndërkaq i pyetur lidhur më tërheqjen nga detyra që i dha PD për të mbikëqyrur procesin e përgatitjeve për zgjedhjet e 21 qershori në Tepelenë dhe Memaliaj, Alibeaj tha se me këtë vendim ai nuk i ka thënë “jo” angazhimeve të tjerë brenda PD-së “Unë kam hequr dorë për atë arsye që thashë nga ky angazhim politik. Më vonë mbase gjerat ndryshojnë për mirë, dhe po ndryshuan gjërat për mirë sigurisht që kurrë nuk thuhet kurrë”. I pyetur nëse ai shpreson që nga kjo tërheqje dikush në PD të jetë ndjerë keq. “Nëse ka ndodhur kjo që ju thoni që dikush ka ngelur keq për ketë lëvizjen time uroj të jetë kështu sepse duhet kuptuar se duhet të jesh shumë i kujdesshëm jo vetëm me karrierën e individit, jo thjesht me ndjesitë e individit, por me mënyrën si menaxhohet një megastrukturë politike siç është një parti politike që kërkon të vijë në pushtet”. Enkelejd Alibeaj vetëm pak ditë më parë refuzoi detyrën e ngarkuar nga PD për të drejtuar fushatën për zgjedhjet vendore në Tepelenë dhe Memaliaj, duke theksuar se nuk e lidh asgjë me këto zona. Duke e cilësuar si të gabuar shpërndarjen e koordinatorëve për zgjedhjet vendore, i cili parashikon që të largojë drejtuesit nga zonat e tyre “familjare”, Alibeaj ka pohuar se kjo nuk mund të jetë një formë që do të sjellë rezultate pozitive. Sipas ish-ministrit të PD-së shpërndarja e të deleguarve të partisë në qytete nuk pasqyroi kontributin e dhënë. Ndërkaq krahas Alibeaj edhe disa të deleguar të tjerë të përzgjedhur nga kryedemokrati Basha nuk e kanë pritur mirë vendimin e ndërrimit të zonave që do të mbulojnë për zgjedhjet vendore. Por taktika e përzgjedhur kërkon që të shmangë lidhjen tradicionale të të deputetëve apo kordinatorëve në zonat e tyre duke synuar krijimin e një bashkëpunimi të ri mes të deleguarve dhe qytetarëve. Sipas udhëzimeve të Kryetarit të PD-së, janë ngritur 61 grupet e punës që i përgjigjen 61 njësive vendore, sipas ndarjes së re territoriale, dhe çdo grup pune kryesohet nga një drejtues.
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë/ “Problem mos miratimi i ZAZ-ve , bllokojnë procesin përgatitor zgjedhor”
KVV: Shkak kryesor i bllokimit të përgatitjeve është ndarja territoriale e mos ndryshimet në kod
Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë publikoi dje një deklaratë lidhur me bllokimin që po has procesi përgatitor i zgjedhjeve të ardhshme vendore. Ky bllokim lidhet me mosmiratimin ende të Zonave të Administrimit Zgjedhor (ZAZ), për shkak të mosndryshimeve të disa dispozitave të Kodit Zgjedhor të cilat janë të domosdoshme pas miratimit të ligjit të ri të ndarjes administrativo-territoriale. Në këto kushte sipas KVV-së është i pamundur ndërtimi i Komisioneve të nivelit të dytë të administrimit të procesit zgjedhor, pra i Komisioneve Zonale të Administrimit Zgjedhor (KZAZ), anëtarët e të cilave duhet të propozoheshin në KQZ prej PS, PD, LSI dhe PR ditën e djeshme sipas afatit të përcaktuar në Kodin Zgjedhor. Në këtë deklaratë, KVV thekson rëndësinë e këtyre komisioneve të cilat, jo vetëm janë përgjegjëse për administrimin e procesit zgjedhor brenda Zonave të Administrimit Zgjedhor, por në rastin e Zgjedhjeve Lokale kanë përgjegjësi të shtuara dhe të posaçme, pasi pranë tyre bëhet regjistrimi i kandidatëve për kryetar bashkie dhe anëtarë të këshillave bashkiakë, si dhe janë ato të cilat shpallin kandidatët fitues për Kryetar Bashkie. Në këtë deklaratë Koalicioni bën edhe disa sugjerime lidhur me draftin e paraqitur në Kuvend nga katër deputetë të mazhorancës për miratimin e ZAZ-ve të reja, duke sjellë në vëmendje respektimin e procedurës për t’u bazuar mbi numrin e zgjedhësve me të drejtë vote të njësive administrative sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, si dhe respektimin e kriterit të numrit të përafërt të zgjedhësve për çdo zonë zgjedhore. Në përfundim Koalicioni kërkon marrjen në shqyrtim dhe miratimin sa më parë të ndryshmeve të nevojshme në Kodin Zgjedhor, por thekson se, në kushtet e pamundësisë për një Komision të Posaçëm Parlamentar, është shumë i rëndësishëm angazhimi dhe miratimi i përbashkët i këtyre ndryshimeve nga deputetët e mazhorancës dhe opozitës.
Fushata zgjedhore/ KQZ: Të sillen propozimet e bordit të monitorimit të medias
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri thirrje dje organizatave jofitimprurëse që operojnë në fushën e medias të çojnë pranë KQZ-së propozimet me jo më pak se 3 kandidatë për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias, brenda datës 25 Mars. Pas dërgimit të njoftimit në adresat e marra në vendimet e gjykatës për regjistrimin e tyre, KQZ konstaton se një pjesë e organizatave jofitimprurëse nuk e kanë marrë njoftimin. Konkretisht nga 64 organizata në total, 42 prej tyre nuk e kanë marrë njoftimin dhe sipas përgjigjes së Shërbimit të Postës Shqiptare, shkak i mos marrjes së njoftimit nga organizatat ka qenë fakti se adresat të cilat janë marrë nga vendimet e gjykatës nuk janë të sakta. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në pamundësi të komunikimit shkresor me këto organizata, me ndihmën e mediave, ju bën thirrje me anë të kësaj deklarate publike, që të gjitha organizatat jofitimprurëse që operojnë në fushën e medias, sipas listës së sipërcituar, të sjellin pranë KQZ-së propozimet me jo më pak se 3 kandidatë për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias, brenda datës 25 Mars. Duam t’ju rikujtojmë organizatave, se kandidatët për anëtarët e BMM-së duhet të plotësojnë këto kritere: a) Të jenë me arsim të lartë; b) Të kenë përvojë pune, si gazetarë, jo më pak se tre vjet në median vizive ose atë të shkruar apo të jenë analistë ose studiues të mediave; c) Të mos jenë dënuar për kryerjen e një krimi me vendim gjyqësor të formës së prerë; d) Të mos kenë qenë anëtar të forumeve drejtuese të partive politike ne 3 vitet e fundit.”- thuhej në deklaratë.