Në burg edhe personi që ndodhej me vajzën në makinë. Të pandehurit nuk kanë pranuar akuzën. Mohohet zanafilla e një konflikti të mëparshëm
Ngjarja e së shtunës në mbrëmje në Kryebushat të Shkodrës, ku mbeti e vrarë një vajzë 19-vjeçare dhe u plagosën dy persona të tjerë pas një përplasjeje me armë, përfundoi dje në Gjykatën e Shkodrës me tri masa arresti. Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” ndaj 28-vjeçarit Mirsad Aleti dhe 31-vjeçarit Toni Toma, të cilët akuzohen për vrasjen e 19-vjeçares Elsa Tusha, ngjarje e ndodhur në 7 mars të këtij viti në Kryebushat, Shkodër, ku mbetën të plagosur edhe 22-vjeçari Paulin Ndoj dhe 56-vjeçari Selim Aleti. Burime nga Gjykata kanë bërë me dije se i akuzuari 28-vjeçar Selim Aleti akuzohet për “Vrasje me dashje”, ndërkohë që Toma për “Vrasje të mbetur në tentativë”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kultivim të lëndëve narkotike”. Mësohet se dy të arrestuarit të cilët janë marrë si të pandehur nga organi i akuzës për vrasjen e 19-vjeçares Elsa Tusha dhe plagosjen e dy të tjerëve, seancën e zhvilluar ditën e djeshme nuk kanë pranuar të flasin, duke pranuar mbrojtjen e tyre nga ana e avokatit. Ndërkohë, e njëjta masë sigurimi “Arrest me burg”, mësohet se është dhënë edhe për 22-vjeçarin Paulin Ndoj, nën akuzë të armëmbajtjes pa leje. 22-vjeçari ndodhet ende në spital që prej asaj dite pasi mësohet se është në një gjendje të rëndë shëndetësore, si dhe mësohet se ai do të bëjë një ndërhyrje tjetër kirurgjikale. Në leximin e kërkesës për caktim masë arresti përpara trupës gjykuese të kryesuar nga Izabela Radovani, prokurori i çështjes Agron Bushati ka deklaruar se nuk ka pasur zanafillë të mëparshme konflikti mes dy palëve, por çdo gjë ka ndodhur për motive banale atë mbrëmje.
Ngjarja
Prokuroria e Shkodrës gjatë leximit të kërkesës për caktim të masës së sigurisë ndaj tre të rinjve, bën me dije se të rinjtë, Ndoja dhe Toma kanë qenë së bashku me 19-vjeçaren dhe 2 persona të tjerë në një prej tavolinave të lokalit, kur kanë nisur duke bezdisur këngëtarët me kërkesa muzikore. Në një moment 22-vjeçari Ndoji, sipas prokurorit të çështjes bazuar në dëshmitë e marra është ngritur mbi tavolinë, duke ofenduar dhe kërkuar llogari tek këngëtarja. Në ato momente kanë ndërhyrë dy djemtë e pronarit të lokalit, pasi vetë ai ndodhej jashtë Shqipërisë për çështje pune. Gjithashtu mësohet se pronari i kishte kërkuar shtetasit Selim Aletit, që të kujdesej së bashku me djemtë për lokalin, pasi ata ishin në moshë të re dhe atë mbrëmje do të kishte njerëz, si çdo fundjavë. Debati mes të rinjve ka agravuar më pas me fjalë ofenduese dhe rrëzim karrigesh. Në këto momente Ndoji dhe Toma kanë dalë jashtë lokalit së bashku me vajzën e re, ku kësaj të fundit i është kërkuar të hipë në makinën tip “BMW”, ngjyrë gri me targë SH 6969 E. Ndërkohë, sipas organit të akuzës Ndoj i është drejtuar automjetit të tij duke marrë automatikun për të hyrë brenda në lokal, por në hyrje të tij Selim Aleti është përleshur me 22-vjeçarin duke i tërhequr armën nga duart. Në këto momente ajo është shkrepur, duke e plagosur 56 vjeçarin në fund të barkut. Në këto çaste i biri Mirsad Aleti, pasi ka parë babain e tij të shtrirë për tokë në gjendje të rëndë, ka marrë armën duke qëlluar me breshëri në drejtim të Ndojës, por plumbat nuk kanë kursyer as automjetin ku gjendej 19-vjeçarja Elsa Tusha, e cila mbeti viktimë, ndërkohë 22-vjeçari mbeti i plagosur. Pas ngjarjes policia gjatë kontrollit gjeti në vendngjarje si provë 18 gëzhoja model 56 nga 7.62 mm, ndërsa në fshatin Kaçë, gjeti në banesën e Toni Tomës edhe laboratorin e drogës. Vetëm arma e krimit nuk është gjetur ende. Prokurori çështjes vlerësoi të ligjshëm arrestimin e tyre dhe kërkoi “Arrest me burg”, ndërkohë që 22-vjeçari Paulin Ndoja ndodhet në gjendje kome në spitalin rajonal të Shkodrës. Gjykata në vlerësimin e masës së sigurisë, cilësoi të ligjshëm arrestimin dhe vendosi “Arrest me burg”, për të arrestuarit.
Shkodër/ Plagosja e 16-vjeçarit në Shkodër, policia: Aksidentalisht nga moshatari i tij
Policia e Shkodrës ka zbardhur plotësisht plagosjen e rëndë të një 16-vjeçari në fshatin Grudë e Re. Ndërkohë që është ndaluar një bashkëmoshatar i tij si autor i plagosjes, A. Th., 16 vjeç. Burime zyrtare nga Policia e Shkodrës kanë bërë me dije se i plagosuri me iniciale K. N., 16 vjeç, ndodhet në Spitalin Ushtarak të Tiranës jashtë rrezikut për jetën. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se në vendin e ngjarjes u gjet një gëzhojë arme zjarri model 56. Gjatë kontrollit të banesës së të miturit policia bën me dije se janë gjetur dy armë zjarri, një automatik model 56, një armë zjarri automatike (pushkë dhjetëshe), me një gëzhojë në folenë e armës, si dhe 38 fishekë që u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se, dy 16-vjeçarët me iniciale A. Th., dhe K. N., po luanin me armët, tashmë të sekuestruara. Në një moment, shtetasi A. Th., në mënyrë të pavullnetshme, i është shkrepur arma duke plagosur shokun e tij. Gjatë kontrollit në banesën Policia e Shkodrës pohon se 16-vjeçarit autor i ngjarjes, u zbuluan edhe pajisje të vjedhura në shkollën e fshatit Grudë, për të cilat akuzohet sërish adoleshenti A. Th. “Gjithashtu në vijim të komunikatës datë 23.02.2015, për vjedhjen në shkollën e Fshatit Grudë, më datë 10.03.2015, filloi procedimi penal për shtetasin A. Th., pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, janë gjetur e sekuestruar në cilësinë e provës materiale: DVD, videokamerë, bateri kompjuteri, CD kompjuteri etj. Materialet në Prokurori, nenet 134, 88 e 278/4 të K. Penal”, thuhet në komunikatën e Policisë së Shkodrës. Tashmë të miturit i rëndojnë dy akuza një për plagosje dhe një për vjedhje të shkollës së fshatit Grudë. Burime nga policia kanë bërë me dije se materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Shkodrës për vazhdime të mëtejshme procedurale.
Tiranë/ Pranga shoferit të autobusit, ishte i dehur
Policia e Tiranës ka vënë në pranga ditën e djeshme një drejtues të transportit publik të linjës Vorë-Tiranë, pasi drejtonte autobusin në gjendje të dehur. Komisariati i Qarkullimit Rrugor të Tiranës bën me dije se drejtuesi i autobusit u arrestua gjatë planit të masave për kontrollin e drejtuesve të autobusëve të transportit publik në Tiranë për përdorimin e pijeve alkoolike. Gjatë kontrollit rezultoi se Arjan Bashi që drejtonte autobusin e linjës Vorë-Tiranë me targë AA 884 IM, ishte në gjendje të dehur në masën 0.56%. Ndërkohë, disa ditë më parë në zonën e “Pallatit me Shigjeta”, dy autobusë të linjave urbane ku drejtuesi i njërit prej tyre ishte i dehur, janë përplasur duke shkaktuar plagosjen e 8 personave që ndodheshin ë këta autobusë. Po ashtu, po atë ditë Policia e Tiranës ka vënë në pranga një tjetër drejtues autobusi të linjave urbane në kryeqytet, i cili sipas policisë ka rezultuar që i drejtonte mjetin nën efektin e alkolit.