Përgatiti: V. M.
Revista “Poeteka” u kushton numrin e saj, dimër 2014-2015, shkrimtarëve të Luftës së Parë Botërore, shoqëruar me parathënie të përkthyer nga Maksim Leka. Është një listë me emra shkrimtarësh, prej të cilëve janë shkëputur për këtë botim skicë, rrëfime, publicistikë, poezi, poemë dhe letra origjinale që sjellin peizazhin angazhues të tyre në Luftën e Madhe
“Vetëm koha e përforcoi bindjen time se lufta është një jetë për së mbari dhe e zellshme, lufta, e cila për të gjithë është shkatërrimtare, në të vërtetë është një shkollim i pakrahasueshëm i zemrës”, – shkruante shkrimtari që dashuronte luftën, Ernst Junger. Në librin “Stuhi çeliku” ky do të vlerësohej me eufori prej atyre që s’kishin kohë për t’u marrë me “farën e keqe të poetëve të squllët, por që do ta rendisnin fjalën e tij si burrërore, që i shkonte propagandës së shtetit. Është ky një rast ekstrem që përmendet në Luftën e Madhe ku shkrimtarët u bënë kronikanë të luftës, duke ndryshuar gjithë perceptimin e botës mbi ta, si dëshmitarë reale. Vjen ky pasazh për të konkretizuar një sipërmarrje të revistës “Poeteka”, që i kushton numrin e saj, dimër 2014-2015, shkrimtarëve të Luftës së Parë Botërore, shoqëruar me parathënie të përkthyer nga Maksim Leka. Është një listë me emra shkrimtarësh, prej të cilëve janë shkëputur për këtë botim skicë, rrëfime, publicistikë, poezi, poemë dhe letra që sjellin peizazhin angazhues të tyre në Luftën e Madhe. Në fakt duhet konsideruar kjo prurje si një model jo dhe aq rutinë për letrat, duke kthyer memorien dhe vëmendjen në një mision instinktiv të shkrimtarit. Ka një model e perceptim krejt tjetër sot të përfshirjes së shkrimtarëve në politikë e angazhimet publike. Megjithatë kontributi për të parë e kuptuar nga erdhën kryeveprat, sigurisht mund ta kenë zanafillën në këtë jetë përfshirë të shkrimtarit.
Për studiuesit dhe historianët e sotëm lidhjet mes Luftës së Parë botërore dhe letërsisë janë bërë tanimë pjesë e kulturës dhe e kujtesës sonë. Për këtë sot në botë ka muze, janë realizuar dokumentarë, janë shkruar kronika, studime dhe është ngritur një bibliotekë e tërë me libra kushtuar luftës. Por kësaj kujtese, është vështruar se ja kanë shtuar vlerat shkrimtarët dhe poetët që morën pjesë në Luftë, mbi të gjithë shkrimtarët e Luftës së Parë Botërore apo Luftës së Madhe. Krijimtaria e tyre sot është pjesë e programeve të edukimit shkollor, ndërkohë që përshkrimet e gjalla mbi tmerret e llogoreve, kanë hyrë në vetëdijen e gjithkujt. Për brezat që nuk e njohën dhe për fat nuk i provuan luftërat, këta shkrimtarë dhe poetë janë vetë Lufta. Nuk ishte hera e parë që shkrimtarët morën pjesë në luftë dhe që e përshkruan atë.
Nga antikiteti vijnë të dhëna se shkrimtarët ishin edhe luftëtarë, pjesë e luftës. Por Lufta e Parë botërore dhe pjesëmarrja e shkrimtarëve në të ishte diçka që ndodhte për herë të parë.
Po si ishte ajo Luftë dhe, veç të tjerash, ky themel i ngritur nga këta shkrimtarë a ishte rruga që na çon për tek fjalët dhe përjetimet e tyre?
Shpjegimet janë të ndryshme: Së pari dhe ndoshta mbi të gjitha, shënohet se mjaft domethënëse, madje e pangjarë, deri në atë kohë, ishte fakti i mbërritjes së një lloji të ri të ushtarit, i një qenieje të nuk ishte parë kurrë më parë në fushëbetejë. Ai ishte kronikani i betejave të luftës.
Historiani John Terraine, në kontekstin e pjesëmarrjes së Britanisë në Luftë, e përshkruan rrjedhshëm portretin e këtij kronikani: “Ata ishin gjerësisht pjesë e shtresës së mesme dhe ishin njerëz të mbimotivuar. Ky element ishte qartësisht i arsyeshëm, tepër i arsyeshëm, për t’i shpjeguar këta shkrimtarë. Ndjenjat e tyre të kultivuara ishin të njohura për të gjithë. Ishte përgjithësisht, një brez letrar i artikulimit më sipëror të fjalës. Dhe në goditjen e papritur, në shock-un e përvojës, që duhej përballuar, ne gjejmë ndoshta, për mendimin tim, stolinë e vërtetë të “traumës britanike”. Dihet se edhe përpara vitit 1914, ka pasur njerëz që e kanë përshkruar luftën, që e kanë pikturuar apo kanë shkruar poezi për të. Por shumë prej tyre kanë parë betejë me sy edhe më pak ishin bërë pjesë e luftimeve .
Tashmë sajë kthesave të forta, brezi i klasës së mesme letrare kishte zbuluar domethënien e shterimit dhe tmerrin.
Sigurisht, poetët më të shquar të luftës – Sassoon, Owen dhe Graves – ishin që të gjithë oficerë të shtresës së mesme, por me siguri që aty, në fushëbetejë kishte gjithashtu edhe zëra të tjerë, nga të gjithë profesionet dhe zanatet, përfshi edhe gjellëbërës të regjistruar ca si me tepri e me sukses si vullnetarë.
Aty nga fundi i vitit 1914 më tepër se një milion burra nënshkruan për të luftuar Kaizerin. Dy vjet më vonë, për të parën herë në histori, Britania paraqiti thirrjen nën armë. Një brez i gjithë shkoi në luftë, me zotësinë për të bërë diçka, që veç disa burrave mbi tokë kishin qenë të aftë ta bënin më parë në terren mu aty, në frontin e luftës: të shkruanin, të përshkruanin tmerrin, tragjedinë.
Burra të shtresave dhe të rangjeve të ndryshëm lëviznin në përpjekjen e tyre për të përshkruar këto lloj përvojash të rënda, të egra. Ivor Gurney, për shembull, i pavaruri poet i asaj kohe, i sëmurë nga bipolarizimi, çrregullimi i cili iu përkeqësua thellësisht nga përvojat e tij në luftë, la dëshminë e tij. Vepra e tij qëndron përkrah “Copat e mesit të së ardhmes” të Frederic Manning, i cili e përshkroi fund e krye dhe me të gjitha detajet e imta jetën nën armë, në ushtri, përgjatë luftës. Botuar aty nga fundi i vitit 1920, ndërsa njerëzit ishin neveritur së numëruari humbjet e jetës, mu në çastin kur u mësua se ajo që ishte shembur gjatë Luftës së Parë Botërore i kishte kapërcyer përmasat e së zakonshmes, Frederic Manning portretizoi përvojat e ushtarëve të thjeshtë midis luftimeve, aty, përgjatë fushëbetejave në Somme. Ata uleshin rreth njëri-tjetrit dhe, edhe pinin edhe mallkonin edhe besonin. Jo heronj, por njerëz të zakonshëm në një situatë të jashtëzakonshme, që prisnin që ajo diçkaja e shkëlqyer të ndodhte edhe me ta. Ndërkohë, gjetiu një grua si Vera Brittain ishte duke u dhënë zë përvojave të infermiereve në sheshbetejë me ‘jo më shtretër të lirë për të kapurit rob, barelat mbartin burra syegër në batanijet e fëlliqura ngjyrëbërësish, në një hapësirë të papërshtatshme të dyshemesë”.
Por nuk ishte vetëm Britania ajo që kishte një ushtri të çlirët, me penat si bajonetë. Në Francën e vitit 1916 Henri Barbusse publikoi librin e tij të njohur botërisht “Zjarri”, një nga rastet e rralla letrare ky për faktin se libri doli haptazi kundër luftës, ndërkohë që lufta vazhdonte, madje me tërbim. Henri Barbusse u bë pacifist për shkak të përvojave të tij, por edhe për shkak të botimit të këtij libri, i cili shpërfaqi lexuesit jo heroizmin propagandistik të qeverive, por tmerrin e vërtetë të ushtarëve në llogore e Luftës.
Shkrimtarët që kanë hedhur kujtimet e tyre, të botuar në “Poeteka” na japin për herë të parë njerëzit e qyteteve dhe kafeneve që njohën transhetë, vrasjet masive, masakrën, gjymtimin, gjakun.
Kjo ishte një sprovë e kundërt me çfarë bënin drejtuesit francezë, që përpiqeshin të bindnin burrat e vendit të tyre të vazhdonin të luftonin deri në fund, deri në frymën e fundit, deri në pikën e fundit të gjakut.
Më pak acarues për eprorët e tij ishte libri i një ushtari gjerman, i cili kishte fituar tashmë dekorata për “Merita të Larta” si toger i ri. “Stuhi çeliku” i Ernst Junger do të vlerësohej me eufori prej atyre që s’kishin kohë për t’u marrë me “farën e keqe të poetëve të squllët”, siç quheshin ata, krahasuar me kafshimin e shrapnel (shpikja e kohës, arma automatike e luftës së parë). Junger dashuronte luftën dhe mendonte se ai ishte duke jetuar një kohë të lavdishme. Ai nuk arrinte të besonte se fati i tij i shkëlqyer ishte pjesë përfshirëse e kësaj aventure të përgjakshme. Në përkthimin e botimit të tij në anglisht, të vitit 1929, ai shprehet: “Vetëm koha e përforcoi bindjen time se lufta është një jetë për së mbari dhe e zellshme, lufta, e cila për të gjithë është shkatërrimtare, në të vërtetë është një shkollim i pakrahasueshëm i zemrës.” Mendimi ishte se këto “fjalë burrërore” i shkonin propagandës së shtetit.
Më pas Hitleri, dhe ndjekësit e tij e vlerësuan këtë libër si një kthesë të vërtetë të faqes së historisë. Më pak i njohur sillet rasti i një tjetër rrëfimtari të luftës. I përbuzur, i braktisur, dhe djegur publikisht nga nazistët, romani “Asgjë të re nga fronti i Perëndimit”, me autor Erih Maria Remark, u bë për një moment libri më i shitur në botë.
Ky libër tregohet se mbolli një lëvizje të re letrare, ndryshoi diçka te llojet e librave që denoncojnë luftën, duke u bërë menjëherë bestselleri i një farë stili të admirueshëm në fundin e viteve ’20-të, frymëzuar gjithashtu filmin e parë të Luftës, i cili ngre zërin për atë që vjen më pas dhe që do të përsëritej si gabim.
Përmenden emra shkrimtarësh që sollën përjetimet e llogoreve si Robert Musil, Giuseppe Ungaretti, Guillaume Apollinaire, Georg Trakl, Albert Camus, Thomas Hardy, Ernest Heminguej etj- duke kuptuar se cilët ishin penat që shkruajtën për atë kohë prej “çeliku e plumbi”. Hidhet vështrimi edhe më vonë, nga konfliktet e reja që shkaktuan Luftën e Dytë Botërore, Vietnami, Iraku – prej të cilave do të frymëzoheshin ekranet fluide, vlerësuar me tepër se sa faqet e dikurshme të letrës. Por, për Luftën e Parë Botërore do të thuhej se ishte ngjarja kur lufta do të shihej, vlerësohej, dhe do të përshkruhej për herë të parë ndryshe. Lufta do të kuptohej dhe interpretohej jo thjesht nga reporter, por nga shkrimtarë të vërtetë, nga i gjithë brezi i tyre më i artë.
Këta shkrimtarë e panë Luftën e Madhe përmes gjendjes dhe shfaqjes së saj reale, drejt e në fytyrë, në sy, dhe mbetej e vetmja luftë e rekomanduar për t’u lexuar.