Bashkë me të edhe ish-përgjegjësi i këtij institucioni. Legalizuan objekte jashtë ligjit në periudhën e ndërrimit të qeverive
Akuzohen për shpërdorim detyre dhe për këtë qëllim Prokuroria e Shkodrës, pasi ka mbyllur hetimet, ka dërguar për gjykim dy ish-zyrtarë të ALUIZNI-t në këtë qytet. Sipas një materiali të dërguar nga Prokuroria e Shkodrës, bëhet me dije se ka përfunduar hetimi dhe është dërguar kërkesa për gjykim ndaj ish-drejtorit të ALUIZNI-t në këtë qytet, shtetasit Besnik Kastrati, si edhe ndaj ish-përgjegjësit të këtij institucioni, shtetasit Rudi Beci, të akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Nga hetimi i Prokurorisë ka rezultuar se dy zyrtarët kanë kryer legalizimin e disa objekteve gjatë muajve gusht dhe shtator të vitit 2013, pikërisht në periudhën që po bëhej ndërrimi i qeverive pas zgjedhjeve të 23 qershorit. Legalizimi është bërë për disa objekte të futura jashtë radhe dhe në kundërshtim me ligjin. Në mënyrë të kundërligjshme, këta dy zyrtarë, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë legalizuar disa objekte, ndër të cilat, edhe dy pallate shumëkatëshe. Gjatë fazës së hetimit, me kërkesë të Prokurorisë, gjykata e rrethit gjyqësor Shkodër vendosi ndaj dy të pandehurve masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ndërsa Gjykata e Apelit Shkodër, në bazën e ankimit të të pandehurve, vendosi ndaj tyre masën e sigurisë “Detyrim për paraqitjeje”.
Hetimi
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i pandehuri Besnik Kastrati, gjatë ushtrimit të detyrës së tij si drejtor në Agjensinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informate Shkodër, në bashkëpunim me të pandehurin Rudi Beci, përgjegjës i sektorit të legalizimit pranë ALUIZNI-t Shkodër, kanë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore legalizimin e një pallati 11-katësh, i cili është ndërtuar në vendin e quajtur Bixhisteni, lagjja “Liria”, rruga “Mbreti Gent”, Shkodër, pallat të cilin e ka ndërtuar firma “Amined”. Nga aktet e ndodhura në këtë dosje legalizimi rezulton se më datë 20.8.2013 nga ana e punonjësve të ALUIZNI-t Shkodër është mbajtur procesverbali i konstatimit nga ku ka rezultuar se ky objekt është 11-katësh, sipërfaqja e parcelës ndërtimore është 1200 m2, sipërfaqja e bazës së objektit është 978,7 m2 dhe sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit është 11312,4 m2. Më datë 22.8.2013 nga ana e ALUIZNI-t Shkodër është mbajtur Akti i Kualifikimit nr. 3722, ndërsa më datë 20.8.2013 nga ana e Drejtorit të ALUIZNI-t Shkodër është marrë vendimi nr. 3082 “Për kualifikimin për legalizim të objektit informal në posedim të Pranvera Meshnuni”. Ndërsa me aktin e datës 13.9.2013, është dhënë leja e legalizimit për këtë objekt, i firmosur nga ana e të pandehurve Besnik Kastrati dhe Rudi Beci. Nga shkresa nr. 1817/1 prot., datë 3.4.2014 dërguar nga Bashkia Shkodër rezulton se në lidhje me ndërtimin e bërë nga ana e shtetasit Astrit Meshnuni, nuk është dhënë leje shesh ndërtimi apo leje ndërtimi nga KRRT dhe se në bazë të instrumentit të Përgjithshëm Vendor (Plani Rregullues), harta e përdorimit të tokës (Zonimi funksional) pasuria me nr. 19/30 zona kadastrale 8597 (pasuria që ka bërë ndërtimin e mësipërm shtetasja Pranvera Meshnuni) është e përfshirë në Kodin A-5 (Strehim Social).
Durrës/ Arrest me burg dy-ish zyrtarëve të Ujësjellësit, arrestohen nga policia
Gjykata e Durrësit vendosi të lërë në arrest me burg dy ish-zyrtarë të lartë të Ujësjellës-Kanalizimeve të këtij qyteti, të dyshuar për konsumimin e elementëve të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Sipas të dhënave të Prokurorisë, bëhet e ditur se dy personat e marrë tashmë të pandehur në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dyshohet se kanë paracaktuar fituesin e procedurës së prokurimit publik për furnizimin me ujë të zonës Spitallë – Porto Romano – Bisht-Pallë, si edhe rikonstruksioni i rrjetit të furnizimit me ujë të pijshëm për zonën e Shkozetit dhe Sukthit, duke i shkaktuar shtetit një dëm në vlerë rreth 30 milionë lekë të reja. Vendimi i gjykatës së Durrësit, pas hetimit të Prokurorisë, është zbatuar mesditën e së hënës nga ana e forcave të Policisë së Shtetit për shtetasit Franc Stajka, ish-drejtues teknik dhe Tonin Deda, ish-kryetar i degës teknike.
Vlorë/ Sekuestrohen 5.8 kg kanabis sativa, shoqërohen 2 shoferë
5.8 kilogramë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa janë sekuestruar ditën e djeshme në qytetin e Vlorës. Burime zyrtare bëjnë me dije se droga ishte menduar të trafikohej në Itali. Lënda narkotike ishte e paketuar ne 34 cilindra, të cilët ishin vendosur brenda një bidoni plastik 30 kg, i cili krahas lëndës narkotike ishte mbushur me vaj ulliri. Policia ka shoqëruar dy shoferët e autobusit të shoqërisë së transportit të udhëtarëve “Hermes Travel” ku edhe u kapën bidonët me vajë e me lëndë narkotike. Sekuestrimi i lëndës u bë nga kontrolli i efektivave të Policisë Vlorë në Pikën e Kalimit Kufitar Vlorë, ndërsa po punohet për identifikimin e personave përgjegjës për këtë rast trafikimi.
Mat/ Humb jetën gjatë punës një minator
Një minator ka humbur jetën në Mat. Rreth orës 14.30 të ditës së djeshme në minierën e Cërujës në Mat, një masiv shkëmbor është shkëputur dhe ka zënë poshtë një minator. Siç raporton “Noa.al”, bëhet fjalë për minatorin Skënder Tafa, 53 vjeç, i cili ka humbur jetën si pasojë e dëmtimeve të marra. Mësohet se minatori po punonte në njërën nga galeritë e minierës, në momentin që ndodhi ngjarja. Nuk dihen ende shkaqet e plota të aksidentit, ndërsa lidhur me këtë rast kanë nisur hetimet.