Jurges Veizaj
Bardhezinjtë duket se janë pretendentë kryesorë për kreun në kampionat, pasi arritën të mundnin fierakët me rezultatin 2-0
Laçi nuk di të ndalet. Kurbinasit koleksionuan fitoren e 7-të radhazi në kampionat, pasi mposhtën edhe Apoloninë, duke u ngjitur në kuotën e 50 pikëve. Në stadiumin e Laçit ndeshja përfundoi 2-0 në favor të vendasve, me skuadrën e Cungut që nuk pësoi gol për të 5-in takim radhazi në Superiore. Përballë një Laçi në superformë dhe Agim Metos gjithnjë e më shumë përcaktues nuk mundi të bënte asgjë as Apolonia e Artan Mërgjyshit, që vinte në këtë ndeshje pas tri rezultatesh pozitive radhazi. Sfida në stadiumin “Laçi” nisi menjëherë me gol për skuadrën vendase. Pa u mbushur ende 5 minuta lojë, kurbinasit zhbllokuan shifrat me Emilijano Veliajn. Malazezi Marko Cetkoviç bëri gjithçka mirë në të djathë të sulmit të Laçit dhe me një harkim shumë të bukur nxori të lirë përpara Cakoviçit Veliajn ky i fundit nuk u mendua dy herë duke goditur fluturimthi për avantazhin 1-0 të Laçit. Apolonia e kishte të vështirë të reagonte dhe ishte skuadra e Cungut ajo që rrezikoi më shumë edhe gjatë minutave në vazhdim. Në të 24-ën Agim Meto tentoi me një goditje standarde por Cakoviçin me ndërhyrjen e tij i tha jo golit të Lacit, ndërkohë që në vazhdimin e aksionit Argjend Mustafa humbi një mundësi të mirë për të dyfishuar shifrat. 10 minuta më pas provoi edhe kapiteni Stipe Buljan por goditja e tij nga distanca u ndal pa shumë probleme nga Cakoviçi. Fraksioni i parë i lojës nuk prodhoi më asgjë ndërsa pjesa e dytë nisi me një rast të humbur për Laçin. Në minutën e 50-të Agim Meto i vetëm përballë Cakoviç gjeti vetëm rrjetën e jashtme në rrugën e tij drejt golit. Për të parë një kërcënim konkret të Apolonisë në këtë sfidë duhej pritur minuta e 66-të kur Andi Ribaj pasi shmangu një mbrojtës kundërshtar goditi menjëherë në drejtim të portës së Vujadinoviçit, por nuk pati saktësinë e duhur në finalizim. 8 minuta më pas Laçi dyfishoi shifrat me njeriun e momentit Agim Meto. Mesfushori fierak nuk mund të gabonte më duke ndëshkuar ish skuadrën e tij me golin e 2-0. Meto përfitoi nga një top i mbetur në zonë dhe me një goditje potente mposhti për herë të dytë në këtë sfidë portierin Cakoviç. Goli i dytë i preu përfundimisht këmbët Apolonisë që nuk kishte forcë reagimi dhe në Stadiumin Laçi gjithçka përfundoi me rezultatin 2-0. Një fitore shumë e rëndësishme kjo për kurbinasit me Laçin që tashmë mund të përgatisë i qetë ndeshjen e ardhshme ndaj Partizanit. Një sfidë direkte për të kuqtë por edhe për kurbinasit që janë përpara një prove të vërtetë. Kjo pasi nëse do të fitojnë ndaj Partizanit janë zyrtarisht në garë për vendin e parë dhe mund të ndjekin me nga dhe të sulmojnë edhe Tiranën Kukësin apo Skënderbeun.
Pirlo mungon ndaj Dortmundit
Mesfushori i Juventusit, Andrea Pirlo, do të mungojë në ndeshjen e dytë të 1/8-ave të Ligës së Kampioneve kundër Borusias së Dortmundit. 35-vjeçari pësoi një lëndim muskulor në ndeshjen e parë, që u zhvillua mes këtyre dy klubeve në Torino dhe deri dje kishte pasur shpresë se nëse e arrin nivelin e duhur kondicional, ai do të paraqitej ndaj gjermanëve. Mirëpo, klubi italian ka konfirmuar përmes një komunikate zyrtare se është ende herët që Pirlo të kthehet në aksion. “Skaneri i ultrazërit ka treguar se lëndimi i tij është duke u shëruar, por jo aq shumë sa për të qenë i gatshëm për duelin ndaj Dortmundit. Kështu që, mesfushori do të vazhdojë programin e tij të rehabilitimit”, – thuhet në komunikatë.
Lila: I lumtur për golin
Mesfushori i kombëtares shqiptare, Andi Lila, është intervistuar nga shumë gazetarë pas golit të tij të parë për ekipin e Parmës. |Unë jam shumë i lumtur, edhe pse më vjen keq për humbjen. Golin ia kushtoj gruas sime, e cila është në pritje për të lindur. Tani pas lëndimit jam më mirë dhe dua të jap më të mirë time në çdo ndeshje”, – deklaroi Lila. “Unë e ndiej besimin e trajnerit Donadoni dhe e falënderoj atë shumë, sepse ai ka besuar tek unë që nga ardhja ime këtu. Ndihem me fat që punoj me një me një trajner të mirë si ai. Pas golit jam i lutur, unë jam shumë i lumtur që luaj në një ekip si Parma, me tifozët që mbështesin ekipin edhe përkundër situatës jo të mirë”, – shtoi Lila. “Së shpejti do të jam i angazhuar gjithashtu edhe me kombëtaren e Shqipërisë, ku do të mundohemi të kualifikohemi, pasi kualifikimi i parë për ne do të jetë një moment historik”, – tha mes tjerash ai.
Dzeko: Mund ta befasojmë Barcelonën
Sulmuesi i Sitit, Edin Dzeko, beson se skuadra e tij mund ta befasojë Barcelonën në ndeshjen e dytë të 1/8 së finales në Ligën e Kampionëve. Barcelona është më afër çerekfinales pasi në takimin e parë të zhvilluar në Angli ka fituar me rezultat 2 me 1. Teksa e pranon se Siti do ta ketë shumë të vështirë kualifikimin, Dzeko beson se kampioni i Anglisë ka akoma gjasa. “Takimi i parë ndaj Barcelonës ishte shumë i rëndësishëm. Provuam të mos mposhtemi në shtëpi, por nuk ishim të mirë sa duhet, sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë luajtëm më mirë, shënuam dhe patën disa raste për golin e dytë. Tani duam ta befasojmë Barcelonën. Do të jetë ngushtë deri në fund: duam të luajmë më mirë se në ndeshjen e parë dhe mbetet të shihet nëse do të na mjaftojë që të kalojmë tutje”, – ka thënë Dzeko. Siti thuajse ka shuar gjasat për titullin e Premier Ligës pas humbjes 1 me 0 nga Bërnlei në fundjavë.
Braida: Klauzola e Mesit nuk blihet
Drejtori sportiv i Barcelonës, Ariedo Braida, ka thënë se Lionel Mesi ka një klauzolë largimi prej 250 milionë eurosh, të cilën pak klube mund ta paguajnë. “Ai është një lojtar shumë i fortë dhe është ikonë e futbollit botëror. Numri i fanellave të tij që shiten anë e mbanë botës është thjeshtë i jashtëzakonshëm”, – ka thënë fillimisht Braida për radion “Anch’io Sport”. “Presidenti gjithmonë thotë se Mesi është një jashtëtokësor. Unë mendoj dhe shpresoj që ai të jetë i paarritshëm në aspektin ekonomik për klubet tjera. Edhe nëse i vëmë veshin investitorëve të huaj, Mesi ka një klauzolë të largimit prej 250 milionë eurove dhe për shumin e skuadrave kjo shumë është e paarritshme”, – ka potencuar ai. “Leo në Barcelonë është i dashur nga të gjithë dhe unë mendoj se ai do të gabonte nëse e ndryshon klubin”, – ka thënë Braida në fund.