Gëzim Saliu
PS: Keni thyer marrëveshjen e 24 dhjetorit, keni bojkotuar Kuvendin, PD: Flasim për dekriminalizim dhe punën e këtij komisioni dhe shkresat do të kenë në fund firmën e Metës, të akuzuar si porositës për vrasje
Mazhoranca dhe opozita u përfshinë në debate të forta dje në mbledhjen e komisionit të posaçëm parlamentar për dekriminalizimin, ku edhe një herë në qendër të diskutimit ishte Kryeparlamentari Meta. Ndërsa deputetët e PD-së theksuan se dekriminalizimi i Kuvendit dhe administratës është një çështje kyçe, kjo, sipas tyre, nuk mund të arrihej nëse është ende në detyrë kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Sipas ligjvënësit demokrat Gent Strazimiri, edhe puna e komisionit është e kompromentuar, pasi në fund të saj shkresat do të firmosen nga kreu i Kuvendit, i cili është akuzuar si porositës i vrasjes së deputetëve të Kuvendit. “Çfarëdo që të prodhojë ky komision, nëse në fund firma poshtë dokumentit është e Ilir Metës, producent i kamerave, nuk ka kuptim”, – deklaroi Strazimiri. Në kundërpërgjigje të tij, deputeti socialist Taulant Balla mes tensionit të mbledhjes kërkoi që të shmangeshin termat akuzues për kreun e Kuvendit, duke i dalë në krah si asnjëherë më parë kryetarit të LSI-së. “Jo zotëri, nuk të pranoj. Nëse do të bësh miting, dil atje poshtë. Unë nuk toleroj askënd që të flasë me këtë gjuhë për Kryetarin e Kuvendit dhe institucionet e Shqipërisë”, – replikoi nënkryetari socialist i komisionit, Taulant Balla.
Debatet
Që në nisje të mbledhjes së komisionit, nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, deklaroi se opozita ka thyer marrëveshjen e 24 dhjetorit në pikën e parë të saj për bojkotin e Kuvendit. “Kjo është mbledhja e dytë për adresimin e problematikave të rëna dakord. Do të doja ta filloja me kërkesë drejtuar jush, meqë po diskutojmë marrëveshjen, duhet të respektoni pikën e parë, rikthimin e opozitës në Kuvend duke hequr dorë nga bojkoti. Ju keni detyrimin të jeni në komisionet parlamentare, ku për të tretën mbledhje radhazi opozita bojkoton mbledhjen e komisionit të integrimit”, – deklaroi Balla. Ndërsa kryetari i komisionit, deputeti demokrat Bylykbashi, theksoi se marrëveshja e 24 dhjetorit ishte e një rëndësie shumë të madhe dhe ngriti, sipas tij, nevojat për dekriminalizim. “Partnerët ndërkombëtarë janë të mirëpritur. Ajo që ka shkaktuar reagimin e opozitës ka qenë konkretizimi i kriminalizimit. Ne do të vendosim standarde, që duke nisur nga më i larti e deri më i ulëti të mos jetë më pjesë e parlamentit”, – tha ai, duke propozuar si ekspert të atashuar pranë komisionit të posaçëm z. Gazmend Bardhi dhe z. Fabian Topollari. Ndërkohë, sipas deputetit të mazhorancës Ulsi Manja, PD nuk është e interesuar për dekriminalizimin, pasi nëse do të ishte kështu, do të duhet të niste procesin, duke sjellë një draft. Por në reagimin e tij, ligjvënësi demokrat Halimi theksoi: “Qytetarët presin dekriminalizimin e parlamentit, dhe lidhjen e duarve të kryetarëve të partisë që në zgjedhjet e qershorit të mos ketë persona me të shkuar kriminale, siç u kërkua nga ndërkombëtarët”.
Debatet e plota në Kuvend
Taulant Balla: Meqë po diskutojmë marrëveshjen, duhet të respektoni pikën e parë, rikthimin e opozitës në Kuvend, duke hequr dorë nga bojkoti.
Oerd Bylykbashi: Ajo që ka shkaktuar reagimin e opozitës ka qenë konkretizimi i kriminalizimit. Ne do të vendosim standarde, që duke nisur nga më i larti e deri më i ulëti të mos jetë më pjesë e parlamentit.
Gent Strazimiri: Çfarëdo që të prodhojë ky komision, nëse në fund firma poshtë dokumentit është e Ilir Metës, producent i kamerave, nuk ka kuptim.
Taulant Balla: Jo zotëri, nuk të pranoj. Nëse do të bësh miting dil atje poshtë.
Gent Strazimiri: Çfarë ke, pse nxehesh.
Taulant Balla: Unë nuk toleroj askënd që të flasë me këtë gjuhë për kryetarin e Kuvendit dhe institucionet e Shqipërisë.
Eduart Halimi: Ne si struci nuk kemi pse fshihemi. Nëse Kryeministri del e thotë se do ta bëj dekriminalizimin por në mazhorancë nuk ka persona me të shkuar kriminale, atëherë nuk jemi seriozë. Qytetarët presin dekriminalizimin e Parlamentit dhe lidhjen e duarve të kryetarëve të partisë që në zgjedhjet e qershorit të mos ketë persona me të shkuar kriminale, siç u kërkua nga ndërkombëtarët.
Ulsi Manja: Që nga dhjetori dhe deri më sot, bihen dhe ngrihen me fjalën dekriminalizim. Opozita është tërhequr nga kjo rezolutë, sepse nuk e ka pasur asnjëherë kauzën e dekriminalizimit. Nëse e keni seriozisht, bëjeni gati draftin dhe hajde ta votojmë përpara zgjedhjeve të 21 qershorit.
Ooerd Bylykbashi: Ajo që ka shkaktuar reagimin e opozitës ka qenë konkretizimi i kriminalizimit.
Taulant Balla: Nëse do të respektosh marrëveshjen, filloje nga termat. Mos keqpërdor mikrofonin e këtij komisioni për Lulzim Bashën dhe 72 drejtorët e bashkive.
Gent Strazimiri: A mund ta përdorim termin Meta i këpucës së Saliut?
Taulant Balla: Sa terma ka për ty Strazimir. Është gjuhë parlamentare kjo që tha? Nuk të toleroj fare me këtë gjuhë. Merre Lulzimin dhe Saliun dhe përjashta.
Oerd Bylykbashi: Unë besoj që me vullnetin tuaj, ne do të arrijmë që brenda një kohe të shkurtër të bëjmë propozimet e duhura. Shpresojmë të mos e bojkotoni (i referohet deklaratës së Ulsi Manjës).
Taulant Balla: Më fal, po tallesh?
Oerd Bylykbashi: Fjalën ta jap unë. Kërkoje dhe ta jap unë.
Taulant Balla: Më lejoni t’ju përsëris që ky është komisioni për zbatimin e marrëveshjes. Një ndër problematikat ka qenë bojkoti i opozitës.
Bylykbashi: Opozitën e ke në Kuvend.
Balla: Këtë e vlerësojnë qytetarët. Propozuat dy ekspertë. Kërkoj që në dokumentacionin e tyre të sillni edhe dëshmitë e penalitetit, sepse për njërin prej tyre kam informacione se ka rekorde kriminale
“Meta” tensionon Kuvendin, përplasje e fortë mes Bodes e Braçes, opozita braktis komisionin
Kërkesa për dorëheqjen e Kryeparlamentarit Meta vazhdon të sjellë debate dhe tension në punimet e komisioneve parlamentare mes ligjvënësve të mazhorancës dhe atyre të opozitës. Ne mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ekonomisë, kreu i tij, Erjon Braçe, ka debatuar me Ridvan Boden. Shkak u bë mosdhënia e fjalës ndaj ligjvënësit demokrat. “Këtë mënyrë sjelljeje, që e bëni ju këtu, e reflekton ai zotëria atje, që është munduar të bllokojë të gjithë hetimin dhe që e ka shpërthyer situatën e krimit në këtë gjendje”, – tha deputeti demokrat Bode. Në përgjigje të tij, Braçe theksoi: “Ik e thuaji atij kryetarit tënd të shkojë në Prokurori, sepse nuk është hetuar. Madje, e ke denoncuar ti”. Ndonëse merr pjesë në mbledhjet e komisioneve, prej ditësh axhenda e opozitës në Parlament është e mbështetur tek kërkesa për dorëheqjen e kryetarit të Parlamentit, Ilir Meta.
Debati
Ridvan Bode: Këtë mënyrë sjelljeje, që e bëni ju këtu, e reflekton ai zotëria atje, që është munduar të bllokojë të gjithë hetimin dhe që e ka shpërthyer situatën e krimit në këtë gjendje.
Erjon Braçe: Ik e thuaji atij kryetarit tënd të shkojë në Prokurori, sepse nuk është hetuar. Madje e ke denoncuar ti.
Ridvan Bode: Vazhdoni mbani balon te dera, se ajo erë do t’ju vijë brenda.
Erjon Braçe: U kap banda e tritolit dje, prandaj je shqetësuar ti…