Emrat e dy kosovarëve mendohen se do të jenë në grumbullimin e kombëtares kuqezi, edhe pse akoma nuk ka një burim zyrtar
Sfida ndaj Armenisë është në prag dhe pritet që pas afërsisht një jave trajneri i kombëtares Xhani de Biazi të bëjë të njohur emrat që do të mbajnë përgjegjësinë e këtij takimi jetik për të ardhmen e përfaqësueses shqiptare. Megjithatë, një pjesë e emrave janë bërë publikë dhe nuk dihet se në çfarë mënyre ka rrjedhur informacioni, sidomos kur bëhet fjalë për një njeri të rreptë, si tekniku italian. Megjithatë, në pritje të konfirmimit duket se në listën paraprake të De Biazit do të jenë sërish Alban Meha dhe Shkëlzen Gashi. Mesfushori nga Mitrovica dhe golashënuesi më i mirë i ligës zvicerane nuk ishin pjesë e dy miqësoreve të luksit ndaj Francës dhe Italisë, ndërsa forma e treguar sidomos nga Gashi e ka detyruar në njëfarë mënyre teknikun t’i thërrasë. Në fakt, nuk ka surpriza të paktën në këtë listë paraprake, pasi në të bëjnë pjesë të përhershmit Berisha, Cana, Mavraj, Lila, Hysaj, Lenjani, Agolli, Balaj, Cikalleshi, Xhaka, Ajeti, Roshi e Abrashi, ndërkohë që përsa i përket kuadratit, përveç Berishës do të jetë edhe Alban Hoxha. Megjithëse emri i tij nuk figuron në grupin e lojtarëve, pjesë e kësaj sfide do të jetë edhe Orges Shehi, i cili ka konfirmuar prezencën e tij duke qenë se ftesa për të tashmë ka mbërritur në zyrat e klubit të Skënderbeut. Takimi i 29 marsit është pika kyçe e këtyre eliminatoreve për përfaqësuesen kuqezi, pasi një fitore e mundshme do t’i ushqente aspiratat tona për të qenë pjesë për herë të parë në histori në një event madhor të futbollit evropian. De Biazi ka shpalosur njohuri të mira për kundërshtarin, duke theksuar se kjo kombëtare ka ndryshuar shumë në këto eliminatore sa i përket stilit të lojës të injektuar nga trajneri Bernand Shaland, ndërsa ka vlerësuar së tepërmi sulmuesin e Borusias së Dortmundit, Henrik Mkitarian. I pyetur për synimin e tij në këtë sfidë, De Biazi ka deklaruar se do të jetë një sfidë e vështirë, por ai dhe kombëtarja e tij do të përpiqen të shfrytëzojnë në maksimum faktorin fushë për të marrë rezultatin maksimal që është fitorja, ndërsa për pretendentët për një vend në Evropian ka qëndruar me këmbë në tokë duke theksuar se Portugalia dhe Danimarka janë favorite për një vend në Francë, ndërsa tre ekipet e tjera mes të cilave dhe Shqipëria, do të luftojnë deri në fund për vendin e tretë. Federata Shqiptare e futbollit ka njoftuar se ka nisur shitja e biletave për këtë event të rëndësishëm dhe se të gjithë të interesuarit duhet ti drejtohen sporteleve të stadiumit kombëtar “Qemal Stafa” dhe atij të Elbasanit “Elbasan Arena”. Interesi për këtë përballje pritet të jetë tejet i lartë, ku sigurisht tifozët shqiptarë nuk e kanë braktisur asnjëherë përfaqësuesen e tyre. Çmimi i biletave varion në varësi të vendit, kështu që një biletë në qendër të tribunës kryesore kushton 10. 000 lekë të rinj, e më pas në ato B 2, B4, A 1 dhe A 4 çmimi është 8000 lekë të rinj. Tribuna E, ose ashti si quhet zakonisht pjesa përballë do të kushtoj 3000 lekë të rinjtë ndërsa zonat prapa porte do të kenë një çmim më të ulët, ose më saktë një mijë lekë të rinj. Ndërkohë që prej dy javësh federate shqiptare e futbollit ka ofruar edhe shërbimin online, ku të gjithë të interesuarit mjafton të regjistrohen në portalin zyrtar të FSHF-së për të siguruar një biletë. Për të shmangur abuzimet dhe qarkullimin e biletave në treg të zi, institucioni i drejtues i futbollit në vend këshillon të gjithë të interesuarit, që ti drejtohen vetëm pikave të përcaktuara nga federate. Kujtojmë që në sfidën e fundit në shtëpi ndaj Danimarkës pati një kaos total përsa u përket biletave, ku ishte praktikisht e pamundur të sigurojë një të tillë, ndërsa tashmë situate duket më normale dhe me shpresën që përfaqësuesja jonë ta justifikojë besimin e madh të tifozerisë kuqezi.
Dy klube gjermane në garë për Hysajn
Paraqitjet e Elseid Hysajt këtë sezon në Serinë A kanë qenë vërtetë mbresëlënëse, dhe një pjesë e meritës për pozicionin komod ku Empoli ndodhet aktualisht sigurisht që i takon 21-vjeçarit. Shumë klube janë vendosur në gjurmët e tij, duke parë edhe moshën e re të shkodranit, spekulimet e fundit folën për një interesim të Interit në drejtim të mbrojtësit të kombëtares sonë, ndërsa sot e përditshmja italiane “Gazzetta dello Sport” pasi vlerëson talentin e lojtarit informon se klubi i Shtutgartit dhe ai i Hanoverit po kërkojnë me ngulm shërbimet e Hysajt. Në fakt përsa i përket Hanoverit kjo nuk është herë e parë që klubi nga veriperëndimi i Gjermanisë shfaq interes për shkodranin, ndërsa e reja është përfshirja e Shtutgarit mes klubeve që pretendojnë aftësitë e futbollistit kuqezi. Mësohet se trajneri Hub Stevens i ka dhënë “OK”-in drejtuesve për të startuar një tratativë me Empolin, duke i vlerësuar pozitivisht cilësitë e Elseid Hysajt. Vlera në treg e 21 vjeçarit aktualisht është 4 milion euro dhe duket se do të ketë një luftë mes dy klubeve gjermane për lojtarin shqiptar. Ndërsa në garë është edhe Lazio, ku bardhekaltrit mund të mbështeten tek drejtori sportiv Igli Tare për ta bindur Hysaj-n të zgjedhë ekipin nga kryeqyteti i Italisë. Gjithsesi për momentin ajo që ka më shumë rëndësi si për lojtarin po ashtu edhe për tifozët shqiptar është forma aktuale e mrekullueshme e mbrojtësit, e cila pa diskutim shkon në favor të kombëtares sonë në prag të takimit ndaj Armenisë.
Mançini: Besoj te Interi
Italiani Roberto Mancini beson shumë se skuadra e tij mund ta eliminojë Volfsburgun dhe të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Evropës. Skuadra gjermane vjen në San Siro me një avantazh prej 3-1 nga ndeshja e parë, ndërsa italianëve iu duhet një fitore prej 2-0 për të shkuar tutje. “Gjithmonë jam optimist. Ne do ta kërkojmë fitoren dhe duhet t’i përdorim kokat tona dhe të mos nxitojmë sepse golat mund të vijnë në çdo kohë. Lojtarët duhet të relaksohen, sepse gjithçka mund të ndodh për 90 minuta. Ne duhet të luajmë mirë dhe të kemi fat”, – ka thënë fillimisht Mançini. “Unë besoj në skuadër. Në të gjitha kupat ku ka fituar Interi, aty ka pasur përmbysje sensacionale dhe ndeshje pa gabime, herët a vonë kjo duhet të ndodhë”, – ka shtuar italiani.
Ozil mbrohet nga kritikat për ndërrimin e fanellës
Gjermani i “topçinjve”, Mesut Ozil, e ka mbrojtur veprimin e tij të shkëmbimit të fanellave me mesfushorin e Monakos, Geofri Kondogbias, pas përfundimit të pjesës së parë të martën mbrëma. Mesfushori turko-gjerman u kritikua shumë që i shkëmbeu fanellat me mesfushorin francez, duke pasur parasysh që skuadra e tij u eliminua nga Liga e Kampionëve. Mirëpo, Ozil ka reaguar ndaj këtyre kritikave duke thënë se ka gjëra më të rëndësishme. “Geofri Kondogbia më kërkoi fanellën time dhe unë desha t’i bëj atij një favor”, – tha Ozil fillimisht për “Sky Sports”. “Ndoshta është dashur t’ia dhuroj fanellën në tunel. Por, seriozisht, a nuk ka diçka më të rëndësishme për të diskutuar se sa një shkëmbim fanellash?”, – ka thënë mesfushori i Arsenalit.
Berhami: Hamburgu duhet të ringrihet
Valon Behrami është bërë lider i padiskutueshëm te skuadra e Hamburgut ende pa bërë një vit të plotë në Gjermani. Kosovari me pasaportë zvicerane ka marrë për disa ndeshje edhe shiritin e kapitenit te Hamburgu, ndërsa ai ka kritikuar bashkëlojtarët e tij për humbjen e besimit. 29-vjeçari ka kërkuar nga shokët e skuadrës ta kthejnë vetëbesimin që ta ndihmojnë Hamburgun në të kundërtën mundën të kenë një fund dëshpërues. “Pritjet kanë qenë të tjera. Kjo që po ndodh në skuadër nuk është në rregull. Kemi pasur synime të tjera me këtë skuadër dhe jo për të luftuar për ekzistencë. Megjithatë, tani duhet të mbledhim forcat për ta shpëtuar skuadrën nga kriza. Duhet të marrim pikë në secilën ndeshje, në të kundërtën në pret një fund dëshpërues. Mendoj se dikujt në skuadër po i mungon vetëbesimi, por tani duhet të vetëdijesohen”, – ka thënë Behrami.
Siti në bisedime me De Bryjnen
Mançester Siti ka filluar bisedimet me agjentin e Kevin de Bryjnes për transferimin e belgut gjatë verës. Drejtori sportiv i kampionit anglez, Txiki Begiristain, është angazhuar për ta bindur 23-vjeçarin që të shkojë në “Etihad Stadium”, njofton “Het Laatste Nieuws”. Për më shumë, drejtori i Sitit do ta përcjellë nga afër mesfushorin e Volfsburgut në ndeshjen e Europa Ligës kundër Interit që zhvillohet të enjten. De Bryjne kërkohet nga disa klube të mëdha, mes tyre edhe Paris Sent-Zhermeni dhe Bajerni Mynihut.
Emeri: Duam të fitojmë përsëri Ligën e Evropës
Tekniku i Seviljes, Unai Emeri, i ka vënë syrin mbrojtjes së titullit të Ligës së Evropës me skuadrën e tij. Trajneri spanjoll i udhëhoqi futbollistët e tij drejt trofeut të Ligës së Evropës duke e mposhtur Benfikën në finale vitin e kaluar, teksa ai ishte titulli i tretë në tetë vitet e fundit për ta. Sevilja këtë edicion ka gjasa të mira për t’u kualifikuar në çerekfinale pasi që ka mposhtur Vilarealin në ndeshjen e parë me rezultat 3-1, teksa ndeshjen e dytë e zhvillojnë të enjten mbrëma. “Ne duam të shkojmë larg në Ligën e Evropës dhe të përfundojmë lart në La Liga. Vitin e kaluar ne arritëm të luftojmë deri në fund dhe e fituam këtë trofe. Kjo ndodhi falë mundit të skuadrës dhe këtë vit ne duam ta bëjmë përsëri këtë. Këtë vit është sfidë më e madhe dhe gara është bërë më konkurruese”, – ka thënë Emeri.
Garia: Kur të jem i padobishëm, do të largohem nga Roma
Rudi Garsia është betuar se do të largohet vetë nga klubi në momentin që e kupton se lojtarët nuk i dëgjojnë fjalët e tij dhe se nuk mund ta udhëheqë skuadrën drejt trofeve. Skuadra e Garsias ka fituar vetëm dy nga 12 ndeshjet e fundit në të gjitha garat, duke ngecur kështu 14 pikë prapa Juventusit në garën për titullin e Serie A. Me këtë formë të dobët që po kalon klubi, kanë ardhur edhe shumë kritika në drejtim të tij. “Dua t’i siguroj të gjithë se unë kam rënë në dashuri me këtë skuadër”, – ka thënë fillimisht ai. “Kur të vijë dita që unë nuk e ndjej se jam i dobishëm dhe se nuk mund t’i marr rezultatet dhe trofetë, atëherë unë nuk do të jem më pjesë e klubit”, – ka theksuar Garsia. “Por, përderisa lojtarët më ndjekin dhe më dëgjojnë mua, atëherë ne mund të fitojmë këtu, që është edhe ëndrra ime. Kjo është e vështirë për t’u bërë, por kjo është ëndrra ime dhe unë dua ta realizoj. Unë nuk do të heq dorë në momentin e parë që kam vështirësi dhe është e rëndësishme që lojtarët ta kuptojnë këtë”, – ka shtuar trajneri i Romës.
Juventusi në “pole” për Dybala
Skuadra të shumta vazhdojnë të garojnë për shërbimet e sulmuesit të Palermos, Paulo Dybala. Paraqitjet e mira të 21-vjeçarit kanë bërë që ai të kërkohet nga klubet kryesore evropiane. Mirëpo, sipas “Gazzetta dello Sport”, kampioni italian, Juventus, udhëheq garën për nënshkrimin e tij, ndërsa Zonja e Vjetër është edhe preferenca e presidentit të Palermos. Mançester Junajtid dhe Barcelona janë ndër klubet tjera të interesuara për Dybalan.
Bajerni i Mynihut në kërkim të një mbrojtësi krahu
Gjiganti gjerman Bajerni i Mynihut është vënë në ndjekje të mbrojtësve të djathtë. Kampioni aktual i Gjermanisë po mendon seriozisht që të përforcohet gjatë afatit kalimtar të verës në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe ka në listë tre emra të ndryshëm për këtë pozitë. Sipas asaj që ka shkruar “Bild”, bavarezët janë futur në garë për mbrojtësin brazilian të Portos, Luiz Danilo, i cili flitet se ka para kontratë me Real Madridin. Përpos Danilos në listën e Pep Guardiolës është edhe irlandezi Samsun Koleman i cili po shkëlqen këtë edicion në Premier Ligë me Evertonin. Në rast se njëri nga dy emrat e lartpërmendur nuk do të vijë, atëherë Bajerni do të tentojë Gonzalo Kaston e Bajer Leverkusenit.