Fjalëtore e Mitkos, një rëndësi e leksikografisë shqiptare

0
293

Prof. Thoma Dhima

Thimi MitkosKëtë vit mbushen 195 vjet nga lindja e njërit prej veprimtarëve më të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, Thimi Mitkos (1820-1890). Në këtë përvjetor në Korçë pritet të mbahet një konferencë shkencore. Thimi Mitkoja deri më sot njihet për kontributin e rëndësishëm në fushën e folkloristikës, me veprën e tij të njohur “Bleta shqiptare” (1878). Kjo vepër shënon fillesat dhe është njëkohësisht vepra bazë e folkloristikës shqiptare. Me gjithë punën e bërë nga studiuesi i mirënjohur Q. Haxhihasani me vëllimin “Thimi Mitko vepra” (1981), i cili përmblodhi në këtë botim materiale të AQSH, duke shtuar dhe fjalorin e “Bletës”, kishin mbetur ende shumë materiale të tjera të pabotuara nga arkivi i Mitkos, madje dhe të panjohura. Pas shumë vjetësh, familja Adham, pjesëtarët e së cilës janë pasardhës të Mitkos, me banim në Aleksandri të Egjiptit, i dhuroi shtetit shqiptar mjaft dorëshkrime origjinale, të cilat i solli në Shqipëri dhe e themeloi këtë fond prof. Jorgo Bulo. Kështu, fondi i Mitkos u bë ndër më të pasurit, por ndërkohë ende i pastudiuar e i pabotuar plotësisht.

Tridhjetë vjet pas sjelljes së këtij fondi në AQSH, del në dritë një nga botimet më të rëndësishme leksikografike për gjuhën shqipe “Fjalëtore shqip-gërqisht dhe gërqisht-shqip dhe ndihmesa të tjera leksikografike” (Tiranë 2014) e Th. Mitkos, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përgatitur për botim me një studim hyrës nga gjuhëtari dhe filologu Dhori Q. Qiriazi, profesor në Universitetin e Selanikut. Pas një pune shumëvjeçare dhe të mundimshme, prof. Dh. Qiriazi ka arritur të sjellë në dritë në një vëllim prej 780 faqesh, lëndën e plotë të Fjalëtores Shqip-Gërqisht, të Fjalëtores Gërqisht-Shqip, Pasqyrën e fjalëve shqip të Fjalëtores Gërqisht-shqip, Fjalorin e fjalëve të huaja të “Bletës Shqiptare” (ribotim i fjalorit origjinal të “Bletës Shqiptare” dhe i variantit të transkriptuar dhe të përkthyer të tij), Plotësime të mëvonshme të Th. Mitkos në Fjalorin e “Bletës Shqiptare” (botim i dorëshkrimit autograf). Vëllimi shoqërohet me një CD me fotot e fletëve të dorëshkrimit autograf të Mitkos. Transkriptimi i materialit është bërë me kompetencë shkencore, falë përvojës së këtij studiuesi në këtë fushë. Me mjaft vlerë është studimi hyrës, në krye të vëllimit, shkruar në dy gjuhë shqip dhe greqisht, ku autori diskuton dhe analizon përmbajtjen e fjalorit, kohën e hartimit, burimet e Mitkos, natyrën e fjalorit dhe teknikat leksikografike, ortografinë dhe alfabetin e përdorur etj., të gjitha këto në kontekstin e kohës kur jetoi e krijoi Mitkoja dhe duke i krahasuar me vepra e autorë të tjerë të kohës si me Fjalorin shqip-greqisht (Athinë, 1904) të Kristoforidhit, i cili e gjeti dritën e botimit, kurse fjalorët e Mitkos mbetën dorëshkrim deri ditët e sotme. Botimi i këtyre fjalorëve nga Dh. Qiriazi ndihmon për të bërë një vlerësim më të plotë e më objektiv të kontributit të Mitkos si leksikograf e si lëvrues i shqipes. Sipas prof. Jorgo Bulos në parathënien e vëllimit, puna në fushën e fjalorëve i ka marrë shumë kohë e energji krijuese Mitkos; ajo ka qenë një fushë interesash shkencore ndoshta po aq e rëndësishme për të sa edhe folkloristika. Pikërisht ky aspekt i interesave shkencore të Mitkos shpaloset para lexuesve dhe studiuesve të leksikografisë dygjuhëshe me botimin e fjalorit dhe po ta studiosh veprën bindesh që Mitkoja nuk hodhi vetëm bazat e folkloristikës shqiptare, por është një ndër themeluesit edhe të leksikografisë shqip-greqisht dhe anasjalltas.

Por çfarë përmban fjalori i Mitkos dhe çfarë vlerash ka ai për leksikografinë shqiptare dhe për gjuhësinë në përgjithësi. Fjalëtorja e tij përmban rreth 6000 fjalë-lema dhe po t’u shtojmë këtyre edhe fjalët që ka përdorur brenda për shpjegimet e nevojshme, numri dyfishohet. Kështu ai për nga vëllimi është i krahasueshëm me fjalorin e Kristoforidhit, që hodhi themelet e leksikografisë shqiptare. Qiriazit i rezulton se Mitkoja është marrë me fjalorin qysh në kohën që merrej me “Bletën” dhe mblidhte lëndë nga goja e popullit për të hartuar këtë thesar të gjuhës shqipe. Duke mbledhur lëndën folklorike si bleta nektarin lule më lule, nga të gjitha trevat e shqiptare, nga veriu dhe jugu i Shqipërisë dhe nga arbëreshët e Italisë ai regjistronte çdo fjalë edhe me synimin që një ditë këto t’i përfshinte në një fjalor që t’i krahasonte me greqishten. Përveç punës në terren, një burim tjetër i fjalorit të Mitkos janë shkrimet e ndryshme shqipe. Nga çdo libër e autor i kohës apo i mëparshëm që ai lexonte, nxirrte fjalë dhe i regjistronte. Si burime ai ka përdorur veprat e arbëreshëve të Italisë, autorët tanë të vjetër, botimet e Dhiatës së Re e të Ungjijve etj.

Në këtë fjalor Mitkoja ka parasysh një shqipfolës që njeh edhe greqishten, i cili nëpërmjet kësaj do të aftësohet për të zotëruar gjuhën e vet amtare. Pra, greqishtja shërben si një hallkë ndërmjetëse, si një metagjuhë, që nevojitet për ta kuptuar më mirë shqipen. Marrëdhëniet dhe lidhjet me greqishten i ka shpjeguar më së miri Qiriazi në studimin hyrës të fjalorit: Njohës dhe adhurues i kulturës greke, por edhe ndriçimtar dhe mbrojtës i kombit të vet, Mitkoja ka arritur të kristalizojë një qëndrim që mbetet i admirueshëm edhe sot e kësaj dite. Dritat e qytetërimit helen nuk ia lëbyrin sytë dhe as ia errësojnë mendtë. Në parathënien e “Bletës” ai shprehet qartë se vlerat e këtij qytetërimi mund të bëhen pronë e kombit të shqiptarëve vetëm nëpërmjet gjuhës së tyre amtare. Pra, greqishtja mund të shërbejë si model a si faktor ndihmës për selitjen e shqies, por kurrsesi si mjet për asimilimin e shqiptarëve. Një qëndrim i tillë është shenjë e iluminizmit europian e ballkanik të Mitkos.

Përsa i përket kritereve të regjistrimit të fjalëve të fjalorit, Mitkoja nuk shprehet, por kuptohet se ai e zgjedh mirë çdo fjalë para se të arrijë në variantin përfundimtar. Kjo duket në atë se ai i shmang shumë fjalët e huaja duke i zëvendësuar me neologjizma që përftohen nëpërmjet kalkimit. Por duke qenë në kontakt me gjuhën e gjallë si folklorist, ai i shmanget modës dhe manisë së neologjizmave. Siç përmendëm pak më lart, fjalori sjell lëndë nga të gjitha viset ku flitet shqipja dhe jo në pak lema janë përdorur vargje të tëra sinonimesh që tregon, nga njëra anë, njohjen nga ana e tij të shkëlqyer të shqipes dhe dialekteve të saj dhe, nga ana tjetër, pasurinë e gurrën e saj të pashterrshme.

Meritë e Mitkos është se në fjalor dallon kuptimin e mirëfilltë të fjalëve nga kuptimi figurativ, si dhe jep veçoritë gramatikore të lemave. Por, duke mos qenë specialist i fushës dhe po të kemi parasysh nivelin e dijes së kohës në fushën e fjalorëve, lënda që paraqet autori nuk është përpunuar në lartësinë e duhur dhe nuk janë dhënë në masën e duhur shembujt e përdorimit të fjalëve. Por këto “mangësi” nuk bien në sy në raport me vlerat e padiskutueshme të fjalorit, për larminë e leksikut dhe për fjalët e rralla që përmban, të cilat rrezikoheshin të zhdukeshin dhe të humbisnin.

Në punën e vet Mitkoja hasi dy probleme gjuhësore për të cilat kërkohej të mbahej një qëndrim: e para, me çfarë alfabeti do të shkruante shqipen dhe e dyta, çfarë norme drejtshkrimore do të përdorte. Fjalorin ai e shkroi me gërma geke të cilat i kishte marrë prej dijetarit arbëresh nga Siqelia, Dh. Kamardës, me të cilin pati një letërkëmbim të gjatë. Si shumë rilindas, edhe Mitkoja mendonte se shqipja dhe helenishtja e lashtë i përkasin të njëjtit fis gjuhësh, prandaj është vështirë të shkruhet shqipja pa përdorur në pjesën më të madhe shenjat e helenishtes. Por krahas alfabetit grek, faqe të tëra në dorëshkrimet e Mitkos janë shkruar me alfabet latin. Në janar 1868 ai i dërgon një letër Kamardës të shkruar me alfabet latin. Kjo tregon se që nga Mitkoja dhe më përpara tij, përpara shkrimtarëve dhe intelektualëve të jugut po merrte formë dhe kristalizohej ideja e përdorimit të alfabetit latin për shkrimin e shqipes. Përsa i përket problemit të dytë, prof. Qiriazi në parathënien e Fjalëtores ka vënë në dukje se Mitkoja dhe savantë të tjerë shqiptarë të shek. XIX ndoqën parimin se fjala shkruhet duke marrë parasysh si shqiptohet prej popullit. Kështu, mënyra e shkrimit të fjalëve prej Mitkos përputhet me mënyrën si ato shqiptoheshin në kohën e tij. Ndjenja gjuhësore e orienton Mitkon drejt një koineje lokale, e cila do të mund të përbënte bazën e një koineje më të gjerë të shqipes. Ai zgjedh si gjuhë shkrimi atë që quan dangëllishte-toskërishte, të folmen që më pas do të bëhet pikënisja e shqipes letrare. Zhvillimet e mëvonshme të shqipes letrare treguan se Mitkoja kishte pasur të drejtë.

Kontributi më i rëndësishëm leksikografik i Mitkos është Fjalori greqisht-shqip, po si vazhdim dhe plotësim i tij është dhe Fjalori shqip-greqisht i cili, sipas Qiriazit, duhet të jetë hartuar paralelisht me të parin. Përmban rreth 2500 njësi leksikore të greqishtes që shpjegohen me barasvlerëset e tyre shqipe, pa u shoqëruar me shembuj. Të bën përshtypje fakti se Mitkoja i ka dhënë shpjegimet me një numër të madh sinonimesh të shqipes, gjë që dëshmon për një pasuri të madhe të sinonimike të kësaj gjuhe.

Në këto pak shënime duam të theksojmë faktin se Dh. Qiriazi në të gjithë vëllimin ka pasqyruar me besnikëri dorëshkrimet e Mitkos pa bërë asnjë lloj ndërhyrjeje, përveç transkriptimit të fjalëve shqip me alfabetin e shqipes së sotme. Janë respektuar veçoritë drejtshkrimore të autorit në shqip dhe në greqisht që pasqyrojnë frymën gjuhësore të kohës. Për ta bërë fjalorin më të përdorshëm dhe për ata që nuk janë njohës të greqishtes, autori ka përkthyer shpjegimet që shoqërojnë fjalët-lema, që zakonisht jepen në gjuhën greke. Nëpërmjet CD-së që shoqëron vëllimin lexuesi mund të shohë dorëshkrimin origjinal të Mitkos dhe ta krahasojë me interpretimin që ka bërë botuesi i sotëm i fjalorit. Kjo do të bëjë të kuptojmë, siç thotë prof. Dh. Qiriazi, sa pak e kemi njohur Mitkon e sa shumë kemi për të mësuar prej tij.

*Universiteti “E. Çabej”, Gjirokastër