Përfaqësuesit e serbëve në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, në takimin e së mërkurës në Graçanicë, kanë vendosur që përmes formimit të Asociacionit të komunave serbe, të veprojnë të unifikuar.
Shuarja e plotë e sistemit paralel të Serbisë në Kosovë dhe ndërtimi i mirëbesimit, do t’i paraprinte integrimit të komunitetit serb në sistemin e shtetit të Kosovës, thuhet në raportin e prezantuar nga Grupi Ballkanik për Politika të titulluar: “Integrimi i serbëve në Kosovë pas marrëveshjes së Brukselit”.
Ndonëse në këtë prezantim për debat ishin ftuar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri, Branimir Stojanoviq, nga Lista Serbe, ata nuk kanë marrë pjesë.
Drejtor Ekzekutiv i Grupit Ballkanik, Marko Prelec ka thënë se arritja e marrëveshjes së parë për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, ishte pjesa e lehtë e punës, krahasuar me zbatimin e saj në terren.
“Ajo që po trajtojmë në të vërtetë këtu ka të bëjë me ecjen përpara nga gjendja, të cilën e kemi sot, në të cilën ende kemi dy sisteme që funksionojnë, atë të Serbisë dhe Kosovës. Qëllimi duhet të jetë që të kalohet vetëm në një sistem – atë të shtetit të Kosovës”, ka deklaruar Prelec.
Komunat me shumicë serbe, ka vijuar Prelec, ballafaqohen me problemin e funksionimit paralel të kryetarëve të zgjedhur dhe atyre paralel.
Në disa raste, sipas tij, kryetarët paralel janë po ata të zgjedhur, e në raste tjera, kryetarët e komunave serbe janë edhe zyrtarë që mbajnë poste në Serbi.
Andaj, ai ka rekomanduar që të krijohet një evidencë se kush punon në sistemin legal e kush jo, në mënyrë që edhe buxheti i Kosovës të ndahet vetëm për ata që punojnë për qeverinë e Kosovës.
Prelec ka përmendur edhe themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke rekomanduar qartë se ky trup duhet të ndërtohet në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.
Prelec e ka potencuar edhe ndërtimin e mirëbesimit si një nga parakushtet për integrim të komunitetit serb. Ai kishte rekomandime edhe për përfaqësuesit politik të serbëve, sidomos atyre nga Lista Serbe. “Sfidë për përfaqësuesit e komunitetit serb është që ata të fillojnë të veprojnë si përfaqësues të popullit dhe jo si përfaqësues të Beogradit”, ka thënë Prelec.
Sipas tij, duke qenë përfaqësues të Beogradit, këta politikanë serb nga Kosova do të shihen nga shumica shqiptare vetëm si një dorë e zgjatur e Serbisë, kështu që kjo do të ishte me kundër-efekt.
Ndërkohë, ambasadorja e Zvicrës në Prishtinë, Krystyna Marty Lang ka vlerësuar se dialogu i Brukselit dhe rezultatet e prodhuara po interpretohen në mënyra të ndryshme.
Edhe ambasadorja zvicerane ka potencuar se ndërtimi i mirëbesimit midis komuniteteve do të jetë shumë i rëndësishëm për gjithë procesin e integrimit.
“Ne po e shohim se sa i ngadalshëm është ndërtimi i besimit dhe sa lehtë është që të shkatërrohet ky besim kur politikanët, si ata shqiptarë apo serbë bëjnë deklarata provokuese”, ka theksuar ambasadorja Krystyna Marty Lang.
Integrimi i komuniteteve krahas funksionimit të shtetit të Kosovës, është parë si çështje esenciale edhe nga ambasadori i Norvegjisë në Prishtinë, Jan Braathu.
“Pavarësia e Kosovës është arritur mbi bazën e marrëveshjes. E marrëveshja ishte integrimi i komuniteteve pakicë në sistemin e Kosovës, në harmoni me standardet evropiane”, ka theksuar ambasadori norvegjez. Ky integrim, ka thënë ai, parashihej qartë me planin e Ahtisaarit për statusin e Kosovës. Plani i ish presidentit finlandez, Marti Ahtisaari, ka shërbyer si platformë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Ambasadori Braathu ndërkaq, ka tërhequr edhe vërejtjen që krahas këtyre hapave integrues të pakicave, Kosova duhet të ruajë funksionimin e vet si shtet.
Të mërkurën, kryetarët e 10 komunave me shumicë serbe pas një takimi që kanë zhvilluar në Graçanicë me Drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq kanë formuluar 10 kërkesa për t’u kthyer në institucionet e Kosovës. Mes tjerash, ata kanë kërkuar që të formohet Asociacioni i Komunave Serbe, të pezullohet privatizimi nëpër komunat serbe, si dhe kanë kërkuar garantimin e përfaqësimit të serbëve në kuotën prej 10 për qind.