PD vijon protestat për dorëheqjen e Metës/Spaho: Kusht për një hetim të drejtë

0
140

protesta4-300x200Partia Demokratike ka vijuar edhe protestën para Kryesisë së Kuvendit për të kërkuar largimin e Ilir Metës nga posti i Kryeparlamentarit, pas akuzave të deputetit Tom Doshi për vrasjen e dy deputetëve.

Ndonëse Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar heqjen e mandateve për deputetin Mark Frroku dhe Tom Doshi, nën akuzën për kallëzim të rremë e për t’i hapur rrugë hetimit, duket se Partia Demokratike vijon protestat me  pankarta “Meta ik”, ku u mbështetën nga deputeti të Partisë Demokratike, Edmond Spaho.

“Ne protestojmë për gjendjen e vështirë ekonomike, dhe përkeqësimin e jetës së qytetarëve që vjen si pasojë e keqqeverisjes së dyshes, Rama-Meta. Gjendja e rendit dhe e sigurisë po bëhet përditë e më skandaloze. Çdo ditë njihemi me vrasje, tritol dhe dinamit apo kriminelë. Në këtë vend, deputetët dhe ministrat ulen gjunjë me gjunjë me kriminelët, ndërsa qytetarët e thjeshtë për mospagimin e energjisë elektrike burgosen”, tha Spaho, Nënkryetar i PD dhe Kuvendit.

Po ashtu, ai kërkoi dorëheqjen e Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta si kusht për një hetim të drejtë e të pavarur, pasi sipas tij, pushteti po mundohet të manipulojë hetimin, si dhe e ka konsideruar çeshtjen e dekriminalizimit, si jetike për vendin tonë.

“Dekriminalizimi duhet të jetë gjithëpërfshirës duke nisur nga Parlamenti, administrata publike, pushteti qendror e vendor. Partia Demokratike do ta ketë dekriminalizimin në axhendën e saj kryesore dhe nuk do t’i ndahet deri në realizimin e saj pavarësisht kostove politike që do të ketë. Ne do të insistojmë të protestojmë. Për sa kohë që Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta nuk jep dorëheqjen, kjo çështje nuk do të zbardhet por do të manipulohet dhe arkivohet siç ka ndodhur me çdo ngjarje të kësaj natyre në vendin tonë”, tha Spaho.