Rebelohen 9 të akuzuarit për xhihad: Nuk i njohim ligjet shqiptare, duam gjykim me ligjet e Allahut. Kërkohet gjykim i shkurtuar prej disave, tërhiqet Gjykata
Nuk pranojnë që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet me ligjet shqiptare, por vetëm ligjet e Allahut. Nëntë të pandehurit akuzohen se rekrutuan një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, duke i dërguar për xhihad në Siri dhe si financues të terrorizmit. Në seancën e zhvilluar ditën e djeshme tek Gjykata e Krimeve të Rënda u shprehën nga kafazi i hekurt i Gjykatës së nuk pranojnë të gjykohen me ligjet shqiptare, si dhe procesi ndaj tyre të zhvillohet me ligjet e Allahut. Ka qenë kjo një kërkesë e shqiptuar para togave të zeza nga i akuzuari Fadil Muslimani, teksa gjykatësja Liljana Baku kërkonte nga të pandehurit nëse kanë apo jo pretendime në lidhje me trupin gjykues apo duan të përfaqësohen me avokat. Ndërsa tre nga gjashtë të pandehurit kanë zgjedhur që në këtë proces gjyqësor të mbrohen nga një avokat. Ndërkohë, të njëjtin qëndrim si të pandehurit e tjerë ka mbajtur edhe imami i vetëshpallur Gerti Pashaj, teksa në sallë të gjyqit është shprehur se ai nuk asnjë ligj shqiptar dhe kërkoi rikthimin e tij në liri, pasi sipas tij ai është rrëmbyer duke u sjellë me forcërisht në sallë. Ndërsa i pandehuri Bujar Hysa është shprehur se Gjykata është duke luajtur teatër me ta.
Kërkesat e dy të pandehurve
Dy të pandehurit Orion Reçi dhe Astrit Tola, të cilët kanë zgjedhur të mbrohen me avokatë mbrojtës në seancat e tyre gjyqësore, kanë shprehur ditën e djeshme para Gjykatës nga një kërkesë. Astrit Tola një nga 9 të pandehurit në këtë proces kërkoi që ti veçohej gjykimi nga të pandehurit e tjerë, duke argumentuar se ai nuk ka lidhje me akuzat dhe është vetëm një besimtar i devotshëm, por Gjykata refuzoi kërkesën e tij duke lënë në fuqi akuzat e ndodhura në dosje. Ndërkohë që i pandehuri tjetër Orion Reçi ka kërkuar nga Gjykata që të shpallet i paligjshëm përgjimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda ndaj besimtarëve. Por, gjykatësja Baku vendosi që të tërhiqej për të marrë një vendim në lidhje me kërkesën e të akuzuarit Reçi, teksa e shtyu seancën për javën tjetër. Ndërsa vetë i pandehuri nuk ishte i pranishëm në sallë pasi u përfaqësua nga avokati i tij Roland Islamaj. Sakaq, në sallën e gjyqit në Gjykatën e Krimeve të Rënda nuk mungoi prania maksimale e familjarëve dhe të afërmve të të pandehurve, teksa masat e sigurisë për këtë seancë si dhe një seancë më parë ishin me forca speciale.
6 të pandehurit: Na mjafton Allahu
Në seancën gjyqësore të zhvilluar një javë më parë gjashtë nga nëntë të pandehurit, të cilët akuzohen për rekrutim të personave për xhihad në Siri, nuk kanë pranuar të mbrohen nga avokatë mbrojtës. Edhe pse shumë shkurt dhe me shumë vështirësi si për të folur edhe për të parë në sy gjykatësen teksa i drejtohej nëse do të mbroheshin me avokatë mbrojtës, ata janë përgjigjur me kokën ulur dhe shkurt se iu mjaftonte Allahu. Por, përveç kësaj kërkese të pandehurit këtë herë erdhën me një kërkesë tjetër të cilët u shprehën para togave të zeza (me kokën ulur) se nuk pranojnë që të gjykohen me ligjet shqiptare, por me ato të Allahut. Në lidhje me kërkesat e tyre Gjykata u shpreh se do të dalë me një vendim seancën e ardhshme, më datë 31 mars.
Pogradec, vrau për pronën 47-vjeçarin në 2014-ën, arrestohet autori dhe bashkëpunëtori
Policia e Pogradecit ka vënë në pranga ditën e djeshme një 40-vjeçar, pasi dyshohet se është autor i një vrasje të ndodhur më 12 mars të viti të kaluar. Burime nga Policia e Pogradecit kanë bërë me dije se në pranga ka përfunduar Dhimitër Gjyli, 40 vjeç, si i dyshuari kryesor për vrasjen me armë zjarri të shtetasit Shkëlqim Topalli, në derën e shtëpisë së tij. Po ashtu, të njëjtat burime kanë bërë me dije se në pranga ka përfunduar edhe një 31-vjeçar, Mentor Çollaku, i dyshuar si bashkëpunëtor për vrasje. Policia e Pogradecit bën me dije se nga hetimet e kryera deri më tani rezulton se vrasja e shtetasit është bërë për një konflikt pronësie midis autorëve të viktimës. Ngjarja e rëndë sipas policisë ka ndodhur më 12 mars 2014, ku një konflikt i hershëm por pronën dyshohet se ka qenë shkak i ekzekutimit me armë zjarri të një 47-vjeçari në Pogradec. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Proptisht të Pogradecit rreth orës 4:00 të mëngjesit të datës 12 mars të viti të kaluar. 47-vjeçari Shkëlqim Topalli është ekzekutuar me armë zjarri tip automatik në banesën e tij. Shkëlqim Topalli atë kohë mësohet se është transportuar me urgjencë në Spitalin e Përrenjasit, por nuk mundi t’i shpëtojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë në spital. Ndërkohë, sipas familjarëve të viktimës mësohet se autori i ngjarjes e kishte thirrur në emër 47-vjeçarin. “Autori i ngjarjes e thirri në emër Shkëlqimin, duke e qëlluar më pas me automatik në ballkon”, janë shprehur ata ditën kur ka ndodhur edhe ngjarja e rëndë.“Shkëlqimi doli se mos kishin nevojë për ndihmë. Pasi u tha se nuk ishte ai që kërkonin, tentoi të futej në shtëpi, por ata e qëlluan me armë”, kanë vazhduar ata. Po ashtu, asokohe edhe familjarët kanë hedhur dyshimet e tyre se ngjarja kishte të bënte me një konflikt pronësie. “Dyshojmë se ngjarja ka lidhje me konflikt pronësie të ndodhur para 5 vitesh”, – kanë deklaruar ata.
Korçë, maskat grabisin e dhunojnë kampistin, marrin 8 mln lekë
Një kambist është grabitur dhe dhunuar ditën e djeshme nga persona të maskuar dhe të armatosur të cilët i kanë marrë rreth 8 milionë lekë. Burime nga Policia e Korçës kanë bërë me dije se ngjarja ka ndodhur në Korçë, ku kambisti Gaqo Milcani është dhunuar nga persona të maskuar dhe nën kërcënimin e armëve, duke i marrë shumën e parave që kampisti i kishte momentin kur ndodhi ngjarja. Si pasojë e dhunës së ushtruar Milcani mësohet se ka marrë plagë të rënda në kokë. Sipas policisë ai është dërguar me urgjencë në Spitalin e Korçës, ku burime nga bluzat e bardha bëjnë të ditur se është në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, autorët e kanë goditur me qytën e armës kambistin dhe pasi i kanë marrë paratë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes, si dhe ka nisur punën për identifikimin e autorëve si dhe arrestimin e tyre. Lidhur me këtë rast materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës për vazhdime të mëtejshme procedurale.