Debati 4-orësh në mbledhjen e Këshillit/ “Video-përgjimi në Prokurori”,Doshi: Bami u kërcënua me fëmijët, kjo ndryshoi dëshminë

0
164

Gëzim Saliu

keshilli i mandateve tom doshi mars 2015 lsa - CopyDebatet dhe diskutimet mes deputetëve, Prokurorisë, avokatëve të Doshit dhe deputetit shkodran

Për thuajse 4 orë u diskutua dje në mbledhjen e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit lidhur me kërkesën e Prokurorisë për autorizimin nga Kuvendi për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Në këtë mbledhje, deputeti i qarkut të Shkodrës si edhe dy avokatët e tij mbrojtës deklaruan se Durim Bami është kërcënuar me fëmijët, nëse do të fliste për “porosinë e vrasjes” së Doshit. Duke replikuar ashpër gjatë gjithë seancës me prokurorin Adnan Xholi, të cilin së bashku me kryeprokurorin, Doshi e cilësoi si manipulues të fakteve të çështjes që ai vetë ka ngritur, deputeti shkodran theksoi se Bami ka ndryshuar deklaratat, pasi ka qenë në kërcënim dhe kjo është e dëshmuar me pamje. “Me kërkesën time, në prani të 4 prokurorëve, është pranuar kërkesa ime. Në një nga zyrat që disponojnë këta. Është bërë përgjimi ambiental, unë kam vënë aparaturën dhe i kam thënë Bamit të thotë të vërtetën. Ai më ka thënë që nuk mund të flas. Ai më tha që ka ardh një polic i forcave speciale dhe bën me dorë dhe ka thënë që i di ku i ka fëmijët. Unë i kam thënë që të të çojë në spital, ai më ka thënë jo se aty ka ilaçe dhe më vrasin, jam i kërcënuar”, – pohoi Doshi. Po ashtu, deputeti akuzoi edhe kryeprokurorin Llalla si palë në çështje, duke theksuar: “Unë e takova prokurorin e Përgjithshëm, më tha më lër 4-5 ditë kohë dhe mbas 48 orëve porositësit shkoi prapë porosia që duhet eliminuar se e ka marrë vesh. Ishte i vetmi që e dinte. Pra unë zgjodha prokurorin e Përgjithshëm dhe ai më shiti. Unëu kërkoj kolegëve të mi që të bien pamje filmike këtu dhe pastaj të shikohet. Ke fallsifiku çdo gjë dhe për këtë (i drejtohet prokurorit Xholi) do mbash përgjegjësi penale edhe ti”.

 

Mbledhja e Këshillit

Në pjesën e pyetjeve-përgjigje, deputetët e opozitës, duke shprehur mbështetje për Prokurorinë, theksuan se kjo e fundit duhet të tregohet transparente në lidhje me deklaratën e Doshit, sipas së cilës, në zyrat e organit të akuzës është zhvilluar një përgjim ambiental dhe në bazë të tij qëndron dëshmia e Bamit, i cili pohon se i kanë kërcënuar fëmijët për të ndryshuar dëshminë e tij. “Nuk po ju kërkoj sa prova keni, por këtë provë që thotë z. Doshi, e keni apo nuk e keni? Nuk po ju kërkoj ta nxirrni në media, nëse e dispononi duhet t’ia vini në dispozicion Këshillit brenda sekretit hetimor”, – tha deputeti Halimi. Në të njëjtën linjë diskutoi edhe deputeti Ristani, i cili në replikë me prokurorin e çështjes, deklaroi: “Në qoftë se ligji thotë se duhet ta marrim një vendim mbi bazë për prova, ne duhet të kemi provën. Për mua si ai që akuzohet si ai që akuzon janë njësoj. Unë dua të bindem që ka një dyshim të arsyeshëm që bazohet në provë. Me çfarë akuze e mbani në burg Bamin dhe ka mbaruar hetimi apo jo?” Ndaj kësaj pyetjeje të deputetit demokrat, prokurori deklaroi se nuk mund të përgjigjej për çështjen, se ishte sekret hetimor. Duke e cilësuar këtë një papërgjegjshmëri, Ristani pyeti prokurorin se cila është akuza për Doshin mbi bazën e së cilës kërkohet autorizimi i Këshillit të Mandateve. “Nuk ka akuzë për z. Doshi, akuza atribuohet sipas nenit 34 të procedurës penale është regjistrimi i kallëzimit penal”, – iu përgjigj prokurori. “Ju po na kërkoni arrestimin e një deputeti, po për çfarë e akuzoni? Përse po na kërkoni të japim autorizimin për arrestimin e deputetit Doshi, cila është arsyeja?”, – pyeti sërish Ristani. Në përgjigjen e radhës ndaj pyetjes së deputetit demokrat, prokuroi tha se ka të bëjë me elementë proceduralë dhe se nuk ka akuzë sipas përcaktimit të Kodit Penal. “Meqë ju keni shkruar emrin e Doshit ke kapaku i dosjes, doni ta arrestoni? Kjo është të tallesh me deputetët e Kuvendit, na e thoni se përse duhet ta arrestojmë”, – tha Ristani i revoltuar me përgjigjet e prokurorit.

 

Video përgjimi në prokurori, Doshi: E kërkova unë, Bami pranoi se ndryshoi dëshminë

“Përgjimi u bë me kërkesën time në prani të katër prokurorëve. U pranua kërkesa dhe në një nga zyrat e Prokurorisë është bë përgjimi ambiental dhe unë kam vu aparaturën në trup dhe kam taku Bamin. Dhe i thashë thuaj të vërtetën dhe ai në një moment më tha që nuk mund të flas. Më tha nuk mund të flas prej fëmijëve. Ka qenë një polic i forcave speciale me kapuç. Të çoj në spital i thashë. Jo, më tha. Foli për fëmijët, i shkuan lot. Kur u çova në këmbë, Bami më tha: Ti e di mer burr në çfarë kushtesh jam dhe nuk mund të flas, e di që më vunë tritol ke X5. Pra tha që jam në kushtet kur janë kërcënuar fëmijët”

 

Debati i plotë në Këshillin e Mandateve

 Doshi: Ju keni sjellë një kërkesë për arrestim. Sot nuk ka më sekret hetimor. Provat duhet t’i sillni këtu, në mënyrë që t’i shohë Këshilli për të vendosur nëse do të shkojë nesër kërkesa në seancë.

Prokurori: Provat dhe dyshimet i kemi të përmbledhura në relacionin e dërguar Kuvendit. Aty ka edhe të dhëna sekrete.

Doshi: Çdo provë aty e keni manipuluar.

Prokurori: Aktet e hetimit nuk duhet të bëhen edhe publike, sepse ka sekrete.

Doshi: Tërhiq kërkesën, nëse e ke bërë për efekt hetimor ose do flas.

Prokurori: Nuk e tërheqim kërkesën.

Arben Ristani: Zoti prokuror, procedurat nuk janë sekrete hetimore.

Eduard Halimi: Ne si deputetë të opozitës jemi shprehur dhe do shprehemi në favor të çdo kërkese që do vijë nga Prokuroria lidhur me hetimin për këtë që mund të vijë. Por edhe për sa i përket thelbit të kërkesës ne duhet ta bëjmë transparente se cila është e vërteta e kësaj ngjarjeje.

Avokati i Doshit Vladimir Meçe: Tom Doshit i janë shkelur të drejtat kushtetuese. Kemi një kërkesë të nxituar të prokurorit të Përgjithshëm dhe një shkelje të të drejtave të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë. Kërkesa e Prokurorisë është me prapavijë politike. Arsyetimi i prokurorit është tërësisht politik.

Avokati Ferid Muçaj: Nuk mund të merret masa e arrestimit për të siguruar më pas provën. Prokurori thotë se ka një video që Doshi ka kërcënuar Bamin me armë dhe thotë se këtë do të mund ta sigurojë pas kontrollit në banesë të deputetit. Ndërkohë, pa publikuar sekret hetimor bëj me dije se më 13.3.2015, me kërkesë të deputetit Doshi, që është pranuar nga Prokuroria, është bërë një përgjim ambiental mes Doshit dhe Bamit. Ky është filmuar me kamera dhe është regjistruar me audio ku Durim Bami ka deklaruar para Doshit që deklaratën pas arrestimit e ka bërë në kushtet e presionit të madh nga njerëzit e pushtetit dhe se i rrezikohej jeta. Këshilli duhet të dëgjojë këtë përgjim dhe të dëgjohen deklaratat në këtë përgjim. Lidhur me këtë veprim Doshi ka deklaruar se nuk do ta publikojë këtë përgjim, por në atë kohë ai ishte në rolin e dëshmitarit, ndërsa sot ai është si i akuzuar. Për të mbrojtur veten e tij, ai ka të drejtë të ekspozojë çdo provë.

Doshi: Toni ka shkuar te Bami dhe i ka thënë e ka marrë vesh Tom Doshi dhe duhet vra. Bami i ka thënë si ta bëjmë. Toni i ka pohuar: Vrite edhe në mes të ditës, se kemi mbrapa Ilirin. Kanë frikë kolegët me marrë në telefon, se e merr vesh Edi Rama dhe Ilir Meta. Unë kisha marrëdhënie shumë të mirë me Kryeministrin, me kryeprokurorin, me Kryetarin e Kuvendit dhe s’kisha arsye për ta sajuar ngjarjen. Durimit i ka thënë po fole do t’i vrasim fëmijët. Ky është një turp i madh i Prokurorisë dhe ajo bien këtë këtu.

Islami: Po opsionin e vrasjes nga Berisha e ke diskutuar?

Doshi: Kam taku Monikën dhe Ilirin ke “Sheratoni” dhe në darkë kam taku Ramën dhe Tahirin. Nuk e kam akuzuar Berishën.

Halimi, Prokurorisë: Ju e keni këtë provë që thotë avokati i z. Doshi?

Prokurori: Kemi një sërë provash që nuk mund të bëhen publike për momentin.

Halimi: Nuk po ju kërkoj sa prova keni, por këtë provë që thotë z. Doshi, e keni apo nuk e keni? Nuk po ju kërkoj ta nxirrni në media, nëse e dispononi duhet t’ia vini në dispozicion Këshillit brenda sekretit hetimor.

Prokurori: Kemi një sërë provash që nuk mund të nxjerrin në pah veprimet hetimore.

Halimi: Unë doja ta dija nëse ekziston.

Doshi ndërhyn pa mikrofon: Ekziston po të them.

Halimi: Tomë, e dua nga prokurori.

Prokurori:Ju thashë se kemi një sërë provash.

Halimi: Jam i qartë, e dha përgjigjen, d.m.th. e ka provën, po e quan sekret dhe nuk e publikon.

Halimi, Doshit: Takim i Kryetarit të kuvendit Ilir Meta me familjarët e deputetit tjetër, jeni në dijeni të këtij takimi me familjarët e z. Fufi? Ju keni deklaruar se porositësi i vrasësve është Ilir Meta, cili është sipas jush hetimi? Dhe pyetja e tretë, pse nuk keni besim tek Prokuroria?

Doshi: Natën që unë kam nxjerrë videon, Eugen Beci transferohet në Elbasan, ai ishte mik i ngushtë i Tonit të Kombinatit. Çohet njeriu i besueshëm i Kryetarit të Kuvendit, prokurori që kemi përballë. Pranoi përgjim ambiental në ballafaqimin me Bamin dhe ia di për faleminderit, pastaj ballafaqim me Frrokun. Pas tri-katër ditësh u zbardh transkripti dhe i thashë: Prokuror do të them një detaj të rëndësishëm dhe du të jeni të katërt: Durim Bami është kërcënuar me i vra fëmijët dhe i thashë që duhet t’i merrni familjen në mbrojtje. Përgjimi është bërë me kërkesën teme dhe aparaturën e kam fut në trup unë për të nxjerrë të vërtetën. Pse Durim Bami është kërcënuar me jetën e familjarëve? Pse Toni i Kombinatit deshte me var në 1 shtator? Prokuroria ka manipuluar provat. Në qoftë se duan me e zbardh ndërkombëtarët, ta zbardhin. Prokuroria jonë është e mbytur në llum, edhe këta që janë këtu janë të manipuluar. Të vijë materiali këtu, ta shohim të gjithë bashkë dhe të shohim kush është sajuesi, unë apo këta. Pse kryeprokurori nuk ka shkuar me dëshmu, sepse prokurori do ta pyeste: Tom Doshi të ka vënë në dijeni për çështje dhe ai duhet të thoshte “po”. Dhe për të shmangur këtë ai nxori të nesërmen urdhrin e arrestit.

Ristani: Në qoftë se ligji thotë se duhet ta marrim një vendim mbi bazë për prova, ne duhet të kemi provën. Për mua si ai që akuzohet si ai që akuzon janë njësoj. Pra për mua ato janë fjalë që thotë avokati dhe prokurori, unë dua të bindem që ka një dyshim të arsyeshëm që bazohet në provë. Me çfarë akuze e mbani në burg Bamin dhe ka mbaruar hetimi apo jo?

Prokurori: Është sekret hetimor.

Ristani: Kjo është papërgjegjshmëri totale nga ana juaj, kush është akuza?

Prokurori: Nuk kam përgjigje tjetër.

Ristani: E akuzoni Doshin për kallëzim të rremë, kanosje për deklarime të rreme, u qëndroni të tria këtyre akuzave?

Prokurori: Nuk ka akuzë për z. Doshi, akuza atribuohet sipas nenit 34 të procedurës penale është regjistrimi i kallëzimit penal.

Ristani: Për çfarë e keni në hetim deputetin, për këto tri vepra që kemi ne këtu?

Prokurori: Regjistrimi i procedimit penal.

Ristani: Ju po na kërkoni arrestimin e një deputeti, për çfarë e akuzoni?

Prokurori: Kjo ka të bëjë me elementë proceduralë, nuk ka akuzë sipas përcaktimit të Kodit Penal.

Ristani: Përse po na kërkoni të japim autorizimin për arrestimin e deputetit Doshi, cila është arsyeja?

Prokurori: Kërkesa e bën të qartë, është verifikimi sipas nenit 287, se është bërë retushimi i emrit.

Rsitani: Meqë ju keni shkruar emrin e Doshit ke kapaku i dosjes, doni ta arrestoni?

Prokurori: Është shënuar emri i personit për hetim.

Ristani: Kjo është të tallesh me deputetët e Kuvendit. Na e thoni se përse duhet ta arrestojmë.

Ristani: Pyetjen e kam fare të qartë dhe të thjeshtë. Po i kërkohet Parlamentit për ta arrestuar, cila është akuza, ka mundësi të na e thotë zotëria?

Prokuroria: Kërkesa dhe relacioni i përmend ato sqarime që unë i thashë.

Ristani: A ekziston një akt apo dokument ku përmendet një kallëzim i rremë?

Prokurori: Kërkesa dhe relacioni është i qartë dhe thuhet se duhet autorizimi për kryerjen e veprës penale të kallëzimit të rremë.

Ristani: OK, me sa kuptova, nuk ka një akt formal për kallëzim të rremë.

Xhafaj: Ky nuk mund të jetë komision i natyrës hetimore.

Doshi: Ky të çon në burg.

Xhafaj: E ke gabim, nuk është ky komisioni që të çon në burg, as prokurori nuk të çon në burg, vetëm gjykata.

Ristani: Mbasi e keni vënë në dijeni Bamin dhe pastaj kur e keni takuar me ministrin, a kontaktoi më me ju?

Doshi: Saimiri më tha se Toni është në kërkim, po ai s’ishte kërkim hiç. Kjo vjen erë e keqe. Duhet me u zbardh ky krim, bashkë me prokurorin që thotë se kam bë kallëzim të rremë. Bjer videon këtu dhe më thuaj çfarë kallëzimi të rremë kam bë unë. Ajo video është prova më e rëndësishme që tregon me zë se Bami është kërcënuar me familjen.

Ristani: Ju thoni që është filmuar biseda me Bamin, ku ai shpreh pamundësinë për të thënë të vërtetën se ndodhet në kërcënim të jetës së vet. Në çfarë kushtesh u zhvillua kjo?

Doshi: U bë me kërkesën time në prani të katër prokurorëve. U pranua kërkesa dhe në një nga zyrat e Prokurorisë është bë përgjimi ambiental dhe unë kam vu aparaturën në trup dhe kam taku Bamin. Dhe i thashë thuaj të vërtetën dhe ai në një moment më tha që nuk mund të flas. Më tha nuk mund të flas prej fëmijëve. Ka qenë një polic i forcave speciale me kapuç. Të çoj në spital i thashë. Jo, më tha. Foli për fëmijët, i shkuan lot. Kur u çova në këmbë, Bami më tha: Ti e di mer burr në çfarë kushtesh jam dhe nuk mund të flas, e di që më vunë tritol ke X5. Pra tha që jam në kushtet kur janë kërcënuar fëmijët.

Xhafaj: Përse nuk ndoqi rrugën normale për të ndërtuar një procedim të rregullt, por e bazoi tek raportet personale? Pse çmuat të nevojshme deklarimin e Bamit? Pse nuk ia latë këtë Prokurorisë?

Doshi: Unë e takova prokurorin e Përgjithshëm, më tha më lër 4-5 ditë kohë dhe mbas 48 orëve porositësit shkoi prap porosia që duhet eliminuar se e ka marrë vesh. Ishte i vetmi që e dinte. Pra unë zgjodha prokurorin e Përgjithshëm dhe ai më shiti. Sa i përket pyetjes së dytë se pse e bana regjistrimin, unë me atë arrita t’i bind këta që të bëja regjistrimin tjetër. Ti ke menu (i drejtohet prokurorit Xholi) se do të më arrestosh që të premten bashkë me kryeprokurorin tat, jemi vend demokratik se i teket Ilir Metës me më fut në burg, avash një herë, se jemi vend demokratik. Unë u kërkoj kolegëve të mi që të bien pamje filmike këtu dhe pastaj të shikohet. Ke fallsifiku çdo gjë dhe për këtë (i drejtohet prokurorit Xholi) do mbash përgjegjësi penale edhe ti.

Islami: Z. Doshi, ju thatë se Rama ka qenë shok dhe miku im, me kryeprokurorin keni pasur marrëdhënie shumë të mira, me Kryetarin e Kuvendit po ashtu, ndërkohë akuzoheni për sajesë dhe keni akuzuar për vrasje. Cilat janë motivet? Pse ka ndodhur kjo?

Doshi: Me Kryeministrin s’kam pas ndonjë gjë, e kam pas edhe mik. Mbas ngjarjeve të gushtit filloi pakënaqësia ime karshi tij. I thashë Ramës se unë nuk dua të rrëzoj qeverinë, po ai nuk mund të jetë në krye të Kuvendit. Që prej asaj kohe nuk kam fol më me të.

 

Debatet në Këshill për zhvillimin e mbledhjes, opozita: Të bëhet e hapur

Mbledhja e Këshillit të Mandateve, për të vendosur nëse do t’i hapet rrugë kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku, u zhvillua dje me dyer të hapura. Kjo, pasi opozita, e përfaqësuar nga Partia Demokratike, kërkoi që mediat të ishin të pranishme në këtë seancë, duke shkaktuar jo pak debate. “Të respektohet tradita e seancave dëgjimore. Media duhet të jetë e pranishme për efekt transparence. Rregullorja parashikon që seanca dëgjimore të jetë e hapur”, – deklaruan deputetët demokratë. Ndërkaq, deputetët e mazhorancës u shfaqën kritikë ndaj kërkesës së demokratëve e ndërsa Prokuroria e Përgjithshme kërkoi që mediat të mos ishin të pranishme në këtë mbledhje, pasi, sipas tyre, kishte pika të çështjes që përbënin sekret hetimor. Por në vendimmarrjen përfundimtare u vendos që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura.

 

Fakti “rrëqethës” i Brahos: Doshi solli raport fals mjekësor

Kryetari i Komisionit të Sigurisë, deputeti i LSI-së, Spartak Braho, deklaroi dje se raporti mjekësor që paraqiti pak ditë më parë deputeti Doshi në Këshillin e Mandateve është i falsifikuar, pasi, sipas tij, është lëshuar nga mjeku, i cili është bashkëshorti i njërës prej punonjëseve të kompanisë së ish-deputetit socialist. Sipas Brahos, mjeku Eduart Shota, i cili ka lëshuar raportin, është i martuar me Aurela Shotën, punëtore e kompanisë së Doshit. “Ky është falsifikimi i ri i Tom Doshit. Fakt rrëqethës që duhet të vlerësohet nga Prokuroria, raporti i fundit shëndetësor, i lëshuar nga spitali “Hygea”. Ç’lidhje ka ky mjek me këtë çështje? Mjeku Eduart Shota është i martuar me zonjën Aurela Shota. Zonja Aurela Shota është punonjëse e “Profarmës”, me detyrë nëpunëse e marrëdhënieve me publikun. Pra, me një fjalë, Toma i ka lëshuar raport mjekësor Tomës, ashtu si videoja e Tomës me Durim Bamin, ashtu si dhe dëshmia e Petrit Çinarit. Lëshimi i këtij raporti mjekësor është një fakt falsifikimi dhe sajese dhe Prokuroria duhet t’i shkojë deri në fund. Fakte të tjera rrëqethëse do të kemi më pas, do takohemi përsëri”, – tha Braho.

 

Këshilli i thotë “po” Prokurisë, Halimi: PS nuk pranoi provat e videos së dytë Doshi-Bami

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit ka mbështetur dje mbrëmë  kërkesën e prokurorisë për të arestuar deputetë Doshi dhe Frroku. Vendimi i marrë pak para mesnate, në pjesën e mbledhjes pa media, nuk ka kaluar pa debat pasi demokratët kanë ëkrkuar që të merrej parasyh prova për të cilën deputeti Doshi foli në mbledhje që lidhej me video përgjimin në prokurori mes deputetit shkodran dhe Durim Bamit.  “Qendrimi i PD-së është ai që është mbajtur gjatë 10 viteve, një qendrim që është parimor dhe per PD-në është paimagjinueshme të pengojë hetimet e Prokurorisë. Bllokimi i hetimeve dhe fakti që doli sot përpara qytetarëve, i një video me kërkesë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, tregon se ky proces është fars dhe se nuk mund të ketë një hetim të pavarur me Ilir Metën në krye”, deklaroi deputeti Halimi. Në axhendën e Kuvendit mbrëmë vonë u përfshi në rendin e ditës, në pikën e dytë të tij pikërisht kërkesa e Prokurorit të Përgjithshëm “Për dhënie autorizimi për fillimin e ndjekjes penale për arrestimin ose heqjen e lirisë si dhe për të ushtruar kontroll personal dhe të banesave të deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku”. (shqyrtimi në seancë në varësi të paraqitjes së raportit të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin sipas nenit 118/4 të Rregullores). Nisur nga kjo ditën e sotme në seancën plenare do të votohet kërkesa e prokurorisë për autorizimin e Kuvendit për arrestimin e dy deputetëve Frroku dhe Doshi, e cila pritet të marrë votat e deputetëve. Por debati më i madh mes palëve në seancën e sotme pritet të jetë ai për mos pranimin e videos së dytë mes Bami dhe Doshit si provë për tu marrë parasysh nga këshilli si edhe kërkesa e demokratëve për dorëheqjen e kryeparlamentarit Meta.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency