Takimet e Ramës me deputetët/ Emrat e kandidatëve të PS-së për kryetar bashkie. Dyshimet, ja favoritët për Tiranën dhe Vlorën

0
148

 Gëzim Saliu

rama pas takimeveRikonfirmohet Dako në Durrës, Filo në Korçë dhe Roshi në Kavajë. Elbasani, Shkodra dhe Fieri të mbyllura në 90%: kandidojnë Sejdini, Bazhdari dhe Subashi

Pas konsultimeve me aleatin kryesor LSI, Kryeministri Rama nisi dje konsultimet brenda radhëve për emrat e kandidatëve që do të propozohen nga forca që ai drejton në bashkitë e vendit. Në rolin e kreut të PS-së, ai zhvilloi dje maratonë takimesh konsultuese me deputetët socialistë nga të gjitha qarqet e vendit, me qëllim zgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie. Në këto takime, një pjesë e mirë e kandidatëve janë përcaktuar tashmë e ndërsa dilemat e mëdha janë për Tiranën dhe Vlorën. Por krahas dyshimeve, rikonfirmimet e para të kryetarëve aktualë janë tashmë të përmbyllura. Vangjush Dako do të jetë kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Durrësit ashtu si edhe Sotiraq Filo do të rikonfirmohet në Korçë. Këtë të fundit e konfirmoi zv.kryeministri Niko Peleshi, i cili pas takimit me kreun e qeverisë tha: “Me shumë gjasa po, ai do jetë kandidati ynë”. Në të njëjtën linjë me Peleshin edhe deputeti i qarkut të Durrësit, Blendi Klosi, bëri të ditur dje se rikonfirmimi i Dakos për Durrësin është çështje e mbyllur brenda radhëve të së majtës. “Kandidatura e Vangjush Dakos është një kandidaturë shumë e mundshme për PS, por natyrisht vendimmarrja është pas disa ditësh”, – tha ai. Ndërkohë, edhe kandidatura e Elvis Roshit në Bashkinë e Kavajës u rikonfirmua dje në takimet e Kryeministrit Rama. Po ashtu thuajse të përcaktuar janë kandidatët edhe për tri bashki të tjera të mëdha si: Elbasani, Fieri dhe Shkodra. Megjithëse Qazim Sejdini ende nuk është i vendosur përfundimisht si kandidaturë, shanset e përzgjedhjes së tij janë të mëdha. Në takimin me deputetët e Elbasanit, ku mes tyre Blushi ka kërkuar që emri të ketë mbështetje në qytet, Rama ka theksuar se kandidaturat do t’i testohen një sondazhi që do të vendosë përfundimisht garën e brendshme. Në Elbasan krahas Qazim Sejdinit në garë janë edhe Desantila Tahiri dhe Artan Cepa e ndërsa për Librazhdin Rama së bashku me deputetët e qarkut ka rënë dakord që kandidati të jetë Kastriot Gurra. Po ashtu thuajse e vendosur duket edhe kandidatura e Bashkisë Shkodër, pasi Keti Bazhdari është në avantazh të fortë ndaj kandidatëve rivalë të brendshëm. Lidhur me këtë qytet, deputeti Paulin Stërkaj tha: “Mendoj që është një nga kandidaturat më të mira të qarkut të Shkodrës. Ne po bëjmë diskutime paraprake, do dalë Kryeministri dhe do t’i shpallë të gjithë kandidatët”. E njëjta situatë paraqitet edhe për Bashkinë e Fierit, ku duket se deputeti aktual Armando Subashi është më i favorizuar ndaj dy kandidatëve të tjerë, kolegu Ervin Koçi dhe Salarjon Tota. “Nëse do jenë i këtij mendimi, po, jam i gatshëm që të kandidoj. Ndoshta nuk është momenti për të folur për këtë gjë, por përgjegjësia është shumë e madhe. Nga strukturat e partisë në bazë ka pasur propozime konkrete, një nga ato kam qenë dhe unë. Kështu që u ngelet strukturave drejtuese të partisë të vendosin për këtë çështje”, – tha Subashi.

 

Tirana dhe Vlora

Gara për Bashkinë e kryeqytetit mbetet dilema më e madhe brenda së majtës, pasi krahas simpatisë së Kryeministrit dhe PS-së, ajo duhet të marrë edhe konfirmimin e fortë nga ana e LSI-së, e cila ka bërë të ditur se tolerimet që mund të bëjë në bashkitë e tjera nuk do të jenë të vlefshme për kryeqytetin. Në takimin e zhvilluar me deputetët e qarkut të Tiranës, mësohet se Rama ka thënë se do të vazhdojnë me sondazhe për të parë se cili prej kandidatëve të diskutuar do të arrijë të triumfojë në sondazhe. Mësohet se kreu i qeverisë ka deklaruar para deputetëve se ende nuk janë të bindur për kandidaturat e diskutuara dhe për këtë arsye do të vijojnë takimet me deputetët e qarkut deri në një emër konkret. Ndërkaq, në diskutimet e djeshme janë përfolur sërish emrat e ministrit Erion Veliaj, deputetëve Blendi Klosi dhe Pandeli Majko si edhe Albana Dhimitrit. Ndërkohë, mësohet se Rama ka vendosur në krye të listës së tij përballjen Klosi-Veliaj, e cila, sipas tij, do të vendoset vetëm falë sondazheve me qytetarët e Tiranës. E njëjta vështirësi përzgjedhjeje shfaqet tek PS edhe për Bashkinë e Vlorës, ku ende janë në garë tre emra. Prefektja aktuale Etjona Hoxha, mjeku Dritan Leli dhe kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Vlorë, Arben Breshani, janë tre emrat që ende janë në garë mes tyre. Në takimin e djeshëm me deputetët e qarkut të Vlorës mësohet se Rama ka theksuar rëndësinë e një kandidati fitues, duke bërë të ditur se edhe në këtë rast do të jenë sondazhet që do të vendosin për kandidatin që do të përfaqësojë më pas koalicionin e majtë në Vlorë. “Kur të përfundojë projekti i PS-së, Kryesia do ta bëjë të njohur. Tani nuk ka emra të përveçëm. Po diskutohet në parti dhe në kryesinë e PS-së”, – tha Kokëdhima. Ndërkaq, kreu aktual i Bashkisë, Shpëtim Gjika, i cili e ka drejtuar këtë njësi prej tri mandatesh, duket se do të garojë i pavarur, gjë e cila ende nuk është konfirmuar.

 

Ftesë FRD-së/ Rama: Konsultuam emra, dilema është në Tiranë. Basha nuk do mbahet mend për asgjë

Pas takimeve të zhvilluara me deputetët e të gjitha qarqeve, Kryeministri Rama dha dje mbrëmë një deklaratë për mediat ku theksoi se konsultimet ishin pozitive, porse, sipas tij, ka ende disa dilema, duke renditur në vend të parë Bashkinë e Tiranës. “Kemi pasur një proces shumë frytdhënës. Kemi pasur një përmbledhje të gjitha ndjeshmërive dhe opinioneve që çdo deputet ka sjellë nga të gjitha territoret e vendit. Kemi konsultuar shumë emra, propozime, kemi dakordësuar për një pjesë shumë të konsiderueshme të tyre. Vendimmarrja përfundimtare do t’i takojë konsultimit me partnerët tanë, sepse bëhet fjalë për kandidatë që nuk i përkasin vetëm një force politike, por gjithë koalicionit. Prej disa muajsh jemi futur në një proces të thellë anketimi të opinionit publik. Padyshim edhe komunitetet sidomos në bashkitë më të mëdha ku ka një kompleksitet më të madh. Sot kemi rënë dakord për të bërë dhe disa anketime të tjera në disa pika ku kemi ende dilemë. Në këtë proces anketimi, Tirana ka zënë vendin kryesor”, – tha Rama. Më tej, ai bëri të ditur se brenda pak ditësh e majta do të harmonizojë këndvështrimin e saj me atë të opinionit. “Ne jemi fokusuar shumë tek profili. Në radhë të parë është të identifikojmë profilin që qytetarët presin në këtë garë për Tiranën. Më shumë se garë elektorale, është garë për të ardhmen”, – tha ai. Nga ana tjetër, Rama në fjalën e tij bëri thirrje publike që në koalicionin e majtë të bashkohet edhe Fryma e Re Demokratike pasi tashmë, sipas tij, “në këtë koalicion ka ende vend për zëra dhe përvoja të tjera për të rritur spektrin e ideve e alternativave për vendin”. Në deklaratën e tij, kreu i PS-së nuk kurseu ironinë dhe akuzat ndaj kryedemokratit Basha, duke e cilësuar si kryebashkiaku që nuk do të mbahet mend për asgjë në historinë e Tiranës. “Tirana ka katër vjet që nuk qeveriset. Dhe duke pasur parasysh që më 21 qershor Tirana do të ndahet nga një kryetar bashkie që në historinë e kryeqytetit nuk do të mbahet mend për asgjë. Ndërkohë që tek ky katërvjeçar nuk ka asgjë, qoftë edhe gabim. Asgjë! Thjeshtë, ju e dini atë shprehjen, “ashtu hyni ashtu doli, kastravec”.

 

Reagimi, Bashkia e Tiranës: Rama kriminalizoi pushtetin, thelloi varfërinë dhe pasigurinë

Pas deklaratave të Kryeministrit Rama, reagoi dje Bashkia e Tiranës, e cila theksoi se në kohën kur ky i fundit drejtoi Bashkinë e Tiranës, betonizoi kryeqytetin për 11 vite. “Kryeministri që ka krimininalizuar pushtetin, ka rritur papunësinë, thelluar varfërinë dhe pasigurinë. I verbuar nga xhelozia prej dështaku serial, Edi Rama bashkë me bllokimin e bulevardit të ri, projektit më të madh urban në historinë e kryeqytetit, bllokoi qindra investime publike që hapnin mijëra vende pune dhe përmirësonin cilësinë e jetës së qytetarëve. Ndaj sot, është në panik sepse ora e përballjes po vjen dhe e pret ndëshkimi nga qytetarët e Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”, – tha ai.

 

Emrat përfundimtarë, Rama dhe Meta i shpallin nesër, më 1 prill

Koalicioni i majtë i drejtuar nga dy bashkëkryetarët Rama-Meta duket se nuk i ndahet datës 1 prill. Edhe pse kjo datë nuk ka një specifikë pozitive, pasi cilësohet si dita e gënjeshtrave, për të majtën duket se ajo përbën një datë të rëndësishme. Pasi e shpallën bashkimin e tyre pikërisht në këtë datë dy vite më parë, Rama dhe Meta pritet t’i bëjnë të ditur emrat e kandidatëve të përbashkët për zgjedhjet e 21 qershorit pikërisht ditën e nesërme më 1 prill.

 

Koalicioni i majtë/ Emrat e kandidatëve të konfirmuar për bashkitë

Bashkia Durrës – Vangjush Dako (PS)

Bashkia Korçë – Sotiraq Filo (PS)

Bashkia Kavajë – Elvis Rroshi (PS)

Bashkia Himarë – Gjergji Goro (PS)

Bashkia Fier – Armando Subashi (PS)

Bashkia Elbasan – Qazim Sejdini (PS)

Bashkia Tepelenë – Tërmet Peçi (PS)

Bashkia Klos – Xhevdet Reçi (PS)

Bashkia Peshkopi – Shukri Xhelili (PS)

Bashkia Kamëz – Safet Gjici (PS)

Bashkia Mirditë – Adrian Leka (PS)

Bashkia Patos – Rajmonda Balilaj (PS)

Bashkia Përmet – Bledi Mane (PS)

Bashkia Gjirokastër – Zamira Rami (LSI)

Bashkia Berat – Gledion Rehovica (LSI)

Bashkia Çorovodë – Nesim Spahiu (LSI)

Bashkia Lezhë – Vitor Tushe ( LSI)

Bashkia Kukës – Hasan Halili (LSI)

Bashkia Rrogozhinë – Nuredin Bushi ( PDIU)

Bashkia Peqin – Saimir Hasall (PDIU)

Bashkia Konispol – Mimoza Arapi (PDIU)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency