Çështja “Frroku”/ PD: Rama fshehu akuzat belge derisa u dha dëshmia pro Metës. Spaho: Pas Didit, të ikë Tahiri

0
137

Gëzim Saliu

 ristaniRistani: Kryeministri bllokoi dy herë kërkesën e Interpol Brukselit. E mbajtën të kapur dëshmitarin kyç, Mark Frroku, dhe i dhanë imunitet e mbrojtje në kundërshtim me ligjin

Partia Demokratike akuzoi dje Kryeministrin e vendit se ka fshehur dy herë kërkesat e Interpol Brukselit për deputetin Mark Frroku. Përmes sekretarit të përgjithshëm të selisë blu, Arben Ristani, opozita theksoi dje se kreu i qeverisë ishte i informuar nga Brukseli për akuzat e vrasjes së kryer nga Mark Frroku dhe se i bëri të ditura vetëm pasi deputeti dha dëshminë pro Kryeparlamentarit Meta në çështjen “Doshi”. “E kanë mbajtur të kapur dëshmitarin kyç, Mar Frroku, i kanë dhënë imunitet e mbrojtje në kundërshtim me ligjin, derisa ai dha deponimin në favor të Ilir Metës. Më 8 janar të këtij viti, ka mbërritur në Tiranë dokumenti i Interpol Belgjikës për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të deputetit Mark Frrokut, për akuzat e drejtësisë belge për vrasje. Ky urdhër është mbajtur në sirtar nga zyrtarët e Edi Ramës. Më 23 janar, Interpol i Brukselit, ka sjellë material shtesë duke ripërsëritur kërkesën për kërkimin dhe kapjen e Mark Frrokut. Sërish, zyrtarët e Edi Ramës nuk kanë bërë asnjë veprim. Vetëm më 18 mars, pasi Mark Frroku e kishte dhënë dëshminë në prokurori në favor të Ilir Metës, lidhur me akuzat ndaj tij, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve, policia shqiptare ka aktivizuar shkresën për kërkim ndërkombëtar të deputetit të mazhorancës”, – tha Ristani. Më tej, deputeti i PD-së theksoi se shkarkimi i drejtori të Interpol Tiranës, Artan Bajraktari, dhe oficeres operatore Laureta Alla u bë si një përpjekje për t’ia hedhur fajin këtij institucioni. “Kjo është një përpjekje e turpshme dhe e dëshpëruar, për të nxjerrë të larë, autorët e vërtetë të bllokimit të urdhrit të Interpol Brukselit, që janë Edi Rama dhe Ilir Meta. Ata penguan drejtësinë e një vendi themelues të Bashkimit Evropian, vetëm për të deformuar hetimin ndaj kryetarit të parlamentit, duke kapur dëshmitarin kyç, dhe duke tentuar fshehjen e të vërtetës mbi akuzën më të rëndë të këtyre 25 viteve”, – deklaroi ai. Në mbyllje të deklaratës së tij, sekretari i përgjithshëm i PD-së kërkoi nga Prokuroria të nisë një hetim të shpejtë për të vënë urdhëruesit e fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit, para drejtësisë. “Me këtë akt, Edi Rama i ka futur duart thellë në procesin e hetimit të ortakut të tij Meta, dhe kësaj radhe nuk do t’ia hedhë”, – deklaroi Ristani.

 

Dorëheqja e Didit

Po ashtu, ditën e djeshme, Partia Demokratike kërkoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, pas fakteve të fundit të dala për çështjen “Frroku” dhe dorëheqjes së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Artan Didi. Nënkryetari i demokratëve, Edmond Spaho, përmes një deklarate nga selia blu tha se për kërkesën e Interpol Brukselit, ka pasur dijeni ministri i Brendshëm dhe Kryeministri, të cilët theksoi ai e kanë përdorur sipas interesit të tyre në procesin hetimor ndaj Ilir Metës. “Gjithkush e di, çdo qytetar i vendit e di mirë, se për kërkesën e Interpol Brukselit, ka pasur dijeni ministri i Brendshëm, ka pasur dijeni Kryeministri. Atyre madje u ka leverdisur kjo kërkesë dhe e kanë shfrytëzuar për të kapur dëshmitarin kyç, Mark Frroku, për ta përdorur sipas interesit të tyre në procesin hetimor ndaj Ilir Metës, i akuzuar për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Fshehja e kërkesës së Interpol Brukselit, nuk mund të bëhej pa urdhrin e Saimir Tahirit dhe Edi Ramës. Ata janë përgjegjësit e vërtetë, autorët e vërtetë të këtij akti të rëndë në kundërshtim me ligjin. I pari që duhet të japë dorëheqjen sot, është Saimir Tahiri”, – deklaroi deputeti demokrat Edmond Spaho.

 

Publikon foton e Ramës me Doshin e Frrokun/ Basha: Historia e tre shokëve u prish prej ligjeve të mafias, padrinoja të flak për të mbajtur karrigen

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi dje në lidhje me arrestimin e dy zyrtarëve të Interpolit në Shqipëri dhe dorëheqjen e drejtorit, Artan Didi, ngjarje të cilat i cilësoi si minë në themelet e policisë e të shtetit. “Kryeministri i kriminalizimit kërkon të bëhet patjetër qesharak me sulmet dhe kërcënimet ndaj opozitës, pas skandalit të paprecedent ku është zhytur këmbë e duar me fshehjen e kërkesës së Interpol Brukselit për deputetin e tij. Kriminalizimi është vepra e vetme e Edi Ramës, njeriut që përzgjodhi vetë me dorën e tij miqtë e tij të punëve të pista e me të shkuar kriminale që i kishte në krah deri dje”, – shkruante Basha në “FB”. Më tej, kryedemokrati, duke komentuar lidhjet e mëparshme mes Kryeministrit dhe dy deputeteve Doshi dhe Frroku, tha se në fund Rama i largoi ata për të mbajtur karrigen e tij. “Miq për kokë, që i përdori për të ardhur në pushtet dhe ndau me ta pushtet deri kur përplasja e madhe për hesape e pazare doli jashtë fisit. Më tej, i përdori dhe për të mbyllur procesin ndaj ortakut të tij. Rrugët e tre shokëve nuk u ndanë për asnjë parim apo moral. Rrugët e tre shokëve u ndanë vetëm se ligjësitë e mafias janë të këtilla. Padrinoja të flak në fund për të mbajtur karrigen e tij”, – theksoi kreu i PD-së.

 

Dorëheqja e kryepolicit/ Berisha: Cubin Didi e hëngri krimi i pushtetarëve

Ish-kryeministri i vendit, Berisha, e cilësoi dje dorëheqjen e Didit si larje hesapesh midis kockave mafioze të pushtetit të krimit, duke marrë parasysh, sipas tij, faktin që kryepolici së bashku me ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri ishin në dijeni për kërkesën belge për Mark Frrokun që në fillim. Sipas Berishës, ishte ministri i Brendshëm ai që kishte urdhëruar që kërkesa e autoriteteve belge për arrestimin e deputetit Frrokut të mbahej e fshehtë dhe të mos kthehej asnjë përgjigje. “Cubin Didi e hëngri krimi i pushtetarëve! Larje hesapesh midis bajlozëve te krimit në krye të pushtetit! Shkarkimi i tij u bë për të larë duart me krimin e fshehjes nga Edi Rama për tre muaj të kërkesës së autoriteteve belge për ekstradimin e Mark Frrokut për vrasje. Pra ky shkarkim është thjesht një larje hesapesh midis kockave mafioze të pushtetit të krimit. Burime të informuara njoftojnë se Artan Bajraktari, në momentin e arrestimit ka deklaruar se ai kishte njoftuar për kërkesën belge jo vetëm Didin, por edhe vetë Tahirin, nga të cilët ishte porositur ta mbante aty e të mos kthente përgjigje”, – shkruante Berisha. Më tej, në një koment të dytë, ish-kreu i qeverisë komentoi edhe reagimin e ministri të Brendshëm, i cili, sipas tij, foli me gojën e Shullazit. “Qytetarë, Edi Rama, Ilir Meta, Saimir Shullazi para shqiptarëve dhe mbarë Evropës kanë sot fytyrën e vrasësit të tyre Mark Frroku. Sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për guximin, trimërinë, përgjegjësinë tuaj për të shembur me një revolucion demokratik murin e krimit të pushtetarëve të “aleancës së qelbësirave”, – deklaroi Berisha.

 

Deklaratat e PD-së, Rama: Kallëzim penal për shpifje

 Kryeministri Rama deklaroi dje se do të vërë edhe një herë përpara Gjykatës Partinë Demokratike, e cila përmes deputetëve të saj hodhi akuza ndaj tij lidhur me çështjen “Frroku”. Përmes një reagimi në “Facebook”, Rama tha: “Një tjetër kallëzim do të niset një orë e më parë drejt Prokurorisë së Përgjithshme dhe Gjykatës së Lartë, për përshkallëzimin e aktivitetit kriminal të shpifjes nga ana e Shqupit. Përsëri do të duhet të faktojnë bazën e jashtënxjerrjeve të tyre të ditës përpara gjykatës dhe nëse kanë një provë të vetme, jam unë që do të përgjigjem përpara ligjit”. Më tej, ai deklaroi se nëse deputetët e PD-së do të dalin sërish para trupit gjykues me argumentet se deklaratat e tyre janë në emër të forcës që përfaqësojnë: “Atëherë janë ata që duhet të ndëshkohen sipas ligjit. Ky aktivitet kriminal që zhvillohet përditë nga Shqupi me shpifje ekstreme në mungesë të çdo vizioni, ideje dhe lidershipi, duhet gjykuar jo vetëm me fuqinë e votës po edhe me forcën e ligjit”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency