Antidiktatorët/ Netët e “Shën Bartolomeut” komunist

Përgatiti materialin: V. M.

faik konicaViti ‘45, nisin kryengritjet e para kundër diktaturës; Malësia e madhe ngre Kuvendin e Maleve; në Postribë, një komitet pluralist për shpërthimin e kryengritjes; nata e “Shën Bartolomeut” komunist shpërthen në Shkodër; në Maliq nis skenari për ndëshkimin e sabotatorëve të tharjes së kënetës; inxhinierë e kuadro të shkollës amerikane “Harri Fultc” shkaktonin frikë patologjike si kundërshtarë të regjimit komunist- në botimin e Qendrës së Traumës dhe rehabilitimit zbardhen historia dhe emrat që u ekzekutuan nga Enver Hoxha

 

Në Malësi të Madhe

Kryengritja e parë e armatosur kundër diktaturës komuniste në Shqipëri u zhvillua në Malësinë e Madhe. Beteja midis forcave ndëshkuese të Brigadës së Parë dhe fshatarëve kryengritës të udhëhequr nga Preng Cali, nisi në 1 janar të vitit 1945 dhe vazhdoi 1 muaj.

Kelmendi qëndroi sa tundi. Por së fundi, për t’iu shmang gjakderdhjes vëlla me vëlla, Preng Cali urdhëroi malësorët të mos qëllonin, dhe ata u tërhoqën nga pozicionet, ndërsa Prenga me 15 shokë e një murgeshë u ngujuan në një shpellë.

Ja raporti i Zoi Themelit: “Humbjet e armikut janë 44 të vrarë (armiq i quante Zoi Themeli fshatarët) e 21 të plagosur. Prej të vrarëve 13 rezultojnë gjatë përleshjeve me forcat tona, po ashtu dhe të plagosurit… Veç këtyre, në mënyrë konspirative, janë pushkatuar edhe tre vetë të tjerë, sepse kanë qenë bashkëpunëtorë të Preng Calit”. Vazhdojnë dëshmitë: “U dogjën mbi 50 shtëpi fshatarësh, edhe një shtëpi në Vukël e djegur tre herë nga turqit, malazezët dhe në 10 shkurt 1945 nga komunistet. Luc e Zef Rapuka ishin në shpellë me Preng Calin dhe, pas daljes prej saj, i pushkatuan; pas tyre pushkatuan edhe Rrokun, ma të voglin e familjes. Të ngujuemit e pësuan të gjithë: Smajlin e pushkatuan sa doli nga shpella. Një tjetër e pushkatuan pasi ia kishin prerë mishin me sëpatë; një tjetri ia nxorën sytë dhe e varrosën së gjalli. Luc Bajraktarin e therën në qafë me bajonetë dhe e hodhën në greminë. Fran Zef Bajraktari e groposën së gjalli pasi i dogjën kullën; Marash Vat Lumaj u pushkatua si agjitator. Gjithashtu u pushkatuan edhe: Dedë Prek Nika, Uk Marash Biku, Nik Mark Rezaj, Gjelosh Fran Pëllumbi”.

Pas gjykknit në Shkodër Plaku i Vermoshit, 70 vjeçari Preng Cali u dënua me vdekje dhe 4 të tjerë me burgim të përjetshëm, të tjeret me 30 vjet burg, pra u denuan plot 25 vetë.

Më 18 janar 1945 u organizua Kuvendi i Pojcës, që u quajt Kuvendi i Maleve, dhe u tubuan në të burrat nga Hoti, Kastrati, Shkreli, Dedaj e Zagora. Ata vendosën që kryengritja të fillonte më 28 janar 1945 në bashkëpunim me forcat e Shkodrës e të Postribës: atyre u printe Llesh Marashi.

Forcat e batalionit të ndjekjes bashkë me forcat e postëkomandës të Bajzës, që ishin informuar për kryengritjen më 23 janar, vendosen të arrestonin udhëheqësit. Në malësi u dha alarmi e malësorët me 24 janar pushtuan Bajzën. Nën drejtimin e Llesh Marashit kryengritësit sulmuan Koplikun, e morën atë, dhe partizanët e ndaluar, pasi dorëzuan armët, u liruan.

Pasojat e kryengritjes ishin të ashpra. Përveç viktimave të rëna gjatë luftimit, viktima te reja pati edhe pas humbjes. Me qindra kryengritës të arrestuar, prej të cilëve Mehmet Shehu dënoi me vdekje 27, dhe nga ata përzgjodhi 12 vetë të cilët i ekzekutoi

Për ekzekutimin e vendimeve Mehmet Shehu kërkoi miratimin e Enver Hoxhës, i cili përgjigjet:

 

“Radiogram urgjent

Korpusit III

Gjegje radiogramit Nr. Extra datë 9 fruer 1945. Aprovohen ndëshkimet me vdekje të 12 vetëve dhe ndëshkimi i të tjerëve me dënime me të sipërme. Na njoftoni datën e ekzekutimit.

Enver Hoxha”

 

Kryengritja e Postribës

Postriba me 10 katundet e saj shtrihet në verilindje të Shkodrës. Më 7 korrik 1946, në Shkodër u bë një mbledhje e të gjithë opozitarëve, e cila vendosi që shpërthimi i kryengritjes kundër regjimit komunist të bëhej brenda datës 16 shtator 1946. Për drejtimin e kryengritjes mbledhja zgjodhi një komitet pluralist: Dom Tom Laca, Dom Nikoll Deda, Pjetër Shan Deda, Kolë Deda, Cin Serreqi e Guljelm Suma, për Partinë Demokristiane, dhe Riza Dani, Rodin Gjurezi, Dulo Kali dhe Paulin Pali për nacionalistët.

Në datën 8 shtator filluan të grumbullohen forcat në zonën e Postribës gjithsej 200 vetë, nga të cilët 60 të armatosur. Guri i Zi 170 vetë dhe Oblika 70 vetë. Në orën 2 të mëngjezit të datës 9 shtator filloi sulmi, ndërsa ndërlidhja telefonike ishte prerë më parë. Kryengritësit do të sulmonin në tre drejtime: nga Postriba në drejtim të kazermave ku ishte edhe Komanda e Korpusit III. Nga Guri i Zi në drejtim të postës të Urës se Kirit, dhe mësymja drejt Kodrave të Tepës.

Revolta u shtyp me forcë dhe u shoqërua me reprezalje. Po atë ditë, me 9 shtator, forcat e diktaturës, të komanduara nga shefi i sigurimit për Shkodrën, Zoi Themeli, pushkatuan publikisht grupin e parë prej 12 kryengritësish. Ashtu të lidhur këmbë e duar me hekura e me litarë, pasi i rrahën e i torturuan mizorisht, i grinë me automatik përbri një grope të përbashkët. Ata janë: Hajdar Dani, Metush Alia, Ymer Beqiri, Halit Dauti, Reshit Beqiri, Rexhep Idrizi, Brahim Selimi, Avdi Zeqiri, Idriz Dibra, Halit Hoti, Hysen Velushi.

Të nesërmen më 10 shtator dhe çdo ditë, çdo javë, çdo muaj të atij viti tragjik, por edhe në vitin 1947 nuk pushuan terrori, vrasjet, internimet, në krahinën e Postribës. Kështu u pushkatuan edhe 7 vetë të tjerë para syve të familjes dhe shtëpive që përfshiheshin nga flakët. Komandanti i operacionit famëkeq, Zoj Themeli, vendosi në çdo fshat të krahinës nga një qendër hetuesie e torture.

Nga të gjithë fshatarët që morën pjesë në kryengritje, në arkiv gjendet një listë me 69 emra të arrestuarish e kryesisht nga fshatrat Boks, Vork, Dragoç, Mulesin, Rjragam, Kullaj, Rence, Drisht, Mes, si dhe një listë me 68 fshatarë të dorëzuar nën kërcënimet e djegies së shtëpive, të vrasjeve, të burgimeve dhe të premtimeve për falje në rast të dorëzimit të armëve, premtime që nuk u mbajtën kurrë, pasi të gjithë ata që i besuan premtimeve u torturuan çnjerëzisht dhe u dënuan me vdekje apo me burgim.

Viktimat i nënshtroheshin drurit, dhunës së egër, torturave çnjerëzore e presioneve psiqike. Shumë nga viktimat merreshin dhe në sy të familjarëve të tyre pushkatoheshin pa gjyq. Kështu u pushkatuan Sylo Gjetja nga Meselimi dhe Hysë Velushi, Jonuz Shkreli, Elez Bajrami, Muhi Fetahu, Imer Zeneli etj.

Imer Zeqiri u ekzekutua së bashku me të birin, por me trupin shoshë nga plumbat, sfidoi vdekjen dhe, në errësirën e plotë e të frikshme të natës, largohet nga pamja e kasaphanës, si dëshmitar okular i asaj nate të “Shën Bartolomeut” komunist në Shkodër.

Numri i të ekzekutuarve sa vinte dhe shtohej. Rreth 35 shtëpive iu vu flaka, u grabitën mijëra kokë bagëti u rrëmbye bereqeti, bulmeti dhe deri mullarët e barit, krahina dridhej nga pesha e një tmerri të paparë e padëgjuar deri atëherë. As të huajt nuk ishin sjellë në këtë mënyrë.

Masakra u shtri dhe në Shkodrën antikomuniste, ku “gjuetia” e rebelëve vazhdonte me këmbëngulje diabolike.

Qëllimi dihej: të shuhej çdo shenje e qëndresës antikomuniste në Postribë e në Shkodër, të eliminoheshin elementët demokratë e antikomunistë.

Zalli i Kirit, aty ku fanatikët e kuq patën hedhur eshtrat e Homerit shqiptar, babait të letrave dhe kulturës shqipe At Gjergj Fishtës, u mbush vargmal me skelete dhe eshtra trupash. Përmasat e krimit dhe masakrës po arrinin caqe të panjohura deri atëherë. Verbëri komuniste qe derdhur në Postribë dhe në Shkodër si një lumë i përgjakur pasionesh hakmarrjeje që, edhe më vonë, nuk njohu më ndalesë në trevën antikomuniste të Veriut.

 

Gjyqi i sabotatorëve të Maliqit

 Nëntor 1946

Pas largimit të paralajmëruar të misionit amerikan nga Shqipëria, Sigurimi i Shtetit, me orientim “nga lart”, filloi me ngut hartimin e listave të individëve proamerikanë, për të vazhduar spastrimet e përgjakta të radhës. Në këtë kuadër u përgatit dhe u zbatua skenari për ndëshkimin e të ashtuquajturve “sabotatorë” të tharjes së kënetës së Maliqit. Anëtarët e grupit ishin inxhinjerë dhe kuadro të aftë të përgatitur në shkollën amerikane të Harri Fullcit dhe shikoheshin me një frikë patologjike si kundërshtarë të regjimit komunist.

Gjyqi-skenar nisi pak ditë para largimit të misionit amerikan nga vendi ynë, nën tamburet e një propagande frenetike që mbyste çdo mendim e qëndrim ndryshe nga opinioni publik i kohës.

Dështimi i tharjes së kënetës së Maliqit ishte vetëm sfondi tragjik ku u luajt akti i turpit, dhe të ndëshkuarit ishin “kokat e turkut” të radhës.

Ky gjyq do të shërbente për të diskretituar Harri Fullcin dhe për të shmangur ndikimin e shkollës teknike amerikane, në prag te kthesës marramendëse që do ta çonte dalëngadalë por me këmbëngulje vendin drejt një izolimi të plotë.

Në tetor 1946 filluan arrestimet; së pari u morën dhe iu nënshtruan proceseve hetimore personeli teknik dhe pastaj ai inxhinierik; hetuesia ndaj tyre ishte e mbushur dëng me tortura të rënda dhe presione e trauma psikike. Në fillim të nëntorit hapet gjyqi kundër 16 anëtarëve të grupit “sabotator”.

 

VENDIMI:

-Abdyl Sharra e Kujtim Beqiri u dënuan me vdekje, me ekzekutim

me varje në litar;

-Vasil Mano, Zyraka Mano, Euxhenio Skaturo dhe Mirush Përmeti

u dënuan me vdekje, me pushkatim;

-Teknikët, si Pandeli Zografi, etj. u dënuan me burgim nga 10 deri

ne 20 vjet burg politik.

Gjyqi special i sabotatorëve të tharjes së kënetës së Maliqit, Korçë 1946; Trupi Gjykues, Kryetar Gaqo Floqi, anëtar Nevzat Haznedari

 

Antidiktatorët/ Netët e “Shën Bartolomeut” komunist

Parku i Artit në ish-Kinostudio

Kërko