Pezullohet imami i xhamisë së Prizrenit

0
185

Irfan Salihu“Statiskat tregojnë se më 1455-n, këtu kanë qenë 1 për qind shqiptarët. Në 1389, kur la ardhur Perandoria turke e ka luftuar kundër hungarezëve dhe Car Llazarit, e ka marrë prej shkaut. Me shekuj kemi qenë ndër shkije, e ka marrë prej shkaut e ta ka lënë në dorë ty. Pse erdhe ti o mysliman, unë kam pasë qejf me qenë shka, kështu thotë shkau që flet shqip”.

Kjo është vetëm njëra pjesë e ligjëratës 4-minutëshe të imamit nga Prizreni, Irfan Salihu, lidhur me shqiptarët dhe historinë e Kosovës në periudhën osmane. Por, ndryshe nga herët e tjera, Bashkësia Islame e Kosovës këtë herë nuk ka qëndruar duarkryq.

Nëpërmjet një njoftimi për media bëhet e ditur se, myftiu i Kosovës Naim Tërnava e ka pezulluar nga pozita imamin e Prizrenit, Irfan Salihu, dhe ka nisur ndaj tij masën për komision disiplinor.

Në ligjëratën e tij, imami nga Prizreni i del në mbrojtje marrëveshjes jugosllavo-turke të viteve ’50, për dëbimin e shqiptarëve në Turqi. Ai i quan të paguximshëm historianët për të hulumtuar për historinë e Kosovës, kur i referohet Arkivës së periudhës osmane.

“As Enver Hoxhën nuk e shajnë, as Titon, as Millosheviçin. Po e shajnë vetëm ata myslimanë, që iu ka dhënë disa hektarë tokë dhe i ka sjellë për të jetuar në Kosovë, e i ka bërë sundimtarë të Ballkanit. Kanë sunduar shqiptarët në kohën e Osmanllinjve. Pas atyre masakrave të mëdha, 1/3-ta e popullatës na u shkatërrua. Ata që na kanë mbrojtur veç çohen ateistët edhe i shajnë. Kryqin nuk e shan kërkush, Papën s’e shan kërkush, Rankoviçin po ashtu, sepse janë bërë sebep që dhjetëra-mijëra kanë shkuar në Turqi. Ta kishin ditur gjyshërit tanë që ata janë armiq, s’kishin shkuar vëllezër. Hajde këqyreni me histori, mos bëni akuza të rreme. Nuk guxon të shash Milloshin e Rankoviçin, por shkon e shan veç myslimanët, sepse u bë modë të ofendosh Islamin. Te ne është modë”, ka thënë ndër të tjera Irfan Salihu, ish-imam i Xhamisë “Suzi Qelebiu”.

Vendimi për pezullimin e imamit nga Prizreni është marrë bazuar në nenin 45.1, 45.3 dhe 47.1 të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Kosovës, sipas të cilave Kryesia e BIK-ut drejton punët e veta, mbikëqyr punën e organeve e të institucioneve në territorin e vet.