Post mortum/ Ardhmëria e lumtur si ideal poetik

0
172

Dr. Hysni Hoxha

Hysni HoxhaNë pragun e pranverës, më 12 mars 2015, u ndamë, me pikëllim, nga poeti ynë i shquar, Qerim Ujkani. Gjatë studimeve, prej vitit l959 në Beograd, ai në Fakultetin e Drejtësisë, unë në Fakultetin Filozofik, në Katedrën e Letërsisë Botërore, dhe më vonë në Prishtinë, kemi qenë gjithmonë të pandarë. Njëzet vjet kemi punuar bashkë te Radio Prishtina, në redaksinë e kulturës ku ishte redaktor i emisioneve letrare. E kam pasur shok, mik besnik, si një vëlla që është në gjendje të sakrifikojë çdo gjë kur njeriu është ngushtë. Më se gjysmë shekull kemi kaluar bashkë. Kemi biseduar gjithmonë për letërsi, por edhe për çështje të fatit të kombit tonë shqiptar.

Krijimtaria letrare ishte trajtë e ekzistencës së tij. Gjatë këtyre muajve sëmundja e ndërpreu krijimtarinë e poetit Qerim Ujkani. Në ditët e fundit të jetës së tij më njohu sipas zërit. I molisur i çeli sytë, ma shtrëngoi dorën dhe shqiptoi fjalën e fundit të tij: “Poema”, është poezia e pambaruar e poetit tonë. Në atë çast me vështirësi u përmbajta. Mirëpo në mbledhjen komemorative, në Bibliotekën Kombëtare të Prishtinës, lotët ishin më të fuqishëm se natyra ime.

Te arkivoli, pranë truallit të hapur të Prishtinës, që e ka frymëzuar në krijimtarinë poetike, shkëlqenin rrezet e diellit. Në atë çast, befas më përshkoi një ndjenjë e kthjelltë dhe thashë: “Sot është dita me diell. Përmbledhja e vjershave të Qerim Ujkanit, botuar në vitin l983,titullohet: “Dielli që po e krijoj”. Dielli është simbol i jetës së shndritshme dhe të lumtur që poeti e ka ëndërruar”.

Synimi, malli, dashuria e flakët për një jetë të ëndërruar në poezinë e Qerim Ujkanit shfaqet, në përgjithësi, si preokupim themelor, që krijon linjën themelore të pandërprerë, e cila fillon në përmbledhjen e parë “Hullinat” dhe vazhdon e rritet e degëzohet në veprat e mëvonshme: “Deti ose poema e shqetësueme”, “Pagëzimet”, “Antisonete” etj.

Fati i kombi tonë, në krijimtarinë e gjatë të Qerim Ujkanit, shfaqet në trajtë kontrastike. Dhimbshëm evokohet e kaluara jonë tragjike nëpër shekuj të përgjakur. Por shfaqet edhe qëndresa, heroizmi, dhe shpresa për një të ardhme të lumtur, si në vjershën “Gjymtyrët e mia”: “Njëra dorë plot me kafka të vjetra,/Tjetra me lindje që i trokasin agimit”.

Në vjershën “Kthimi i ushtarit në shtëpi”, që titullohet edhe përmbledhja, botuar më l997, ushtari është personifikim i luftëtarit historik, nisur që nga lashtësia me ndjenjë trimërie, me mall dhe dashuri ndaj njerëzve dhe atdheut për të cilin lufton. Ushtari simbolizon luftën e pandërprerë heroike të qenies sonë kombëtare nëpër shekuj të ngjarjeve jo rrallëherë tragjike për të ruajtur qenien tonë kombëtare, që armiqtë kanë synuar ta zhdukin. Prandaj poeti Qerim Ujkani këndon:

“Kalo pra ushtar edhe ndonjë epokë”

Kjo bëhet me qëllim që të realizohet ëndrra jonë shekullore, ardhmëria e shndritshme, jeta e lumtur, që ka qenë ideali poetik i Qerim Ujkanit.

Në vjershën, “E një kohë, kohë dielli u pagëzua”, e përmbledhjes “Dielli që po e krijoj”, poeti këndon: “S’ ka kohë tjetër, përveç kohës së Diellit”. Kjo është ajo koha tjetër, koha e ëndërruar, koha e lirisë.

Udhërrëfyesi kah synimi, kah ideali poetik është vet gjaku i tij, vet kombi me të kaluarën dhe me të tashmen. Në atë udhëtim imagjinativ shfaqet vet poeti, udha e të cilit është vet kombi: “Kurrë nuk do ta dija rrugën time \ Sikur të mos ma tregonte gjaku im… Gjaku im, o gjaku im\ rrugë e pambarim”. Në preokupimin e gjerë tematik të udhëtimit shfaqet lëvizja, aksioni kah bukuria, ardhmëria e shndritshme dhe e lumtur, e cila është e largët, por prezente dhe fuqi joshëse në natyrën e këtij krijuesi, si në vjershën: “E fjetur je më e vërtetë se e zgjuar”: “Dëgjo sa bukur po këndon largësia\Zogjët të kanë zili’.

Një udhëtim i tillë imagjinativ strukturohet si një fuqi së cilës asgjë s’mund t’ia pengojë ecjen. Kjo vërehet lehtë edhe në vjershën “Në qoftë se” ku shfaqet dëshira dhe vullneti vetëmohues për të kërkuar idealin e vet, tekefundit edhe në një vend të shpikur në imagjinatën poetike: “Tash më duhet të kërkoj\ edhe një mal të ri\ që askush s’e di\ dhe të të kërkoj nëpër të si nëpër botë”. Aspekti tematik, ardhmëria si ideal poetik, për të cilin flitet në këtë punim, shfaqet në vjershat simbolike,si në vjershën ”Korriku” (“Deti ose poema e shqetsueme”), në ciklin “Sharkia e vrrinit” të përmbledhjes “Pagëzimet” etj. Vjersha “Korriku” evokon një ngjarje me rëndësi historike për fatin e qenies sonë dhe vendit tonë. Kjo vjershë fillon me vargun që përsëritet në fund: “I mbylli sytë me andrrue andrrën e të vdekunve”. Ky varg ndërlidhet asociativisht me vjershat e tjera të poetit, si me vjershën “Këngë hyrëse” (“Pagëzimet”) ku synimi i autorit është lidhur ngushtë me ëndrrën e të vdekurve, me lutjen e tyre. Një synim i tillë, në krijimtarinë e Qerim Ujkanit, identifikohet me aspiratat dhe idealet e luftëtarëve, që ishin viktimë e pushtuesve të huaj. Vlera kryesore e kësaj vjershe është shprehja figurative, që pushton lexuesin.

Vepra “Antisonete” fillon me ciklin “Udhëtimi” në të cilin strukturohen fjalët figurative, që kanë domethënie simbolike: gjaku, shkëndija, kështjella, zogu. “Shkëndija” është njëra ndër krijimet më të bukura poetike të përmbledhjes “Antisonete”. E tërë kjo vjershë është trajtuar prej përsëritjeve të fjalëve, paralelizmit, rimës së brendshme, që krijojnë një kontekst emotiv joshës: “A po shihni si po na i zgjon fjalët\ si po na ndriçon në vend të diellit\si po na e tregon rrugën\ deri te bukuroshja e fjetur në gur”.

Shkëndija si simbol haset edhe në vjershën:”Kur u nisa” ku identifikohet me zjarrin, me këtë element që evoko jetën, ekzistencën. Ajo njerëzit i rreshton në një radhë me zjarrin. Në të vërtetë ajo është dritë që ndriçon në vend të diellit, është udhërrëfyese e idealit poetik Vjersha “Parandjenja e pranverës” e veprës “Dielli që po e krijoj” është parandjenjë e ardhjes së jetës së ëndërruar, e jetës së lumtur. Ardhja e saj imagjinohet si ngjarje ngazëlluese, si festë madhështore ku “do të dridhet toka me fuqi magjike”.

Qerim Ujkani e ka shtruar seriozisht dhe me përgjegjësi shoqërore dhe kombëtare misionin lartë të poetit: “Vdekja jote më e tmerrshme\ është fjala që s’e di vaun e jetës\ kah ardhmëria e dritës” (“Deti ose poema e shqetsueme”). Në këto vargje është shprehur koncepti themelor i poetikës së Qerim Ujkanit, të cilit ai i qëndroi besnik gjatë tërë jetës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency