Në historinë e Juventusit, familja Anjeli është njëra prej atyre që ka bërë çmos për ta nxjerrë dhe më pas për ta mbajtur në elitën e futbollit italian formacionin torinez. Madje, për të arritur këtë objektiv, shpeshherë ata kanë thyer edhe rregullat. Për të vërtetuar një fjali të tillë, mund të shohësh veprimtarinë e Umberto Anjelit, presidenti që nuk kurseu asnjë lirë për Juventusin e tij të dashur.
Si për ironi të fatit, njëri prej personazheve që ka bërë historinë e Juventusit, është “tërhequr” më parë prej “armikes” numër një të “Zonjës së Vjetër”, Torinos. Ka qenë vetë “heroi” i Juventusit të pasluftës ai që deklaroi se pas një ndeshjeje kishte rrezikuar që të bëhej një tifoz i rivalëve aq të urryer të bardhezinjve. “Ndeshja e parë që kam ndjekur në stadium, ka qenë një takim në Romë dhe ku Torinoja fitoi 7-0. Që nga ai moment u apasionova pas skuadrës torineze. Por më tej, kur u ktheva në shtëpi, ndjeva se lidhjet e mia me Juventusin ishin më natyrale. Madje, m’u shpjegua më së miri se nga cila anë duhej që të qëndroja”. Në pranverën e 1946-ës, ky ishte kujtimi i parë rreth futbollit i atij që më pas do të ringrinte Juventusin. Ky është kujtimi i Umbertos, vëllait të Xhani Anjelit. Në atë kohë, të dy dallonin për mënyrën e jetesës që bënin. Umbertoja nuk ishte aq “glamur” sa vëllai i madh, por ndërkohë kishte talentin e tij sa i përket menaxhimit të biznesit.
I ri dhe i guximshëm
Umbertoja u emërua në krye të Juventusit kur ai ishte vetëm 21 vjeç. Edhe sot e kësaj dite ai mbetet presidenti më i ri në historinë e “Zonjës së Vjetër”. Për të, kjo ishte detyra e parë që mori dhe që në fund rezultoi se e kreu me mjaft sukses. Dhe si mund ta cilësosh ndryshe… kur ai vetë këmbënguli që të blinte dy kampionë si Çarls dhe Sivori (futbollisti nga Uellsi kushtonte në atë kohë 105 milionë lira, ndërkohë që argjentinasi vlente 180 lira). Umbertoja bëri një “luftë” të madhe me njerëzit që e rrethonin, pasi në atë kohë bliheshin lojtarë që më pas do të siguronin të ardhura. Një natë ai ndenji me orë të tëra me këshilltarin e vet, Valter Mandelin. Me këtë të fundit nuk reshtën së ecuri në sheshin “San Karlo”, pasi kishin frikë se e tërë bota e futbollit në Itali do të skandalizohej kur të merrte vesh se çfarë shifre do të jepte Juventusi për Omar Sivorin. Por ja që më i riu prej Anjelëve ishte guximtar dhe vendosi: “Nuk ndryshoj mendje. Do ta blej”.
Kampioni i trembur
Umberto Anjeli u tregua shumë i guximshëm dhe mori përsipër që të transportonte vetë kampionin. Kështu nga garazhi i shtëpisë në Novara e deri në qendër të Torinos, ai nuk reshti një minutë së dhëni gaz makinës, duke bërë kështu që Sivori të “ngjishej” pas sediljes ku ishte ulur. Me të zbritur nga makina, argjentinasi, i trembur, tha: “Asnjëherë nuk do ta mendoja se një ditë do të kisha më shumë frikë të udhëtoja me makinë sesa të udhëtoja me aeroplan”. Ndërkohë, Umberto Anjeli replikoi: “Kishim dy vite që po të prisnim”.
Rezultatet dhe konflikti i interesit
Falë merkatos së bërë, rezultatet erdhën shumë shpejt. Në 1958-n, Juventusi fitoi “scudetto”-n, ndërkohë që një vit më pas, Umbertoja “fitoi” edhe një ftesë speciale nga Federata Italiane e Futbollit. E kishin propozuar për president. Duhet thënë se edhe në këtë organizëm, ashtu si tek Juventusi, kishte shumë për të bërë. Dhe kështu ai nuk u tërhoq, duke marrë edhe atë rol të rëndësishëm të organizmit më të lartë futbollistik në Itali. Ai iu përkushtua Federatës. La mënjanë kopertinat dhe jetën mondane dhe iu fut kokë e këmbë detyrave që kishte tek Federata Italiane e Futbollit dhe tek Juventusi. Gjithsesi, pas një periudhe të vogël kohe, nuk munguan edhe polemikat që kishin të bënin me faktin se i njëjti person drejtonte si organizmin më të lartë futbollistik, ashtu edhe njërin prej klubeve më të suksesshëm të Gadishullit Apenin. Shpeshherë ai u akuzua për konflikt interesi.
Ylli mbi stemë
Një nga vendimet e para që mori Umberto Anjeli në krye të Federatës Italiane të Futbollit, ishte ai i të gjeturit të një ikone apo simboli që do të tregonte skuadrën që kishte fituar dhjetë kampionate, që për çudi ishte pikërisht Juventusi. Këtu pati fillimet e veta edhe ylli i famshëm, të cilin e qepin edhe sot e kësaj dite tërë skuadrat e Serisë A çdo dhjetë tituj që marrin. Në atë kohë, dukej sikur Umberto Anjeli ua kishte qepur vetë yllin fanellave të bardhezi të “Zonjës së Vjetër”.
Fillimi i armiqësisë
Në kohën kur ka qenë pikërisht Umberto Anjeli president i Juventusit dhe i Federatës Italiane të Futbollit, ka filluar edhe armiqësia (që ende nuk ka mbaruar) midis skuadrës torineze dhe Interit. Në vitin 1960 dhe në 1961, “Zonja e Vjetër” fitoi edhe dy kampionate të tjera. Këto triumfe të bardhezinjve u njollosën nga sherret e panumërta që u bënë në atë kohë. Madje, njëherë “Zonja e Vjetër” hyri në konflikt edhe me “princin” e arbitrave, Konçeto lo Belon (është arbitri që ka drejtuar më shumë takime në Serinë A, plot 328 të tilla). Lo Belo shkoi deri aty sa u detyrua që t’i nxirrte të kuqin Umberto Anjelit, teksa ky i fundit qëndronte në dhomat e zhveshjes. Në atë periudhë filloi edhe armiqësia me Interin. Në fakt, kampionati i fundit i fituar prej Anjelit si president i Juves dhe i Federatës Italiane të Futbollit, koinçidoi me skandalin e fundit që ndodhi në ato vite. Gjykata Federale e Apelit, pas presionit të bërë nga presidenti Umberto, vendosi që të riluhej ndeshja midis Juventusit dhe Interit, e cila kishte përfunduar 2-0 për zikaltrit. Ky organ vendosi një gjë të tillë, pasi në atë takim publiku kishte zbritur shumë pranë fushës (në atë kohë ishte normale). Dhe kështu, në formë proteste, zikaltrit dërguan në Torino skuadrën e të rinjve, që më pas u mundën prej Juventusit me rezultatin e thellë 9-1. Në këtë takim, Interi shënoi nga pika e bardhë e njëmbëdhjetëmetërshit falë një talenti si Sandro Macola (i biri i Valentinos), ndërkohë që nga ana tjetër luajti për të fundit herë më fanellën bardhezi një lojtar i madh si Xhampiero Boniperti.
Lamtumira dhe polemikat e reja
Umberto Anjeli la presidencën e Juventusit pas edicionit 1961-1962, kur skuadra në fjalë rrezikoi që të binte nga kategoria. Umbertoja u “divorcua” prej “Zonjës së Vjetër” në mënyrën të keqe të mundshme. Në ato vite, shpërthyen polemika të reja. Të shumtë ishin ata që akuzuan Umberton për një vendim që kishte marrë sa i përket merkatos. Ai ndryshoi rregullat e futbollit në Itali. Lejoi që lojtarët që ishin aktivizuar me skuadrat e veta, mund të ndërronin ekip dhe kështu të aktivizoheshin për skuadra të tjera. Falë këtyre ndryshimeve, bardhezinjtë përfituan shumë, pasi morën një lojtar si Mora. Edhe në këtë rast u përfol shumë se pas tërë kësaj meseleje ishte pikërisht Umberto Anjeli.
Rikthimi dhe triada (famëkeqe)
Doktor Anjeli u rikthye tek Juventusi në ‘90-n. Kjo gjë erdhi pasi rikapitalizimi që u udhëhoq prej Enriko Kuçias i preu rrugën drejt presidencës së Fiatit Umbertos. Kështu, në njëfarë mënyre ky i fundit “u dëmshpërblye” me rolin që mori tek Juventusi. Ai u vu sërish president i kësaj skuadre dhe më pas formoi edhe triadën e famshme që përbëhej prej Xhiraudos (ishte sekretar personal i Umbertos), Moxhit dhe Betegës. Në Itali Juventusi fitoi shumë me Lipin si trajner (pesë kampionate), ndërkohë që në Evropë nuk pati shumë sukses. Gjatë presidencës së tij, Juventusi u fut në bursë si dhe u shqua si një skuadër që maksimalizonte me shitjet që bënte. Po në atë kohë lindi edhe ideja e stadiumit të ri, i cili vetëm pak muaj më parë u përurua. Pra, Umbertoja ishte krejt e kundërta e të vëllait, Xhani. Në Itali shpeshherë prej gazetarëve është hedhur edhe një ide paksa ngacmuese: Avokati (njihej në Torino, Xhani) me Juven luajti ndërkohë që Umberto me Juven punoi…?