Teknologjia me trajtim termal solli shpërthimin e puseve të Bankers Petroleum

0
186

Ervin Kaduku

shpërthimin e puseve të Bankers Petroleum –  Shteti, “memec” për katastrofën e Marinzës, nuk publikon rreziqet, ndërkohë që lejon aktivitetin masiv të puseve me avull, edhe pas pezullimit të licencës

–  Sipas Qendrës Shëndetësore të Zharrëzës, vitet e fundit rastet e kancerit janë shtuar me 6% në këtë zonë për shkak të ndotjes

Këto ditë, pas katastrofës ambientale dhe pasurore për banorët e zonës së Zharrëzës në Fier, që nuk është hera e parë që ndodh, zëdhënësit e kompanisë kanadeze Bankers Petroleum nxituan të zbutin përmasat e incidentit teknologjik, duke folur për “gaz të ëmbël” dhe situatë aspak të rrezikshme për jetën e njerëzve. Por ajo që harrohet qëllimisht të thuhet për publikun është se futja nga Bankers Petroleum e teknologjisë së re të nxjerrjes së naftës me trajtim termal ka sjellë rreziqe të shtuara të shpërthimit të puseve. Sipas një studimi të P. Jordan (Kaliforni), këto lloj pusesh gjatë shpimit kanë një rrezik në masën 1 në 1.700 puse që të shpërthejnë, kurse puset pa trajtim termal kanë 1 në 2.500 puse probabilitet për të shpërthyer. Presioni dhe vëllimi i avullit janë faktorët që shtojnë rrezikun e shpërthimeve në këto puse.

Sipas autorëve të studimit, shpërthimet nga toka, jo nga koka e pusit (siç ndodhi në Marinëz), ndodhin vetëm me puset me trajtim termal.

 

Kompania

Bankers Petroleum ka arritur të rrisë prodhimin e naftës me 10% në vit në saj të teknologjisë së trajtimit termal dhe të puseve horizontale. Por këto teknologji njëkohësisht kanë shtuar dhe dëmet në zonat e shpimit, ku kanë shkaktuar tërmete, shpërthime e ndotje nga gazi, nafta e kimikatet e përdorura për nxjerrjen e tyre. Shpërthimi i fundit ndodhi shtator, në Verri, kur u evakuuan dhe banorët e zonës.

Shpërthimi i këtyre ditëve do t’i shtojë më shumë problemet shëndetësore të banorëve të zonës, të cilat janë të shpeshta për shkak të ndotjes së pranishme. Sipas ekspertit të mjedisit Lirim Selfo, nafta shqiptare është e pasur me squfur, i cili kur përzihet me ujin kthehet në acid sulfhidrik (H2S). Sipas tij jo vetëm nafta, por dhe gazi ka përmbajtje squfuri. Ky acid është shumë ndotës dhe do të ngelet në sipërfaqe në qoftë se nuk pastrohet.

 

Sëmundjet

Në raportin për monitorimin e ajrit të Drejtorisë Rajonale Shëndetësore Fier, të vitit 2014, nivelet e ndotjes së ajrit në zonë ishin përtej normave të lejuara edhe përpara shpërthimit. Në zonat e ndotura nga nafta e gazi ka shpeshtësi të shtuar të sëmundjeve nervore, neurologjike, të frymëmarrjes e të kancerit. Sipas Qendrës Shëndetësore të Zharrëzës, vitet e fundit rastet e kancerit janë shtuar me 6% në këtë zonë për shkak të ndotjes. Sipas një specialisteje të një klinike ortopedike në Tiranë, ku vizitohen pacientë nga e gjithë Shqipëria, ka shumë raste me sëmundjen e rrallë neurologjike të siringomielisë, që vijnë nga zona e Patos-Marinzës e Ballshit.

 

Heshtja

Komiteti i Helsinkit disponon informacion nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) mbi gjendjen e shëndetit publik në zonën e Patos-Marinzës, por vetë ISHP-ja këtë informacion nuk e ka publikuar në faqen e internetit. Në përgjithësi ISHP-ja nuk ka asnjë publikim mbi shëndetin publik në zonat e prekura nga ndotja nga aktivitetet industriale, megjithëse opinioni publik është shumë i ndjeshëm ndaj këtij fenomeni. Raportet mbi shëndetin publik të ISHP-së përmbajnë informacione sipas qarqeve, pa dalluar brenda tyre zonat e prekura nga aktivitetet industriale.

Ndërkohë Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, një institucion tjetër ku mund të merret e jepet informacion për situatën mjedisore në zonë, është edhe më konfidencial në komunikimet e veta: nuk ka faqe interneti, nuk ka numra telefoni të publikuar në faqen e Ministrisë së Mjedisit.

Mospublikimi i informacionit mbi pasojat mjedisore e shëndetësore të nxjerrjes së naftës, nuk i ndihmon aspak banorët e prekur, të cilët ndjehen të vetmuar në fatkeqësinë e tyre e të pafuqishëm për t’u mbrojtur.

 

Athina pritet të taksojë 26% importet nga Shqipëria

Greqia ka në plan të vendosë një taksë ndëshkuese prej 26 për qind mbi të gjitha importet nga Shqipëria dhe një sërë vendesh të tjera, të cilat kanë taksa të ulëta mbi fitimin. Lajmi, i bërë publik në mediat greke, por jo vetëm, ka shkaktuar shqetësim në disa vende njëherësh, të cilat janë pjesë e listës të atyre që do t’i nënshtrohen taksës.

Qeveria e radikalëve të majtë thotë se, përmes kësaj mase, synon të luftojë evazionin, duke parandaluar atë që njihet si fenomeni i “trekëndëshit të tregtisë”. Sipas kësaj skeme, mallrat që kompanitë greke i blejnë me çmime të ulëta jashtë vendeve të BE-së, si Kina apo ndonjë tjetër, nuk i importojnë drejtpërdrejt në Greqi, por fillimisht i shesin ato në mënyrë fiktive tek një vend i tretë, që ka taksa më të ulëta.

Pra, nëse një kompani greke blen në Kinë një mall me kosto totale prej 100 eurosh dhe e shet atë në Greqi për 200 euro, diferenca prej 100 eurosh do t’i klasifikohet si fitim dhe do të taksohej me 26 për qind, aq sa është norma e tatim-fitimit në Greqi. Por, nëse të njëjtin mall kompania e shet më parë fiktivisht tek vendi i tretë për 190 euro, ajo zhvendos pjesën dërrmuese të fitimit tek ky vend, ku taksa është më e ulët dhe në Greqi taksohet vetëm për diferencën 10 euro.

Qeveria greke thotë se, për të shmangur këtë fenomen, të gjitha importet nga vendet e listuara sipas saj me taksa të ulëta do të taksohen me 26%. Megjithatë, kompanitë mund ta marrin këtë pagesë mbrapsht vetëm pasi të kenë provuar se mallrat që kanë importuar nuk janë pjesë e kësaj skeme.

Por, pavarësisht kësaj, nisma ka shqetësuar fort një sërë vendesh. Në listë, përveç Shqipërisë, ndodhen Bullgaria, Maqedonia, Irlanda, por edhe Qiproja, të gjitha vende, të cilat kanë një normë më të ulët të tatim-fitimit se sa Greqia. Bullgaria sakaq e paditi zyrtarisht nismën në Komisionin Evropian, duke e klasifikuar atë si një masë që cenon tregtinë e lirë dhe vetë traktatin e BE-së.

Sipas ministrisë Shqiptare te Zhvillimit Ekonomik, ajo është vënë në dijeni për një plan të tillë, por qeveria greke rezulton se ende nuk ka një dokument zyrtar. Vendosja e një takse prej 26 për qind do të dekurajonte, në fakt, eksportet shqiptare drejt Greqisë, të cilat vitin e kaluar llogariteshin në rreth 9 miliardë lekë ose 64 milionë euro.

 

Greqia para orës “X”

Bisedimet mes Greqisë dhe kreditorëve po i afrohen orës “X”, që mund të jetë edhe pas një jave. Ka patur deri tani sinjale për një prishje të marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe të një plani “B” hipotetik për të blinduar sistemin bankar dhe futur valutë paralele, dhrahminë e dikurshme. Por këto skenarë u përgënjeshtruan menjëherë zyrtarisht nga Ekzekutivi helen. Ministri i Financave po vijon bisedimet për reformat përpara takimit të ekspertëve teknikë të së mërkurës, duke tentuar një shpejtësi më të madhe përpara Evropës, e cila, si gjithnjë, bën thirrje për qetësi. Ndërkaq, kryeministri Tsipras po përgatitet të kryejë një vizitë në Moskë, ku do të takohet me presidentin Putin, i cili është i interesuar për të hequr embargon e ndërsjellë me Perëndimin, por që nuk mund të ndihmojë financiarisht Greqinë. Sipas analistëve, takimi mund të jetë një gjest simbolik për të lehtësuar embargon ndaj importeve të produkteve ushqimore greke.

Ndërkohë, qeveria e Greqisë deklaroi se është e gatshme të paguajë brenda 9 prillit detyrimet që rrjedhin nga borxhi i dhënë prej kreditorëve. Por mediat perëndimore vijojnë të nënvizojnë se Greqia nuk ka mundësi reale të paguajë këstin prej 458 milionë eurosh që i detyrohet Fondit Monetar Ndërkombëtar, pavarësisht nga çka pretendon. Gazeta gjermane “Der Spiegel” shkruan se në telekonferencën e fundit me teknicienët e Eurogrupit përfaqësuesi grek kishte kërcënuar stafin e FMN­-së të pranishëm në Athinë dhe në vijim përfaqësuesit e këtij institucioni janë të gatshëm për t’u larguar përgjithmonë nga vendi. Megjithatë, i menjëhershëm erdhi edhe përgënjeshtrimi i Ministrisë së Financave të Athinës, sipas të cilës Athina e ka vlerësuar pozitivisht punën e personelit të FMN-­së dhe largimi i stafit të këtij institucioni lidhet vetëm me pushimet për festën e Pashkëve dhe mbledhjeve të FMN-­së që pritet të zhvillohet javën e ardhshme në kryeqytetin amerikan.

 

Monitor: 28 për qind e kompanive në Shqipëri drejtohen nga femrat

Revista e specializuar “Monitor” ka paraqitur këto ditë renditjen e kompanive më të mëdha në vend, të cilat janë në pronësi të femrave, të paktën në 30% të aksioneve dhe që realizojnë qarkullim vjetor mbi 3 milionë euro në vit.

Numërohen me pikatore, në pjesën më të madhe qëndrojnë në hije, megjithatë kanë treguar se kur është fjala për të menaxhuar një biznes, ndonjëherë ia arrijnë edhe më mirë se meshkujt. Janë 27.8% të ndërmarrjeve aktive gjithsej në vend, që menaxhohen nga femrat, sipas regjistrit të fundit të ndërmarrjeve të vitit 2013, publikuar nga INSTAT. Sipas përpunimit të të dhënave nga Qendra e Kërkimit “Monitor”, nga 600 kompanitë më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor, 50 prej tyre, ose 8%, janë të paktën 30% në pronësi të femrave. Nga këto, 20 sipërmarrje janë 100% në pronësi të femrave; 17 zotërohen në mbi 50% të aksioneve dhe 13 kompani janë 30-50% në pronësi të femrave.

Në renditjen e 50 kompanive më të mëdha me pronare femra mbizotëron sektori i tregtisë me pakicë e shumicë, si dhe i shërbimeve. Më pas vijojnë kompanitë e farmaceutikës, një sipërmarrje që përgjithësisht preferohet nga femrat. Nuk mungojnë as bizneset e vështira, si tregtia e naftës, apo dhe ndërtimi.

 

Projekti: Me makinë nga Rusia në Alaskë!

Një inxhinier rus ka ideuar projektin më ambicioz të kohëve të fundit: një autostradë që lidh kontinentin e vjetër me atë të ri. Kostot do të jenë shumë të mëdha, por do të hapeshin edhe shumë mundësi punësimi

Në dhjetëvjeçarët e fundit, kur flitet për pushime, më shumë zgjedhin avionët si alternativë të parë midis llojeve të tjera të transporteve. Pavarësisht se mes kompanive të fluturimit ka shumë konkurrencë, avantazhi që fitohet pavarësisht stresit fillestar, i shpenzuar për të organizuar udhëtimin, është se në pak orë mund të arrihet një destinacion i caktuar me shumë komoditet dhe pa kurrfarë lodhje.

Udhëtimi me makinë tashmë ka humbur atë madhështinë karakteristike të së kaluarës dhe në ditët e sotme duket se po bëhet më i shtrenjtë për paratë dhe veçanërisht për kohën: benzina, autostrada, tarifat, ndalesat, ngrënia, shërbimet e makinës etj.

Megjithatë, jo të gjithë po shkojnë pas furisë së shekullit XXI: ka ende njerëz që preferojnë të kalojnë pushimet e tyre në mënyrën e vjetër. Një shembull i tillë është shpikësi rus, që po projekton një autostradë për të lidhur Londrën me Nju Jorkun.

Një rrugë që lidh kontinentin e vjetër me kontinentin e ri është ëndrra në sirtar e Jack Kerouac, autori i “On the road”, në të cilën themeluesi i “Beat Generation” viziton rreth e qark Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u spostuar në këmbë dhe duke bërë autostop. Tashmë, kjo është edhe ëndrra e presidentit të hekurudhave ruse, Vladimir Y., i cili projektin e tij ia ka prezantuar mediave lokale dhe atyre amerikane.

Projekti i inxhinierit parashikon një rrugë të asfaltuar së bashku me një rrjet hekurudhor që përshkojnë Evropën, Azinë, ujërat e kanalit të Beringut dhe përfundojnë sërish në tokë, në territorin amerikan të Alaskës. Pastaj vazhdon nëpër hapësirën e madhe të Shteteve të Bashkuara duke përfunduar në bregun lindor të Nju Jork Sitit, një rrugë gati 20 mijë kilometra.

Kjo do të jetë autostrada më e gjatë në botë, duke qenë se është dyfish më e madhe se sa hekurudha Transsiberiane (10 mijë km), e cila aktualisht mban rekordin në këtë pjesë.

Ky që duket si një projekt i parealizueshëm, në të vërtetë është shumë ambicioz: jo vetëm që do të bëjë të mundur lidhjen e dy kontinenteve, por gjatë realizimit të tij do të ofrojë edhe shumë mundësi punësimi. Duke nisur që nga ata që do të merren me ndërtimin e vetë autostradës, do të nevojitet personel për gjetjen dhe prodhimin e vajit, të gazit, të elektricitetit dhe të ujit.

Për t’i dhënë jetë një projekti të tillë do të ishte e nevojshme që të hapeshin industri të reja dhe qytete, si rrjedhojë vende të reja pune që më në fund do të përbënin fillimin e erës së re të zhvillimit edhe në një zonë të tillë si Siberia, që vazhdon të jetë e izoluar tërësisht nga pjesa tjetër e botës. Sipërmarrësi, megjithatë, nuk i ka marrë ende parasysh pasojat politike dhe ekonomike: Rusia do të fitonte një fuqi të padiskutueshme në fushën e industrisë dhe do të ishte qendra e botës, por e thënë nga një rus, nuk mohohet se globalizmi, deri më tani, është krijuar nga Perëndimi.

Inxhinieri mbështetet nga Akademia Ruse e Shkencave dhe nga Universiteti Shtetëror i Moskës, por për sa u takon kostove të kësaj sipërmarrjeje, ai është ende në gjurmët e investitorëve: është përllogaritur se shifra për këtë investim shkon në triliona dollarë, por, nga ana tjetër, merret parasysh edhe një kthim fitimi më i madh. Presidenti i Akademisë deklarohet në favor të tij: “Projekti është shumë ambicioz. Mund të udhëtohet me një tren të shpejtësisë së lartë nga Gadishulli Çiukçi, zonë në fund të Azisë Lindore, nëpër ngushticën e Beringut për ta gjetur veten pas disa orëve në territorin amerikan.

Natyrisht që ky është edhe një projekt shumë i kushtueshëm, por do të zgjidhte problemet që karakterizojnë zhvillimin botëror”. Në këtë gjë madhështore do të mund të përfshihen shumë ente: organizatorë të zhvillimit social, institucione për kërkimet shkencore etj. Pra, nëse ky projekt i inxhinierit rus do të mund të realizohet së shpejti, atëherë banorët aktualë të Tokës, do të mund të jetojnë një epokë gjigante zhvillimi teknologjik. Nëse jo, pasardhësit tanë do të jenë më fatlum.