Pas fitores 9-1 është rikthyer besimi brenda kampit galaktik, teksa të gjithë besojnë se do të mund të rikthehen në garë për titullin kampion
Fitorja tenistike e Realit të Madridit duket se ka rikthyer edhe besimin te skuadra e Ançelotit që tashmë mendon të marrë në dorë fatin e saj në kampionat dhe në Ligën e Kampioneve. Pas fitores kanë folur edhe disa nga aktorët kryesorë të ekipit. Legjenda e Realit të Madridit, Fernando Hierro, beson se “mbretërit” kanë gjithçka që u nevojitet për ta fituar titullin e Ligës së Kampioneve edhe këtë sezon. Asnjë skuadër nuk e ka fituar dy herë radhazi trofeun e kësaj gare (në formatin e ri), ndërsa “Los Blancos” në çerekfinale kanë punë me Atletiko Madridin. “Mendoj se skuadra aktuale mund të shkojë në një rrugë të suksesshme ashtu siç bëmë në fund të nëntëdhjetave dhe në fillim të viteve 2000. Ata janë të fortë dhe kanë vetëbesim, ndërsa në edicionin e kaluar fituan një finale shumë të ngushtë të Ligës së Kampionëve. Të gjitha rekordet janë vënë për t’u thyer. Të gjithë janë pesimistë se nuk ka klub që e ka fituar radhazi Ligën e Kampionëve, por unë mendoj se jemi një skuadër shumë e fuqishme me një trajner të shkëlqyer që na udhëheq. Dëshira për të qenë kampionë të Evropës është në ADN-në e klubit”, – ka thënë Hierro për faqen zyrtare të UEFA-s. I të njëjtit mendimi është edhe Xhejms Rodrigez që shprehu besimin se skuadra e tij ende është në garë për t’i fituar të gjitha ndeshjet e mbetura këtë sezon. Talenti kolumbian njëkohësisht edhe zbulimi më i madh i Brazil 2014, është shndërruar në një lojtar thelbësor për “Los Blancos” dhe diçka të tillë nuk e themi ne por e thonë statistikat. Ndaj Granadës Xhejms Rodrigez qëndroi në fushë për 60 minuta dhe në momentin që ai u zëvendësua nga Heze tifozët e Realit u ngritën të gjithë në këmbë për ta duartrokitur. Kolumbiani nuk realizoi në këtë sfidë por u shfaq në një formë të jashtëzakonshme duke ndihmuar skuadrën të arrinte një fitore të thellë. “Jam i lumtur. Pas 60 ditësh qëndrimi jashtë fushe kisha një ndeshje të rëndësishme”, – ka thënë kolumbiani para gazetarëve. “Ne të gjithë jemi në formë tashmë dhe ky është një lajm i mirë nëse duam të arrijmë gjëra, pavarësisht kush luan. Ne kemi atë çfarë duhet për të fituar nga tani deri në fund të sezonit. Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe ndeshja kundër Atletiko Madrid në Ligën e Kampionëve do të jetë e veçantë, pasi duam t’i mposhtim ata dhe ta fitojmë garën”, – ka shtuar Rodrigez. Ndërsa mbrojtësi spanjoll i kryeqytetasve lvaro Arbeloa është shprehur se Real Madrid e ka për detyrë të fitojë të gjitha nëntë ndeshjet e mbetura në ligë, edhe pse pranon se kjo nuk do të jetë e lehtë. “Ne shpresojmë t’i ftojmë të gjitha ndeshjet nga tashmë deri në fund të sezonit. Kjo është ajo çfarë duam, por e di se do të jetë e vështirë”, – ka deklaruar Arbeloa. “Megjithatë, Barcelona ka ndeshje më të vështira se ne dhe historia ka treguar se ju ndonjëherë humbni pikë kur më së paku e prisni. Ne tashmë kemi dy ndeshje para se të përballemi me Atletiko Madrid në Champions League dhe duam të shkojmë atje në formë të mirë, andaj duhet t’i mposhtim Rayo Vallecanon dhe Eibar”, – ka shtuar spanjolli.
Goditja e autobusit të Fenerbaçes, ndërpritet kampionati turk
Superliga Turke është ndërprerë. Kategoria kryesore e futbollit turk ndalet për një javë pas të shtënave me armë zjarri ndaj autobusit të Fenerbaçes që transportonte skuadrën pas fitores 5-1 ndaj Rizesport të shtunën e kaluar. Gjatë atentatit u plagos shoferi i klubit të Fenerbaçe. Ndalja e Superligës u bë e ditur nga Federata Turke e Futbollit pas një mbledhjeje me ministrin e Sportit, Akif Cagatai Kilic. Të shtunën e kaluar autobusi me të cilin udhëtonte skuadra e Fenerbaçes për t’u kthyer nga fusha e Rizesporit u sulmua nga një grup njerëzish të armatosur që hapi zjarr duke plagosur në fytyrë shoferin. Për fat të mirë, lojtarët dhe drejtuesit e skuadrës nuk u dëmtuan. Zërat e parë, edhe pse të pakonfirmuar nga burime zyrtare, hedhin hipotezën e një përfshirjeje të mundshme në këtë akt nga tifozë të Trabzonsporit, rivalë të egër të Fenerbaçes. Pas ngjarjes klubi i Fenerbaçes bëri të ditur nëpërmjet një komunikate në të cilin shprehej se nuk do të luante deri sa të zbulohej e vërteta në lidhje me aktin që e denonconte si një tentativë për vrasje. “Gjetja dhe ndëshkimi i fajtorëve është me rëndësi jetike, përndryshe është e pamundur që të ecet përpara”, – shkruante në qëndrimin e saj Fenerbaçe.
Humels: Për të ardhmen vendos shpejt
Mbrojtësi i Borusias së Dortmundit, Mats Humels, ka deklaruar se e ardhmja e tij do të kuptohet në javët e ardhshme. 26-vjeçari javë më parë ka konfirmuar se është duke e menduar një largim të mundshëm nga “Signal Iduna Park”, mirëpo ka hedhur poshtë lajmet se ka marrëveshje për t’iu bashkuar Mançester Junajtid. “Nuk do të thotë se unë jam duke u larguar, kjo do të thotë vetëm se jam duke reflektuar”, – ka thënë gjermani për “Sky Sports” pas humbjes ndaj Bajernit. “Nuk ka ndonjë tendencë të veçantë për këtë, janë thjeshtë mendime që më shkojnë ndërmend. Mirëpo, gjithçka do të bëhet më e qartë në javët e ardhshme”, – ka shtuar Humels.
Bartomeu: Ksavi mund të qëndrojë
Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka thënë se Ksavi Hernandez mund të qëndroj në skuadrën e Barcelonës nëse dëshiron. “Ksavi është i nevojshëm për ne, dhe mesfushori më i mirë në historinë e klubit tonë”, – ka thënë Bartomeu. “E dimë së ka qenë në Katar, por jo edhe arsyen. Ai e di së mund të qëndroj edhe një vit tjetër, ose të largohet”, – ka shtuar ai. Barcelona e cila është e para në Spanjë, të dielën mbrëma me shumë mund arriti ta mposhtë ekipin e Selta Vigos. Mesfushori Ksavi ishte pikë kthyese në ndeshjen e Barcelonës.
Alegri këshillon skuadrën: Kujdes nga Salah!
Tekniku juventin, Masimiliano Alegri, ka pohuar edhe një herë se Mohamed Salah do të jetë rreziku kryesor i Fiorentinës në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës së Italisë në “Artemio Franchi”. Egjiptiani po kalon formë të jashtëzakonshme qëkur kaloi te vjollcët nga Çelsi dhe ishte lojtari kryesor në fitoren e ndeshjes së parë në Torino (1-2). “Salah? Ai është lojtar i mirë. Fiorentina ka bërë një transferim të shkëlqyer. Ne duhet ta përmbysim rezultatin në Firence. Nuk do të jetë lehtë, prandaj na duhet një lojë inteligjente. Për t’i përmbysur gjërat duhet të fitojmë duke shënuar më shumë se dy gola. Duhet të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të kemi mendjen e qetë”, – ka deklaruar Alegri.