Ka munguar ndërhyrja e strukturave në ndihmë të banorëve të përmbytur në Fier, ndërsa në rrugët e mbuluara me borë nuk ka pasur borëpastruese për disa orë
Kanë mjaftuar pak orë reshje shiu, duke sjellë sërish përmbytjet në vend. Këtë herë ato nuk kanë qenë të rënda, por kanë shkaktuar probleme të shumta në zona të ndryshme të vendit. Por jo vetëm reshje shiu. Ky dimër i vonë ka sjellë edhe reshje dëbore, që në zonat e Korçës, Kukësit dhe Dibrës kanë qenë të konsiderueshme, duke sjellë edhe probleme në qarkullimin e makinave. Kështu, banorët e zonës tek ish-këneta në Durrës kanë bërë thirrje për ndihmë, duke shtuar se askush nuk po u shkon në ndihmë, për shkak se institucionet janë pushim. Ata theksojnë se uji ka hyrë tashmë në banesat e tyre apo edhe në disa biznese. Durrësi për minuta të tëra është mbuluar nga uji, që ka arritur edhe trotuaret në lagjet 14, 17, 18 dhe në afërsi të stacionit të trenit. Shkak për këtë situatë është bërë mosfunksionimi i rrjetit të kanalizimeve. Ndërkohë që në Fier, lumi Gjanica ka dalë nga shtrati duke përmbytur edhe disa prej banesave që janë ndërtuar pranë tij. Lagjet e përmbytura deri tani në Fier janë “1 Maji” dhe “Konferenca e Pezës”.
Reshjet e dëborës
Ndërsa Shqipëria e Mesme has problemin e përmbytjeve për shkak të reshjeve të shiut, në Veri problematika lidhet me reshjet e dëborës. Rrethet Kukës dhe Has nuk janë furnizuar me energji elektrike dhe shkak është bërë një defekt në linjën 110 kW që vjen nga Fushë-Arrëzi. Aktualisht trashësia e borës në qytetet e Kukësit dhe Krumës është 20 centimetra, ndërkohë që në zonat malore ka arritur deri në 45 cm. Mësohet se Tropoja ka më pak reshje dhe furnizohet me energji. Rruga e Kombit është e qarkullueshme, pa zinxhirë, ndërkohë që në rrugët rurale qarkullimi bëhet me zinxhirë. E bllokuar është Komuna Arrën, Kalis, Grykë Çaje. Në qarkun e Korçës, edhe sot kanë vijuar reshjet e borës, deri tani nuk ka problem në akset nacionale. Ndërkohë që në vendet malore trashësia e borës arrin deri në 15 centimetra. Reshje intensive bore ka edhe në Qafë-Thanë, Qafë-Plloçë dhe në Dardhë. Reshjet e dëborës mbrëmjen e djeshme kanë përfshirë edhe qarkun e Dibrës, ku dëbora shkoi deri në 20 centimetra.
Reshjet, probleme me energjinë
Reshjet intensive të shiut të mbrëmjes së djeshme rikthyen përmbytjet në zonat që përshkon lumi Gjanica në qytetin e Fierit. Më kritike situata është në lagjet “1 Maji” dhe “Konferenca e Pezës”, ku uji ka hyrë në katet e para të disa banesave dhe subjekteve tregtare. Kjo tablo tashmë është bërë e njohur për banorët e kësaj zone, të cilët sërish nuk ngurrojnë t’i bëjnë thirrje qeverisë të ndërhyjë. Reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar mjaft probleme edhe në qytetin e Elbasanit dhe zonat përreth, teksa në Librazhd, si pasojë e motit të keq, është shkëputur energjia elektrike. Aktualisht në këtë qark nuk raportohet për zona të bllokuara. Probleme me motin e keq ka pasur edhe në Lezhë, Krujë, Korçë dhe Vlorë.
Probleme me energjinë
Mijëra banorë të 10 fshatrave në komunat Zejmen dhe Kolsh në Lezhë e kanë kaluar festen e Pashkëve në errësirë të plotë. Prej 24 orësh këto zona janë në errësirë të plotë, ndërsa ende nuk dihen arsyet e mungesës së saj. Energjia elektrike në komunat Kolsh e Zejmen është ndërprerë qe prej ditës së djeshme dhe ka vijuar të mungojë edhe gjatë ditës së sotme. OSHEE në Lezhë nuk ka bërë asnjë njoftim për shkaqet e mungesës së energjisë apo kohës se kur ajo do të rikthehet. Ky institucion nuk asnjë përgjigje as për mediat, në fakt sepse e hëna është ditë feste dhe zyrtaret e kanë pushim, megjithëse pasojat i vuajnë konsumatorët. Shkak për këtë situatë është bërë një defekt në rrjetin elektrik për rregullimin e të cilit po punojnë punonjësit e OST. Në orët e pasdites mësohet se energjia elektrike është rikthyer në zonat ku kishte probleme.
Shiu do të vazhdojë edhe nesër
Çadrat do t’ju duhen deri në mesjavë. Reshjet e shiut pritet të mos ndalen deri ditën e mërkurë, ndonëse sipas shërbimit “Meteoalb” do të kenë intensitet më të ulët. Vlerat e termometrit pritet të bien. Ditët me diell parashikohet që të rikthehen vetëm të enjten. Mot të tille me reshje të dendura shiu në qendër dhe dëborë në zonat malore në muajin prill vendi ynë nuk e ka përjetuar që prej shumë vitesh. Hera e fundit ka qenë viti 1996. Ndonëse ndryshe nga atëherë, meteorologët vërejnë se sasia e reshjeve që përllogaritet të bjerë gjatë një muaji në zona të caktuara në sasi të afërt ka rënë për 24 orë. Problematike gjatë paradites së djeshme është paraqitur pjesa veriore dhe qendrore e vendit ndërsa pasdite zonat jugore, të cilat kanë rënë me intensitet më të lartë.
Shembje në Rrugën e Kombit, probleme me një korsi
Shembjet në Rrugën e Kombit kanë ndodhur edhe gjatë paradites së djeshme, ndërkohë që është rritur ndjeshëm rreziku për aksidente si pasojë e këtyre shembjeve. Pas shembjeve masive në segmentin Kukës-Fushë-Dukagjin, në zonën e Kukësit, rrëshqitjet kanë filluar edhe në zonën e Mirditës, madje në këtë të fundit situata paraqitet edhe më e rëndë. “Sërish ka ndodhur rrëshqitje masivi shkëmbor në Rrugën e Kombit. Në vendin e quajtur Kolsh 7 km nga Kukësi ka ndodhur një shkarje masive qe ka bllokuar njërën korsi të rrugës”, – kanë bërë të ditur burimet zyrtare nga Autoriteti i Rrugëve në Shqipëri. Kjo drejtori në bashkëpunim me Drejtorinë e Rajonit Verior dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Kukës ka marrë masa për menaxhimin e trafikut dhe vendosjen e sinjalistikës së nevojshme. Kalimi bëhet në një korsi dhe janë marrë masat për ndërhyrjen dhe heqjen e masës shkëmbore. Ndërkaq mësohet se, drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes me respektimin e sinjalistikës. Mjetet që shkojnë në drejtim të Kukësit i bien nga rruga e vjetër, ndërsa udhëtimi nga Kukësi në drejtim të Tiranës bëhet në rrugën normale.