Mbledhjet Shqipëri-Kosovë te Komisioni i Jashtëm

0
153

Gëzim Saliu

 komisioni-i-jashtem“Lufta” me Bushatin, Dade debat me zv.ministren. PD: Rama gënjeu për diplomat në Preshevë

 Batutat në Komision, Islami: Po Blushi pse s’paska ardhur sot? Bëri edhe deklaratë të fortë

Marrëveshja për njohjen e ndërsjellë të diplomave të studentëve, e deklaruar nga Kryeministri Rama në Preshevë, nuk është realizuar. I pyetur dje nga deputeti demokrat Aldo Bumçi në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, ku u diskutua për ecurinë e marrëveshjeve të dy qeverive Shqipëri-Kosovë, përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Sokol Hoxha, tha se marrëveshja ende nuk është mbyllur. “Ka marrëveshje fizike të realizuara dhe ka një marrëveshje deklarative. Për këtë marrëveshje për njohjen e diplomave jemi në proces për realizimin e saj”, – tha ai. Në ndërhyrjen e tij, deputeti i PD-së, Bumçi, tha se në bazë të këtij komenti të përfaqësuesit të Ministrisë, vërtetohet se deklarata e Kryeministrit Rama në Preshevë ka qenë e gënjeshtërt. “Kryeministri tha kemi arritur marrëveshjen, ju thoni jemi ne negocim. D.m.th. nuk ka një marrëveshje për njohjen e diplomave. Kërkesa jonë për t’u njohur diplomat është e kahershme, madje niveli i shkëmbimeve zyrtare ishte kushtëzuar me këtë marrëveshje. Prandaj në kohën që ne ishim në qeveri nuk kishte marrëveshje të tjera, sepse ne kërkonim si kusht që Serbia të njihte diplomat. Kryeministri tha është arritur, del që po negociohet. Njohja e diplomave është klasike, standarde. Kjo do të thotë që Kryeministri ka gënjyer publikisht. Pra, kemi një deklaratë të pavërtetë të Kryeministrit shqiptar”, – tha Bumçi.

 

Kundërshtitë e Dades

Ndërkaq, ajo që u vu re në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Jashtëm ishin replikat dhe debati mes kryetares së Komisionit, socialistes Arta Dade, dhe zv.ministres Odeta Barbullushi. Duke marrë shkas nga konfliktet e përsëritura me ministrin e Jashtëm Bushati, duket se deputetja Dade nuk e ka me “sy të mirë” Ministrinë e Jashtme, gjë e cila u vërejt që në nisje të punës së Komisionit. “Të ftuar në Komision ose më mirë të pranishëm, sepse ne kërkesat ia dërgojmë ministrit të Jashtëm dhe e vlerëson zoti ministër, cilin do të miratojë që të jetë i pranishëm në mbledhjen e Komisionit të Jashtëm, kemi zv.ministren Barbullushi”, – theksoi Dade. Ndërkaq, pas raportimit thuajse 25 minutash të zv.ministres, kur kjo e fundit pyeti nëse mjaftonte, Dade ndërhyri duke pohuar: “Po sigurisht që mjafton, se nuk mund të vish këtu e të flasësh gjysmë ore, më vjen keq. Ju që jeni të Ministrisë së Jashtme jeni mësuar që në konferenca e keni minutazhin të kufizuar”. Më tej në seancën me pyetje përgjigje, zv.ministrja e Jashtme tha se është kërkuar që në Këshillin e Evropës, Kosova të jetë prezente kur diskutohet për të. “Kemi ngulmuar në arritjen e standardeve nga pala kosovare për liberalizimin e vizave”, – deklaroi ajo. Edhe në këtë pikë nuk mungoi replika e kryetares së Komisionit. “Pyetja ime s’ka të bëjë me këtë, të ngulmosh sa të duash, duke dalë në konferenca për shtyp nuk i liberalizohen vizat Kosovës”. I menjëhershëm ishte reagimi i Barbullushit, e cila i kujtoi deputetes socialiste se ato nuk mund të jepnin llogari për mosliberalizimin e vizave në Kosovë, pasi nuk ishin pala kosovare. Ndërkaq, në mbledhje nuk munguan edhe batutat, ku deputeti demokrat Kastriot Islami gjatë seancës me pyetje përgjigje, duke iu drejtuar deputetes së Elbasanit, Luljeta Arapi, e pyeti atë jashtë mikrofonit për mungesën e deputetit socialist Ben Blushi. Pyetja ironike e deputetit Islami lidhje me deklaratat e Blushit të bëra dy ditë më parë pas mbledhjes së grupit të PS-së, i cili shprehu kritika për përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore. “Ku është Blushi sot? Pse mungon? Ai bëri edhe një deklaratë të fortë dje”, – pyeti Islami.

 

Çfarë tha Rama në Preshevë për njohjen e diplomave

“Ajo që desha ta zbuloj në këtë takim është se pas një diskutimi intensiv me Kryeministrin serb në orët e fundit të mbrëmjes kemi firmosur marrëveshjen për shkëmbimet e të rinjve, por edhe për njohjen reciproke të diplomave, çka do të thotë se kësisoj kemi hapur një faqe të re për të gjithë ata që dëshirojnë me diplomën e Shqipërisë të ushtrojnë profesionin e tyre edhe këtu”.

 

Debati në Komision

 Bumçi: kryeministri tha kemi arritur marrëveshjen, para marrëveshja u deklarua si arritja më e madhe që të rinjtë, ju thoni jemi ne negocim, është arritur marrëveshja apo po negociohet, pasi janë dy gjëra të ndryshme.

Hoxha (përfaqësues i Ministrisë): Ka marrëveshje fizike të realizuara dhe ka një marrëveshje deklarative. Për këtë marrëveshje për njohjen e diplomave jemi në proces për realizimin e saj.

Bumçi: Kryeministri tha është arritur, dele që po negociohet. Njohja e diplomave është klasike, standarde. Kjo do të thotë që kryeministri ka gënjyer publikisht. Pra kemi një deklaratë të pavërtetë të kryeministrit shqiptar.

Pas raportimit 25 minutash, zv.ministrja Barbullushi: Nëse kjo mjafton.

Dade: Po sigurisht që mjafton se nuk mund të vish këtu e të flasësh gjysmë ore, më vjen keq.

Dokle: Duke marrë parasysh atë “luftën” për miellin atë për pataten, ca dreq problemesh ka mes dy vendeve.

Islami: Hë se e zgjidh LSI-ja këtë punë (qesh Topalli).

Dokle: Po kjo s’është çështje partish, është çështje interesash ekonomikë.

Islami, deputetes së Elbasanit Luljeta Arapi (pa mikrofon): Ku është Blushi sot? Pse s’ka ardhur? Kishte bërë edhe një deklaratë të fortë ai dje.

Barbullushi: Ne kemi kërkuar që në Këshillin e Evropës, Kosova të jetë prezente kur diskutohet për të. Kemi ngulmuar në arritjen e standardeve nga pala kosovare për liberalizimin e vizave.

Dade: Të ngulmosh sa të duash, duke dalë në konferenca për shtyp nuk i liberalizohen vizat Kosovës.

Barbullushi: Ne s’kemi bë vetëm konferenca ne i kemi ofruar ekspertizë. Ne nuk jemi pala kosovare dhe s’japim llogari për ato.

Dade: S’po ju kërkon llogari njeri, po ju meqë keni edhe ekspertizë atje që çoni, po ju pyesim.

Barbullushi: Ajo që na përket ne, rolit tonë, ne i kemi ofruar ekspertizë.

 

 Deklarata në Ulqin/ Rama foli për bashkim klasik Shqipëri-Kosovë, BE: Kujdes me provokimet!

Bashkimi Evropian i quajti dje të papranueshme deklaratat e Kryeministrit Edi Rama se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen, qoftë përmes integrimit në BE, qoftë me mënyrën klasike të bashkimit të dy shteteve. Maja Koçijançiç, zëdhënësja e shefes së Politikave të Jashtme dhe Çështjeve të Sigurisë, Federika Mogerini, deklaroi dje se ky qëndrim nuk i shërben zotimeve të marra nga shtetet e Ballkanit Perëndimor për rrugën e tyre drejt BE-së. “Pasi verifikova atë që Kryeministri Rama ka deklaruar në intervistë, theksojmë se Ballkani Perëndimor ka një perspektivë të qartë evropiane, vendosur nga Bashkimi Evropian në nivelin më të lartë politik. Të gjithë partnerët në rajon kanë konfirmuar përkushtimin e tyre ndaj këtij synimi dhe ambiciet e tij për të plotësuar kriteret e nevojshme, në respekt të plotë të parimeve dhe standardeve të Bashkimit Evropian. Në përkushtimet e bëra përfshihet gjithashtu bashkëpunimi rajonal, pajtimi dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Në këtë kontekst, çdo deklaratë provokuese është e papranueshme”, – shkruan Koçijançiç. Deklarata e Kryeministrit në Ulqin u kritikua ashpër edhe nga homologu serb, Aleksandër Vuçiç, i cili tha se Shqipëria dhe Kosova nuk do të bashkohen kurrë. Në Ulqin, kreu i qeverisë shqiptare deklaroi se puna e përbashkët ndërmjet dy qeverive, asaj në Tiranë dhe në Prishtinë, është rruga e një bashkimi kombëtar me mjetet e shekullit XXI, në funksion të një Bashkimi Evropian. “Unë besoj që ka dy mënyra për ta kuptuar këtë. Njëra mënyrë është mënyra tradicionale e Bashkimit Kombëtar, me ato hartat e vizioneve nacionaliste dhe romantike të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, dhe mënyra tjetër është për ta avancuar procesin e integrimit në një formë të tillë që gjithë shqiptarët në rajon të jenë pjesë e BE-së”.