Gëzim Saliu
Mazhoranca të pranojë amendamentet e PD-së për heqjen e rritjes së taksës së qarkullimit dhe uljen me 14% të TVSH-së për energjinë elektrike
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, e cilësoi si një fakt rrëqethës e tronditës vendimin e Gjykatës për shpalljen të pafajshëm të Arben Frrokut, i cili cilësohet nga Prokuroria si i akuzuari kryesor për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamajt. Duke folur për këtë çështje në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, Basha deklaroi se ky akt, sipas tij, vërteton lidhjet e mafies me pushtetin. “Sa iu hodhën hekurat Mark Frrokut, pasi plasi skandali i fshehjes së kërkesës së Interpol Brukselit, vjen akti tronditës, rrëqethës i shpalljes së pafajësisë së Arben Frrokut, të akuzuarit kryesor për vrasjen e komisar Dritan Lamaj. Ky akt i njollosur nga zhvlerësimi i dëshmive, zhdukja e dëshmitarëve dhe publikimi mafioz i identitetit të dëshmitarit të mbrojtur, si dhe lidhjet e forta familjare të gjyqtarit kryesor me Partinë Socialiste është kuptuar nga shqiptarët pa dallim për atë çfarë është: një tjetër arritje e mafias në kupolën e shtetit, një tjetër sprapsje e shtetit ligjor para shtetit të mafias një tjetër dorëzim i sovranitetit demokratik në duart e mafias së bërë njësh me qeverisjen e dyshes Rama-Meta”, – tha kryedemokrati.
Dyshja Rama-Meta
Sipas kreut të PD-së, dyshja kryesuese e mazhorancës qeverisëse Rama-Meta ka vërtetuar se krimi, pasiguria dhe kriza ekonomike janë të vetmet artitje të pushtetit në këto dy vite. “Qytetarët e kanë kuptuar dhe po e kuptojnë se Rama-Meta nuk e ndalojnë dot rënien, nuk e kthejnë dot rrotën e përkeqësimit. Me keqardhje përsëris se me ta keq e më keq do të bëhet. Marsi ishte më keq se shkurti, prilli më keq se marsi. Kriza, përkeqësimi dhe krimi janë produkti i tyre, janë fryti që prodhon kjo dyshe, janë “talenti” i tyre, që vetëm te zeza u ka sjellë e do tu sjellë shqiptarëve deri sa t’i kenë në krye”, – u shpreh Basha. Duke u ndalur tek kriminalizimi i parlamentit dhe institucioneve shtetërore, kreu i PD-së tha se Rama-Meta i kanë kthyer skandalet si buka që hahet. “Zullumet e tyre i kanë zënë rrugën Shqipërisë, i kanë bllokuar frymëmarrjen dhe arteriet zhvillimit. Zullumet e tyre janë armiku i dinjitetit, paqes dhe normalitetit të shqiptarëve. Ne do t’i shkojmë deri në fund fshehjes së qëllimshme të kërkesës së Interpol Brukselit, sepse kemi bindjen se në këtë skandal është përmbledhur një pjesë e rëndësishme e historisë së krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim në qeverisjen Rama-Meta”, – tha ai. Ndërkaq, Basha iu rikthye edhe një herë dy amendamenteve të PD-së për taksën e qarkullimit dhe për uljen e çmimit të energjisë, duke i bërë thirrje mazhorancës ti pranojë ato. “Heqja e rritjes së taksës së Qarkullimit dhe rikthimi në nivelin e mëparshëm dhe ulja me 14% e TVSH për energjinë elektrike janë sipas vetë premtimit elektoral të Edi Ramës. I bëjmë thirrje qeverisë dhe shumicës parlamentare të shqyrtojnë pa vonesë dhe të aprovojnë propozimet tona. Nëse nuk ka reflektim, nëse qeveria e lakut në fyt për qytetarët e pret përballja më masive dhe vendimtare me popullin e vet, të djathë e të majtë që nuk mbajnë dot më”, – u shpreh kryedemokrati Basha.
Kreu i PDK-së/ Ndoka: Do të jemi në koalicion me PD-në
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaroi dje pas takimit me kryedemokratin Basha se aleanca me PD për zgjedhjet e 21 qershorit është drejt finalizimit. Ai tha se me PD i bashkon programi dhe se takimi me Bashën ishte konstruktiv për kandidatë që të përfaqësojnë qytetarët. “Patëm një takim shumë konstruktiv më Bashën, ku diskutuam formë dhe mënyrën e daljes bashkë në zgjedhje. Besoj se kemi shumë pika të përbashkëta në lidhje edhe me pjesën programore, me formën si do të operojmë si koalicion opozitar. Po shikojmë ratifikimin e fundit të të gjitha kandidatëve që të dalim me kandidatë sa më përfaqësues në këto zgjedhje, që të jenë sa më afër qytetarëve. Shpresoj se kaq pak orë që na kanë ngelur të finalizojmë një marrëveshje koalicion me PD”, – deklaroi ai.
Zgjedhjet e 21 qershorit/ Emrat për bashkitë, kush po “lufton” për Tiranën
Partia Demokratike po shkon drejt finalizimit të kandidaturave për garën zgjedhore të 21 qershorit, ku edhe pse zyrtarizimi do të vendoste nga kryesia e kësaj force, për një pjesë të bashkive tashmë gara është ngushtuar së tepërmi e për disa të tjera tashmë është vendosur emri përfundimtar. Në mbledhjen e djeshme të kryesisë që zgjati rreth 20 minuta, e cila u zhvillua pas asaj të grupit, diskutimet ishin të shkruar për këtë pjesë, ku pas parashtrimit për negociatat me aleatët, mësohet se Basha ka ritheksuar domosdoshmërinë e kandidaturave me integritet. Ndërkaq dilema e madhe e demokratëve, bashkia e Tiranë ka ende disa favoritë, ku gara mes tyre duket se do të vendoset në momentet e fundit pas sondazheve dhe vendimit të kryesisë. Në Tiranë, gara është përqendruar tek emrat e deputetëve Halim Kosova, Jorida Tabaku, Gerti Bogdani, duke mos përjashtuar surprizat si Mima, Aliaj apo Duma. Ndërkaq në Bashkinë e Durrësit, pavarësisht insistimit të republikanëve për Agron Dukën kryesia e degës synon që në këtë gara të jetë Ardian Muka ose Arqile Gorea. Ndërkohë në Vlorë parashikohet të jetë kandidat Moisi Meminaj, në Shkodër Sokol Ramadani ose Voltana Ademi, në Lushnjë Darien Xhindole, në Berat Lefter Maliqi ose Xhevahir Ngjeqari, në Kamëz Xhelal Mziu ose Asllan Dogjani, në Mirditë Bardhok Filopati ose Ertor Ndreu, e ndërsa në Gjirokastër është zyrtarizuar tashmë si kandidat Igli Kokalari. Ditët në vijim pritet të jenë përcaktuese për këtë garë të brendshme në PD për të përcaktuar se cilët do të jenë 61 kandidatët e përbashkët të koalicionit të djathtë për zgjedhjet e 21 qershorit.
Denoncimi i PD-së/ “I akuzuari për përdhunim bëhet doganier, i arrestuari për falsifikim bëhet shef IT-je në Tatime”
Partia Demokratike denoncoi dje të tjera emërime që shtojnë më shumë sipas saj inkriminimin e administratës shtetërore. “Çfarë mund të ndodhë me një të denoncuar për përdhunim, të shpallur në kërkim nga policia në prill të vitit 2010? Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, një person i tillë bëhet doganier. Kjo ka ndodhur me Elton Bashollin në Korçë. Po me një të arrestuar në Korçë, në korrik të vitit 2011, për falsifikim pasaportash, për pajisje me këtë dokument të personave që kishin probleme me drejtësinë në vendet e BE-së, çfarë mund të ndodhë? Me Edi Ramën dhe Ilir Metën, ai bëhet specialist i IT-së, në Drejtorinë e Tatimeve të Korçës. Ky është modeli që kanë instaluar në administratën publike dhe në postet kyçe Edi Rama dhe Ilir Meta. Përdhunues e falsifikatorë në punët më të kërkuara”, – theksoi zëdhënësja e PD-së Oriela Nebijaj.
Regjistrohet PS/ Sot skadon afati për KZAZ-të, 14 prilli, afati i fundit për regjistrimin e partive
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi në mbledhjen e djeshme “Rregulloren për organizimin dhe funksionimin e KQZ-së”, të cilën KQZ nuk kishte arritur ta miratonte që prej vitit 2008. Rregullorja për Organizimin dhe Funksionimin e KQZ-së, u miratua me konsensusin e plotë të anëtarëve të KQZ-së. Ndërkaq në mbledhjen e djeshme u miratua edhe projekt vendimi për regjistrimin e partisë Socialiste për zgjedhjet e 21 qershorit. Nga ana e saj zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj u shpreh se institucioni më i lartë zgjedhor ka miratuar disa afate procedurale të rëndësishme për procesin zgjedhor si: miratimi i afateve për ngritjen e KZAZ-ve dhe depozitimin e dokumentacionit të kandidimit në KZAZ nga Grupet Nismëtare. “KQZ u rikujton partive politike se data 9 prill 2015 është afati i fundit për dorëzimin e propozimeve të kandidaturave për anëtar të KZAZ-së. Data 14 prill 2015, është data e zhvillimit të mbledhjes së parë të KZAZ-ve të ngritura në të gjithë vendin. Data 14 prill është afati i fundit për regjistrimin e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhjet e datës 21 qershor. Data 18 prill 2015 është afati i fundit për depozitimin e kërkesave nga Komitetet nismëtare për paraqitjen e kandidateve të propozuar nga zgjedhësit”, – tha zëdhënësja e KQZ-së.