Reforma arsimore e zhytur në mjegull

0
164

Artur Zeneli

Ministria e ArsimitReforma arsimore duket qartë se është zhytur në një mjegull dhe është kthyer në një grumbull pa formë dhe e mbështjellë nga tentakulat e korrupsionit, aq sa tashmë është bërë edhe qesharake në sytë e komunitetit. Mjegulla që ka përfshirë gjithë arsimin parauniversitar po mbulohet vetëm nga të qeshurat e komunitetit, të cilit i imponohet ecuria idioteske e kësaj reforme që në realitet po e zhyt arsimin gjithnjë e më thellë në analfabetizëm e korrupsion.

Ishte vetë Ministria e Arsimit që bëri të njohur se në qarkun verilindor të Kukësit janë 236 vende vakante. Paradoksalisht as sot e kësaj dite nuk dihet se ku janë këto vende vakante, përderisa ende edhe 29 fituesit e testit të 6 dhjetorit janë të papunë.

Çudia për komunitetin verilindor është se përmes medias të papunët e projektit “Mësues për Shqipërinë” mësuan se Drejtoria Rajonale e Arsimit Tiranë publikoi këto ditë 79 vende të lira pune në 31 institucione të arsimit parauniversitar. Ndërsa dorëzimi i dokumenteve do të kryhet në datat 4 deri 14 prill dhe përparësi do të kenë mësuesit që janë në sistem apo që kanë aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”.

Ky informacion ka çuditur gjithë armatën e mësuesve të rajonit verilindor, ku ende shumë prej mësuesve që punojnë në shumë shkolla janë pa arsimin përkatës. Ndërsa ende ka gjithfarë lloj drejtuesish në shkolla, fenomen për të cilin heshtet, kryesisht për shkaqe politike. Më e çuditshmja është se ende vazhdon punësimi përmes pagesës ose sipas qejfit të drejtuesve partiakë. Për këtë mjafton t’u kujtojmë drejtuesve të Ministrisë së Arsimit që çirren për reformat që nuk dihet se kujt i shërbejnë, se ende sot drejtojnë shkollat vetëm mësues militantë që kanë mbaruar CU-në. Një fakt që nuk është regjistruar as në kohën e diktaturës kur pranohej se numri i mësuesve specialistë ishte i mangët. Pavarësisht kësaj, në çdo shkollë, drejtuesit kryesorë alternoheshin mësues i shkencave natyrore dhe i shkencave shoqërore. Ndërsa sot paradoksalisht, edhe pse universitetet janë shtrirë thuajse në çdo qytet të Shqipërisë, drejtues shkollash i gjen me shumicë vetëm militantë me CU.

Fakti që në Tiranë ende ka shumë vende të lira për mësues, ndërsa në rajonin verilindor, një gjë e tillë fshihet, ndërsa vendet e lira shiten me para, e rëndon mjaft situatën e të ashtuquajturës reformë arsimore. Një gjë e tillë është evidentuar edhe në portalin “Stop korrupsionit”, por që sipas kandidatëve për mësues të mashtruar, portali është në vazhdim të mashtrimeve që po kryhen haptazi nga drejtoria Rajonale e Arsimit. Është qesharake, por këtu të thonë: “emërimet e reja i ka në dorë Ministrja.

I takon ministres Lindita Nikolla të na tregojë të vërtetën. Nëse është kështu t’i drejtohemi asaj për punësim pas kryerjes së testit. Nëse po mashtrohemi prej muajsh, të paktën të kryejë detyrën e saj t’i zëvendësojë mashtruesit.

Të paktën të na tregojë të vërtetën me ç’mënyrë të dojë vetë ajo. Sepse edhe konkursi që kreu në fillim të muajit dhjetor të vitit 2013 për caktimin e Drejtorit rajonal ka rezultuar një lloj mashtrimi, pasi brenda një viti u ndërruan 5 drejtorë rajonalë, por vetëm njëri (që çuditi dynjanë) ishte pjesëmarrës i konkursit. Të tjerët ishin drejtorë të telekomanduar kushedi nga kush. Kuksianët ende e kujtojnë këtë me nder me thënë konkurs, kur ju vetë iu drejtuat njërit prej konkurrentëve: Ju vazhdoni dhe merruni me viktimat e minave. Ndërsa votuesit e sjellë nga Tirana votuan për drejtor, personin që komuniteti kuksian e dinte se ishte emëruar në atë post që në muajin gusht.

Me këtë që treguam duam t’u kujtojmë se edhe ai konkurs ishte një bicim i ndyrë që duhet harruar sa më shpejt. Që të mos flasim shpesh për nivelin shgumë të lartë të

korrupsionit që ka mbuluar gjithë sektorin e arsimit ju kujtojmë zonja Ministre, edhe një fenomen tjetër të çuditshëm, i evidentuar në testin e 6 dhjetorit: Shumë mësues nuk arritën të merrnin vlerësim pozitiv, bile shumë prej tyre u vlerësuan me notën zero.

Pavarësisht këtij fenomeni mjaft prej tyre vazhdojnë të qetë punën nëpër shkolla. A nuk u bën përshtypje ky lloj rezultati që tregon në të vërtetë degradimin e madh që ka përfshirë arsimin.

Unë nuk mund të hesht ndaj këtij niveli të lartë të degradimit të arsimit për hir të së ardhmes të fëmijëve tanë, të timit, të tëndit të të gjithë shqiptarëve. Bile është e turpshme të heshtësh në këtë situatë ku ka degraduar arsimi.

Më e pakta që mund të bëni znj. Ministre është të na tregoni çmimin e një vendi pune. Pasi edhe pse pa punë do marrim borxh t’ua paguajmë maskarenjve çmimin që është vendosur për një vend pune. Por edhe nuk duhet të heshtni më për situatën skandaloze që ka përfshirë sistemin arsimor. Heshtja që është instaluar me hir,ose me pahir është vetëm në favor të maskarenjve që janë të shumtë tashmë në këtë sektor jetik për të ardhmen e vendit.

Sepse nën zë bëhet fjalë për shumë vende të lira edhe në rajonin verilindor, bile më shumë se në Tiranë, por këtu duhet të paguash. Ndoshta në Tiranë këtë dukuri e keni larguar, këtu kjo dukuri është e gjithëpushtetshme. Në Tiranë bëhen të ditur vendet e lira të punës, në zonën verilindore, këto vende mbahen të fshehta dhe shiten me para në dorë. Ministria ka bërë të ditur se janë 236 vende të lira, por vetëm kaq. Askush nuk di se kush i zuri ato vende, kush u emërua në ato vende, edhe pse në testin e 6 dhjetorit dolën ishin kalues vetëm 29 kandidatë për mësues. Por edhe ato ende nuk janë emëruar. Është e qartë, vendet e lira janë shitur. Dhe heshtet ende poshtërsisht, bile heshtet edhe nga Ministria e Arsimit. E cila nuk harron të kënaqet duke bërë të njohur se në Tiranë paska vende të lira pune në 31 institucione arsimore, siç bëri të njohur këto ditë. Po një gjë e tillë mësuesve kandidatë të verilindjes u duket më shumë se shprehje e poshtërsisë.

Apo, nuk është kështu zotërinj të Ministrisë së Arsimit ? Ju vetë e keni bërë të ditur se vende vakante në Kukës janë 236. Por as 29 mësuesit fitues të testit nuk arritët t’I punësoni të gjithë. Sepse arsimin e keni kthyer në një treg privat. Edhe pse saktësisht në rrethin e Kukësit rreth 10 për qind e mësuesve janë pa arsimin përkatës, në rrethin e Tropojës rreth 8 për qind e mësuesve janë pa arsimin përkatës dhe në rrethin e Hasit rreth 22 për qind janë pa arsimin përkatës. Mjaftojnë këto tregues që ta bëjnë Ministrinë e Arsimit të vejë duart në kokë. Por ajo hesht, bile tallet me mësuesit specialist,fitues të testit të 6 dhjetorit.

Në këtë situatë, janë bërë krejt evidente për gjithë komunitetin interesat nepotike që janë kushti kryesor i emërimit në çdo vend pune. Kështu po ndodh edhe në sektorin e arsimit, ku mbahen të punësuar një numër i madh mësuesish pa arsim, ndërsa mësuesit specialistë mbahen jashtë sistemit. Ata që e drejtojnë sistemin vazhdojnë të tallen me komunitetin, Por edhe me mësuesit, të cilëve u thonë: “futuni një herë në sistem, pastaj shohim e bëjmë”.

Po ashtu mjafton vetëm fakti që në një vit është ndërruar 5 herë drejtori rajonal i arsimit për të kuptuar llumin ku ka rënë arsimi, nivelin e lartë të korrupsionit dhe shpenzimet e mëdha që duhen për të hyrë në sistemin e arsimit nga specialistët. Gjë që nuk ndodh për mësuesit pa arsim që ia kanë marrë dorën që të punësohen vetëm duke paguar. Paçka se çfarë i japin nxënësit. Për këtë askush nuk mendon. Ndërsa komuniteti i lodhur nga mjerimi ku është zhytur hesht. Hesht se nuk ka çfarë t’i bëjë mafies që ka zënë për gryke edhe arsimin.