Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, i ka dërguar dje një notë proteste Ambasadës së Shqipërisë në këtë shtet në lidhje me deklaratat e kryeministrit Rama. Në notën e protestës thuhej: “Pikëpamjet e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë janë të papranueshme për Serbinë. Kjo është një tjetër deklaratë provokuese e përfaqësuesve më të lartë të politikës në Shqipëri, e cila shkakton dëme në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë dhe kërcënon stabilitetin në Rajon”. Po ashtu më tej, nota e protestës thekson: “Serbia pret mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar për dënimin e deklaratave të Kryeministrit të Shqipërisë. Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë, i ka dërguar një letër Këshillit të Sigurimit të OKB, dhe i dha udhëzimet e duhura të gjitha misioneve dhe ambasadave jashtë vendit. Udhëzimet i janë drejtuar të gjitha misioneve të Serbisë në organizatat ndërkombëtare, ambasadave në vendet e BE-së, Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe në vendeve fqinje”. Pak ditë më parë gjatë intervistës për mediat kosovare, Rama paralajmëroi se Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen në mënyrë klasike në qoftë se BE-ja nuk e hap rrugën për integrimin e Kosovës dhe liberalizimin e vizave.
Vrasja e Bazes/ PD: Pushimi i hetimit për policin Mete, ndarje e pushtetit mes bandave dhe qeverisë
Partia Demokratike reagoi dje pas vendimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për pushimin e hetimit ndaj policit Roland Mete në lidhje me vrasjen e atentatorit Artur Baze, ngjarje e ndodhur më 5 Janar në kryeqytet. Në një dalje nga selia blu, ish-Ministri i Brendshëm Flamur Noka e cilësoi vendimin për pushim të hetimeve si ndarje e pushtetit mes bandave dhe qeverisë. “Pushimi i hetimeve ndaj oficerit të dërguar nga Saimir Tahiri pranë bandës së Shullazit, për ngjarjen e rëndë të 5 janarit, tregon se deri në çfarë nivelesh alarmante ka arritur pushteti i krimit dhe pandëshkueshmëria e tij. Ushtari i Shullazit, oficer i forcave speciale, ishte në vendngjarje për të ofruar shërbimet e tij, në funksion të bandës. Emiliano Shullazit iu ofruan të gjitha lehtësitë nga qeveria, manipulimi i provave të ngjarjes, pritja me ceremoni në polici dhe shoqërimi nën kujdes të vecantë për në banesë, pa u hetuar asnjë minutë për ngjarjen e rëndë të përplasjes së përgjakshme të bandave me të vdekur e të plagosur. Dhënia dhe shtrirja e favoreve dhe lehtësive edhe për ushtarin e bandës së tij, është dysfish e rëndë. Sepse kjo konfirmon edhe një herë vënien e shtetit në shërbim të bandave”, – tha ai. Sipas Nokës, ky është akti i fundit i mbylljes pa asnjë përgjegjës, pa asnjë autor të luftës së armatosur të bandave në mes të Tiranës që tronditi pa kthim jetën e qytetarëve. “Ky është sundimi i krimit në nivelin më tragjik për vendin. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç përmbysjes së këtij regjimi që bashkëqeveris me bandat më të tmerrshme kriminale. Qytetarëve e popullit u ka lindur plotësisht e drejta që ka sovrani për të përdorur çdo mjet demokratik për të vendosur drejtësinë e legjitimitetin e qeverisjes”, – mbylli deklaratën deputeti demokrat.