Artan Cena
Prokuroria ka dërguar për ekzaminime të thelluara në laboratorin e Ministrisë së Brendshme kompjuterin e bllokuar në shtëpinë e Tom Doshit dhe një USB
Në dëshminë e dhënë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, në lidhje me çështjen e Tom Doshit, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka dhënë shpjegime në lidhje me akuzat e bëra nga deputeti i Shkodrës. Në dëshminë e tij, Kryeparlamentari mësohet se ka thënë që e ka takuar vëllain e deputetit demokrat, Mhill Fufi, për t’i thënë se nuk kishte gisht në ndonjë atentat që po i bëhej këtij të fundit. Veç kësaj, Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar në laboratorin e Ministrisë së Brendshme edhe sendet e sekuestruara në banesën e Tom Doshit. Sipas Prokurorisë, në kompjuterin laptop të deputetit Doshi do të kërkohet për një video tjetër, që, sipas dëshmive të Durim Bamit, ndodhet aty. Bami pretendon se ka një video ku ai flet me pistoletë në kokë.
Dëshmia e Ilir Metës
I thirrur si një nga dëshmitarët në lidhje me denoncimin e bërë nga deputeti Tom Doshi, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ka pranuar se e ka takuar vëllain e deputetit demokrat, Mhill Fufi. Në dëshminë e dhënë nga Kryeparlamentari në prokurori, thuhet se ka pranuar takimin me vëllain e deputetit Mhill Fufi, Paulin Fufin. Referuar deklarimeve të kreut të Kuvendit, Ilir Meta, thuhet se pas takimit me deputetin Doshi, i cili e ka njoftuar për dëshminë e Durim Bamit, kreu i Kuvendit ka takuar në zyrën e tij Paulin Fufin, duke vënë në dijeni për pretendimet e deputetit Doshi. Mësohet se Meta i ka thënë Paulin Fufit se “nuk ka gisht në këtë organizim apo porositje për të kryer vrasjen e deputetit Tom Doshi dhe Mhill Fufi”. Këtë version kreu i Kuvendit e ka thënë para hetuesve ndërkohë publikisht nuk është shprehur dhe asnjëherë nuk e ka kundërshtuar pavarësisht akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha. Prokurorët thonë se pritet ekzaminimi i tyre që më pas të vlerësohet nëse është e nevojshme marrja në pyetje e personave të tjerë për dosjen, ku deputetët Tom Doshi dhe Mark Frroku akuzohen për “Kallëzim të rremë”. Sipas hetuesve, Prokuroria për Krime të Rënda në kohën që po hetonte akuzat publike të deputetit Doshi ka pyetur 35 persona dhe për momentin, grupi hetimor thotë se nuk ka nevojë përsëritja e marrjes në pyetje të tyre.
Ekzaminimi i provave
Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar për ekspertizë sendet e sekuestruar në banesat e deputetit Tom Doshi dhe Mark Frroku, pas arrestimit për akuzën e “Kallëzimit të rreme”. Një kompjuter portativ, një USB dhe një pajisje tjetër elektronike, janë dërguar për ekzaminim pranë Laboratorit të Policisë Shkencore në Ministrin e Brendshme. Kryerja e këtyre ekspertizave do të provoj nëse brenda kompjuterit të sekuestruar në banesën e Tom Doshit ka ndonjë video tjetër, pasi Durim Bami ka pretenduar se është filmuar në një rast kur deputeti kishte pranë tij një pistoletë. Gjithashtu, edhe në USB-në e gjetur në banesën e deputetit Doshi është dërguar për ekzaminim, pasi aty ndodhen disa foto të personave të ndryshëm që ndodhen në një lokal në zonën e ish-bllokut. Këto foto, Doshi ka pretenduar se i ka marr nga deputeti Frroku, por që ky i fundit ka mohuar këtë pretendim.