Konkurrenca: Duhen vendosur çmime tavan për tragetet, ka abuzime

0
153

Ervin Kaduku

 tragetet–  Mospërcaktimi i tarifave që do të aplikohen gjatë vitit, vështirëson kontrollin, duke pasur parasysh që biletat tregtohen nga agjencitë në gjithë Shqipërinë, jashtë saj, duke mos përjashtuar shitjen online

Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Ministrisë së Transporteve të vendosë çmime tavan për biletat e transportit detar të udhëtarëve. Gjithashtu, Ministrisë i rekomandohet hartimi i një metodologjie bazuar në kostot reale për përcaktimin e nivelit të tarifave maksimale për shërbimin e transportit detar ndërkombëtar të udhëtarëve dhe automjeteve. Sipas Autoritetit, ndërmarrjet që veprojnë në këtë treg duhet të detyrohen të mbajnë të dhënat ditore për tarifat e aplikuara të çdo bilete të shitur si dhe të mbajnë të dhëna të shitjeve të biletave për një periudhë të paktën trevjeçare. Këto të dhëna duhet të jenë të aksesueshme në çdo kohë nga institucionet licencuese dhe mbikëqyrëse të tregut. Rekomandimet e Autoritetit të Konkurrencës erdhën pas hetimit paraprak të zhvilluar në tregun e transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve. Nga hetimi paraprak nuk u gjetën fakte për të nisur një hetim të thelluar, por megjithatë u evidentuan të dhëna që tregojnë konkurrencë mjaft të kufizuar në këtë treg, çka sjell nevojën për një qëndrim më aktiv nga institucionet rregulluese dhe mbikëqyrëse. Në tregun e shërbimit të transportit detar të udhëtarëve dhe automjeteve, operojnë 7 kompani të trageteve, të cilat ushtrojnë aktivitetin e tyre në Shqipëri, nëpërmjet agjencive detare përfaqësuese. Por, sipas nëntregjeve apo destinacioneve të veçanta, numri i operatorëve është shumë më i vogël. Kështu, në linjat Durrës­Bari dhe Sarandë-Korfuz, veprojnë tre operatorë, ndërsa në secilën nga linjat që lidhin Durrësin dhe Vlorën me portet italiane të Ankonës, Triestes dhe Brindizit vepron vetëm një operator. Për vitin 2014, pas ndryshimeve të legjislacionit, lejet për ushtrimin e shërbimit të transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve janë lëshuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit dhe ndërmarrjet kanë aplikuar pranë këtij institucioni. Referuar dokumentacionit të kërkuar nga QKL-ja për leje, rezulton se ndërmarrjeve nuk ju kërkohej të deklaronin paraprakisht tarifat që do të aplikonin gjatë vitit.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, mospërcaktimi i tarifave që do të aplikohen gjatë vitit, vështirëson kontrollin dhe mbikëqyrjen e tarifave të aplikuara nga ndërmarrjet për shërbimin që ofrojnë, duke pasur parasysh që biletat për transportin detar të udhëtarëve dhe automjeteve tregtohen nga agjencitë në të gjithë Shqipërinë si dhe jashtë saj, duke mos përjashtuar dhe shitjen online të tyre.

 

Pullat fiskale

Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës ka rrëzuar kërkesën e ndërmarrjes “SICPA” për revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 337, datë 11.11.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për projektimin, financimin, dizajnimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave”.

Vendimi i Komisionit të Konkurrencës nr. 337, datë 11.11.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për projektimin, financimin dizajnimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave” është një vendim për disa rekomandime drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, bazuar në nenin 69, pika 1/b dhe 69/2 të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës” (i ndryshuar).

Para lidhjes së marrëveshjes së koncesionit nuk janë respektuar dispozitat e Ligjit 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” (i ndryshuar), dhe konkretisht nuk është respektuar neni 69 i Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” sipas të cilit duhet të ishte marrë vlerësimi i Autoritetit. Autoriteti i Konkurrencës ka detyrimin ligjor për vlerësimin e të drejtave ekskluzive dhe të veçanta të dhëna në territorin e Republikës së Shqipërisë referuar nenit 2 pika c e Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë, si dhe detyrimeve në kuadër të respektimit të marrëveshjes së Stabilizim Associmit (Autoriteti i Konkurrencës është lider dhe koordinator i kapitullit 8-Konkurrenca dhe Liberalizimi dhe ka detyrimin për të raportuar në Komisionin Evropian mbi të drejtat e veçanta dhe ekskluzive në territorin e Shqipërisë).

Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr. 14, datë 21.-3.2-14, në asnjë pikë nuk citohet se Ministria e Financave nuk duhet të merrte mendimin e Autoritetit të Konkurrencës pasi një detyrim i tillë ligjor parashikohet në nenet 69-70 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Në lidhje me pretendimin se vendimi është marrë ne kundërshtim me vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, Vendimi i gjykatës Kushtetuese nr. 14, datë 21.03.2014, në asnjë pikë të tij nuk parashikon se Ministria e Financave nuk duhet të merrte mendimin e Autoritetit të Konkurrencës, pasi një detyrim i tillë ligjor parashikohet në nenet 69, pika 1, gërma 1 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.

Koncesionarit, shoqërisë SICPA i është kërkuar informacion i detajuar mbi koston, investimet dhe informacionin përkatës qe lidhej me procesin e marrjes se koncesionit me shkresën nr 372, datë 10.9.2014. Koncesionari me anë të shkresës 372/3, datë 8.10.2014, ka dërguar kontratën koncesionare dhe pasqyrat financiare, por jo argumente dhe analizën shoqëruese mbi justifikimin ekonomik të marrëveshjes koncesionare.

Revokimi i vendimeve të Komisionit të Konkurrencës, mund të bëhet vetëm nëse plotësohet njëri nga kriteret e parashikuara në nenin 46 të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Në kuptim të nenit 46 të ligjit 9121, datë 28.9.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, kërkesa e ndërmarrjes “SICPA” nuk përmbush asnjë nga kriteret e përcaktuara në këtë nen.

Nga vlerësimi i kërkesës së ndërmarrjes “SICPA” për revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 337, datë 11.11.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për projektimin, financimin dizajnimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave” dhe i argumenteve të dhëna nga këto ndërmarrje, konstatohet se nuk ndodhemi para kushteve për revokimin e vendimit.

Si rrjedhojë Komisioni i Konkurrencës, vendosi rrëzimin e kërkesës së ndërmarrjes “SICPA” për revokimin e Vendimit të Komisionit të Konkurrencës nr. 337, datë 11.11.2014 “Për disa rekomandime në lidhje me kontratën e koncesionit për projektimin, financimin dizajnimin, prodhimin dhe ngritjen e një sistemi për emetimin, shpërndarjen, gjetjen dhe monitorimin e pullave fiskale e të pullave të kontrollit të barnave” si të pabazuar në ligj dhe prova.

 

Vështirësitë financiare, 15 mijë biznese rezultojnë debitore në Tatime

Lista e bizneseve që nuk kanë shlyer detyrimet ndaj administratës tatimore deri më datë 30 mars është rritur. Në total, numri i bizneseve arrin në diçka më pak se 15 mijë të tilla, të cilat nuk kanë arritur të paguajnë barrën tatimore brenda afatit të caktuar. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë publike listën me 14.887 bizneset debitore si edhe njofton nisjen e procedurave të sigurimit të pasurive të këtyre subjekteve me qëllim mbledhjen e detyruar të detyrimeve të prapambetura. Këto detyrime do të regjistrohen si barrë mbi pasuritë e regjistruara të bizneseve dhe nuk do të lejohet shlyerja e transaksioneve të ndryshme deri në momentin që do të shlyhet detyrimi i prapambetur. Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka falur gjobat e vendosura gjatë periudhës elektorale në vitin 2013, gjoba të vendosura nga muaji mars deri në fund të muajit gusht të atij viti. Janë mbi katër mijë biznese që kanë përfituar nga ligji i faljes së gjobës, ndërsa vlera totale e falur arrin në rreth 40 milionë euro, apo 5.6 miliardë lekë.

Udhëzimi i përbashkët nga ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe ajo e Financave për faljen e këtyre gjobave është lëshuar që në muajin tetor të vitit të kaluar, ndërkohë që gjatë gjithë kësaj kohe administrata tatimore është marrë me përpilimin e listës së bizneseve që përfitojnë nga kjo nismë.

Vendosja e gjobave ndaj biznesit gjatë kësaj periudhe është cilësuar nga qeveria si një masë represive dhe presion i ushtruar ndaj biznesit në një kohë zgjedhjes, ndaj edhe ishte zotuar për faljen e tyre.

 

Banka Botërore, kredi për mirëmbajtjen dhe sigurinë e rrugëve

Mirëmbajtja e rrugëve të vendit është një barrë e rëndë për buxhetin e shtetit. Për transportin rrugor për vitin 2015 janë akorduar rreth 9.2 miliardë lekë nga taksat që paguajnë përdoruesit e rrugëve, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre shkojnë për mirëmbajtje. Në këto kushte, qeveria po kërkon të gjejë forma të tjera alternative, për të mos lënë që akset rrugore të degradohen, megjithëse edhe aktualisht një pjesë e madhe e tyre nuk janë në gjendje të mirë.

Ministria e Financave nënshkroi dje një marrëveshje huaje me Bankën Botërore për të siguruar financimin e nevojshëm për projektin “Mirëmbajtje dhe Siguri Rrugore Bazuar në Rezultate”. Kjo hua në shumën 65.9 milionë euro është pjesë e një projekti që bashkëfinancohet edhe nga qeveria shqiptare me një vlerë prej 41.2 milionë eurosh.

Por këto burime sërish janë të pamjaftueshme, pasi nga ana tjetër Ministria e Transportit ka nënshkruar një marrëveshje me BERZH për projektin “Strategjia e Taksimit Rrugor në Shqipëri“. Po ashtu, shumë shpejt do të hapet edhe tenderi për dhënien me koncesion të aksit Milot-Morinë, ku taksa për drejtuesit e automjeteve është parashikuar të jetë rreth 5 euro.

Sipas hatuesve të projektit, objektivat e tij janë: (a) të ruajë kushtet e rrjetit të rrugëve parësore dhe parësore-dytësore (1,335 km) të rrjetit kombëtar me anë të mirëmbajtjes periodike dhe rutinë; (b) të përmirësojë sigurinë e rrjetit rrugor; (c) të fuqizojë praktikat e qëndrueshme dhe efikase të menaxhimit të aseteve rrugore e të sigurisë në përfitim të përdoruesve të rrugës.

Po ashtu kjo hua do të përdoret edhe për një tjetër objektiv, i cili është reforma në sektorin e transportit rrugor ndërmjet shërbimeve teknike dhe këshillimeve.

Huaja e mësipërme do të realizojë gjithashtu edhe mirëmbajtjen periodike dhe rutinë të Rrugëve Parësore dhe Rrugëve Parësore-Dytësore (1.335 km) të rrjetit kombëtar të menaxhuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me anë të kontratave të mirëmbajtjes me bazë-performance për një periudhë 5-vjeçare.

Një komponent tjetër i financuar nga ky projekt është edhe kryerja e veprimtarive për të rritur kapacitetet e MTI, ARRSH dhe Komitetit Ndërministror të Sigurisë Rrugore në lidhje me kryerjen e veprimtarive nga ana e tyre për të promovuar sigurinë rrugore.

Duke iu referuar realizimit të reformave në këtë sektor, huaja e re, së bashku me bashkëfinancimin e siguruar nga paratë e taksapaguesve shqiptarë do të mbështesin reformën në sektorin e transportit, nëpërmjet dhënies së shërbimeve teknike dhe këshillimore për MTI. Synohet finalizimi i Strategjisë së Sektorit të Transportit dhe planet zbatuese të lidhura më të, mbështetje analitike dhe teknike për planifikimin e buxhetit afat-mesëm, etj.

Ky projekt është quajtur i “bazuar në rezultate”, pasi financimi dhe disbursimi i pagesave nga ana e Huadhënësit do të jetë i bazuar në arritjen e indikatorëve të përcaktuar në Marrëveshje.

Projekti do të zbatohet nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe parashikohet të përfundojë më 31 dhjetor 2021.

Ndërkaq, ministri Haxhinasto deklaroi se mirëmbajtja dhe siguria e rrugëve është një ndër objektivët kryesorë të qeverisë dhe se ky projekt do të mundësojë zvogëlimin e hendekut në mirëmbajtjen e tyre, e parashikuar për 1.400 km rrugë për t’u mirëmbajtur.

 

Bankat rritin fitimet në shkurt, ulet kredia e keqe

Sistemi bankar ka zgjeruar sërish fitimet gjatë muajit shkurt, duke përforcuar një tendencë më pozitive gjatë vitit 2015. Sipas të dhënave të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, fitimi progresiv në fund të muajit Shkurt ishte 5.4 miliardë lekë, nga 3.7 miliardë lekë që kishte qënë fitimi në fund të janarit. Fitimi i sistemit bankar është ndjeshëm më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, në rritje me rreth 83%. Vlerësohet se elementi për përcaktues në nivelin e kënaqshëm të fitimeve të sistemit bankar është stabilizimi i treguesit të kredive me probleme. Shkalla e kredive me probleme në fund të shkurtit ishte 22.5%, nga 22.8% që kishte qënë në fund të janarit.Një vit më parë, në të njëjtën kohë, kreditë me probleme sa 24.2% e totalit, çka tregon cilësia e portofolit kreditor të bankave është drejt një përmirësimi, sado të ngadaltë. Pas një periudhe të gjatë në rritje, përpjekjet e shumta të bankave tregtare dhe Bankës së Shqipërisë për të frenuar rritjen e kredive me probleme kanë nisur të japin rezultate. Një ndikim të rëndësishëm po jep edhe kthimi i rritjes pozitive të kredisë për ekonominë, çka ul peshën e stokut të kredive problematike në portofolin e sistemit.

Në vitin 2014, sistemi bankar shqiptar ka deklaruar fitime prej 11.1 miliardë lekësh (rreth 80 milionë euro), niveli më i lartë rekord i arritur ndonjëherë, sipas statistikave tremujore të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Më parë, rekordi ishte vendosur në 2007-n, kur sistemi bankar raportoi fitime prej 10.5 miliardë lekësh.

 

Greqi, bie papunësia, qeveria kërkon fonde

Papunësia greke ra dhe prodhimi industrial u rrit me ritmet më të shpejta në tre muaj, sipas të dhënave të publikuara dje, teksa qeveria ‘e mbetur trokë’ vazhdon të përpiqet të sigurojë ndihmë të re në para. Norma e papunësisë ra në 25.7 për qind në janar nga 25.9 për qind në dhjetor. Ndërsa rënia ishte modeste, ajo ende shënon shkallën më të ulët në 2 vjet e gjysmë. Rritja vjetore 1.9 për qind në prodhimin industrial në shkurt pasoi një rënie prej 0.2 për qind në janar.

Zyrtarët grekë synojnë takimin e datës 24 prill të ministrave të financave të eurozonës si afatin përfundimtar për miratimin e zhbllokimit të ndihmës, dhe pse edhe ato para nuk e zgjidhin problemin por të paktën e lehtësojnë përkohësisht situatën. Qeveria kreu shlyerjen e një kredie për Fondin Monetar Ndërkombëtar dje, që do të pasohet nga një projekt-ligj i Bankës Qendrore Evropiane këtë verë, që do të ‘shterojnë’ më tej burimet e vendit.

Negociatat për më shumë ndihma janë përqendruar në arritjen e një marrëveshje fillestare arritur në shkurt. Zëdhënësi i Komisionit Evropian Margaritis Schinas tha më herët të mërkurën se po arrihej ‘progres hap pas hapi’.