Shefi i komisariati të policisë së Kuçovës kërcënon ish-deputetin

0
178

Artan Cena

 Nikollaq NeranxiPërplasja në Himarë, Vojo Peçi: Nuk e kam kërcënuar Nikollaq Neranxin. I kam kërkuar vetëm që të mos më fyejë

Ish-deputeti Nikollaq Neranxi ka akuzuar publikisht shefin e komisariatit të Kuçovës për dhunë verbale. Sipas Neranxit, rastin ai e ka denoncuar pranë autoriteteve përgjegjëse. Në denoncimin e tij, ai thotë se është kërcënuar në Himarë pas drekës së Pashkëve që kishte ngrënë bashkë me disa miq nga Tirana. Duket se ish-deputeti ka vendosur që të denoncojë kërcënimet e tij në media, pasi kjo ishte hera e dytë që ai kishte pasur përplasje me shefin e komisariatit të policisë në Kuçovë, Vojo Peçi, për arsye ende të paqarta. Ish-deputeti i LSI-së, biznesmeni Nikollaq Neranxi mësohet se e ka denoncuar shefin e komisariatit të Kuçovës pranë Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Policinë e Vlorës. Ai më kërcënoi nga larg dhe më fyeu në prezencë të miqve dhe familjarëve të mi. Aty mora vesh që personi që më kërcënonte ishte shefi i komisariatit të Kuçovës. Më kërcënohet jeta mua dhe familjes sime e si pasojë e kësaj i bëj thirrja autoriteteve që të marrin masat dhe të hetojnë çështjen në fjalë”, – tha Neranxi.

 

Denoncimi i Neranxit

Ish-deputeti i LSI-së në Kuvendin e Shqipërisë, Nikollaq Neranxi, ka denoncuar dje shefin e komisariatit të Kuçovës, me pretendimin se e ka fyer dhe kërcënuar. Denoncimi për veprën penale ‘kërcënim dhe fyerje’ u depozitua në SHKB-në e Vlorës, ndërsa sipas Neranxit, padia bëhet pasi kjo është hera e dytë, që i ndodh ky problem me këtë person. Neranxi ka sqaruar ditën e djeshme se konflikti ka ndodhur në Himarë, aty ku ka një shtëpi ngjitur me zotërinë që e ka kërcënuar. Teksa sqaron ngjarjen, ai kërkon ndihmë për veten dhe familjen, pasi ndjehen të rrezikuar për jetën. “Në fakt nuk e di nga e morët informacionin, unë nuk doja ta bëja publike çështjen. Është një rast i rëndë, një drejtues Policie i Shtetit më kërcënon. Jam i shokuar për këtë ngjarje, nuk do doja të flisja para se prokuroria të hetojë mbi çështjen”, – tha Neranxi. “Unë jam nga Himara, kam një shtëpi atje, ngjitur me shtëpinë time ndodhet shtëpia e këtij personit që më kërcënoi. Ishim dje për një drekë me të afërmit për Pashkë, ndërsa kur zbritëm për të ikur, ai më kërcënoi nga lart. Unë kërkoj ndihmë nga policia, se më kërcënohet jeta ime dhe e familjes”, – shtoi ai. Ish-deputeti i bën thirrje drejtësisë që të marrë masa pasi ndihet i rrezikuar. “Është e vërtetë që kam pasur dje një konflikt me shefin e komisariatit të Kuçovës. E denoncova rastin tek Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Denoncimin e kam bërë në orën 01:00 të mëngjesit të sotëm (dje) dhe çështja i ka kaluar prokurorisë.

 

Pretendimet e kryepolicit

Ndërkohë fqinji i tij në Himarë, kryepolici i Kuçovës, Vojo Peçi, ka dhënë deklarimet e tij, duke thënë se nuk e kishte fyer apo kërcënuar ish-deputetin. Peçi në fakt pretendon të kundërtën, sikur është Neranxi ai që e fyen dhe ofendon. I pyetur nga media, shefi i komisariatit të Kuçovës ka deklaruar se fyhej dhe ofendohej nga Neranxi sa herë dilnin nga banesat e tyre, që ishin pranë njëra-tjetrës. Ai tha se të dielën i kishte kërkuar ish-deputetit që të mos e fyente më, por nuk ka pranuar që ta kishte kërcënuar. Për të sqaruar këtë histori ka nisur edhe hetimi nga ana e prokurorisë së qytetit bregdetar.

 

 Prangoset i katërti i bandës së grabitësve

 Uniformat blu të qarkut të Lezhës kanë arrestuar paraditen e djeshme një person të shpallur në kërkim për një seri grabitjesh të dhunshme. Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave në pranga ka rënë shtetasi Sebastian Ajazi, autor i disa grabitjeve me armë. Personi në fjalë tërhoqi vëmendjen e policisë pasi më 5 prill, me disa bashkëpunëtorë, realizoi një grabitje në Fushë-Mamurras, gjatë të cilës një person mbeti i plagosur.

 

Lidhje me Ndragetën, prangoset në Itali biznesmeni shqiptar

Dy familje të Ndrangetës kalabreze kishin zgjeruar veprimtarinë e tyre kriminale në veri të Italisë, në Breshia, Kremona etj. Riciklime, zhvatje, mashtrime e akuza të tjera. Këto janë akuzat e ngritura ndaj 12 personave të vënë në pranga në Itali mëngjesin e djeshëm, ku mes tyre është edhe një shqiptar. Gëzim Sallaku, biznesmen dhe pronar i disa restoranteve e hoteleve dhe presidenti i futboll-Klubit “Darfo”. Mëngjesin e djeshëm policia italiane ka neutralizuar veprimtarinë e familjes kamorriste “Arena” dhe të familjes “Cutro”, që e kishin zhvendosur aktivitetin e tyre nga Kalabria në veri të Italisë. Emrat e të arrestuarve nuk janë bërë të ditur por vetëm inicialet: B.O., nga Lonato; B.M., D.P.A., B.D.S., I.A., I.C., dhe I. G., nga Kremona; M. W., nga Peskiera; P.C., nga Pianiko; S. G., nga Sale Maresino; C. M., nga Breshia; dhe M. R., nga Kastiljone. Vetëm disa prej tyre janë me origjinë nga jugu i Italisë. Por duket se më i njohuri nga të gjithë të arrestuarit është shqiptari Gëzim Sallaku. Ai njihet si biznesmen i rëndësishëm në zonë, sepse ka në pronësi disa restorante dhe hotele. Sallaku akuzohet për falimentim mashtrues, për pastrim të produkteve të krimit, për zhvatje, për mashtrim financiar vjedhje etj. Bashkë me Gëzimin përfunduan në burg edhe 9 italianë, ndërsa 2 të tjerë në arrest shtëpie. Sipas policisë, këta persona kishin vite që bënim këto punë në zonën e Lombardisë dhe të tjerat përreth. Mësohet se ata merreshin me trafik ilegal të mjeteve të rënda të punës, mjete që i merrnin me “leasing” dhe më pas i zhduknin. Gjithashtu ai blinin edhe shoqëri që ishin në falimentim, vetëm që të fusnin në dorën e tyre mjetet e punës. “Një xhiro miliona eurosh që më në fund është çmontuar nga policia pas shumë hetimeve, ndjekjeve, përgjimeve telefonike dhe ambientale”, – shkruan media italiane.