Artan Cena
Më shumë se 3 mijë qytetarë shqiptarë kanë kërkuar azil në Gjermani vetëm për muajin mars të këtij viti. Vendin e parë e mban Kosova dhe më pas Siria
Mijëra qytetarë shqiptarë kanë lënë vendin në këtë fillim viti, aq sa vetëm brenda muajit mars janë bërë 3020 kërkesa për azil. E kjo shifër i përket vetëm Gjermanisë, e cila ka bërë publike dje shifrat alarmante. Në fakt, shqiptarët zënë vendin e tretë të azil kërkuesve, pas Kosovës që është në vendin e parë dhe Sirisë në vendin e dytë, një vend që është në luftë civile prej vitesh. Sipas autoriteteve gjermane, shumë prej qytetarëve nga Ballkani kanë bërë kërkesa për azil. Prej ditësh në zonat e Kukësit, Vlorës e Orikumit ikin me dhjetëra qytetarë, aq sa thuhet se vetëm nga zona verilindore e vendit kanë ikur për 3 muajt e parë të vitit 2014, 4 mijë qytetarë, bashkë me familjet e tyre.
Largimet nga Shqipëria
Në Shqipëri, pas fluksit të madh të regjistruar në Portin e Vlorës, i njëjti fenomen po zbraz nga banorët qytezën e Orikumit dhe se fundmi Kukësin dhe fshatrat e gjithë zonës. Pika më e prekur këto ditë është Shishtaveci. Në mënyrë të organizuar dhe si në një epidemi banorët atje lënë vetëm të moshuarit në shtëpi dhe ikin me shpresën se do fitojnë azil. Fenomeni është i njohur edhe nga autoritetet shqiptare. Ministria e Brendshme njoftoi se vetëm përgjatë 72 orëve të fundit Policia e Shtetit u ka refuzuar të drejtën e udhëtimit në zonën Shengen rreth 750 shtetasve shqiptarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar të Shqipërisë, të cilët rezultuan në shkelje të procedurave për udhëtim në zonën Shengen.
Shtohen kontrollet në kufi
Policia e Shtetit ka shtuar masat e kontrollit në pikat kufitare me qëllim garantimin e lëvizjes së lirë të shtetasve dhe përmbushjen e detyrimeve ndaj partnerëve ndërkombëtarë. Ministria e Punëve të Brendshme fton edhe një herë qytetarët të respektojnë rregullat e lëvizjes në zonën Shengen, duke udhëtuar me dokumentacionin e rregullt dhe duke respektuar ditët e qëndrimit. Ministria e Brendshme thekson se është absolutisht e pamundur që shtetasit shqiptarë të fitojnë azil politik në vendet e BE-së. Kjo është theksuar vazhdimisht edhe nga diplomatët e huaj në Tiranë, veçanërisht nga ambasadori gjerman, por mesa duket thirrja e mashtruesve që duan të përfitojnë nga pagesat që bëjnë azilkërkuesit është më e fortë se ajo e institucioneve shtetërore.
Azilkërkuesit në Gjermani
Për muajin Mars nga Kosova numri i azilkërkuesve është 11729 vetëm, më pas Siria, e cila është në luftë civile dhe në vend të tretë Shqipëria me 3020 kërkesa, ndërsa në vend të katërt është Serbia me 2833 kërkesa e më pas në vendin e gjashtë është Maqedonia, që pas Irakut në luftë ka 926 kërkesa. Sipas statistikave gjermane, azilkërkuesit më të shumtë janë shqiptarët nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia por edhe nga Serbia, ku një pjesë e madhe e shqiptarëve të Kosovës që përdorin faktin se u njihen dokumentet e tyre si shtetas të Serbisë.
Franca dëbon më shumë se 200 shqiptarë
Mbi 200 persona, kryesisht shqiptarë, mes tyre edhe 80 fëmijë janë dëbuar mëngjesin e sotëm, 14 prill. Shqiptarët ishin strehuar në një ndërtesë ushtarake në Lion të Francës, që prej vitit 2013. Gazeta franceze “Le Monde” shkruan se këtyre personave iu ishte refuzuar e drejta për azil. “Le Monde” shkruan se mes ish-azilkërkuesve që gjendeshin në këtë objekt ushtarak kishte edhe persona, të cilët kanë marrë urdhër që të lënë territorin francez. Sipas Michel Jouart, një aktivist francez, pasi këta refugjatë shqiptarë dhe kosovarë qëndruan për disa vjet në Lion, disa prej tyre, më parë ishin strehuar poshtë një ure. Sipas tij ky kamp kishte strehuar mbi 500 persona. Ky vendim për dëbimin e shqiptarëve erdhe në prag të shqyrtimit nga ana e Senatit francez të reformës së ligjit për azil, i cili synon të forcojë masat mbrojtëse për aplikantët dhe të reduktojë aplikimet për azil.
Boshatiset edhe Orikumi, banorët ikin drejt Evropës
Pas Kosovës dhe qytetit të Kukësit janë banorët e Orikumit në Vlorë ata të cilët kanë braktisur vendin e tyre dhe janë nisur drejt vendeve të Bashkimit Evropian, kryesisht Gjermanisë me shpresën se do të përfitojnë azil ekonomik. Papunësia, vështirësitë ekonomike dhe mbi të gjitha mungesa e shpresës për një të ardhme më të mirë po i bën këta banorë të braktisin Orikumin, i cili pas pak javësh pritet të mbushet me turistë, të cilët nuk dihet se kush do t’i mirëpresë e kush do tu shërbejë. Në këtë qytezë ku rrugët janë të boshatisura pasi shumica e banorëve kryesisht të rinj janë nisur drejt Gjermanisë. Shumë prej banorëve thonë së të paktën prej 4 muajsh vijon largimi i njerëzve në masë nga kjo zonë. Numri i atyre që janë kthyer është shumë i paktë, shprehet Arditi, i cili është nxënës gjimnazi dhe shumë shokë të tij tashmë janë në Gjermani. Ata që largohen në Gjermani strehohen në kampe, ndërsa shumë pak gjejnë punë.
Pranga dy policëve të Kakavijës, kalonin qytetarët pa dokumente
Dy punonjës policie janë vënë në pranga, pasi kundrejt parave lejonin kalimin e qytetarëve me dokumente jo të rregullta. Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, në Ministrinë e Brendshme, është vënë në lëvizje dhe nisi hetimet menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin “Fiks Fare”, ku shfaqen 3 persona që denoncojnë një aferë, ku dyshohet se janë të implikuar edhe punonjës policie. SHÇBA-ja ka vërtetuar dhe dokumentuar ligjërisht se policët, Veziko Bejko dhe Ylli Hoxha, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv të kryer nga persona të cilët ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim. Kontrollori Ylli Hoxha dhe përgjegjësja e turnit Veziko Bejko, në Kakavijë, kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash në këmbim të lejimit të kalimit të paligjshëm të kufirit të 3 qytetarëve drejt Greqisë, pasi këta të fundit kishin mangësi në dokumentacion për të udhëtuar në zonën Shengen. Dosja i është referuar Prokurorisë së Gjirokastrës, e cila urdhëroi ndalimin e 2 punonjësve të policisë. Arrestimi është bërë ditën e djeshme në orën 17:00. Gjithashtu, policia ka përjashtuar punonjësit Veziko Bejko dhe Ylli Hoxha, për shkelje të rëndë të detyrës. Ministria e Brendshme falënderon median për denoncimet e qytetarëve, si një shembull mjaft të mirë të përpjekjes sonë të përbashkët për të luftuar korrupsionin dhe abuzimin me detyrën nga zyrtarë dhe punonjës të policisë.