Emigrimi/ “Shqiptarë, mos u largoni nga vendi, s’do të përfitoni azil në vendet e BE-së”

Artan Cena

zëvendësdrejtori i Policisë së Austrisë, Franc Lang Nga Tirana zëvendësdrejtori i Policisë së Austrisë, Franc Lang, bën thirrje për ndalimin e ikjeve drejt vendit të tij dhe Gjermanisë

Largimi i shqiptarëve dhe kërkimi i azilit në Gjermani, Austri apo vende të tjera të BE-së është kthyer në një shqetësim vërtet serioz për drejtuesit e këtyre shteteve. Për këtë qëllim, zëvendësdrejtori i Policisë së Austrisë, Franc Lang, ka thënë se askush nuk do të përfitojë azil politik në vendin e tij apo vende të tjera. Nëndrejtori i Policisë Austriake, Lang, ka përfituar nga një takim me homologët e tij në Tiranë, për t’u bërë thirrje azilkërkuesve, që trafikantët janë të vetmit që përfitojnë nga udhëtimi i tyre drejt perëndimit. “Të vetmit që përfitojnë janë ata që kryejnë trafikun njerëzor dhe kërkojnë shumë të mëdha parash. Por ata janë kriminelë dhe ne mund të themi vetëm që mos u besoni atyre, pasi premtimet që bëjnë nuk janë të vërteta”, – tha Lang. “Ne kemi identifikuar disa prej grupeve të trafikuesve dhe kemi arrestuar më shumë se 100 prej tyre. Ne u themi njerëzve që qëndroni këtu, keni një vend shumë të bukur, mundësi dhe aftësi inteligjente, ndoshta më shumë se mjaft të tjerë në vendin tim. ndërtoni vendin tuaj!”, – u shpreh Lang.

 

Nuk do të jepet azil

Pas thirrjes së një dite më parë të ambasadorit gjerman në Tiranë, Helmut Hofman, një tjetër zyrtar bën të njëjtën thirrje për mijëra qytetarë shqiptarë, që sipas nëndrejtorit të Policisë së Austrisë, Franc Lang, janë mashtruar duke shitur gjithçka kanë për të grumbulluar paratë e mjaftueshme për të udhëtuar drejt vendeve të BE-së, me shpresë se do të fitojnë azil.

“Njerëzit në Shqipëri dhe veçanërisht në Kosovë e në rajon jetojnë në vende të sigurta. Ndaj, nuk ka asnjë shans që ata të marrin azil në Austri apo në Gjermani. Këtë vit pritëm 50 mijë azilkërkues, ndonëse jemi munduar t’u shpjegojmë se nuk do të ketë azil për ta. Të vetmit që përfitojnë janë ata që kryejnë trafikun njerëzor dhe kërkojnë shumë të mëdha parash. Por ata janë kriminelë dhe ne mund të themi vetëm që mos u besoni atyre, pasi premtimet që bëjnë nuk janë të vërteta. Emigrantë mjaft të varfër, si ata nga Kosova, kanë shitur gjithçka kanë dhe synojnë të marrin azil në vendet e Evropës qendrore, por ata do të dërgohen mbrapsht në vendin e tyre pa asgjë, duke qenë më të varfër seç ishin më parë”.

 

Trafikantët po përfitojnë

Numri dy i Policisë së Austrisë tha gjithashtu se disa grupe kriminale që trafikojnë njerëz nën mashtrimin e përfitimit të azilit tashmë janë identifikuar. “Kemi identifikuar disa grupe kriminale që dërgojnë emigrantët në Evropë. Kemi arrestuar disa prej tyre. Ata kanë fituar shumë të mëdha parash dhe jetojnë në luks. Nga ana tjetër pastaj kemi njerëz shumë të varfër, të cilët kanë shpresa, kanë shitur gjithçka për të fituar një të ardhme në Evropën Qendrore. Më e rëndësishmja që duhet bërë për të ndaluar fluksin e emigrantëve është që atyre t’u thuhet e vërteta”, – ka thënë Lang gjatë deklaratës së tij për median. Të njëjtin apel dhe mesazh shqiptarëve ja përcolli edhe ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hofman. Diplomati gjerman u bëri thirrje shqiptarëve që të mos përpiqen më kot të aplikojnë për azil ekonomik në Gjermani, sepse pas disa javësh apo muajsh do të duhet sërish të rikthehen në Shqipëri.

 

Kufitarët kthejnë më shumë se 650 shqiptarë

 Janë më shumë se 650 qytetarë, të cilët janë kthyer në Portin e Durrësit gjatë katër ditëve të fundit nga pika kufitare e këtij porti. Burime nga Policia e Kufirit kanë bërë të ditur se personat e kthyer janë kryesisht nga jugu e veriu, të cilët nëpërmjet agjencive turistike udhëtonin në drejtim të shtetit fqinj, Italisë. Sipas autoriteteve portuale, emigrantët, pjesa më e madhe prej tyre nuk plotësonin kriteret e vendosura për sa i përket shumës monetare të cilën duhet ta kenë me vete gjatë qëndrimit në një nga vendet e zonës Shengen apo destinacionin dhe adresën e personit pritës. Forcimi i masave nga policia e kufirit ka ardhur pas numrit të lartë të atyre që dyshohet se kërkojnë azil në vendet e zonës Shengen.

 

 Zjarri tek magazina e tapeteve, nga shkëndija elektrike

Dy ditë pas zjarrit të përmasave të mëdha të rënë në kompaninë së importit të tapeteve “Bibteks” në pronësi të një tregtari sirian, policia konfirmon se shkaku i zjarrit ka qenë aksidental. Nga raporti paraprak i nxjerrë nga këqyrja e magazinave të tapeteve, është konfirmuar se zjarri ka pasur si shkak problemet me energjinë elektrike në një kuti shpërndarëse në katin e dytë. Burimet e policisë kanë konfirmuar se pritet edhe përfundimi i raportit me konkluzionet e ekspertëve të zjarrfikësve në të cilat pritet të jepet edhe mendimi mbi shkaqet e zjarrit. Të njëjtat burime të policisë thanë se nga verifikimet e kryera është përjashtuar mundësia e zjarrvënies së qëllimshme. Magazinat e kompanisë “Bibteks” në rrugën dytësore të autostradës Tiranë – Durrës, u përfshinë nga flakët hënën në mëngjes. Nga zjarri u dogj kati i dytë i magazinës ndërsa kati i parë ku ishte edhe ekspozita nuk është dëmtuar.

 

Karriera e shpejtë e Haki Çakos drejt kreut të Policisë së Shtetit

Është emëruar edhe drejtori i ri i Policisë së Shtetit. Ai është Haki Çako, që prej 15 ditësh ishte i komanduar në këtë detyrë. Çako u emërua në këtë detyrë pas dorëheqjes së Artan Didit në datën 31 mars. Ai ishte i komanduar në këtë detyrë, ndërsa emërimin e ka marrë nga Këshilli i Ministrave pas propozimit të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Deri më tani, Haki Çako mbante detyrën e nëndrejtorit të Policisë së Shtetit për Krimin e Organizuar e Krimet e Rënda. Didi u dorëhoq pasi u përfshi në skandalin e fshehjes së kërkesës së autoriteteve belge nga dy drejtues të lartë të Interpolit të Mark Frrokut. Çako ka një karrierë shumëvjeçare në policinë shqiptare. 63-vjeçari nga Berati ka filluar karrierën në vitin 1998 si shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë së Kuçovës e më pas në të njëjtin vit emërohet si shef i Policisë Kriminale në Komisariatin numër 1, në Tiranë. Në vitin 2003, u emërua inspektor kundër akteve terroriste e më pas mbajti postin e specialistit në zyrën e Luftës kundër Drogave të Forta. Në vitin 2006, Haki Çako zhvendoset në Elbasan ku emërohet specialist i Antiterrorit në këtë qytet. Pak vite më vonë, në 2010, ai rikthehet si specialist në sektorin e Hetimit dhe Parandalimit të Krimeve e më pas si shef kundër trafiqeve në kryeqytet. Në vitin 2013, Haki Çako mban postin e drejtorit të Qarkut të Gjirokastrës. Pas një viti, në 2014 emërohet zëvendësdrejtor i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Çako ka drejtuar dhe ka marrë pjesë në shumë operacione policore të rëndësishme. Më i fundit ishte operacioni antidrogë në Lazarat.

 

Emigrimi/ “Shqiptarë, mos u largoni nga vendi, s’do të përfitoni azil në vendet e BE-së”

Prokuroria/ Mark Frroku nuk do të dalë

Kërko