Sekuestrohet kompania e Damir Fazlliçit, ka 4 milionë euro borxh ndaj një banke

0
162

Damir FazlliçiNjë borxh prej 4 milionë eurosh ndaj një banke në Tiranë ka bërë që të sekuestrohet kompania e Damir Fazlliçit. Ka qenë Gjykata e Tiranës ajo e cila ka vendosur të sekuestrojë kompaninë e biznesmenit serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, në Porto Romano. Në vendimin e gjykatës në datën 9 prill, thuhet se Fazlliç rezulton të jetë debitor i Tirana Bank në Shqipëri. Kredia e papaguar kap vlerën e 465 milion lekëve, ose thënë ndryshe 4 milionë euro. Për këtë ai është paditur nga banka në gjykate, pasi rezulton si debitor i kompanisë ku ai vetë është administrator. Kompania “Crown Acquisitions”, e cila figuron edhe ne regjistrin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, u krijua në vitin 2005 dhe operon në fushën e pasurive të paluajtshme, zhvillimit urban dhe mjedisor, si dhe tregtimit të mallrave të ndryshme si naftë, gaz e tjerë. Ajo është një shoqëri me disa aksionerë, qytetarë serbë dhe në pronësi të Damir Fazlliç. Kompania sipas të dhënave e ka selinë e saj në Durrës, ekzaktësisht në Porto Romano. Aktiviteti i tij në Shqipëri nisi në vitin 2005. Pas vizitës së tij në Shqipëri, Fazlliç është akuzuar nga e majta tani në pushtet se po privatizonte me ndihmën e ish-kryeministrit Sali Berishës pasuritë e shqiptarëve.

Vendimi i gjyqtarit Kaçe Agolli, e cila pranoi kërkesë-padinë e bankës së nivelit të dytë dhe lëshoi urdhër-ekzekutimi për sekuestron, ndodhet tashmë në duart e përmbaruesve.

Hera e fundit kur, Damir Fazlliç, u shfaq në Tiranë ishte tetori i vitit 2008. Ndaj tij u kërkua urdhër-ndalimi, ndërsa Fazlliç largohej përmes aeroportit të Rinasit. Ndaj tij prokuroria shqiptare nisi kryesisht hetime për evazion fiskla, akuza të cilat nuk janë  provuar kurrë. Një gjë është fakt se biznesmeni Fazlliç është larguar nga Shqipëria duke lënë një faturë të pa paguar, mbi 4 milion euro.

 

Kush është Damir Fazlliç

Damir Fazlliç ka lindur në Foca të Bosnjës, më 26 shtatorin e vitit 1975, me babanë boshnjak dhe nënën serbe. Fazlliç përfaqëson një nga biznesmenët me njohjet dhe lidhjet më të fuqishme në Ballkan. Në Bosnjë dhe Serbi zoti Fazlliç shihet si një personazh misterioz. Dy gazeta boshnjake kanë investiguar për një kohë të gjatë aktivitetin e Fazlliçit, ndërsa ky i fundit rezulton në disa lidhje të fuqishme biznesi dhe klanore me njerëzit më të pushtetshëm të regjimit të Millosheviçit. Në Londër ka marrë shkas dhe anglishtja e tij e përkryer. Në vitin 2003, ai u ndalua nga policia boshnjake dhe u mor në pyetje lidhur me relatat e tij me Milorad Ulemek (Legija). Ulemek ishte shpallur në kërkim për vrasjen e ish-kryeministrit serb, Zoran Xhinxhiç dhe autoritetet serbe kishin të dhëna se Fazlliç e fshihte atë në Bosnjë.