“Vrasësi” i ullirit rrezikon Evropën

0
168

“Vrasësi” i ullirit rrezikon EvropënNjë baktere e njohur si Xylella fastidiosa ka eliminuar deri tani rreth 1 milion rrënjë ullinj shekullorë në Itali dhe rrezikon të gjithë ullinjtë në Evropë, paralajmërojnë ekspertët, duke vënë në dukje veçanërisht rrezikun që përfaqëson kjo situatë për vendin tonë, ku nuk po merret ende asnjë masë.

Qeveria e Italisë filloi një operacion masiv dhe të dhimbshëm gjatë ditëve të fundit duke prerë mijëra rrënjë ullinj të infektuar me një baktere vdekjeprurëse për pemët, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e saj. Bakteria Xylella fastidiosa ka shkaktuar dëme të tmerrshme përgjatë dy viteve të fundit në rajonin e Puljas dhe konsiderohet si përgjegjëse për rënien me 35 për qind të prodhimit të vajit të ullirit në këtë rajon. Përhapja e bakteres ka vënë në alarm Bashkimin Evropian deri në atë nivel sa Franca njoftoi se do të bojkotojë zarzavatet e Puljas. Fermerët në Pulja janë të zemëruar nga ana tjetër nga vendimi i qeverisë për të prerë dhe djegur ullinjtë e infektuar duke thënë se një masë e tillë nuk do të ndalojë përhapjen e bakteres.

Që kur kjo baktere u dallua për herë të parë në Itali në shtator 2013, zona e prekur prej saj është rritur nga 8 mijë hektarë në 230 mijë hektarë.

Sipas ekspertëve, frika është që kjo sëmundje të përhapet në vende të tjera të rëndësishme për prodhimin e vajit të ullirit si Greqia, Spanja apo Portugalia. Rrugët e përhapjes mund të jenë në formën e dheut të kontaminuar ose në formën e fidanëve.

 

Krijohet Këshilli i Investimeve

Vendi ynë krijon, për herë të parë, Këshillin e Investimeve, me ndihmën e Bankës Evropiane për Rikonstruksion dhe Zhvillim, një institucion ky që ka si qëllim nxitjen e veprimtarisë konkrete për përforcimin e klimës së biznesit në vend.

Këshilli i Investimeve është menduar të jetë një platformë dialogu mes qeverisë dhe investitorëve që synon adresimin e problematikave kryesore me të cilat ata përballen në Shqipëri, identifikimin e mekanizmave për zgjidhjen e tyre, si dhe përmirësimin e kuadrit ligjor, raportimin dhe parandalimin e rasteve të praktikave të padrejta dhe të pabarabarta ndaj biznesit dhe parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit dhe evazionit.

Këshilli i Investimeve drejtohet nga ministri i MZHETTS, z. Arben Ahmetaj, dhe në përbërje të tij janë përfaqësues të lartë të qeverisë si: ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, ministri i Çështjeve Vendore dhe koordinator Kombëtar i Strategjisë Antikorrupsion; guvernatori i BSH; ambasadorë dhe drejtues të lartë të donatorëve e bizneseve në Shqipëri.

Përpara lançimit, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi këtë një moment historik për Shqipërinë dhe një hap para drejt zhvillimit ekonomik. Këshilli do të shërbejë si një urë ndërmjet komunitetit të biznesit dhe qeverisë dhe do të shërbeje si një nxitje për krijimin e një mjedisi biznesi të favorshëm. Ai vlerësoi gjithashtu ndihmën e BERZH-it për të pasur progres të shpejtë në këtë drejtim.

 

 Google rrezikon gjobën 6 miliardë dollarë

Google rrezikon një gjobë të majme prej 6 miliardë dollarësh nga ana e Komisionit Evropian. Sulmi i kësaj të fundit do të shënonte një ngjarje të paprecedentë ndaj kompanive multinacionale amerikane. Sipas komisioneres së BE-së, Margrethe Vestager, padia ndaj gjigantit të kërkimit në rrjet vjen për shkak të shkeljeve të evidentuara përsa u përket rregullave të konkurrencës. Google përdoret si motor kërkimi nga 90% e evropianëve dhe akuzohet se ka përdorur përmbajtje të kompanive rivale, si dhe u ka dhënë përparësi shërbimeve të veta, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë pozitat e veta dominuese në treg. Që prej fillimit të procedurës, Google i jepet 10 javë kohë për të përgatitur mbrojtjen. Gjoba në fjalë është e barasvlershme me 10% të xhiros së saj globale. Nga ana tjetër, komisioneri për çështjet dixhitale në Komisionin Evropian, Gunther Oettinger, ka kërkuar gjithashtu një rregullator të ri për platformat online në mënyrë që të kufizohet disi superfuqia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim. Ai nga ana tjetër ka denoncuar të ashtuquajturën varësi të shoqërive online evropiane ndaj një numri të kufizuar gjigantësh globalë. Sipas tij, Evropa e ka humbur shansin për të zhvilluar platformat e veta online. Akuzat ndaj Google vijnë pas 5 vitesh hetime dhe negociatash jo të frytshme me kompaninë për praktikat që ajo ndjek përsa i përket kërkimit në rrjet. Vendimi është marrë bashkërisht me kreun e Komisionit Europian, Jean­Claude Juncker.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency