Emri zyrtar/ Erion Veliaj kandidat i së majtës për Tiranën, profili i 36-vjeçarit nga G99 tek posti i ministrit

0
215

Gëzim Saliu

 rama dhe veliajRama prezanton shkurt emrin: Kemi rënë dakord për Tiranën, do të jetë kandidat Erion Veliaj

Kryeministri Rama nuk surprizoi. Kandidati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, ashtu siç edhe ishte përfolur mjaft dy javët e fundit, do të jetë ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj. Pas një takimi të radhës krejt formal që kreu i qeverisë zhvilloi dje pasdite me deputetët e qarkut të Tiranës, Rama bëri të ditur emrin e kandidatit që do të përfaqësojë të majtën në garën për bashkinë më të madhe të vendit. Ndryshe nga e zakonshmja, ku preferon të flasë e paraqesë me argumente përzgjedhjen e tij, Rama vetëm bëri të ditur se është rëndë dakord për emrin e përbashkët. “Kemi finalizuar edhe procesin e Tiranës. Për këtë do të flasim edhe më gjatë, por shkurtimisht kandidati ynë për Tiranën do të jetë Erion Veliaj”, – tha ai shkurt për mediat, duke u larguar nga selia e PS-së.

 

Profili i Erion Veliajt

Falë sjelljeve dhe vendimmarrjeve, Erion Veliaj është një prej personazheve më të komentuar në politikën shqiptare të viteve të fundit. Ai lindi në Tiranë më 19 dhjetor 1979 dhe ka përfunduar studimet Bachelor në Shkenca Politike në “Grand Valley State University” në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas ai përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar, me fokus tek Integrimi Evropian. Veliaj hyri në jetën aktive publike në fillim të viteve 2000 si anëtar i shoqërisë civile, për të themeluar në 2003-shin lëvizjen “Mjaft”. Kjo organizatë mbahet mend për organizimin e protestave të kundër qeverisë “Nano”, ku një pjesë e mirë e ministrave dhe deputetëve të asaj kohe, të cilët Veliaj i kundërshtonte me forcë, janë tashmë kolegë të tij në PS. Bashkëpunimi i tij me Kryeministrin aktual Rama ka ekzistuar që në këtë kohë, por hyrja e ministrit aktual të Rinisë në jetën politikë do të niste në vitin 2008. Erion Veliaj dhe lëvizja “Mjaft” krijojnë partinë “G99”, e cila në zgjedhjet parlamentare të 2009, mori vetëm 13 mijë vota në të gjithë vendin, duke mos siguruar asnjë vend deputeti në Parlamentin shqiptar. Që nga kjo kohë nisi një fazë edhe më e madhe bashkëpunimi mes tij dhe kreut socialist Rama, ku rol ndërmjetës në të gjithë këto kohë ka luajtur këshilltari kryesor i Kryeministrit, Endri Fuga, i cili njihet si mik i ngushtë i Veliajt. Në vitin 2011, ky i fundit iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste së Shqipërisë si sekretar për rininë dhe emigracionin, vendim i cili nuk kaloi pa debate. Një pjesë e bazës së PS-së si edhe kryesisë së saj nuk i kishte harruar protestat me vezë ndaj Kryeministrit Nano dhe socialistëve të drejtuar prej tij në atë kohë, gjë e cila ndoshta ka ndikuar edhe në marrëdhënien jo fort miqësore në ditët e sotme mes Veliajt dhe socialistëve tradicionalë. Ndërkaq në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, Veliaj kandidoi në listën e PS-së në qarkun e Gjirokastrës dhe u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Pas fitores së zgjedhjeve, u përfol shpesh se Veliaj do të ishte një ndër ministrat e kabinetit Rama dhe ashtu ndodhi. Kryeministri e zgjodhi atë në postin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ku vlerësimi për punën e tij në këtë dy vite nuk ka munguar si nga Rama ashtu edhe nga deputetët e PS-së. Vlerësimet më të mëdha ai i mori për reformën e pensioneve, angazhimin për arsimin profesional, dëmshpërblimet për ish-të përndjekurit si edhe së fundmi për projektligjin e hapjes së dosjeve.

 

Veliaj: Bashkë do ta rilindim Tiranën

Kandidati zyrtar tashmë i Partisë Socialiste për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar për herë të parë pas vendimit të bërë publik nga Kryeministri Rama. Përmes rrjetit social “Facebook” shkruante se do të japë gjithçka për besimin që i ka dhënë PS dhe aleatët e tjerë. “Bashke me ju do jap gjithçka për besimin qe investoi tek unë PS & Aleanca jone. Mezi pres te bëjmë një fushate qytetare e pozitive e me pas t’i përvishemi punës non-stop për te kapur kohen e humbur te Tiranes tone. Tiranen do ta rilindim ne kohe rekord, bashkinë do ta rikthejmë ne pune 24/7! Bashke me pune, qytetari dhe energjinë me te mire te Kryeqytetit te gjithë Shqiptareve!”, – tha ai.

 

CV e Erion Veliajt

-Erion Veliaj lindi në Tiranë, më 17 dhjetor 1979.

-Është i mratuar prej një viti me Ajola Xoxën

-Studimet Bachelor i ka kryer për Shkenca Politike në Grand Valley State University në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Më pas ai përfundoi studimet Master në Mbretërinë e Bashkuar pranë University of Sussex, me fokus tek Integrimi Europian.

-Në vitin 2003, z. Veliaj themeloi lëvizjen “Mjaft”, një organizatë që unifikoi frymën aktiviste e protestuese të rinisë shqiptare e që në vitin 2004 mori dhe çmimin e Kombeve të Bashkuara për shoqërinë civile. Erion Veliaj drejtoi lëvizjen “Mjaft” deri në nëntor të vitit 2007

– Veliaj dhe lëvizja “Mjaft” krijojnë partinë “G99”, e cila në zgjedhjet parlamentare të 2009, mori vetëm 13 mijë vota në të gjithë vendin, duke mos siguruar asnjë vend deputeti në Parlamentin shqiptar

-Në vitin 2011, Veliaj iu bashkua kryesisë së Partisë Socialiste së Shqipërisë si Sekretar për Rininë dhe Emigracionin

-Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 ai u zgjodh deputet i Qarkut Gjirokastër dhë më pas ministër i mirëqenies Sociale dhe Rinisë

 

Ndryshimet në qeveri/ Veliaj lë bosh karrigen e ministrit, Blendi Klosi zëvendësuesi i mundshëm

Me kandidimin e tij në garën për Bashkinë e Tiranës, Veliaj do të detyrohet të heqë dorë nga posti i tij si ministër i mirëqenies Sociale dhe Rinisë në qeverinë “Rama”. Ndonëse ky vendim pritet të merret në ditët në vijim, zërat e parë për emrin e zëvendësuesit janë që tashmë të zhurmshëm brenda selisë së purpurt. Që nga vizita e Ramës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe prezencës së një prej kandidatëve për Tiranën, Blendi Klosi në delegacionin që shoqëronte Kryeministrin nisën fjalët e para lidhur me mundësinë që të jetë pikërisht deputeti socialist që do të zërë vendin e Veliajt në qeveri. Klosi ka eksperiencë si anëtar qeverie, pasi më parë në ka shërbyer si zëvendësministër i Pushtetit Lokal, ministër Shteti pranë Kryeministrit dhe si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Shanset që të jetë Klosi zëvendësuesi i Veliajt janë të mëdha, kjo edhe në sajë të faktit se që nga vizita në Emirate, Rama thuhet se e ka ndarë qëndrimin me Klosin, duke i bërë ofertën e përfshirjes së tij në qeveri.

 

 Koalicioni i majtë/ PS lidh marrëveshje me 38 parti, por më shumë se 20 janë forca politike pa përfaqësim

Partia Socialiste zyrtarizoi dje koalicionin e majtë “Aleanca për Shqipërinë Evropiane” që do të garojë në zgjedhjet vendore të 21 qershorit, i cili përbëhet nga thuajse 40 parti. Një numër kaq i madhe forcash politike është cilësuar nga të majtët si një frymë gjithëpërfshirëse dhe si shenjë e një fitoreje të madhe në zgjedhjet lokale. Por nëse i marrim në tërësi të gjitha partitë, ato që mund të veçojmë nga to janë vetëm PS, LSI, PDIU e Idrizit si edhe në rast të gjetjes së konsensusit, PDS e Milos dhe PSD e Gjinushit. Ndërkaq shumica e partive të tjera janë pa përfaqësim, ku numri real i votave të tyre që mund të marrin në njësi administrative të cilën e cilësojnë si avantazhuese për ta nuk shkon më shumë se 200 deri në 300 vota. Sigu8risht bashkëpunimi është për të marrë sa më shumë vota në emër të koalicionit, si edhe për të siguruar një numër të madh të këshilltarëve bashkiakë, por prezantimi i numrit të lartë të partive pjesëmarrëse në koalicion si një garanci fitoreje nuk ecën në nivel të njëjtë me realitetin. Pas mbylljes së takimit, kreu i LSI-së Meta tha se ky është një koalicion gjithëpërfshirës. “Koalicion shumë i gjerë, shumë gjithëpërfshirës. Dhe patjetër edhe për Tiranën patjetër besoj se do të jetë një emër gjithëpërfshirës. Nuk ishim për emrin, firmosëm për koalicionin. Emri i koalicionit është shumë gjithëpërfshirës”, – u shpreh ai. Me të majtë u bashkua dje një tjetër partive e vogël, Aleanca Demokratike. Kreu i kësaj partie, Eduard Abazi, dha dhe arsyet e shkëputjes nga demokratët. “Aleanca Demokratike shkëputet nga PD, bëri negociatën me PS duke besuar se koalicioni i majtë do bëjë një proces zgjedhor sa më të demokratik. Ne shkëputemi nga PD pasi provuam 4 vjet bashkëpunim jo të mirë me të”, – tha ai. Ndërkohë PSV91 e Petro Koçit tha se opozita është e dobët përballë sfidës elektorale. Lidhur me Partinë Social Demokrate të Skënder Gjinushit, ku ky i fundit nuk ishte i pranishëm por u përfaqësua me sekretarin e përgjithshëm, Koçi tha se PSD ishte aty dhe do të jenë dhe shumë parti të tjera. “PSD ishte aty dhe do jenë dhe shumë parti të tjera të cilat sot nuk ishin prezent dhe për arsye teknike”.

 

7 muaj më parë/ Rama nga Uellsi: Veliaj nuk do të jetë kandidat për Bashkinë e Tiranës

Ndonëse dje e konfirmoi para selisë së PS-së, vetëm 7 muaj më parë Kryeministri Edi Rama i hodhi poshtë zërat në atë kohë që e shikonin ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si kandidat për Bashkinë e Tiranës. Deklarata e shefit të qeverisë u bë në Uells, ku ai u intervistua nga kanali televiziv “TCH”. I pyetur nëse do të jetë një ministri Veliaj kandidat për kryeqytetin, Rama konfirmoi se Erion Veliaj do të përfundojë mandatin e tij si ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. “Nuk ka asgjë të vërtetë në këtë. Veliaj gëzon një mbështetje të plotë, por edhe po bën edhe një punë shumë të mirë, madje përtej të gjitha pritshmërive. E ka kthyer Ministrinë në një Ministri të dorës së parë, ndryshe nga më parë kur shikohej si një Ministri që i lihej në dorë ndonjë aleati të vogël. Mund t’ju siguroj se Erion Veliaj do të jetë ministër deri në fund të mandatit”, – tha Kryeministri.