Mandati i Kokëdhimës/ Mazhoranca rrëzon kërkesën e PD-së për ta çuar çështjen në Kushtetuese, opozita: Keni frikë

0
134

Gëzim Saliu

 kokedhima berishaBerisha, Kokëdhimës: Nuk ke nanogram burrëri, mos e “koçizo” Parlamentin, se është turp. Më e ndershme për Parlamentin të sjellë këtu Agron Canen e tij

Mazhoranca rrëzoi dje kërkesën e Partisë Demokratike për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konfliktit të interesit që opozita pretendon se ka deputeti socialist Koço Kokëdhima. Me 68 vota kundër dhe 29 pro, Kuvendi vendosi të rrëzonte kërkesën, duke mos i dhënë mundësi Kushtetueses të shqyrtojë rastin. Ky vendim është cilësuar nga ana e opozitës si një frikë nga ana e deputetit socialist për t’u përballur me ligjet dhe Kushtetutën e vendit, të cilën, sipas demokratëve, e ka shkelur 150 herë. Ndërkaq, kërkesa e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka, që votimi të bëhej i fshehtë, u refuzua nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta, i cili mori shembull një rast të ngjashëm të vendimmarrjes së Parlamentit për këtë çështje.

 

Debati

Kërkesa e opozitës për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konfliktit të interesit ose jo të deputetit Koço Kokëdhima ka hapur debate të forta dje mes mazhorancës dhe opozitës. Deputeti socialist u përplas fort dje në seancën parlamentare ish-kryeministrin Berisha si edhe me sekretarin e përgjithshëm të PD-së Arben Ristani. Ky i fundit, duke lexuar raportin e PD-së, theksoi se edhe sikur një dollar të ketë përfituar deputeti socialist pasi ka veshur kostumin e deputetit, i takon Gjykatës Kushtetuese të gjykojë. “Deputeti Kokëdhima ka ushtruar detyrën në shkelje flagrante të ligjit. Nëse Gjykata është e bindur që jo, atëherë nuk ka asgjë të keqe. Nëse mazhoranca ia fsheh Gjykatës, atëherë është provë se ka shkelur ligjin”, – tha ai. Në përgjigje të tij, deputeti i qarkut të Vlorës tha se nuk ka konflikt interesi kur një deputet është aksioner në një firmë. “Aksioner janë edhe deputetët Halim Kosova, Sadri Abazi, Dashamir Tahiri, Fatmir Toçi, Agron Çela, Paulin Sterkaj, Astrit Veliaj, Fidel Ylli, Agron Duka, Aqif Rakipi etj., etj. Doni më? Dhe nuk është gjë e keqe, se i kanë me mund dhe me djersë”, – tha ai. Ndërkaq, në reagimin e tij, ish-kryeministri Berisha tha se deputeti Kokëdhima nuk duhet të përdorë lidhjet e tij me Kryeministrin Rama për të penguar Parlamentin që të votojë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese. “Mos e koçizo Parlamentin se është turp, bëhu burrë, shko në Gjykatë dhe po e fitove, ke të drejtë 24 orë fjalim kundër Berishës. Po s’je i zoti me lidh dy fjalë se Gjykata do të fluturojë me mandat e lecka”, – u shpreh ai. Në replikë me ish-kreun e qeverisë, deputeti socialist akuzoi Berishën se ka shkatërruar shqiptarët në kohën që ai drejtonte qeverinë e vendit. “Ju e plaçkitët popullin dhe e pretë, e vodhët dhe tradhtuat. Kjo ishte gjithë ajo që u dhe shqiptarëve në 20 e ca vjet në udhëheqje, u dhe këtë mjerim. Je bolshevik i pakorrigjueshëm”, – deklaroi Kokëdhima.

 

Debati i plotë/ Kokëdhima: Do ikësh për lesh Sali. Berisha: Mos u fut pas çitjaneve të Ramës!

Berisha: Një frikacak, që nuk ka as një nanogram burrëri, nuk shkon në Gjykatë, por rri këtu e përdridhet dy orë rresht “Saliu kështu e Saliu ashtu”. Shko në Gjykatë, fitoje në Gjykatë dhe hajde këtu thuaja që të gjitha Saliut. Pse nuk shkon? Ti ke frikë nga Gjykata, ti ke frikë nga hija jote more zotëri. Dhe mos e “koçizo” Parlamentin, se është turp. Në këtë mënyrë, është më e ndershme për Parlamentin të sjellë këtu Agron Canen e tij. Pse? Ai krijoi krim, por shkoi në burg, ai nuk iku, nuk i tha Ramës më mbro se vdiqa. Jo. E bëri krimin, shkoi në drejtësi dhe u dënua.

Kokëdhima: Ti je këtu personi që flet për dekriminalizim, duke pasur në qafë tërë ato dosje akuzash e nën përgjegjësinë tënde tërë ato vrasje, në `97-ën dhe më pas e 21 janar more jetë të pafajshme, pikërisht se je një kokërr frikacak dhe na tregon trimëritë e tua. Je bolshevik i pakorrigjueshëm. Së fundi, zotëri po të them, mos e përdor familjen tënde kundër meje, nuk është në nderin tënd. Nga një penxhere më nxjerr dhëndrin, nga një tjetër një anëtar tjetër. Mjafton ti përballë meje, këtu me ke. Ju jeni grabitqarë.

Ndërhyn nga vendi Flamur Noka: Flet për grabitje grabitqari. Shko në Vlorë Koço e shih çfarë thuhet për ty!

Kokëdhima, Berishës: Kur ti ishte në qeveri me të gjitha gjërat në duar unë bëja biznes, kam punuar dhe kam bërë pasuritë e mia, i gëzoj haptas e legalisht dhe nuk i fsheh si ti pasuritë e vjedhura të shqiptarëve.

Ndërhyn nga vendi Flamur Noka: Shko në Gjykatë Kushtetuese, pra!

Kokëdhima: Nuk u marr dorën juve ku shkoj, përfaqësoj popullin e zonës sime dhe do ua jap përgjigjen më 21 qershor. Do ikësh për lesh Sali.

Balla dhe Abazi nga vendi i drejtohen Koços: Atë dhëndrin ka fiksim të nxjerrë ty ai.

Berisha: Në vend të shkosh në Gjykatë, futesh këtu apo pas çitjaneve të Ramës. Unë si mjek i kuptoj, sepse kur ka raptuse psikologjike, nga frika njeriu nuk di ç’bën. Lidhjet e tua me Ramën janë nga më mistiket te më të çuditshmet e të paimagjinueshmet. Nuk harrohen tavanet që binin mbi kokat e nxënësve, ndërtimet që bën buzë uji, dyshimet që ekzistojnë për vjedhjen e të madhit Vangjush Mio.

 

Debati mes “kushërinjve”/ Kokëdhima: Mos u bëj më dhogë! Ristani: E kuptova pse në fshat s’bënin krushqi me fisin tënd

Ristani: Edhe sikur një dollar të ketë përfituar pasi ka veshur kostumin e deputetit, i takon Gjykatës Kushtetuese të gjykojë. Kjo është kompetencë e qartë e Gjykatës Kushtetuese. Nëse mazhoranca ia fsheh Gjykatës, atëherë është provë se ka shkelur ligjin. Vendimi i Ramës për të mbrojtur deputetin, edhe pse ky është dhunues i Kushtetutës, është rast i paprecedentë.

Kokëdhima: Ristani është nip në fshatin tim, por gjyshi i Ristanit ishte Pllatua, qe kushëri i parë me gjyshin tim. Pllaton e kish bërë Bllagjia, motra e Mitros, dhe mund të kish zgjedhur Saliu një bori tjetër për ta përdorur kundër meje. Kam një këshillë për ty Ristan, se të ndoqa me vëmendje atë natë në Komisionin e Mandateve. Ishe i dehur në atë Komision, ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tri herë, një herë si nip në fshatin tim, një herë si kushëri imi dhe një herë si deputet i opozitës.

Meta: Më tolerant z. Koço! Fjalën e ka z. Ristani, se iu përmend emri.

Ristani: Koçoja u mundua të na e shkoqiste çështjen, po u ngatërrua edhe më tepër. Tani do ta sqarojmë çështjen e kushërirllëkut. M’u kujtua një shprehje e të parëve të mi që thoshin se në fshat ka qenë një rregull, që të mos bënin krushqi me Kokëdhimat. Tani sa herë shoh Koçon, e kuptoj pse paskan pasur të drejtë.

Berisha: Ristani në replikë me Koço Kokëdhimën i rikujton atij një fjalë të gjyshit të vet, e cila ishte “biro mos merr dhe jep tek Kokëdhimët”. Ai nuk shpjegoi arsyen. Në librin e Jorgo Zografit, Kokëdhimët janë në krye të listës dhe Jorgo Zografi dihet për çfarë e kishte regjistrin. Regjistri i Jorgo Zografit ishte regjistri i antishqiptarëve, është e njohur kjo tani dhe e di gjithë Qeparoi, e gjithë zona.