Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjeneral brigade i FSK-së, Zymber Halimi, drejtori i policisë rajonale në Mitrovicë, Nehat Thaçi, dhe përfaqësuesi i familjes së Isa Boletinit, Gazmend Boletini, janë takuar për të diskutuar lidhur me përgatitjet për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini.
Në takim është vlerësuar se rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit është një ngjarje e rëndësishme dhe, si e tillë, ajo zgjon interesimin e qytetarëve, jo vetëm të Mitrovicës e Kosovës, por edhe më gjerë.
Aty u theksua se për këtë ngjarje duhet të bëhen përgatitje gjithëpërfshirëse dhe me kohë, kurse në përgatitje duhet të angazhohen të gjitha institucionet dhe mekanizmat shtetërorë.
Të enjten, më 23 prill, në sallën e Kuvendit të Komunës, në Mitrovicë, do të mbahet edhe takimi i parë i Këshillit për rivarrimin e eshtrave të heroit Isa Boletini.
Rivarrimi i Isa Boletinit do të bëhet në fshatin e lindjes se heroit, në Boletin, më 10 qershor 2015.