Më 17 prill të vitit të kaluar, në moshën 87-vjeçare u nda nga jeta Gabriel Garcia Marquez, shkrimtari i famshëm kolumbian, mjeshtri i prozës latino-amerikane dhe asaj botërore të shekullit XX, themeluesi i zhanrit të ri letrar – realizmit magjik. Lavdinë dhe njohjen ndërkombëtare ia dha romani “Njëqind vjet vetmi”, i cili konsiderohet si enciklopedi e jetës dhe dashurisë njerëzore. Në të gjitha veprat e tij pasqyrohen konfliktet themelore të kohës sonë dhe kërkimi i zgjidhjeve të mundshme të tyre.
Gabriel Garcia Marquez u lind më 6 mars 1927, në qytezën bregdetare Aracataca. Me edukimin e tij u morën gjyshja dhe gjyshi, të cilët i mëkuan dashurinë për përrallat popullore, gojëdhënat dhe gjuhën, të cilat më vonë ishin tharmi i veprave të tij. Në vitin 1940 ai u fut në kolegjin jezuit në Bogota, pas përfundimit të të cilit filloi të merrej me praktikë avokatore, por e braktisi shpejt për t’iu kushtuar gazetarisë dhe letërsisë. Megjithatë, ai vazhdoi arsimimin në fushën e të drejtës në Universitetin e Kolumbisë, në fakultetin juridik. Po në atë vit u botua në gazetën «Espectador» tregimi i tij i parë. Dhe gjatë gjashtë vjetëve këtu u botuan mbi njëzet tregime të tij.
Ndërsa në vitin 1948 u shpërngul në Kartagjenë, ku vijoi juridikun. Pas dy vjetësh u bë reporter i gazetës «Heraldo», ku kishte rubrikën e përhershme “Xhirafa”. Pastaj, në vitin 1954, u kthye në Bogota dhe u bë reporter i “Vëzhguesi”. Pastaj praktika e gazetarit në vende të ndryshme të Evropës.
Më vonë filloi punën në Agjencinë Kubane të Lajmeve “Prensa Latina”. Në vitin 1961 shkoi në Meksiko, ku e siguronte jetën duke shkruar skenarë dhe artikuj në organe të ndryshme, kurse në kohën e lirë shkruante libra. E para vepër e tij serioze ishte “Gjethurinat”, 1955, e cila hap një cikël të gjerë prozaik për qytezën Macondo. Kronikën e Macondo e vijoi në “Kolonelit nuk ka kush t’i shkruajë”, 1961, romani “Ora e ligë”, 1966, dhe e mbyll romani i tij i famshëm “Njëqind vjet vetmi”, 1967.
Ky roman u pranua si një kryevepër e prozës latino-amerikane, që hodhi themelet e një rryme të re që u quajt “Realizmi magjik”, u nderua me shumë çmime ndërkombëtare.
Në vitin 1974 Marquez themeloi në Bogota gazetën e majtë “Alternativa”, ndërsa prej viti 1975 deri 1981, kur në pushtet ishte diktatori kilian Pinoçet, u mor me gazetari politike dhe krijimtari artistike. Në këto vite nga pena e tij dolën romanet “Vjeshta e patriarkut” dhe “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” dhe një sërë tregimesh.
Në vitin 1982 mori çmimin “Nobel” për letërsinë “për romanet dhe tregimet në të cilat fantazia dhe realiteti duke u pleksur, pasqyrojnë jetën dhe konfliktet e një kontinenti të tërë”.
Në vitet e mëvonshme shkroi një radhë veprash të rëndësishme: “Dashuria në kohërat e kolerës”, 1985, “Gjenerali në kabinetin e tij”, përmbledhja “12 tregime pelegrine” etj.
Në vitin 2002 doli vëllimi i parë i kujtime “Të jetosh për të treguar”.
Marquez për vitet të tëra ka pasur problem me shëndetin. Vjet, më 17 prill, vdiq në Meksiko, ku qëndroi për gjysmë shekulli, kurse në atdheun e tij, Kolumbi, u mbajtën tri ditë zi kombëtare.