Fshehu mijëra euro pasuri, gjyqtari i Kavajës përfundon në Gjykatë

0
127

Artan Cena

osman aliu Gjykatësi Osman Aliu akuzohet se nuk ka deklaruar më shumë se 10 mijë euro dhe 3 milionë lekë. Paratë i ka nxjerrë jashtë Shqipërisë, tek të afërmit

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet dhe dërgoi për gjykim dosjen në ngarkim të gjyqtarit të Gjykatës së Kavajës, Osman Aliu, i akuzuar për fshehje të pasurisë. Sipas një njoftimi të bërë publik nga Prokuroria, mësohet se nga dokumentacioni i administruar, rezulton se gjyqtari Osman Aliu në deklaratat periodike vjetore 2009-2013 nuk ka deklaruar 41 transferta të kryera nga një kompani financiare në drejtim të Italisë në shumën totale 10.200 euro. Gjithashtu, po në deklaratat periodike vjetore 2008-2013 nuk ka deklaruar shlyerjen e detyrimit për blerjen e një apartamenti, si dhe gjendjen e llogarisë së tij nga paga. Hetimi për këtë rast nisi pas denoncimit të bërë në fund të muajit shtator të vitit të kaluar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

 

Kërkesa e plotë e Prokurorisë:

Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon për gjykim gjyqtarin e Gjykatës së Kavajës, Osman Aliu, i akuzuar për veprën penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë…”, parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimin në bazë të kallëzimit të ILDKPKI, dorëzuar në datë 30.9.2014.

I pandehur: Osman Aliu,

Akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rreme i pasurive te personave te zgjedhur dhe nëpunësve publike”, që parashikohet nga neni 257/a/2 i K. Penal

Nga hetimi është provuar se Prokuroria pranë Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë me datë 5.11.2014 ka regjistruar procedimin penal për veprën penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë, pasurive interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjorë për deklarim” parashikuar nga neni 257/a/2 i K. Penal. Regjistrimi i këtij procedimi penal është bërë mbi bazën e materialit kallëzues depozituar pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, datë 30.9.2014 nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. ILDKPKI ka depozituar në Prokurorin e Përgjithshme kallëzimin penal në ngarkim të shtetasit Osman Aliu për veprën penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjorë për deklarim” si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” të parashikuar nga neni 257/a/2 e 287 të Kodit Penal.

Nga materiali kallëzues si dhe nga hetimi është provuar se, nga analiza e gjithë dokumentacionit të administruar nga ILDKPKI, lidhur me deklaratën e interesave private të subjektit Osman Aliu dhe korrespondencave të institucioneve publike dhe bankare ka rezultuar se:

Në deklaratën periodike Vjetore të vitit 2008 subjekti deklarues, rezulton me një mosmbulim të pajustifikuar midis të ardhurave dhe aseteve neto, në vlerën 545.634 lekë. Nga verifikimi i dokumentacionit lëshuar nga institucionet bankare, rezulton se subjekti deklarues, nuk ka deklaruar gjendjet e llogarive bankare pranë Bankën xxxxx, që nga viti 2005 e në vazhdim. Likuiditeti cash, në fund të vitit 2013 rezulton të jetë në vlerën 3.130.000 lekë.

Në datën 17.1.2009 është nënshkruar një Kontrate Huaje, midis shtetasit K. K., në cilësinë e huadhënësit dhe subjektit deklarues Osman Aliu, në cilësinë e huamarrësit. Ky veprim juridik nuk është deklaruar nga subjekti.

Nga dokumenti zyrtar i lëshuar nga kompania financiare “XXXXX”, vërteton se në periudhën kohore 2009-2013, subjekti ka dërguar jashtë territorit të Shqipërisë shumën prej 10.200 eurosh, veprime të cilat subjekti nuk i ka deklaruar.

Lidhur me transfertat e kryera nga subjekti Osman Aliu, me procesverbalin e datës 23.2.2015, pranë kësaj kompanie financiare, është sekuestruar dokumentacioni për 41 transferta. Nga dokumentacioni i sekuestruar konstatohet se transferta e parë është kryer me datë 28.3.2009, dhe ajo e fundit me datë 17.12.2013. Pikat nga janë nisur këto transferta rezultojnë të jenë degët e kësaj kompanie në Kavajë dhe Durrës. Dërguesi në të gjitha transfertat është shtetasi Osman Aliu, pritës në transferta kanë qenë dy shtetas, të afërm të tij. Këto transferta nga subjekti deklarues, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike 2009-2013 të paraqitura prej tij në ILDKPKI.

Nga dokumentacioni administruar me procesverbalin e datës 19.12.2014, konstatohet se shtetasi Osman Aliu, në cilësinë e palës porositëse me datë 2.11.2007 ka lidhur kontratë sipërmarrje ndërtimi me subjektin ndërtues “D…….- CONSTRUKSION” sh.p.k, për një apartament me sipërfaqe 69 m2, të cilit pasi t’i zbritet sipërfaqia 37.5 m2, duhet ti paguante shoqërisë ndërtuese sipërfaqen 31.5 m2 në vlerën 15.750 euro. Detyrimi për pagesën e kësaj shume është përcaktuar që të bëhet në tre këste nga shtetasi Osman Aliu, e konkretisht 3000 euro në momentin e lidhjes së kontratës. 5000 euro brenda datës 30.11.2008. Ndërsa 7750 euro në momentin e lidhjes së kontratës së shitblerjes. Sipas përcaktimeve të kësaj kontrate subjekti Osman Aliu sipas mandatarkëtimit të datës 15.11.2008 ka likuiduar detyrimin 5000 euro në favor të subjektit ndërtues “D…….CONSTRUKSION” sh.p.k. Kjo shumë është marrë hua shtetasit K. K., nga Osman Aliu, bazuar në kontratën e huasë datë 17.1.2009. Këto veprime nga subjekti deklarues, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike 2008-2013 të paraqitura prej tij në ILDKPKI.

Sa sipër nga dokumentacioni i administruar rezulton se subjekti Osman Aliu në Deklaratat Periodike Vjetore 2009-2013 nuk ka deklaruar 41 transfertat e kryera nga kompania financuare “XXXXX” në drejtim të Italisë në shumën totale 10.200 euro.

Gjithashtu në deklaratat periodike vjetore 2008-2013 nuk ka deklaruar shlyerjen e detyrimit për blerjen e një apartamenti, si dhe gjendjen e llogarisë së tij nga paga.

Për sa sipër dhe në bazë të dokumentacionit të administruar, konstatohet dhe provohet se jemi përpara elementeve të veprës penale të “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal nga i pandehuri Osman Aliu.

 

 Shkatërrohet me tritol ndërtesa 4-katëshe në Lushnjë

 Rreth 50 kilogramë lëndë eksplozive e llojit tritol është vendosur për shembjen e një ndërtesë trekatëshe pranë Rrethrrotullimit në Bishtin e Zhurit në Lushnjë. Tritoli, i cili ishte i vendosur në 632 piketa të ndryshme, ka shkatërruar në pak sekonda të gjithë objektin. Më herët, policia kishte marrë të gjitha masat për bllokimin e trafikut dhe largimin e banorëve që ndodheshin pranë. Aksioni i Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit do të vijojë edhe më tej në autostradën Rrogozhinë-Lushnjë-Fier për prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje qe prej kohësh kanë zënë hapësirat publike. Më herët, aksioni i IKMT-së në Lushnjë, ka hasur edhe rezistencën e banorëve, të cilët kanë kërkuar kompensimin e banesave të tyre. Drejtuesit e IKMT-së bëjnë me dije se në këtë zonë janë parashikuar të prishen një sërë objektesh disa katërshe.