E mallkova ballin tënd, barkun, jetën tënde

0
157

Henri Michaux

prill Henri Matisse music-sketch-1907Henri Michaux, një natyrë mjaft ideosinkretike, poet, shkrimtar dhe piktor, i cili ka shkruar në frëngjisht. Michaux është më i njohur për librat e tij ezoterikë shkruar në një stil shumë të arritshëm. Një poet që udhëtoi shumë, karriera e të cilit pati disa drejtime. Shkroi dy vepra mjaft intriguese e të tjera që i mëshojnë fuqisë poetike mbi njeriun. Më poshtë janë disa poezi të marra nga “Fjala review”

 

  1. Unë po vozis

E mallkova ballin tënd, barkun, jetën tënde

Mallkova rrugët ku shkelën hapat e tu

Gjërat që preke me duar

Mallkova brendinë e ëndrrave të tua.

 

Të vura një pellg në sytë që më s’shikojnë

Një insekt në veshin tënd që më s’dëgjon

Një sfungjer në trurin tënd që më s’kupton.

 

Të ngriva në shpirtin e trupit tënd

Të ktheva në akull në thellësitë e jetës tënde

Ajri që thith të mbyt

Ajri qe thith ti është si ajër qilari

Është një ajër që e kanë shfryrë tashmë

Hienat

Ky është një ajër që askush s’mund ta thithë.

 

Lëkura jote është e tëra e lagësht

Lëkura jote djersit ujërat e frikës së madhe

Sqetullat e tua kutërbojnë deri larg prej shpellës së nëndheshme.

 

Kafshët ngordhin në vend kur kalon ti

Qentë ulërijnë natën, me kokat drejtuar nga shtëpia jote

Nuk mund të arratisesh

Nuk mund të mbledhësh as fuqinë e një milingone në majën e këmbës tënde

Lodhja ta kthen trupin në një cung

Lodhja jote është një karvan i gjatë

Lodhja jote shtrihet deri në vendin e Nan

Lodhja jote është e papërshkrueshme me fjalë.

Vetë goja jote të kafshon

Vetë thonjtë e tu të çjerrin

 

S’të përket më, gruaja jote

S’të përket më, vëllai yt

Shputën e këmbës ia ka pickuar një gjarpër.

 

Dikush pështyu mbi pasardhësit e tu

Dikush pështyu buzëqeshjen e vajzës tënde të vogël

Dikush u kapardis duke pështyrë në pronat e tua

 

 Bota ikën larg teje

Unë po vozis

Unë po vozis

Unë po vozis kundër jetës tënde

Unë po vozis

Unë shumohem në vozitës të panumërt

Që të vozis më me forcë kundër teje

 

Ti bie në mjegull

Ti ke mbetur pa frymë

Ti rraskapitesh me përpjekjen më të vogël

 

Unë vozis

Unë vozis

Unë vozis

Ti zvarritesh i dehur, lidhur pas bishtit të një mushke

Dehja si një çadër e stërmadhe që errëson qiellin

Dhe mbledh mizat

Dehje marramendëse e kanaleve semicirkulare

Fillesat e pavëna re të një hemiplegjie

Dehja nuk të lëshon më

Të shtrin në të majtë

Të shtrin në të djathtë

Të shtrin mbi kalldrëmin e rrugës

Unë vozis

Unë vozis

Unë po vozis kundër ditëve të tua

 

Ti hyn në shtëpinë e vuajtjes

Unë vozis

Unë vozis

Në një shami sysh të zezë janë shënuar veprimet e tua

Në syrin e madh e të bardhë të një kali me një sy e ardhmja jote rrokulliset

UNË PO VOZIS.

 

  1. Përmes oqeaneve dhe shkretëtirës

Efikas si akti seksual me një vajzë të virgjër

Efikas

Efikas si mungesa e puseve në shkretëtirë

Efikas është veprimi im

Efikas

 

 

Efikas si tradhtari që qëndron mënjanë me njerëzit e tij gati për të vrarë

Efikas si nata për të fshehur objekte

Efikas si dhia për të bërë fëmijë

Te veckël, të veckël, zemërthyer që në lindje

Efikas si nepërkë

 

Efikas si një thikë e mprehur për të plagosur

Si ndryshk dhe urinë për të plagosur më tej

Si dridhje, rënie, goditje për ta bërë më të gjerë

Efikas është veprimi im

 

Efikas si skërmitja e dhëmbëve që vërshon një oqean me urrejtje në gjoksin

E të përbuzurit, një oqean që s’do të thahet kurrë

Efikas si shkretëtira për të dehidratuar trupa dhe ashpërsuar shpirtra

Efikas si nofullat e një hiene për të mbllaçitur gjymtyrët e trupave të

Pambrojtur të të vdekurve

EFIKAS

Efikas është veprimi im

 

III. Të veproj, unë vij

Po hap derën brenda teje, po hyj

Të veproj, unë vij

Jam këtu

Të t’mbroj

Ti nuk je më e braktisur

Ti nuk je më në vështirësi

Litarët e tyre janë zgjidhur, sikletet e tua kalojnë

Makthi që të la te drobitur s’është më

Unë po të mbaj me shpatullat e mia

Me mua ti hedh

Hapin e parë në shkallën e pafundme

Që të transporton

Që të ngre lart

Qe të përmbush

 

Unë të paqtoj

Po shpërhap pëlhura paqeje mbi ty

Po përkund fëmijën e ëndrrës tënde

Buroj

Buroj nga gjethet e çara rrathë imazhesh përqark gruas së frikësuar

Buroj nga dëbora e zbehtësisë së saj

Buroj nga frymëmarrja e saj… dhe zjarri ndizet sërish.

 

TË VEPROJ, UNË VIJ

Mendimet e tua për sulmet janë të mbrojtura

Mendimet e tua për dështimet, dobësitë

Forca ime është në trupin tënd, ka zënë vend aty

…dhe fytyra jote, shrrudhoset, rinohet

Sëmundja nuk të prek më

Frika të braktis

 

Paqja e qiejve

Paqja e lëndinave të lulëzuara

Paqja kthehet tek ti

Në emër të numrit më të lartë, unë po të ndih

Si një krater tymosës

Gjithë peshën e ngre prej supeve të tua të kërrusur

Këto koka të çuditshme rrotull teje

Vëzhguesit helmues të mjerimit të atij që është i dobët

Nuk mund të t’shohin më

Nuk ekzistojnë më

 

Një grumbull përforcimesh

Krejt mister nga thellësia

Si një zgjim nënujor

Si një këngë baritone

Unë vij

Kjo këngë të merr

Kjo këngë të ngre

Kjo këngë merr shpirt nga shumë burime

Kjo këngë ushqehet nga një Niagarë qetësie

Kjo këngë është e tëra për ty

 

Jo më vargonj

Jo më hije të errëta

Jo më frikë

Nuk ka asnjë gjurmë të tyre

Nuk ke nevojë për to

Atje ku pati dhimbje, ka pambuk

Atje ku pati plagë, janë mbyllur

Atje ku pati infeksion, ka gjak të ri

Atje ku pati dryna të mbyllur, ka det të hapur

Det që të mbart, dhe plotësia jote

E paprekur, si një vezë e fildishtë

Unë kam larë fytyrën e të ardhmes tënde.

Përktheu: Mirela Kapaj

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency