Kërkesa/ Deputeti Tom Doshi kërkon lirinë në prag të fushatës elektorale

0
181

Artan Cena

 Tom DoshiJa argumentet me anë të të cilave deputeti kërkon ndryshimin e masës së sigurisë së dhënë nga Gjykata e Lartë nga “Arrest në shtëpi”, në hetim në gjendje të lirë

Pasi kanë rënë edhe pretendimet e Prokurorisë së në kompjuterin e Tom Doshit kishte një video të dytë ku Durim Bami kërcënohej me armë për të rrëfyer atentatin, deputeti kërkon që të jetë i lirë e jo në “Arrest shtëpie”. Kërkesa për ndryshimin e masës së sigurisë është dorëzuar nga avokatët e deputetit Doshi në Gjykatën e Lartë. Edhe më parë avokatët Vladimir Meçe dhe Ferid Muça kanë hedhur akuza ndaj prokurorisë se është duke zvarritur hetimet që të mbajë në shtëpi deputetin Tom Doshi. Sipas tyre, elektorati kërkon që ta takojë deputetin e tyre. Burime nga Gjykata kanë bërë të ditur se kërkesa do të shqyrtohej mëngjesin e sotëm, rreth orës 09:30 minuta dhe më pas do të merret një vendim, por kjo seancë është shtyrë pasi një nga anëtarët e kolegjit ndodhet jashtë shtetit. Edhe me masën e dhënë më parë nga Gjykata ka pasur kundërshtime edhe nga vetë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë.

 

Kërkesa për lirinë

Deputeti Tom Doshi që prej disa javësh ndodhet në masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, kërkon që të jetë i lirë dhe të ushtrojë aktivitetet e tij, politike dhe afariste. Mësohet se avokatët kërkojnë që Tom Doshi të lirohet nga masa e “Arrestit shtëpiak” dhe ndaj tij të caktohet një masë më e butë sigurie. Avokatët pretendojnë se dosja hetimore është drejt fundit dhe Prokuroria ka siguruar dhe administruar thuajse të gjitha provat dhe lirimi i Doshit nuk përbën rrezik për marrjen e provave të tjera. Ata e bazojnë kërkesën e tyre në dy argumente. I pari është fakti që, sipas mbrojtjes, ka rënë pretendimi i Prokurorisë dhe të pandehurit tjetër në këtë çështje Durim Bami se Tom Doshi ka regjistruar një video tjetër përveç asaj që është bërë publike, me Bamin nën kërcënimin e armës. Argumenti i dytë, që pritet të jetë, është pretendimi se nuk ka asnjë akuzë tjetër ndaj Doshit që ka të bëjë me pastrim parash apo fshehje pasurie, fakte këto që janë pretenduar nga Prokuroria në momentin kur u vendos masa e sigurisë “Arrest shtëpie”. Duke qenë se këto dyshime që kishte Prokuroria nuk janë vërtetuar, sipas avokatëve, klienti i tyre Tom Doshi nuk duhet të ketë masë shtrënguese sigurie. Deputeti Tom Doshi vazhdon të jetë i izoluar në banesën e tij pas masës së sigurisë “arrest shtëpi” që nga data 28 mars të këtij viti, për tre akuza penale, por që me zbardhjen e provave të reja, duket se nuk qëndrojnë.

 

Deklarata e avokatëve

“Gjykata e Lartë ka qenë e ngutur dhe nën presion e nuk ka shqyrtuar siç e kërkon ligji, një kërkesë siç e do mbrojtja”, – tha Meçi. Më tej, avokati Muça deklaroi se masa “Arrest shtëpie” për deputetin e ka penalizuar atë, pasi nuk mund të takohet as me elektoratin e tij. “Zoti Doshi është deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Në këtë rast, me masën e arrestit arrest shtëpie, ka penalizuar atë që të komunikojë me qytetarët, nga ata që ai është zgjedhur. Ka pasur shumë kërkesë nga elektorati i tij për ta takuar. Ne kemi deklaruar se ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë do i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese. Por vendimi i gjykatës së lartë është depozituar shumë me vonesë në sekretarinë e kësaj gjykate. Doshi është shumë i lidhur me elektoratin e tij”, – tha avokati Muça.

 

Padia ndaj Brahos, Doshi kërkon 1 lek

Vetëm 1 lek. Kjo është shuma që deputeti Tom Doshi kërkon nga kolegu i tij Spartak Braho në padinë që ka bërë në Gjykatën e Lartë. Në padinë e bërë nga Doshi në Gjykatë, deputeti kërkon dëmshpërblimin në lidhje me akuzat që ka bërë deputeti i LSI-së në lidhje me atë që pretendohet të jetë “raporti mjekësor fals”. Padia është dorëzuar në datën 3 prill në Gjykatën e Lartë. Kërkesa u dorëzua nga avokatët mbrojtës të deputetit Tom Doshi, pasi deputeti Spartak Braho në konferencën e shtypit më 25 mars 2015, pak minuta para se të niste mbledhja e Këshillit të Mandateve, deklaroi se raporti mjekësor i depozituar nga ai ishte i falsifikuar.

 

Pranga të riut, i këputi veshin me thikë bashkëfshatarit të tij

Një 26-vjeçar është arrestuar nga policia e Fierit, pasi në debat e sipër i ka këputur veshin bashkëfshatarit të tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:30 të mëngjesi të djeshëm në fshatin Bashkim të këtij qyteti. Mësohet se në pranga ka rënë Malvin Troka. Burime nga policia lokale deklaruan se në sherr janë përfshirë katër persona, ndërsa është plagosur me thikë 52-vjeçari Y. T. Fill pas ngjarjes, i plagosuri është transportuar me urgjencë për në spitalin Rajonal të Fierit, ndërsa ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sapo u njoftua për konfliktin, forcat e rendit mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bënë të mundur arrestimin e autorit të dyshuar. Ndërkohë, policia ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për 16-vjeçarin J. T. Sakaq, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa materialet i kanë kaluar prokurorisë së këtij rrethi për veprime hetimore të mëtejshme.

 

Punësonte qytetarët dhe nuk i paguante, arrestohet mashtruesi

 Një qytetar nga Librazhdi është vënë në pranga pasi akuzohet se mashtronte njerëzit duke i punësuar dhe më pas nuk i paguante. Burime zyrtare kanë bërë të ditur se specialistët e sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit kanë ndaluar nën akuzën e mashtrimit një 46-vjeçar. I ndaluari është shtetasi Bekim Alla, banor i fshatit Zgoshtë të Librazhdit. Në deklaratën e policisë thuhet se i arrestuari Alla ka mashtruar persona të ndryshëm duke i punësuar, por që më pas nuk i ka paguar. Ai u paraqitej viktimave të tij si administrator i një firme elektrike fiktive dhe punësonte qytetarë të ndryshëm në qytetin e Elbasanit. Edhe pse u premtonte rroga të mira, askush nuk kishte marrë para. Policia thotë se po vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit për zbardhjen e plotë të kësaj skemë mashtrimi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency