Surpiza e Portos zgjati vetëm 1 javë, pasi në takimin e dytë çerekfinale portugezët u mundën thellë nga Bayern Munchen, që është kualifikuar në gjysmëfinalet e Champions League.
Sëbashku me ekipin gjerman ka siguruar kualifikimin edhe Barcelona. Bayern i Pep Guaridola i ka dhënë një leksion Porto në ndeshjen e zhvilluar në Mynih. Bavarezët kanë zotëruar përballjen duke e fituar me rezulatin e thellë 6 – 1, pas humbjes 3 – 1 një javë më parë në Portugali.
Një ekip i tërë shënues, pasi kanë 5 autorët e golave për vendasit, që janë rikthyer të zakonshmit duke hedhur pas kritikat, aq sa edhe Guardiola gjatë festimeve ka patur një incident me pantallonat e tij.
Një vend në gjysmëfinale edhe për Barcelona që ka mundur Paris Saint Germain edhe në sfidën e dytë, por kësaj here me rezultatin 2 – 0. Neymar ka qenë protagonisti në fitoren për katalanasit duke e bërë që rikthimi i Ibrahimoviç të jetë i parëndësishëm te ekipi francez.
Të mërkurën do të zhvillohen edhe dy përballje të tjera për të plotësuar ekipet gjysmëfinalistë. Në Klan dhe Klan HD do të ndiqni derbin e Madrid mes Real dhe Atletico.