Dosja/ Mesazhet, si merreshin mijëra euro në Lushnjë për një vend pune si mësues

0
164

Artan Cena

 Luiza TabakuZbardhen bisedat se si mësuesit kishin marrë edhe kredi për të paguar Luiza Tabakun

 Prokuroria e Lushnjës ka dërguar për gjykim ish-drejtoren e Arsimit, Luiza Tabaku, e akuzuar për “Korrupsion pasiv” dhe “Shpërdorim të detyrës”. Bashkë me të, i pandehur është marrë edhe djali i saj, Xhonluko Tabaku, dhe Rigert Zeneli, të dy të akuzuar për “Ushtrimin e ndikimit të paligjshëm”. Ish-drejtorja bashkë me të birin dhe mësuesin Zeneli dyshohet se merrnin para nga mësues të ndryshëm në zonën e Lushnjës, në këmbim të emërimit, transferimit apo moslëvizjes nga vendi i punës.

 

Kërkesa e Prokurorisë:

Sektori kundër Krimit Financiar, pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier mbi bazën e të dhënave të siguruara në mënyrë operative, ka ardhur në dijeni të faktit se e pandehura Luiza Tabaku, me detyrë drejtore e Zyrës Arsimore në Lushnjë kryen veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës, duke ofruar transferimin apo emërimin e personave të ndryshëm, kundrejt përfitimeve të paligjshme. Sipas të dhënave të siguruara nga policia gjyqësore, dyshohej se në veprimtarinë korruptive e pandehura Luiza Tabaku ndihmohej nga të afërm dhe të njohur të saj, të cilët luanin rolin e ndërmjetësit për persona të ndryshëm për t’i punësuar si mësues, kundrejt shumave të ndryshme të lekëve. Në funksion të hetimit të kësaj çështje, me qëllim provimin e faktit penal, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier ka lejuar përgjimin e bisedave telefonike për numrat e telefonit celular që përdoreshin nga të pandehurit Luiza Tabaku, Xhonluko Tabaku dhe persona të tjerë të dyshuar (të afërm dhe persona të punësuar pranë Zyrës Arsimore Lushnjë). Nga procesverbalet e transkriptimit të këtyre bisedave telefonike, kanë rezultuar biseda me përmbajtje të rëndësishme, të cilat provonin ekzistencën e faktit penal, që e pandehura Luiza Tabaku gjatë ushtrimit të detyrës së saj si drejtoreshë e Zyrës Arsimore Lushnjë, e ndihmuar nga këta shtetas, në këmbim të emërimeve dhe transferimeve të mësuesve në komuna të ndryshme dhe në qytetin e Lushnjës merrte shuma të konsiderueshme parash.

Nga procesverbalet e transkriptimit të disa prej bisedave të zhvilluara në ambientet e Zyrës Arsimore Lushnjë midis drejtores dhe qytetarëve të ndryshëm të interesuar, rezulton se këta të fundit i premtojnë dhënien e një “kafeje”, kundrejt vendimit për emërimin në detyrën e mësuesit.

Edhe nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave telefonike të zhvilluara midis të pandehurës Luiza Tabaku dhe djalit të saj Xhonluko Tabaku, rezultojnë biseda me interes për hetimin. Në shumë raste, këta dy shtetas bisedojnë me njëri tjetrin për mundësitë e emërimit, transferimit dhe lejimit të qëndrimit në detyrën e mësuesit, të personave të ndryshëm, kundrejt shumave të ndryshme parash, që variojnë nga 3000 deri në 5000 euro.

Nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave telefonike të të pandehurës Luiza Tabaku dhe djalit të saj Xhonluko Tabaku, rezulton se ky i fundit zhvillon biseda me persona të ndryshëm, të cilët interesohen për veten ose për të afërm të tyre për të filluar ose qëndruar në punë në arsim. Madje në një rast, Xhonluko gjatë komunikimit telefonik me një person të quajtur “Hysa” (identiteti i saktë i të cilit nuk u arrit të saktësohej nga hetimi) nëpërmjet telefonit të babait të së fejuarës së tij ka zhvilluar një bisedë, nga përmbajtja e së cilës kuptohet qartë se Xhonluko ka marrë përsipër t’i “rregullojë” vajzës së bashkëfolësit regjistrimin në universitet në degën “gjuhë-letërsi”, kundrejt shumës prej 3500 euro, të cilat i ka marrë paraprakisht. Gjatë bisedës bashkëfolësi “Hysa” i kërkon Xhonlukës t’i kthejë paratë, përndryshe e kërcënon duke i thënë se do ta bëjë publik rastin. Rezulton nga biseda se personi me emrin “Hysa” është i pakënaqur me degën italisht që Xhonluko i ka rregulluar vajzës së tij, pasi është rënë dakord më parë për degën Infermieri, më pas për gjuhë-letërsi dhe në përfundim për italisht.

Pas zhvillimit të këtyre bisedave, Xhonluko komunikon për secilin nga rastet “e interesuara” me nënën e tij Luiza Tabaku, e cila e informon mbi vendet vakante dhe mundësitë e lëvizjes apo të transferimit në komuna të ndryshme apo në shkollat e qytetit të Lushnjës. Rezulton nga përgjimet se në të shumtën e rasteve Xhonluko takohet dhe personalisht me personat e interesuar, të cilëve ju përcaktonte tarifat në para në varësi të vendit të ofruar, tarifa të cilat rezultojnë edhe nga përgjimet telefonike. Në disa raste, gjatë takimeve janë dorëzuar dhe shumat e parave të kërkuara prej Xhonlukës (përmendim këtu shtetasin S. H. dhe Rigert Zeneli). Pas dorëzimit të parave nga këta persona, e pandehura Luiza Tabaku përgatiste urdhrin për emërimin apo komandimin në detyrë, të cilin jua dorëzonte personalisht ose në rrugë zyrtare personave në fjalë.

Gjithashtu, referuar deklarimeve të shtetasve E. M., dhe I. M., rezulton se për t’u emëruar si mësues i edukimit fizik, ky i fundit i ka dhënë Xhonkula Tabaku nëpërmjet një personi të tretë, shumën prej 3000 euro. Menjëherë pas dhënies së parave ky shtetas ka filluar punë në arsim.

Po kështu, në disa raste për shkak të shumave të mëdha të parave të kërkuara nga Xhonluko, personat e interesuar nuk kanë vazhduar bisedimet me të, fakt i cili konfirmohet si nga përgjimet telefonike ashtu edhe nga deklarimet e këtyre shtetasve. Përmendim këtu shtetasit B. Sh. dhe E. K., të cilët kanë përfunduar studimet e larta për edukim fizik dhe kanë pasur biseda dhe takime me të pandehurin Xhonluko, të cilit i kanë kërkuar t’i ndihmonte për të filluar punë në arsim. Për çdo vend vakant që Xhonluko u ofron këtyre shtetasve, më parë konsultohet me nënën e tij Luiza Tabaku, e cila e sqaron për vendet më të përshtatshme.

Mbi informacionin dhe kërkesën e datë 20.11.2014 është autorizuar kryerja e përgjimit të fshehtë audio dhe video në vende publike, si dhe komunikimeve në këto vende, midis Rigert Zeneli dhe Xhonluko Tabaku. Gjithashtu, duke parë rëndësinë e komunikimeve të të pandehurit Rigert Zeneli me të pandehurin Xhonluko Tabaku është lejuar me vendim prokurori përgjimi i komunikimeve telefonike të këtij shtetasi, i cili është vleftësuar dhe nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë.

Nga procesverbalet e transkriptimit të bisedave telefonike të zhvilluara midis këtyre dy shtetasve rezulton se i pandehuri Xhonluko Tabaku, ka kryer një bisedë me të pandehurin Rigert Zeneli, mësues në shkollën e fshatit Allkaj, për të lejuar qëndrimin në punë të shtetasit G. Sh. edhe ky mësues në të njëjtën shkollë. Gjithashtu, më datë 19.11.2014 midis numrave të telefonit… 888 që i përket të pandehurit Xhonluko Tabaku dhe numrit të telefonit… 293 që i përket të pandehurit Rigert Zeneli janë dërguar këto sms:

“Merri 1300 euro. 50 euro mbaj vetë të tjerat merja nsr ti e po vi ti marr une. T ngelet mes nesh ok?”((sms i dërguar nga Xhonluko).

“O Xhon 130 apo një mijë e 300?” (sms i dërguar nga Rigert Zeneli)

“1 mijë e3qind se ky del i papunë mo vlla.dhe kaq t thot flm se ngelet jashtë sistemit fare” (sms i dërguar nga Xhonluko).

Më pas Xhonluko ka folur edhe me nënën e tij Luiza Tabaku, të cilën e ka pyetur për shumën e parave që do t’i kërkonte G.SH, duke rakorduar për 100 000 (njëqind mijë) lekë. Ndërkohë Luiza i ka thënë Xhonlukës se këtë problem do t’ia mbyllte ajo, pasi është siguruar se ky i fundit kishte “mbaruar punë”. Gjithashtu, e pandehura Luiza Tabaku ka komunikuar edhe vetë në telefon me shtetasin G.SH, të cilin e ka siguruar se do ta ndihmonte, pa qënë nevoja të jepte provimin e shtetit.

Ndërkohë, gjatë kryerjes së përgjimit të fshehtë fotografik dhe filmik, nga of.pol.gjyq të ngarkuar me këtë detyrë, janë konstatuar më datë 22.11.2014, rreth orës 1230 në afërsi të një pike karburanti në fshatin Allkaj, Komuna Allkaj, të rrethit Lushnje, të pandehurit Rigert Zeneli dhe Xhonluko Tabaku. I pandehuri Xhonluko Tabaku ka ardhur me mjetin tip Mercedes Benz C-Class me targa AAxxxIY dhe ka ndaluar në afërsi të një pike karburanti në fshatin Allkaj dhe aty është takuar në këmbë me të pandehurin Rigert Zeneli. Pasi kanë biseduar për pak sekonda me njëri tjetrin, i pandehuri Rigert Zeneli i ka dhënë të pandehurit Xhonluko Tabaku një shumë lekësh në formë “mite” sipas bisedës së rënë dakort më parë në telefon.

Në këto momente, kanë ndërhyrë forcat e policisë, të cilat kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve Rigert Zeneli, me detyrë mësues në shkollën e fshatit Allkaj dhe shtetasit Xhonluko Tabaku, djalit të Luiza Tabaku, me detyrë drejtoreshë e Zyrës Arsimore Lushnjë, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i K. Penal.

Gjatë kontrollit personal që i është bërë të dyshuarve, menjëherë pas arrestimit i janë gjetur 160 000 lekë të pandehurit Xhanluko Tabaku dhe 40 000 lekë të pandehurit Rigert Zeneli. Këto shuma lekësh janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në këto kushte, duke qenë se kishte të dhëna të mjaftueshme për të dyshuar se e pandehura Luiza Tabaku, me detyrë Drejtoreshë e Zyrës Arsimore Lushnjë, kishte konsumuar të gjithë elementët e veprës penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 259 i K. Penal, nga organi akuzës është urdhëruar ndalimi i kësaj shtetaseje.

Edhe nga kontrolli personal i kryer ndaj të pandehurës Luiza Tabaku ka rezultuar se kishte me vete 126 250 lekë dhe 3370 euro, (përfshirë tek kjo shumë dhe sasia e parave të hedhura në tualet).

Pasi është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, e pandehura Luiza Tabaku ka hedhur në tualetin e Drejtorisë një shumë prej 2500 eurosh dhe 50 000 lekësh, të cilat janë fiksuar me procesverbal këqyrjeje vendesh dhe më pas janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Për nevoja hetimi është pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale shtetasi G. Sh., i cili ndër të tjera ka sqaruar se pasi ka mësuar nga drejtori i shkollës ku punon si mësues, se emri i tij figuronte në listën e personave “jashtë profilit” ka takuar Rigert Zenelin, pasi kishte dijeni që ky i fundit kishte njohje personale me shtetasin Xhonluko Tabaku, djalin e drejtoreshës së arsimit në Lushnje. G.SH i ka kërkuar Rigertit që ta ndihmonte të qëndronte në punë. Rigerti pasi ka biseduar me djalin e drejtoreshës, Xhonluko Tabaku i ka thënë se do ta ndihmonte kundrejt një “kafeje”, të cilën ja kishte kërkuar Xhonluko. G.SH ka rënë dakort dhe më datë 21.11.2014 i ka dhënë Rigertit 210 000 lekë, sipas bisedës së rënë dakort më parë.

Të njëjtat shpjegime në lidhje me faktin ka dhënë edhe shtetasi Rigert Zeneli i pyetur në cilësinë e personit nën hetim. Gjithashtu, ky shtetas në vijim të hetimeve ka shtuar se edhe vetë për të filluar punë si mësues i edukimit fizik i ka dhënë të pandehurit Xhonluko Tabaku shumën prej 500 000 Lekësh, nga të cilat 400 000 lekë i ka marrë kredi tek institucioni jobankar “XXX”, ndërsa shumën prej 100 000 lekësh ja ka dërguar kuanti i tij, emigrant në Greqi, përmes pikës së “Western Unionit” në Lushnje.

Kërkimi dhe dhënia e parave në këmbim të emërimit në detyrën e mësuesit, konfirmohet edhe nga deklarimet e shtetasve M.B, I.H, T.K, E.H dhe R.S. Konkretisht, shtetaset M.B dhe I.H kanë deklaruar se për të filluar punë, respektivisht si mësuese e gjuhës angleze dhe edukatore, i kanë dhënë të pandehurës Luiza Tabaku e para 300 000 Lekë, ndërsa e dyta 1000 Euro. Shtetësia T.K dhe vëllai i saj E.H i kanë dhënë të pandehurës Luiza Tabaku në banesën e saj shumën prej 370 000 lekësh. Ndërkohë shtetasi R.S i ka dorëzuar të pandehurës Luiza Tabaku një letër (e cila është sekuestruar në cilësinë e provës materiale në çantën e kësaj të fundit) në të cilën shënohen vendet vakante dhe përbri vendeve shumat përkatëse në të holla që ky shtetas ishte i gatshëm të paguante për të filluar punë, pas disa bisedave të zhvilluara në ambjentet e Zyrës Arsimore Lushnje me ish drejtoreshën Luiza Tabaku. Kjo e fundit gjatë këtyre bisedave ka lënë të nënkuptuar pranimin e parave, duke i premtuar se do ta rregullonte së shpejti.

Dhënia e mitës pranohet edhe nga shtetësia R.M, e cila për të filluar punë si mësuese Bio-Kimie i ka dhënë shtetases Luiza Tabaku në ambjentet e jashtme të banesës së kësaj të fundit shumën prej 3000 euro, të cilat i kishte futur brenda një zarfi ku kishte shënuar emrin, mbiemrin dhe numrin e telefonit. Ky zarf është sekuestruar në cilësinë e provës materiale gjatë kontrollit të banesës së personit nën hetim Luiza Tabaku.

Deklarimet e personave që kanë dhënë para në këmbim të vendit të punës, konfirmohen edhe nga urdhërat për fillimin e punës të këtyre shtetasve, të cilat përputhen në kohë me periudhën kur janë dhënë paratë. Këto udhëra janë të sekuestruara në cilësinë e provës materiale.

 

Të pandehurit:

Luiza Tabaku, “Arrest në burg”, akuzuar për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në rrethanat rënduese.

Xhonluko Tabaku, “Arrest në shtëpi”, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Rigert Zeneli, “Detyrim paraqitje”, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.