Gëzim Saliu
Deputeti i LSI-së për vendimin e Gjykatës: “Po me urën ç’patën”. Byroja, jo strukturë paralele, por organ i posaçëm i hetimit. Ministri i Brendshëm: Marrim masa nëpërmjet amendimit të ligjit
Edhe pse vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka rrëzuar ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, mazhoranca e majtë këmbëngul në ngritjen e kësaj strukture të hetimit në vend. Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri si edhe deputeti i LSI-së Spartak Braho theksuan dje se pavarësisht nga vendimi i Gjykatës, Byroja do të ngrihet, duke marrë masa edhe për ndryshimin e ligjit dhe akteve ligjore për të qenë brenda kuadrit kushtetues. Më i ashpër në reagimin e tij ishte deputeti i LSI-së, i cili akuzoi Kushtetuesen se ka marrë vendimin më të keq në historinë e saj. Në reagimin e tij, Braho nuk ngurroi të ironizonte vendimin duke pohuar: “Nuk e di ku fle lepuri”.
Reagimet
Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, tha dje se Byroja do të ngrihet, pasi kjo strukturë është shumë e rëndësishme në luftën kundër korrupsionit në rangjet e larta. “Askush nuk i ka lejuar vetes komentimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Është një organ që do të ngrihet. Presim zbardhjen, reflektimin dhe marrjen e masave, qoftë nëpërmjet amendimit të ligjit dhe akteve ligjore. Byroja Kombëtare e Hetimit është një organ shumë i rëndësishëm në korrupsionin elitar. Jemi shumë të vendosur për të ngritur një institucion”, – tha ai. Më tej, ministri theksoi se qeveria është në bashkëpunim me FBI-në për ngritjen dhe hapjen e çdo procedure, që nga organizimi e deri tek kriteret. “Ky është një partneritet që garanton mbi të gjitha standardet më të larta për shembjen e murit të pandëshkueshmërisë, siç është korrupsioni në nivele të larta, krimi i organizuar kështu e me radhë. Në respekt të plotë të vendimit, do marrim masa me një procedurë të përshpejtuar kur Byroja të ngrihet në këmbë”, – deklaroi Tahiri. Ndërkaq, kreu i Komisionit të Sigurisë, Braho, i cili në diskutimin e projektligjit të Byrosë muaj më parë nuk ngurroi të shprehte një sërë kritikash, deklaroi dje në Kryesinë e Kuvendit duke theksuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e kërkesës së ngritjes së Byrosë Kombëtare të Hetimit ishte më i keqi i dhënë ndonjëherë nga kjo Gjykatë. “Duke perifrazuar një thënie “Po me urën ç’patën”, dua të them që është vendimi më i keq që ka dhënë Gjykata Kushtetuese. Çudi e madhe që ndonëse kjo iniciativë u mbështet edhe nga ndërkombëtarët, madje u mbështet edhe gjatë takimit të ministrit të Jashtëm Bushati me Sekretarin e Shtetit Amerikan John Kerry, Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar. Pa dyshim nuk diskutohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, kjo që po them unë është një opinion, por që nuk e ndal mazhorancën t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje, për ta ngritur, për ta ringritur, për të gjetur mënyrën për ta konstruktuar për t’i shkuar çuar deri në fund problemit të funksionimit me ligj”, – u shpreh Braho. I pyetur nëse Byroja do të jetë një strukturë paralele, deputeti i LSI-së theksoi: “Nuk ka marrë Ministria e Brendshme kompetenca të Prokurorisë. Prokuroria do të jetë drejtuese e punës së Byrosë së Hetimit, kështu e parashikon projekti. Nuk bëhet fjalë për struktura paralele, por një strukturë të posaçme të Policisë së Shtetit”. Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese rrëzoi projektligjin për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke e cilësuar atë si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Ambasada e SHBA-së: Byroja duhet të përputhet me Kushtetutën
Ambasada Amerikane, përmes një zëdhënësi, tha dje për “Zërin e Amerikës” se e mbështet krijimin e një strukturë ligjzbatuese që heton korrupsionin në nivelet e larta, por, sipas tij, është e rëndësishme që ky organ që do të ngrihet të jetë në përputhje me kushtetutën e vendit. “Mbështesim krijimin e një organi ligjzbatues me kapacitete të avancuara hetimore dhe autoritetin për të hetuar kriminelë apo zyrtarë të korruptuar në nivelet më të larta. Zyrtarë të FBI nga SHBA së fundi ishin në Tiranë për të diskutuar krijimin e një Byroje Kombëtare të Hetimit dhe për të ndarë ekspertizën e tyre për të mbështetur përpjekjet për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve. Sigurisht, Byroja duhet të përputhet plotësisht me Kushtetutën e Shqipërisë, prandaj opinioni dhe udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë do të jenë shumë të rëndësishme për të ndihmuar ligjvënësit shqiptarë që të përshtatin ligjin e tanishëm dhe për t’u siguruar që do të jetë kushtetues. Do të jetë e rëndësishme që çfarëdo ligji i rishikuar të hartohet në mënyrë tërësore dhe përfshirëse”, – përfundoi zëdhënësi.
Reagimi i PD-së: Rama vazhdon me strategjinë e tij për ta rikthyer Shqipërinë si Rusia e Putinit
Partia Demokratike reagoi dje ndaj deklaratave të përfaqësuesve të mazhorancës për ngritjen e Byrosë së Hetimit pavarësisht nga vendimi i Kushtetueses. Përmes kreut të grupit parlamentar demokrat Edi Paloka, PD bëri të ditur se kreu i qeverisë duke ngritur Byronë do të marrë në kontroll institucionin e drejtësisë. Sipas numrit një të grupit kuvendor të PD-së, Rama po synon të vendosë regjimin e Putinit të Rusisë në Shqipëri. “Nuk mundet që Rama të vazhdojë me strategjinë e tij për ta rikthyer Shqipërinë në një vend të ngjashëm me Rusinë e Putinit. Ajo që bëri Rama me të ashtuquajturën Byro, nuk ka synim tjetër vetëm të vendosë nën kontroll edhe institucionet e tjera të drejtësisë që ende nuk janë në kontrollin e tij”, – tha Paloka.
Kushtetuesja rrëzon dy nene të ligjit për FA-të
Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, për ligjin për Forcat e Armatosura. Presidenti Nishani kundërshtoi si të papajtueshme me Kushtetutën disa nene të ligjit të miratuar më herët nga mazhoranca. Për këtë kreu i shtetit i kërkoi Gjykatës Kushtetuese me pretendimet e tij. Pasi shqyrtoi dhe analizoi kërkesën Gjykata Kushtetuese vendosi shfuqizimin e dy neneve të ligjit “për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe rrëzimin e kërkesave të tjera të Presidentit të Republikës.