Gëzim Saliu
Kryeministri me Veliajn në Fier, nis lobimin për fushatën: Do ta kemi të vështirë ta zëvendësojmë si ministër
Kryeministri Rama iu përgjigj dje indirekt shkrimit të deputetit socialist Ben Blushi, i cili fliste për një funeral të Rilindjes së premtuar nga PS-ja para zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Nga qyteti i Fierit, Rama tha se beson ende fuqishëm tek projekti që e solli në pushtet por këmbënguli se realizimi i tij kërkon kohë dhe durim. “Do t’ia dalim që rilindjen e dëshiruar, për të cilën jemi zotuar ta kthejmë në një realitet të kudondodhur në jetën e përditshme. S’kemi thënë kurrë që kemi shkopin magjik për ta kthyer Shqipërinë në parajsë, por kemi thënë që jemi të angazhuar dhe do t’ia dalim që ta kthejmë Shqipërinë në vendin ku gjithë secili të jetojë me dinjitet”, – tha ai pas vizitës të zhvilluar në zonat që u përmbytën pak kohë më parë në Fier. Ndërkaq deputetët socialistë pak ditë më parë në mbledhjen e grupit socialist nuk pranuan të komentonin shkrimin e kolegut të tyre, Blushi, duke u justifikuar me deklaratat se nuk e kishin lexuar analizën. Deputeti socialist përmes një shkrimi të titulluar “Fjalimi im në Funeralin e Rilindjes” analizoi qeverisjen dhe mazhorancën e majtë në këto thuajse dy vite pushtet. Sipas Blushit, Rilindja ishte kthyer në një institucion të paadministrueshëm, që nuk kishte frymë, organizim, motivim, mobilizim, ide dhe që nuk mbrohet, nuk mendohet, nuk pendohet, por vetëm rrëzohet dhe bie. “Në 22 muajt e fundit, rilindistët nuk janë shtuar. Ata janë degëzuar. Sot janë ndarë tipologjikisht në dy degë: Të parët janë krenaristët dhe të dytët janë kanabistët”, – shkruante Blushi.
Rama për Veliajn
Më herët gjatë vizitës së tij në qarkun e Fierit, Kryeministri së bashku me ministrin e Mirëqenies Erion Veliaj, paraqiti reformën e pensioneve, ndërsa shpërndau personalisht dhe disa pensione sociale. Edhe pse fushata nuk ka nisur ende zyrtarisht, kreu i qeverisë nisi lotimin e tij për kandidatin e së majtës për bashkinë e Tiranës, duke vlerësuar figurën e tij. “E di mirë që nuk do jetë e lehtë për ta zëvendësuar dhe për të bërë të mundur që zëvendësuesi/ja të mund ta çojë përpara këtë punë të filluar me një vizion të qartë, të ndërtuar me një vullnet të hekurt dhe të materializuar me rezultate që mund t’i vënë në dyshim apo mund t’i përqeshin, që nuk kanë jo vetëm dëshirën, por as edhe vullnetin për tu informuar për jetën reale të njerëzve realë”, – tha ai. Nga ana e tij ministri Veliaj tha se 39 mijë pensionistë dalin çdo vit në pension, por këtë vit do kenë pension më të lartë pasi sipas tij vetëm në 1 vit qeveria ka nënshkruar 8 marrëveshje. “Unë i përkas një pasioni që më ka futur në politike që ti trajtoj kolegët me respekt. Ne nuk presim të themi shiko çfarë ka veshur ai çfarë bën ai dhe rrallë herë themi gjërat e mira. Një nga gjërat që kemi bërë më mirë është se i trajtojmë kolegët me respekt. Për njerëzit e thjeshtë që nuk i dinë bilancet e rrënuara të kaluara. Unë, Edi Rama, Subashi e miqtë e tjerë jemi futur në politike për të rregulluar jetët e njerëzve. Më vjen mirë që 39 mijë pensionist në këtë vit do e kenë pensionin më të lartë se çdo e kishin po të dilnin vjet. Në fund të këtij mandati 120 mijë vetë do e kenë më të lartë. Ne bëmë një reformë që është për njerëzit”, – tha Veliaj.
Marrëveshja me PS-në, Milo do të marrë një post zv.ministri dhe disa drejtori
Edhe pse për një kohë të gjatë shprehu kritika të forta për PS-në duke shantazhuar edhe me daljen në një pol të ri, Milo u bashkua sërish me Kryeministrin Rama. Dy ditë më parë ai nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit në bazë të së cilës qëndron edhe zbatimi i marrëveshjes së nënshkruar para dy vitesh. Nisur nga kjo pritet që Paskal Milo të marrë postin e një zëvendësministri në kabinetin qeveritar, si dhe disa drejtori në rang ministrish dhe nivel rajonal. Partia e tij do të mbështesë kandidatët e majtë në të gjitha bashkinë, ndërsa do garojë e vetme për nivel këshilltarësh. Por ndryshe nga Milo, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi nuk iu bashkua koalicionit të majtë, pavarësisht këmbënguljes së Ramës, i cili madje e telefonoi për negociata të mëtejshme por hasi në refuzim. Një tjetër i pakënaqur nga ram është edhe kreu i Aleancës Popullore, Artur Dojaka, i cili duket se nuk do të bashkohet me koalicionin e majtë.
Regjistrohen koalicionet/ PS në zgjedhjet vendore me 39 parti, Gjinushi garon vetëm. Emrat e partive të koalicionit të PD-së
Partia Socialiste dorëzoi dje përmes përfaqësuesit të saj në KQZ Genci Gjonçaj listën e koalicionit të majtë “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”. Koalicioni i majtë ka 39 parti përbërëse, mes të cilave edhe ato të deputetit të arrestuar tashmë Mark Frroku. Ndërkaq tek ky koalicioni bie në sy prurjet e “djathta” si FRD-ja e Bamir Topit, e cila duket se nuk ka pasur asnjë pretendim për bashki por është kënaqur me poste në këshillat bashkiakë. Po ashtu të majtët arritët të shkëpusnin nga koalicioni i djathtë dy parti, si PDIU-ja e Shpëtim Idrizit dhe PDK-ja e Nard Ndokës. Në limitet e kohës së regjistrimit Rama gjeti marrëveshjen me kreun e PDS-së Paskal Milo por nuk mundi të përfshinte në koalicionin e majtë aleatin tjetër tradicional, kreun e PSD-së Skënder Gjinushi, i cili do dal i vetëm në zgjedhje. Ndërkaq Partia Demokratike ka regjistruar koalicionin e saj nën emrin “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, ku pjesë e së cilit do të jenë 15 parti. Pavarësisht numrit më të vogël të partive pjesëmarrëse në koalicionin e djathtë, kreydemokrati Basha ka pohuar se aleati kryesor i demokratëve në këto zgjedhje do jenë qytetarët të cilët janë “mbytur”, sipas tij, nga mjerimi dhe varfëria. Partia kryesore pas PD-së në koalicionin e djathtë është PR-ja e Fatmir Mediut e cila do të ketë kandidatët e saj në tre bashki e do mbështesë njëkohësisht propozimet e PD-së në njësitë e tjera vendore. Një tjetër parti me peshë në koalicionin e djathtë, sidomos në Tiranë është LZHK-ja e Dashamir Shehit, e cila nuk ka pasur kërkesa për kryetarë bashkish por do përfaqësohet vetëm në këshillat bashkiakë. Parti të tjera të koalicionit të djathtë janë: Bashkimi Liberal Demokrat, balli Kombëtarë Demokrat, Partia e të Drejtave të Mohuara, Partia Konservatore Shqiptare, partia Ora e Shqipërisë, partia Bashkimi demokrat, partia Agrare Ambientaliste e Shqipërisë, Partia Lëvizja e Legalitetit, Partia Balli kombëtar, partia e Të drejtave të Mohuara e Re, partia Popullore Kristian demokrate dhe Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare.