Gëzim Saliu
Gjyqtari i Elbasanit, Hasa, dhe kryetari i Bashkisë Gramsh, Bici, kanë dhënë para në zyra për të mbyllur hallet e tyre. ILDKPKI si lavatriçe e pastrimit të parave
PD: ILDKP-ja e kthyer në hetuesi speciale, mbron hajdutët me “biografi të mirë”
Si asnjëherë më parë, kryeinspektori i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive foli dje me një gjuhë të ashpër dhe akuzuese ndaj Prokurorisë dhe sistemit të drejtësisë në vend. Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve, ku ishte ftuar për të diskutuar lidhur me raportin e ILKDPKI-së për vitin 2014, Ganaj tha se Prokuroria po përdor standarde të dyfishta për të mbyllur çështje tërësisht të ngjashme të fshehjes së pasurisë. “Prokuroria është duke punuar me dy standarde. Fshehje pasurie nga gjyqtar i Tiranës, miliona euro, fshehje pasurie edhe nga gjyqtari i Kavajës, 10 herë më pak se ky, ai i Kavajës shkon në gjyq, të Tiranës i pushohet çështja. Njëri shkon dhe tjetri nuk shkon, kjo ka të bëjë me korrupsionin. Prokuroria, për statistikat e saj të fëlliqura, që të mos vijë këtu pa gjë fare, 25 i pushon dhe bën një në Kavajë a Ersekë a kudo. Kjo bëhet për statistika të fëlliqura nga prokurorë të korruptuar dhe të fëlliqur”, – tha kreu i institucionit që kontrollon pasuritë e zyrtarëve dhe verifikon nëse ata kanë konflikt interesi.
Debati
Në raportimin e tij, kreu i ILDKPKI-së tha se në 10 vite nuk është kryer asnjë dënim dhe, sipas këtij, është e domosdoshme ndihma e Kuvendit për të ndërhyrë me ligj, duke hequr gjobën dhe vendosjen e dënimit dysheme me 1 vit. Ndërkaq ai ka akuzuar pasardhësen e tij Zana Xhuka se e kishte kthyer institucionin në një lavatriçe të pastrimit të parave. “ILDKP ishte kthyer në lavatriçe të pastrimit të parave. ILDKP ishte kthyer në një mejhane. Nga viti I kaluar të gjitha dosjet ruhen online përveçse fizikisht. Ndërsa më parë aty vidheshin apo griseshin dosjet”, – tha ai. Nga ana tjetër Ganaj tha se në listë janë edhe një gjyqtarë dhe kryetare bashkie socialist që janë dërguar për ndjekje penale jo vetëm për fshehje pasurie, por edhe për korrupsion. “Një gjyqtar dhe një kryetar bashkie kanë ardhur dhe kanë lënë paratë nëpër zyra aty për të mbyllur hallet e tyre, janë të akuzuar edhe për korrupsion. Është gjyqtari i Elbasanit, Qani Hasa, dhe kryetari i Bashkisë Gramsh, Dritan Bici”, – deklaroi kryeinspektori. Ndërkohë, deputetët e opozitës, duke iu referuar kallëzimit të ILDKPKI-së ndaj deputetit Ridvan Bode, pyetën Ganaj se mbi cilat procedura ishte mbështetur ai, duke marrë parasysh argumentimin se ligjvënësi i djathtë nuk ishte njoftuar. Po ashtu edhe deputeti tjetër i PD-së, Eduard Halimi, ngriti shqetësimin e përdorimit politik të ILDKP-së, ku pohoi: “Ne po shohim vetëm ish-ministra, ish-deputetë që shkojnë për procedim, nuk shohim këta rilindasit. Po me ata që para zgjedhjeve kishin 3 mijë euro dhe menjëherë sapo u bënë rilindas morën vila me miliona euro, ka ndonjë hetim?” Nga ana tjetër, ligjvënësi demokrat Gent Strazimiri ngrit shqetësimin se pse ILDKPKI nuk u përfshi në çështjen e kërkesës për heqjen e mandatit të deputetit Kokëdhima, i cili sipas demokratëve ishte në konflikt interesi. “Sot mora lajmin e hidhur se ILDKP-ja me vetëdije është kthyer në një hetuesi speciale, siç keni dashur dhe jeni të kënaqur ju. Nuk po heton hajdutët nga xhepat, por po i ndan ata me biografi të mirë dhe me biografi të keqe”, – deklaroi Strazimiri.
Për një ndër bashkitë kryesore/ Kush ishte kandidati që Majko tha se PS e tërhoqi për shkak se kishte fshehur pasurinë
Në diskutimin e çështjes së Bodes në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve, deputeti socialist Pandeli Majko, duke u munduar të argumentonte me kolegët demokratë se ILKDPKI nuk po funksionon mbi urdhra politikë, tha se PS u tërhoq nga një kandidat kryesor, se kishte probleme me fshehjen e pasurisë. “Disa ditë më parë, po e them këtu se edhe mund të mos e nxirrja, po, një nga kandidatët tanë kryesorë për pushtetin lokal, u prek nga ILDKP-ja. Ne po e diskutonim me shqetësim se çfarë mund të bënim dhe zoti Xhafaj dhe unë konkluzionin e parë që kishim ishte që po të ndërhyhej siç ndërhyhej rëndom, ai burrë atje do kishte një arsye më shumë për ta marrë në qafë 10 herë më keq. Prandaj, sot kërkova që ne sot mund të krenohemi si po funksionon ILDKP”, – tha Majko.
Detaje të raportit të ILDKPI-së
Kontrolli i plotë ndër vite
Viti 2014 – 1496
Viti 2013 – 0
Viti 2012 – 463
Masat administrative ndër vite
Viti 2014 – 474
Viti 2013 – 0
Viti 2012 – 71
Debati në Kuvend/ Ganaj: Si gruaja e gjyqtarit ka 100 mln euro me punë part-time? PD: Po hetoni me “biografi”
Bylykbashi: Si i njoftoni subjektet hetimore, cila është procedura?
Ganaj: Nga 1500 kontrolle, 82% janë të pakontrolluar asnjëherë.
Bylykbashi: Si garantoni ju që në një rast rezulton se s’ka asnjë njoftim të tillë?
Braho: Bylykbashi të heqë dorë nga këto provokime.
Ganaj: Nuk ka pasur dhe nuk do të ketë raste të dërguara të kallëzuar penalisht pa u njoftuar jo një herë, po dy apo tri herë.
Hysi: Më shqetëson fakti që nga 114 referime që keni bërë në prokurori, rezulton se vetëm 57 procedime penale janë regjistruar.
Ganaj: Për statistika të fëlliqura, prokuroria 25 i pushon dhe bën një në Kavajë, nga prokurorë të korruptuar e të fëlliqur që po i venë kazmën të gjithë vendit. Një nga gjyqtarët thotë se kam 100 mln euro nga puna e gruas part-time si shitëse, më thoni ju si fitohen 100 mln part-time!
Halimi: Po me ata që para zgjedhjeve kishin 3 mijë euro dhe menjëherë sapo u bënë rilindas morën vila me miliona euro, ka ndonjë hetim?
Ganaj: Po t’i hedhësh një sy listës, do më kërkosh ndjesë herës tjetër për të gjitha komentet që bëre për përdorimin tim. Do kërkosh ndjesë se po thua që jam marrë vetëm me ish-a.
Deputetët e PD-së pyesin për çështjen e kallëzimit me Boden
Ganaj: Kallëzimi është bërë për fshehje pasurie, do ta shpjegoj në prokurori.
Majko: Unë është hera e parë që shoh deputetë që vihen në rresht me ndjenjë frike për deklaratën e pasurisë. Nga prokuroria për raste të njëjta janë marrë veprime të ndryshme, gjëja më e pakët që mund të thuhet është skandal.
Strazimiri: Lajmi është që macja vazhdon të shkojë mirë me minjtë. Sot mora lajmin e hidhur se ILDKP-ja me vetëdije është kthyer në një hetuesi speciale, siç keni dashur dhe jeni të kënaqur ju. Nuk po heton hajdutët nga xhepat, por po i ndan ata me biografi të mirë dhe me biografi të keqe.
Majko: Si ka mundësi që gruaja e dikujt që punon part-time të marrë 100 mln euro? Si ka mundësi që prokurorët për 4-5 raste të njëjta gjyqtarin e Kavajës e çojnë në ndjekje penale dhe 4 të tjera nuk i çojnë? Këto janë histori të cilat neve na shqetësojnë dhe jo të bëjmë dialog të tipit të reklamës: kosi hahet apo pihet.